Vajza: Arsye të Mira për të Veshur Vetëm Funde dhe Fustane

Fustane

Nga Xhesika, Heavenlyhearth

Që kur fillova të vesh vetëm funde dhe fustane në pranverën e vitit 2012, kam pasur shumë kohë për të menduar rreth arsyes pse e bëj këtë gjë. Nëse logjika që qëndron pas këtij stili jete nuk do të ishte e qëndrueshme, ndoshta do ta kisha braktisur shumë kohë më parë. Presioni për t’u përshtatur me normat e shoqërisë është i fortë dhe mund të vijë madje edhe nga të krishterë të tjerë. Unë kuptova që në fillim që, nëse do të isha e aftë të vazhdoja të bëja diçka kaq “radikale”, sa të vishja vetëm funde dhe fustane gjatë gjithë kohës, duhej të kisha arsye të menduara mirë për ta bërë këtë.

Më lejoni t’i ndaj këto arsye me ju këtu. Ju nuk keni pse të pajtoheni me mua; thjesht mendoni pak për to dhe shihni nëse kanë kuptim. Pastaj, ndani mendimin tuaj në fund te seksioni i komenteve.

(Për ta bërë më të rrjedhshëm leximin, në vend që të them “funde dhe fustane,” do të përdor vetëm “fustane” — por unë i kam parasysh të dyja.)

Fustanet ende kanë kuptim në shoqërinë e sotme

Perëndia dëshiron që ne të ruajmë një dallim të qartë ndërmjet roleve mashkull/femër dhe ndërmjet stileve të veshjes që këto role pasqyrojnë:

Gruaja nuk do të veshë rroba burrash, as burri nuk ka për të veshur rroba grash, sepse kushdo që bën gjëra të tilla neveritet nga Zoti, Perëndia yt.” Ligji i Përtërirë 22:5

Ai dëshiron që burrat të duken si burra dhe gratë si gra. Unë mendoj se Ai dëshiron më shumë dallim, jo më pak. Çfarë mënyre më e qartë për të dalluar natyrat tona të ndryshme sesa burrat të veshin pantallona dhe gratë fustane?

Ne jemi mësuar aq shumë me stilet uniseks (si për shembull bluzat dhe xhinset), saqë mund të na duket sikur fustanet janë bërë të vjetruara; por jo — koncepti i fustanit për gratë ende ka kuptim në shoqërinë tonë sot.

Unë personalisht nuk njoh asnjë burrë që do të vishte fustan. Pse jo? – Sepse fustanet janë vetëm për gratë, jo për burrat. Kjo është një pikë shumë e fuqishme! Duke veshur fustane, ne gratë po pohojmë (ose po rikthejmë) një stil veshjeje që tradicionalisht, në qytetërimin perëndimor, është identifikuar si “femëror.”

Tradita perëndimore është ndikuar fort nga vlerat e krishtera. Këto vlera historikisht kanë pasqyruar respektin për rolet e ndryshme të burrave dhe grave, pjesërisht të përfaqësuara edhe në mënyrën si vishemi. Kjo filloi të ndryshonte me lëvizjen për “të drejtat” e grave, dhe shtytjen që gratë, të bëhen si burrat. Edhe pse mund të ketë “prerje femërore” të pantallonave, ato prapë janë pantallona dhe janë një produkt i Feminzmit Radikal.

Në vend që të vazhdoj trashëgiminë rebele të Feministeve, unë preferoj të vazhdoj trashëgiminë e hirshme të grave të dikurshme shtëpiake, të kënaqura me rolin e tyre në shtëpi. Veshja e një fustani (veçanërisht me një përparëse mbi të!) ende na kujton atë rol, edhe sot.

Udhëzimet për modestinë jepen në Bibël

Si të krishterë, ne nuk duhet të shqetësohemi për standardet e shoqërisë mbi veshjen — të cilat janë tepër të ulëta (madje pothuajse inekzistente), ta pranojmë — dhe të jemi të përqendruar në standardet e Perëndisë për veshjen. Cilat janë ato?

Në kopshtin e Edenit, Adami dhe Eva ishin lakuriq dhe pa turp, por sapo mëkatuan, ata u ndërgjegjësuan për lakuriqësinë e tyre dhe u përpoqën të mbuloheshin me gjethe fiku. Çfarë zgjodhën ata për të mbuluar veten? Breza. Nuk e di për ju, por kur unë mendoj për “breza,” nuk më shkon mendja te diçka që mbulon shumë! Përkthimi Standarti i Ri i Rishikuar (New Revised Standard) e përkthen fjalën si “mbulesa të pjesës së ijëve.” Edhe më keq.

