Një person i përulur jeton ndryshe nga një person krenar. Si do ta vlerësoje jetën tënde në lidhje me përulësinë? Këtu është një listë model që do t’ju ndihmojë të vlerësoni se sa të përulur jeni.
1. Pranim dhe besim ndaj karakterit të Perëndisë. Një person i përulur e pranon Cili është Perëndia dhe ia kujton vetes shpesh karakterin e Perëndisë. Për shkak se e bën këtë, ai i beson Perëndisë shumë më tepër se sa personi krenar. Në sprova, ai madje do ta falenderojë Perëndinë për kujtesën se sa shumë ai ka nevojë për Të dhe për të gjithë të mirat që Ai po bën përmes sprovës.
2. E konsideron veten që nuk ka të drejtë të pyesë dhe gjykojë një Perëndi të Gjithpushtetshëm dhe të Përsosur. Një njeri i përulur e mendon Perëndinë si Krijuesin e tij dhe veten e tij si krijesa e Perëndisë. Ai nuk e shikon veten aspak të kualifikuar për të gjykuar Perëndinë apo atë që Perëndia bën. Ai e di se Perëndia i Tij i përsosur dhe i gjithëditur mund të bëjë çfarëdo që i pëlqen dhe se kjo do të jetë më e mira për të (Psalmi 145:17; Romakëve 9:19-23).
3. Fokusimi tek Krishti. Të përulurit e shikojnë Krishtin si jeta e tyre dhe dashuria e tyre e parë. Nuk ka asnjë gjë apo person që ata duhet të kenë. Gjatë ditës ata i flasin Atij dhe e adhurojnë Atë shpesh (Filipianëve 1:21; Hebrenjve 12:1, 2).
4. Lutje biblike dhe me shumicë. Njerëzit e përulur duan të adhurojnë Perëndinë dhe e shohin veten totalisht të varur nga Perëndia që Ai t’i aftësojë për këtë. Xhon Ouen (John Owen) një herë tha, “Ne nuk mund të kemi asnjë fuqi nga Krishti po të mos jetojmë në bindjen se nuk kemi asnjë fuqi në veten tonë.” Për shkak se e shohin veten si nevojtarë, ata luten shpesh (1 Thesalonikasve 5:17; 1 Timoteut 2:1, 2).
5. Janë shumë të prekur nga hiri i pamerituar i Perëndisë dhe mirësia e Tij. Personi i përulur e sheh veten e tij si një që vërtet meriton ferrin. Ai është tepër mirënjohës ndaj Perëndisë për faljen kaq të madhe që i ka dhënë (Psalmi 116:12-19).
6. Janë shumë falenderues dhe mirënjohës në përgjithësi ndaj të tjerëve. Personat e përulur e falenderojnë Perëndinë dhe të tjerët shpesh. Ata nuk presin ndonjë gjë, kështu që çdo gjë që marrin e vlerësojnë shumë (1 Thesalonikasve 5:18).
7. Janë të butë dhe të duruar. Njerëzit e përulur duan të veprojnë si Perëndia, dhe nuk janë të fokusuar në atë që ata duan. Ata gjithashtu duan t’i duan të tjerët ashtu si i do ata vetë Perëndia. Ata janë të gatshëm që të presin dhe nuk zemërohen shpejt (Kolosianëve 3:12-14).
8. E shohin veten si jo më të mirë se sa të tjerët. Një person i përulur e kupton mëkatshmërinë e zemrës së tij. Ai nuk do ta shohë veten e tij si më të mirë se sa të tjerët. Kjo është e vërtetë pavarësisht se cili është personi tjetër. Ai e kupton se ai, në veten e tij, është i aftë për mëkatin më të lig. Ai bie dakord me Xhon Bredford (John Bradford) i cili tha, “Po të mos ishte për hirin e Perëndisë, atë do të bëja dhe unë” (Romakëve 12:16; Efesianëve 3:8).
9. Kanë një këndvështrim të saktë të dhuntive dhe aftësive të tyre. Njerëzit e përulur nuk vajtojnë për faktin që nuk janë aq me dhunti sa të tjerët. As nuk i ekzagjerojnë aftësitë e tyre (Romakëve 12:3).
10. Është një dëgjues i mirë. Njerëzit e përulur e konsiderojnë atë që kanë për të thënë personat e tjerë më të rëndësishme sesa ajo që ata kanë për të thënë. Ata u kushtojnë interes të tjerëve duke u bërë pyetje dhe duke i dëgjuar. Vetja nuk është fokusi i tyre parësor (Jakobi 1:19; Filipianëve 2:3, 4).