“Atëherë iu hapën sytë të dyve dhe e panë që ishin lakuriq; kështu ata qepën gjethe fiku dhe bënë brezaPastaj Zoti Perëndi i bëri Adamit dhe gruas së tij tunika prej lëkure dhe i veshi.” Zanafilla 3:7, 21

Kur Perëndia me mëshirë, e mori Adamin dhe Evën mënjanë për të rregulluar përpjekjen e tyre të nxituar, çfarë zgjodhi Ai? Tunika. Një tunikë e gjatë padyshim do të mbulonte shumë më tepër trup sesa një brez apo një mbulesë ijesh. Kjo ndodhi përpara se të ekzistonte ndonjë koncept i quajtur “kulturë.” Nuk mund të thuhet, “Ata u veshën me tunika sepse kjo ishte norma kulturore e kohës së tyre.” Jo; rrobat nuk ekzistonin më parë për të krahasuar stilet. Mua më duket se, meqënëse kjo ndodhi përpara ekzistencës së kulturës, atëherë është përtej kulturës — me fjalë të tjera, është e përhershme.

Fjala hebraike për “tunika” te Zanafilla 3:21 është kathoneth. Në shumë pasazhe të tjera të Dhiatës së Vjetër, në përkthimin e Mbretit Xhejms (KJV), kjo fjalë është përkthyer 23 herë si “tunikë,” pesë herë si “veshje,” dhe një herë si “mantel.” Do të thotë “tunikë, veshje e brendshme; një rrobë e gjatë, si këmishë, zakonisht prej liri.” E njëjta fjalë përdoret për rrobën shumëngjyrëshe të Jozefit dhe për veshjet priftërore të Aaronit dhe bijve të tij, të dizajnuara nga vetë Perëndia (ajo pjesë që mbulohej me brez/rrip, nën mantelin e sipërm; me fjalë të tjera, një tunikë e gjatë).

Si do jenë të veshur shenjtorët në qiell? Me mantele të gjata dhe të rrjedhshme (Zbulesa 6:11; 7:9, 13-14). Fjala greke për këtë është stole. Ajo do të thotë: “një veshje e lirshme e jashtme për burra, që zgjatet deri në këmbë, e veshur nga mbretër, priftërinj dhe persona të rangut të lartë.” Edhe pse përkufizimi thotë që kjo veshje vishej nga burra, në Zbulesë grupi që vishet me këtë lloj manteli përfshin të gjithë besimtarët që kanë dalë nga mundimi i madh. Në përkthimin e Mbretit Xhejms (KJV), ajo përkthehet pesë herë si “mantel,” një herë si “veshje e gjatë,” një herë si “rrobë e gjatë,” dhe një herë si “mantel i gjatë.” Perëndia i vesh shenjtorët e Tij me rroba mbretërore, si princër dhe princesha! A është kjo vetëm metaforike, apo do të jetë vërtet kështu mënyra si do të vishen shenjtorët? Mendimi im është se është si simbolike ashtu edhe e vërtetë. Pse të mos jetë? Edhe kjo është përtej ndikimit të kulturës dhe mund të jetë një tregues i standardeve të pandryshueshme të Perëndisë.

Pra, kur Perëndia u thotë grave të vishen me modesti (1 Timoteut 2:9), Ai na jep disa udhëzime që na ndihmojnë të kuptojmë se çfarë Ai konsideron si “modeste.” Unë nuk mendoj se është thjesht “ajo që konsiderohet modeste në kulturën tonë të veçantë.” Edhe pse stili i saktë i veshjes mund të ndryshojë, më duket se sasia e mbulimit duhet të mbetet e njëjtë gjatë gjithë kohërave dhe në çdo kulturë ku ndodhemi. Si përfundim i hulumtimeve të mia, besoj se Perëndia dëshiron që të mbulojmë të njëjtën pjesë të trupit që një tunikë mbulonte: të paktën nga supet deri te gjunjët, si minimum (nga studimet e mia, gjeta gjithashtu që shumica e tunikave të veshura nga gratë në kohët biblike shkonin deri në kyçet e këmbëve; do të flasim më shumë për gjatësinë më poshtë).

Fustanet e gjatë për gratë përmenden në Bibël


Te 1 Timoteut 2:9, përdoret një fjalë greke interesante për fjalën angleze “rroba.” Është fjala katastole, dhe i referohet një lloj veshjeje që rrjedh poshtë, një fustan. Ne tashmë e pamë fjalën stole: shenjtorët e veshin këtë në qiell. Parafjala kata- do të thotë “poshtë.” Pra, kata-stole është një mantel që bie poshtë. Kjo thekson jo vetëm llojin e veshjes (nuk mund të përkthehet si “pantallona”, të cilat përmenden në Bibël në lidhje me burrat), por gjithashtu edhe gjatësinë e veshjes. Ideja është që ajo të jetë modeste me gjatësi të gjatë. Kjo fjalë përdoret vetëm një herë në Dhiatën e Re.

Po ashtu edhe gratë, të stolisin veten e tyre me rroba të ndershme, me cipë dhe modesti dhe jo me gërsheta a me ar, a me margaritarë, a me rroba të shtrenjta, po përmes veprave të mira, si u ka hije grave që i kushtohen perëndishmërisë.” 1 Timoteut 2:9-10

Së pari, vëreni që thotë se gratë duhet të stolisen “me cipë.” Kjo më bën të mendoj për një grua që do të turpërohej të vishte diçka që do të zbulonte shumë nga trupi i saj; fytyra e saj do të skuqej nga turpi. Ajo do të ndihej në siklet në diçka të pahijshme. Ajo nuk është ende aq e ngurtësuar në zemër sa të mos ndjejë më turp.

“Modestia” më bën të mendoj për një grua të përmbajtur, me mendje të kthjellët. Ajo nuk është e cekët, e përqendruar te moda, ose tek ajo që e bën të duket mirë apo seksi. Ajo ka kuptim të shëndoshë.

Ky varg nuk jep thjesht një sugjerim, por një urdhërim. Nuk jep vetëm një përshkrim se “si visheshin njerëzit atëherë,” por jep drejtim se si duhet të vishet një grua e krishterë në çdo kohë. Bibla është frymëzuar nga Perëndia (2 Timoteut 3:16), dhe kjo do të thotë çdo fjalë, përfshirë edhe fjalën katastole.

Këtu gjejmë udhëzime të qarta për mënyrën se si duhet të vishet gruaja, edhe pse nuk thotë gjë për burrat. A mund të veshë një burrë një mantel të gjatë? Kjo nuk do të ishte në kundërshtim me Shkrimin. A mund të veshë një burrë pantallona? As kjo nuk do të ishte në kundërshtim me Shkrimin. Pra, një burrë mund t’i veshë të dyja. Por a mund të veshë një grua pantallona? Askund në Bibël nuk shohim ndonjë precedent për këtë. Por ne shohim precedent për fustane apo tunika të gjata për gratë; kjo është diçka që përputhet me Shkrimin.

Duket sikur Perëndia është specifik këtu për atë që nënkupton me “veshje modeste”: është një lloj veshjeje që bie poshtë, afër këmbëve, një fustan. Një fund që shkon afër këmbëve ndoshta do të përkonte me këtë përshkrim gjithashtu. Ky lloj veshjeje është diçka më e gjatë se një tunikë që shkon vetëm deri te gjunjët, siç u përmend më herët. Por një tunikë e gjatë që arrin te kyçet e këmbëve (ose afër tyre) dhe ky lloj fustani i tipit katastole që bie poshtë përputhen mirë me njëra-tjetrën. Kjo na jep më shumë qartësi.

Dikush mund të thotë: “Epo, Perëndia përdori fjalën katastole sepse kjo ishte ajo që gratë e asaj kohe vishnin dhe ato do ta kuptonin se çfarë nënkuptonte Ai. Për kohën dhe kulturën e tyre, një katastole ishte ajo me të cilën ishin të njohura dhe që konsiderohej modeste për to. Ose ndoshta Perëndia po u thoshte që kur të vishnin katastole, të siguroheshin që ta bënin në mënyrë modeste. Kjo nuk do të thotë që duhet të veshim katastole sot.” E kuptoj këtë arsyetim. Ai përdoret për të shpjeguar edhe pasazhe të tjera të Biblës (përfshirë edhe pasazhin për mbulimin e kokës). Sigurisht, është një mënyrë për t’iu qasur këtij çështjeje. Edhe pse ka një mundësi që mund të jetë e saktë, nuk mendoj se është e tillë, dhe do të shpjegoj pse jo.