11. Flasin për të tjerët vetëm kur është e mirë dhe për të mirën e tyre. Një person i përulur flet mirë për të tjerët, jo keq. Ai thotë diçka negative për dikë vetëm nëse i duhet ta bëjë këtë për ta ndihmuar atë person (Fjalët e Urta 11:13).
12. U nënshtrohet me gëzim dhe me bindje atyre në autoritet. Njerëzit e përulur janë mbi të gjitha të bindur ndaj Perëndisë dhe më pas ndaj autoriteteve mbi ta (Romakëve 12:1-2; 13:1-2).
13. Vënë të tjerët para vetes. Njerëzit e përulur janë të gatshëm për të vendosur të tjerët përpara vetes duke mos vënë të drejtat e tyre si më të rëndësishmet (Romakëve 12:10).
14. Janë falenderues për kritikat apo qortimet. Njerëzit e përulur i shohin kritikat si të mira për ta dhe mendojnë se ndoshta Perëndia mund të jetë duke u mësuar diçka (Fjalët e Urta 9:8; 27:5, 6).
15. Kanë një frymë të mësueshme. Njerëzit e përulur janë të vetëdijshëm se nuk dinë gjithçka, dhe, edhe kur mendojnë se kanë të drejtë, janë gati për ta shqyrtuar mundësinë se mund ta kenë gabim (1 Korintasve 4:7). Ata gjithashtu e dinë se Perëndia mund të përdorë këdo për t’i mësuar, përderisa Ai ishte në gjendje të përdorte një gomar për të mësuar Balaamin tek Numrat 22:22-35. Ata admirojnë dhe respektojnë shumë njerëz.
16. Kërkojnë gjithmonë t’i ndërtojnë të tjerët. Njerëzit e përulur i inkurajojnë të tjerët. Ata përdorin vetëm fjalë që ndërtojnë dhe thonë çfarë është e nevojshme për shenjtërimin e të tjerëve. Ata nuk i ulin të tjerët (Efesianët 4:29).
17. Shërbejnë. Njerëzit e përulur janë në kërkim të mënyrave se si mund të shërbejnë dhe të ndihmojnë të tjerët. Ata janë të parët për të dalë vullnetarë për punëra që askush nuk i do. Ata marrin iniciativë për t’iu shërbyer të tjerëve (Galatasve 5:13).
18. Janë të shpejtë për ta pranuar gabimin. Njerëzit e përulur nuk e kanë problem të thonë, “E kisha gabim. Ti kishe të drejtë. Të falenderoj që ma the këtë” (Fjalët e Urta 29:23).
19. Janë të shpejtë të japin dhe të kërkojnë falje. Njerëzit e përulur janë të zellshëm për të falur, sepse e dinë se sa shumë janë falur. Ata nuk e kanë problem për të kërkuar falje, sepse duan të jenë paqebërës (Kolosianët 3:12-14).
20. Kanë pendimin nga mëkati një stil jetese. Një person i përulur i kërkon falje Perëndisë përditë dhe punon për ndryshimin e vërtetë (1 Gjonit 1:9; 1 Tim 4:7-9).
21. Minimizim i mëkatit apo i të metave të të tjerëve në krahasim me të tuat. Një person i përulur mendon për mëkatin e tij më shumë se sa për mëkatin e të tjerëve. Ai gjithashtu e konsideron më të rëndësishme të merret me mëkatin e tij, sesa me mëkatin e të tjerëve (Mateu 7:3-4).
22. Gëzohet me të vërtetë për të tjerët. Njerëzit e përulur gëzohen për gjërat e mira që u ndodhin të tjerëve, sepse janë të vetëdijshëm që Perëndia i ka bekuar jashtë mase dhe ata i besojnë Perëndisë për ato që nuk i kanë (Romakëve 12:15).
23. Janë të sinqertë për atë që janë dhe për fushat në jetën e tyre në të cilat kanë nevojë të rriten. Njerëzit e përulur janë të hapur dhe të sinqertë për rritjen e tyre në Zotin. Ata kërkojnë për ndihmë dhe përgjegjshmëri në procesin e pendimit, duke ditur se kanë nevojë për vëllezër dhe motra (Filipianët 3:12-14; Galatasve 6:2).
24. Pasja e marrëdhënieve të ngushta. Njerëzit e përulur kanë miq dhe njerëz që i duan për shkak se ata janë miqësorë dhe i duan të tjerët. Ata janë të gatshëm të kërkojnë ndihmë për vështirësi të ndryshme dhe probleme që mund të kenë (Veprat 20:31-38).
– Stuart Scott
Marre nga libri ne shqip “Nga krenaria ne perulesi”
–