Si mund ta dimë që Perëndia nuk kishte qëllim për ne që të vishnim katastole? Është e qartë që termi nuk përcakton një stil të caktuar katastole; nuk jep matje centimetri, ngjyrë, sa copa materiali, nëse është e mbledhur, palosur apo e drejtë, nëse ka thekë, etj. Thjesht na thotë se është një veshje që mbulon trupin poshtë deri te këmbët, përkundër pantallonave apo një tunike shumë të shkurtër. Pse e përdori Fryma e Shenjtë këtë fjalë? Ai mund të kishte përdorur një fjalë më të përgjithshme, si fjalën greke për “veshje” në përgjithësi, e cila me sa di nuk është katastole. Po sikur Perëndia vërtet ta ketë pasur fjalën në mënyrë të drejtpërdrejtë? Nëse e hedhim mënjanë këtë pasazh dhe kuptimin e tij si të parëndësishëm, atëherë mund të bëhemi fajtorë për shtrembërimin e Fjalës së Perëndisë! “Po sikur Ai të mos e ketë pasur fjalën ashtu?” Po, por, po sikur ta ketë pasur? Mendoj se është më e sigurt të supozojmë se është aty për një arsye, dhe se ajo arsye është që Perëndia dëshiron që ne t’i bindemi. Është rregulli i Tij për gratë e krishtera, dhe nuk besoj se ky rregull do të ndryshonte vetëm sepse kultura përreth nesh ndryshon.

A do të përpiqemi vërtet të ndërtojmë një standard mbi bazën e një kulture të paqëndrueshme dhe të prishur? Si do të kishim ndonjë mënyrë për të ditur se çfarë është modeste nëse heqim standardin e Fjalës së Perëndisë? Nëse themi: “Epo, ne thjesht duhet të ndjekim atë që konsiderohet modeste për kulturën tonë,” atëherë ne kemi bërë një deklaratë absurde. Kultura jonë realisht nuk është se ka në standard për modestinë. Përkufizimi gjithnjë ndryshon; ajo që konsiderohej “jo modeste” dje, sot konsiderohet “e pranueshme.” Dhe megjithatë, për ta përsëritur atë që thashë më parë, ne ende kemi mbetje të një tradite të mëparshme, ku edhe sot fundet dhe fustanet njihen si diçka që u përket posaçërisht grave — sado jo modeste të jenë mënyrat e veshjes së grave në kulturën tonë.

Kjo ka më shumë kuptim

Nuk po them se ka vetëm një mënyrë të saktë për t’u veshur dhe se ajo është mënyra ime. Unë nuk jam e përsosur dhe mund të jem duke keqkuptuar diçka (edhe pse nuk e mendoj). Nëse dikush mendon se ka një mënyrë më të mirë për të qenë njëkohësisht modeste dhe femërore, le ta ndjekë atë. E pranoj me kujdes se mund të ketë variacione të ndryshme që përputhen me udhëzimet biblike. Por nëse, pasi të jenë shqyrtuar të gjitha këto mundësi, veshja me fustane të gjata mbetet më e arsyeshmja, atëherë pse të mos zbatohet?

Unë thjesht dua të jem sa më në përputhje që mundem me moralin biblik.

Ju lutem më dëgjoni mirë për këtë: Më duket se e vetmja mënyrë se si të krishterët që vishen në mënyrë të papërshtatshme dhe jo modeste arrijnë ta durojnë veten, është duke e shtypur ndërgjegjen e tyre dhe duke e fshehur thellë atë në xhepin e tyre. Ata e dinë që nuk janë në përputhje, por refuzojnë që të përballen me këtë realitet. Pse të mos ndalemi së jetuari kështu? Mendoj se ka ardhur koha — si të krishterë — të jetojmë më qëllimisht për Krishtin në çdo aspekt të ecjes sonë në këtë tokë, duke përfshirë edhe mënyrën se si paraqitemi para botës përmes veshjes sonë, që është gjëja e parë që bota shikon para se të themi ndonjë fjalë.

Fustanet e gjata, që rrjedhin lirshëm dhe janë modeste, janë të arsyeshme për gratë sepse jo vetëm që mbulojnë lëkurën, por edhe formën e trupit. Kjo ndihmon në ruajtjen e nderit dhe dinjitetit të trupave tanë duke mos i ekspozuar përpara botës. Jo, ne nuk kemi pse të veshim thasë pa formë; por mendoj se ia vlen ta bëjmë këtë pyetje: A po ia zbuloj trupin tim burrave që nuk kanë të drejtë ta shohin atë? Edhe pse pantallonat mbulojnë lëkurën, ato nuk fshehin formën e zonave intime (pjesa e pasme dhe ijët). A është kjo vërtet ajo që duam që burrat të shohin? Më thellë akoma: A është kjo ajo që Perëndia dëshiron që burrat të shohin?

Adresimi i Shqetësimeve Praktike

Po ju tregoj fare hapur: jo të gjithë fundet dhe fustanet e mia janë deri në kyçin e këmbës. Kam disa që janë disa centimetra poshtë gjurit, dhe të tjera që janë pak poshtë gjurit. A ju çudit kjo pas gjithçkaje që kam shkruar më lart? Më lejoni ta shpjegoj.

Nëse gjithçka do të ishte ideale, preferenca ime do të ishte që të gjitha fundet dhe fustanet e mia të ishin deri te kyçi i këmbës, dhe përpiqem të ec sipas këtij standarti. Megjithatë, kur kërkoj për rroba modeste, ndonjëherë më duhet të sakrifikoj një zonë për hir të një tjetre. Për shembull, një fustan mund të jetë shumë i gjatë por pak a shumë i ngjitur pas trupit. Një tjetër mund të mos jetë aq i gjatë, por është më i lirshëm. Cili është më i miri për t’u blerë? Ky është një shembull se si e shoh modestinë në tërësi që një veshje mund të më japë, pa pritur që çdo detaj të jetë i përsosur.

Unë kam një fustan me gjatësi deri te gjuri që e vesh me strece (jeggings) poshtë kur eci me biçikletë; gjithashtu për këtë arsye kam blerë fund-pantallona (skorts) që i përdor edhe në raste të tjera, kryesisht në shtëpi. Nganjëherë blej diçka që është në ofertë sepse kam nevojë për një fustan të ri dhe nuk mund të përballoj opsionin më ideal. Ndonjëherë dikush më dhuron diçka. Ose mund të kem nevojë për diçka që i përshtatet trupit tim në një periudhë të caktuar (si shtatzënia apo pas lindjes), ose më ndihmon për të ushqyer foshnjën (si p.sh. një fund në vend të fustanit) dhe që përputhet me një bluzë të caktuar. Mendoj se ka disa variacione të pranueshme për të qenë modeste ndërkohë që vishemi me funde dhe fustane. Kam hir për veten time, dhe nuk dua të jem shumë e ashpër me të tjerat. Mendoj se është shumë e rëndësishme të dimë se çfarë thotë Bibla dhe të përpiqemi t’i afrohemi atij ideali (që është i bukur dhe i mirë!), por ne gjithashtu përballemi me kufizime. Thjesht të bëjmë më të mirën me çfarë kemi dhe me çfarë mund të përballojmë!

Veshja vetëm me funde dhe fustane për gratë është modeste, femërore dhe e bukur. Besoj se kjo është mënyra se si Perëndia do të donte që ne të vishemi. Jo vetëm kaq, por dyshoj se edhe shumë gra, në mënyrë të fshehtë, e dëshirojnë këtë; por, për fat të keq, nuk e bëjnë sepse ndihen të pasigurta. Këshilla ime për gratë e krishtera sot është që të mos lejojmë presionin shoqëror të na kontrollojë. Ne kemi lirinë — në Krishtin — të ngrihemi mbi prishjen e kulturës sonë dhe standardet e saj të ulëta në mënyrë të marrë, mbi turmat që ndjekin njëra-tjetrën verbërisht, mbi pritshmëritë shoqërore që e shtypin individualitetin dhe bukurinë tonë, dhe të themi: “Mjaft më!” Ne mund të dalim nga ajo barrë dhe të jemi vërtet të lira, të lira për të qenë femërore dhe dinjitoze që Perëndia na krijoi të jemi.

Lexoni më shumë arsye të mira për të veshur fustane të gjata: Puritan News Weekly, “A Duhet Gratë të Vishen me Fustane të Gjata?

Cilat “argumente” në favor të veshjes modeste përmes përdorimit vetëm të fundeve dhe fustaneve tërheqin më shumë vëmendjen tënde? A ke ndonjë gjë për të shtuar që ndoshta unë nuk e kam përmendur?
Si ka qenë udhëtimi yt personal në lidhje me modestinë?
Pse mendon se mënyra e veshjes në kulturën tonë ka ndryshuar kaq shumë gjatë 100 viteve të fundit?


~ Xhesika (Jessica)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes