Shkëputur nga libri “Të vishesh për Zotin” nga David Cloud.
Një nga fushëbetejat për standardet e veshjes së krishterë në Amerikën e Veriut dhe në shumë vende të tjera është çështja e pantallonave tek gratë. Edhe pse kjo është përmendur më parë, dua ta trajtoj më thellësisht në këtë pjesë. Nuk besoj se kjo është një çështje e ndërlikuar. Ka dy arsye të thjeshta biblike pse jemi të bindur se gratë e krishtera nuk duhet të veshin pantallona.
Çështja e uniseksit
Së pari, pantallonat për gra janë një deklaratë mode uniseks dhe luajnë një rol qendror në lëvizjen moderne uniseks. Kjo u shpjegua në kapitullin “Udhëzimet biblike për veshjen” nga Bruce Lackey, por ia vlen të përsëritet.
Ligji i Ripërtërirë 22:4 i ndalon gratë të veshin atë që u përket burrave.
“Gruaja nuk do të veshë rroba burrash, as burri nuk ka për të veshur rroba grash, sepse kushdo që bën gjëra të tilla neveritet nga Zoti, Perëndia yt.”
Ata që argumentojnë se pantallonat janë veshje e përshtatshme për gratë e krishtera përpiqen ta diskreditojnë këtë varg duke thënë se ai është pjesë e Ligjit që është shfuqizuar. Edhe pse e dimë që Ligji i Moisiut nuk është Ligji i të Krishterit, ai përmban mësime për jetën e krishterë. Te 1 Korintasve 10, Pali përmend shumë gjëra nga Pentateuku dhe përfundon: “Dhe të gjitha këto gjëra u ndodhën atyre si shëmbull, dhe janë shkruar për paralajmërimin tonë, për ne që jemi në mbarim të epokët.” (1 Kor. 10:11)
Edhe pse Ligji i Ripërtërirë 22:5 është pjesë e Ligjit të Moisiut, dhe besimtari i Dhiatës së Re nuk është nën atë Ligj por jeton sipas ligjit më të lartë, Ligjit të Shpirtit, është gjithashtu e vërtetë që ky varg përmban një parim moral, që është shkruar për paralajmërimin tonë. Ky parim është që duhet të ekzistojë një dallim i qartë në mënyrën se si vishen burrat dhe gratë.
Pali e thekson këtë te 1 Korintasve 14:34, kur thotë: “Gratë tuaja të heshtin në kishë, sepse nuk u lejohet të flasin, por duhet të nënshtrohen, sikurse thotë edhe ligji.” Pra, sipas Palit, Ligji i Moisiut flet drejtpërdrejt për jetën e krishterë kur bëhet fjalë për dallimin e krijuar midis mashkullit dhe femrës.
Një mënyrë tjetër se si disa përpiqen ta diskreditojnë përdorimin e Ligjit të Ripërtërirë 22:5 është duke thënë që, nëse ndjekim këtë varg sot, atëherë duhet të ndjekim edhe vargjet 9-11 në të njëjtin kapitull, të cilat thonë:
“Nuk do të mbjellësh në vreshtin tënd farëra të llojeve të ndryshme, me qëllim që prodhimi i asaj që ke mbjellë dhe renta e vreshtit të mos preken. Nuk do të punosh njëkohësisht me një ka dhe një gomar. Nuk do të veshësh rroba të bëra me një stof të përzierë leshi dhe liri.”
Edhe pse nuk i bindemi më këtyre urdhërimeve në fushën materiale, ende duhet të ndjekim parimin që ato mësojnë në sferën shpirtërore. Duke dhënë këto urdhëresa, Perëndia po i mësonte Izraelit parimin e ndarjes. Ata nuk duhej të përzienin farëra apo lloje pëlhure, sepse në përditshmërinë e tyre po jepnin një ilustrim që duhej të bënin dallim mes të mirës dhe të keqes. Ligje të tilla ishin projektuar për t’i mësuar: “të mundni të dalloni midis të shenjtit dhe profanit, midis të papastrit dhe të pastrit,” (Levitiku 10:10) Pra, Ligji i Ripërtërirë 22:9-11 i kujton të krishterit të Dhiatës së Re se ai duhet të ndahet nga çdo gjë që është e keqe dhe e papëlqyeshme para Zotit (Mateu 6:24; 2 Korintasve 6:14-17; 1 Gjoni 2:15-16, etj.).
Komentuesit e së shkuarës, që nuk ishin të ndikuar në asnjë mënyrë nga debati rreth modës moderne, besonin se mësimi i Ligjit të Ripërtërirë 22:5 është i zbatueshëm për jetën e krishterë.
Shënimet fundore në Biblën e Gjenevës (1560) thoshin:
“Gruaja të mos veshë atë që i përket burrit, as burri të mos veshë petkun e gruas; sepse të gjithë ata që bëjnë kështu janë neveri përpara ZOTIT, Perëndisë tënd. Sepse kjo ndryshon rregullin e natyrës dhe tregon se ti përçmon Perëndinë.”
Matthew Poole (1624–1679) tha:
“Kjo është ndaluar, pjesërisht për hir të hijeshisë, që njerëzit të mos ngatërrojnë, apo të duken sikur ngatërrojnë, gjinitë të cilat Perëndia i ka dalluar, në mënyrë që çdo dukje e së keqes të shmanget; ky ndërrim veshjesh mbart një hije të qartë ose një shenjë butësie dhe feminizmi te burri, arrogancë dhe pafytyrësi te gruaja, mendjelehtësi dhe çapkënllëk te të dy; dhe pjesërisht për të hequr çdo dyshim ose rast për të keqen, që kjo praktikë u hap një derë të madhe.”
Matthew Henry (1662–1714) tha:
“Dallimi i gjinive përmes veshjes duhet të ruhet, për ruajtjen e pastërtisë sonë dhe të të afërmit tonë, Ligji i Ripërtërirë 22:5. Vetë natyra mëson se duhet të ketë dallim midis tyre në flokë (1 Kor. 11:14), dhe me të njëjtin rregull edhe në rrobat e tyre, të cilat për këtë arsye nuk duhet të ngatërrohen, as në përdorim të zakonshëm dhe as në raste të veçanta.”
John Gill (1697–1771) tha:
“Gruaja të mos veshë atë që i përket burrit… Kjo është shumë e pahijshme dhe e pacipë, dhe kundër ndrojtjes së natyrshme të gjinisë së saj… as burri të mos veshë rrobat e gruas; kjo do të tregonte feminizëm dhe butësi që nuk i takon burrave, dhe do të hapte rrugën për shumë papastërti, duke i dhënë mundësinë për t’u përzier me gratë, dhe kështu për të rënë në kurvëri dhe kurorëshkelje me to; për të parandaluar këtë dhe për të ruajtur pastërtinë duket se është dhënë ky ligj; dhe meqënëse në natyrë ka dallim gjinor, është e përshtatshme dhe e nevojshme që kjo të njihet përmes dallimit në veshje, sepse përndryshe mund të pasojnë shumë të këqija; dhe ky urdhër është në përputhje me ligjin dhe dritën e natyrës…”
Adam Clarke (1762–1832) tha:
“Megjithatë, është një urdhërim i përgjithshëm shumë i mirë dhe zbatohet veçanërisht në ato vende ku vetëm veshja e dallon mashkullin nga femra. Një zotëri i rruar shkurt mund të duket në çdo kohë si një grua në veshje femërore, dhe një grua të duket si burrë në veshje mashkulli. Nëse kjo do të tolerohej në shoqëri, do të prodhonte kaosin më të madh.”
Albert Barnes (1789–1870) shkroi:
“Dallimi midis gjinive është natyror dhe i vendosur Hyjnërisht, dhe nuk mund të neglizhohet pa mungesë pahijshmërie dhe pa rrezik të pastërtisë (krahaso 1 Kor. 11:3–15).”
Jamieson, Fausset, Brown (1864) thanë:
“Këto u ndaluan me të drejtë; sepse përvetësimi i veshjeve të gjinisë tjetër është një fyerje ndaj hijeshisë, zhduk dallimet natyrore duke nxitur butësinë dhe feminizmin te burri, pafytyrësinë dhe guximin te gruaja, si dhe mendjelehtësinë dhe hipokrizinë te të dy; dhe, në fund, kjo hap derën për një valë të madhe të kaq shumë ligësive, saqë të gjithë ata që veshin rrobat e gjinisë tjetër shpallen si ‘neveri përpara Zotit.’”
“Ndoshta e keni vënë re që shumë prej këtyre komentuesve të vjetër kanë lidhur parimin e Ligjit të Përtërirë 22:5 me atë të 1 Korintasve 11, ku Pali mëson se gruaja dhe burri duhet të ruajnë një ndryshim në pamje. “Po vetë natyra, a nuk ju mëson se, në qoftë se një burrë i mban flokët të gjata, kjo është çnderim për të? Por në qoftë se gruaja i ka flokët të gjata, kjo është lavdi për të, sepse flokët i janë dhënë asaj për mbulesë.” (1 Kor. 11:14-15).
Pali thotë se dallimi në pamje duhet të ruhet për shkak të rendit të krijimit dhe roleve të ndryshme për të cilat burri dhe gruaja janë krijuar për t’i përmbushur.
“Sepse burri nuk duhet të mbulojë kryet, sepse është shëmbëllimi dhe lavdia e Perëndisë, kurse gruaja është lavdia e burrit, sepse burri nuk është nga gruaja, por gruaja nga burri, edhe sepse burri nuk u krijua për gruan, por gruaja për burrin.” (1 Kor. 11:7-9).
Në fillim, Perëndia krijoi burrin dhe gruan për role të ndryshme në tokë.
“Kështu Perëndia krijoi njeriun simbas shëmbëlltyrës së vet, simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi MASHKULLIN E FEMRËN.” (Zan. 1:27).
Pra, si Dhiata e Vjetër, ashtu edhe Dhiata e Re mësojnë se është vullneti i Perëndisë që burri dhe gruaja të vishen në mënyrë dalluese. Një grua bëri këtë vëzhgim të rëndësishëm:
“Njerëzit duken sikur po luajnë ‘zgjidh e merr’ me vargjet e Dhiatës së Vjetër. Ata duan psalmin 23, psalmin 100 dhe të gjitha ato vargje nga Dhiata e Vjetër që nuk ndikojnë në mënyrën e tyre të jetesës, por pastaj përpiqen të injorojnë çdo varg të Dhiatës së Vjetër që do të kishte ndonjë ndikim në mënyrën se si jetojnë. Por 2 Timoteut 3:16 thotë: ‘I GJITHË SHKRIMI është i frymëzuar nga Perëndia dhe I DOBISHËM për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi,’”
Historia e pantallonave për gratë në shoqërinë perëndimore
Meqenëse rendi i krijimit nuk ka ndryshuar dhe Perëndia nuk ka ndryshuar, është e qartë se lëvizja moderne uniseks është një rebelim i hapur dhe i lig ndaj të Plotfuqishmit dhe ndaj Fjalës së Tij. I krishteri nuk duhet të ketë asnjë lidhje me një lëvizje apo filozofi të tillë.
Që pantallonat tek gratë janë një modë uniseks është e qartë kur shqyrtojmë historinë e kohës dhe arsyen se pse gratë filluan të veshin pantallona në kulturën perëndimore. Pantallonat për gratë u shfaqën si pjesë e një revolucioni shoqëror në shekullin e njëzetë, ku gratë po luftonin për “të drejtat” e tyre dhe për t’u barazuar me burrat. Pantallonat e tyre janë një deklaratë feministe dhe uniseks.
Shprehja “Kush i mban pantallonat në familje” tregon faktin se tradicionalisht, pantallonat ishin veshje mashkullore, dhe gruaja që i vishte merrte një rol mashkullor. Simbolet universale që dallojnë mashkullin nga femra (një figurë mashkulli me pantallona dhe një figurë femre me fustan), të cilat ende përdoren në dyert e tualeteve publike sot, lindën nga fakti që pantallonat ishin tradicionalisht veshje mashkullore.
Artikulli “Pantallonat për Gratë” në faqen laike BookRags.com vëren se “pantallonat për gratë dolën nga lëvizja feministe.”
William Nicholson, në librin “Veshja Gjuha universale (Clothing the Universal Language)”, vëren se në vitet 1920 “të vishje pantallona në zyrë apo në park ishte ende e papranueshme, dhe çdo femër që shfaqej në një rast zyrtar me kostum me pantallona konsiderohej si një ekscentrike bohemiane dhe ndoshta lezbike.”
Ishte në fund të viteve 1930, përpara Luftës së Dytë Botërore, që pantallonat tek gratë filluan të bëheshin një deklaratë mode – dhe kjo nisi në Hollivud, që gjithmonë ka shtyrë kufijtë moralë. Katherine Hepburn dhe Marlene Dietrich ishin në pararojë të kësaj.
“Kur ylli i filmit, diva Marlene Dietrich, u shfaq me pantallona të gjëra në filmin e saj të parë në SHBA, Morocco, në vitin 1930, ajo sinjalizoi kalimin e pantallonave për gra, nga veshje sportive në modë të lartë. Duke i veshur ato si në filma ashtu edhe në jetën private, ajo e bëri pamjen me pantallona të popullarizuar” (“Pantallonat për Gratë”, www.bookrags.com).
Megjithatë, pantallonat ende nuk ishin gjerësisht të pranuara mes grave në shoqëri. Kjo nuk ndodhi deri pas Luftës së Dytë Botërore. Pantallonat dhe kapritë për gra u bënë pak më të njohura në vitet 1950, por vetëm në vitet 1960 pantallonat për gra morën një vend në kulturë përmes revolucionit të rock & roll-it.
“Pantallonat dhe xhinset e viteve 1960 dhe 1970 ishin gjeste serioze drejt barazisë së plotë gjinore” (Nicholson).
“[Moda uniseks u shfaq në vitet 1960.] Si burrat dhe gratë vishnin xhinse blu, ‘hipsters’ dhe pantallona të ngushta me zinxhir përpara. Fryma e kësaj lidhjeje të re mes pantallonave dhe çlirimit shoqëror e seksual mund të shihet në romanin e Alice Walker “Ngjyra e Purpurt (The Color Purple)” (1982), ku fitorja shoqërore e heroinës kulmon me hapjen e një dyqani uniseks xhinsesh” (“Pantallonat për Gratë”).
Enciklopedia Ilustruese e Veshjeve dhe Modës bën të njëjtën vëzhgim për historinë e pantallonave tek gratë:
“Revolucioni i vërtetë i pantallonave ndodhi në vitet 1960, me modat uniseks, megjithëse edhe në atë kohë grave që mbanin pantallona shpeshherë u ndalohej hyrja në restorante dhe kjo çështje ishte objekt debatesh të ashpra. Deri në vitet 1970 rregullat dhe qëndrimet shoqërore u zbutën dhe pantallonat në gjatësi dhe stile të ndryshme u bënë pjesë e pranueshme e veshjes së grave, si për raste të përditshme, ashtu edhe për raste formale.”
Ky libër laik pranon se rritja e popullaritetit të pantallonave tek femrat në kulturën perëndimore ishte e lidhur ngushtë me revolucionin seksual dhe fenomenin uniseks, që të dy një fyerje ndaj Perëndisë së Biblës. Qëndrimet shoqërore duhej të ndryshonin dhe kjo ndodhi përmes goditjes së fortë të kulturës rebele të rock & roll-it.
Sigurisht që shoqëria moderne uniseks e di që ka një dallim të madh mes mashkullit dhe femrës por thekson vetëm dallimin fizik, dhe si rezultat prodhon epsh dhe imoralitet.
Një grua vërejti me mençuri:
“Oh, gjithmonë do të ketë një dallim gjinor, sepse DUHET të ketë. Por tani theksi nuk është mbi bukurinë e feminitetit të vajzës (që nxjerr në pah burrërinë tek burri). TANI theksi është te dallimi në PJESËT E TRUPIT! Nuk ka më atë dallim të qartë mes një gruaje të bukur me veshje femërore, flokë të gjatë dhe të bukur, dhe një burri mashkullor që praktikon kalorësi. (Vendos një grua vërtet femërore pranë një burri dhe shiko sa kalorës bëhet ai.) Tani theksi vihet mbi trupin e saj, gjë që çon në epsh dhe degradim të feminitetit (dhe të burrërisë gjithashtu). Një grua femërore është në vendin e saj të drejtë të një pozite të lartësuar. Por sapo ajo zbret nga piedestali i saj për të veshur pantallona dhe për të qenë ‘e barabartë’ me burrin, ajo i tërheq poshtë të gjithë, që është pikërisht ajo që Satani do. Djalli ende po i pëshpërit Evës në vesh për të shkatërruar njerëzimin”.
Pse një grua e perëndishme do të dëshironte të identifikohej me një modë që është aq ngushtësisht e lidhur me një lëvizje dhe filozofi që rebelohen kundër rendit të krijuar nga Perëndia?
Shumë burra të Perëndisë kanë vënë re se popullarizimi i veshjes me pantallona nga gratë gjatë 40 viteve të fundit ka ecur paralelisht me një rënie tronditëse të modestisë femërore. Një pastor shkroi: “Unë besoj se kjo çon në një shkatërrim të roleve gjinore, shkakton imoralitet dhe kontribuon në homoseksualizëm. Pantallonat e bëjnë një vajzë të sillet në mënyrë mashkullore. Vajzat sot nuk dinë më si të ulen si një zonjushë apo të sillen në mënyrë modeste për shkak të pantallonave të tyre. Ato kanë humbur aftësinë për të vepruar me modesti. Ato nuk përkulen më te gjunjët, por përkulen te beli, duke shfaqur kraharorin edhe kur kanë veshur rroba modeste. Ato nuk ulen me gjunjët bashkë dhe kyçet e këmbëve të kryqëzuara.”
Një tjetër shkroi:
“A jemi më të perëndishëm sot sesa brezi i gjyshërve tanë? Nuk mendoj! Ata skandalizoheshin nga gratë që vishnin pantallona, rroba banje dhe minifunde. Sot, këto gjëra janë të pranueshme mes besimtarëve dhe madje edhe në kishë.”
Një burrë tjetër tha:
“Unë jam 68 vjeç dhe jam martuar me një grua të mrekullueshme dhe modeste për 49 vite. Jam i tronditur nga mënyra se si shumë gra vishen, madje edhe në kishë. Nëna ime është 88 vjeç dhe ka punuar në arat e pambukut krah për krah me babain tim kur çdo gjë bëhej me dorë. Nuk i kam parë kurrë nënën time apo ndonjërën nga gjyshet e mia me pantallona apo me rroba të shkurtra, dhe të gjitha ato punonin në ara. Nuk kam parë kurrë ndonjërën nga gratë që më kanë rritur me ndonjë prej gjërave që përmendët. Falenderoj Perëndinë për shembullin që kanë qenë për mua. Meqë ra fjala, të gjitha ato i lanin rrobat me dorë dhe nuk kam parë kurrë të ekspozoheshin të brendshmet e grave në telat e tharjes për t’u parë nga kushdo që kalonte. Kjo tregon se modestia e tyre shkonte përtej asaj që vishnin, ajo ishte në zemrën e tyre.”
Edhe pse nuk mund ta kthejmë orën pas në atë epokë të kaluar, njerëzit e Perëndisë mund të qëndrojnë në rrugët e vjetra biblike dhe të refuzojnë diktatet e këtij brezi të cekët, të shthurur dhe rebel.
Çështja e Modestisë
Arsyeja e dytë se pse jemi të bindur që gratë e krishtera nuk duhet të veshin pantallona është sepse ato nuk janë modeste.
Reklamat për xhinset e grave nuk lënë asnjë dyshim që pantallonat tek vajzat janë të jo modeste. Në cilën pjesë të trupit përqendrohen këto reklama? Ato fokusohen në mënyrën se si burrat me epsh reagojnë ndaj theksimit që xhinset nxjerrin në përgjithësi në pah trupin e vajzës dhe një pjesë shumë nxitëse seksualisht të trupit të saj në veçanti. Xhinset portretizohen si veshje për “vajzën e festave”, si diçka që pëlqehet nga meshkujt e botës për shkak të asaj që shohin.
Në librin “Si të martohesh me Burrin që ti Zgjedh (How to Marry the Man of Your Choice)” nga Margaret Kent (New York: Warner Books, 1987), kjo autore laike i mëson gratë se si të përdorin veshjen për të “manipuluar burrat”. Ajo thotë:
“Mos e lini mënjanë fuqinë e veshjes, sepse mund të jetë një mjet i madh në tërheqjen e burrave. … ngacmoni imagjinatën e tij seksuale pa ia kënaqur kureshtjen për trupin tuaj” (fq. 29, 32).
Sa për pantallonat tek vajzat, autorja shkruan se “xhinset zakonisht marrin një reagim pozitiv sepse janë të ngushta dhe përvijëzojnë trupin; gjithashtu përfaqësojnë një qëndrim të çlirët” (fq. 36).
Autoret e krishtera të librit “Veshja: Zemra e Cështjes (Dress: The Heart of the Matter)”, japin këtë dëshmi:
“A duhet gratë të veshin pantallona? Jo! Në fakt, veshja me pantallona nxjerr në pah ose tërheq vëmendjen te zona e legenit dhe e ijeve të gruas, zona që vetëm burri i saj duhet t’i shohë. Një fustan nuk e tërheq vëmendjen te kjo zonë përveçse kur është shumë i ngushtë dhe ngjitur pas trupit” (Shirley Starr dhe Lori Waltemyer, Dress: The Heart of the Matter, fq. 37).
Ne do të shtonim se një fustan, edhe kur është i ngushtë, nuk e thekson zonën e legenit siç bëjnë pantallonat.
Cathy Corle, në librin e saj “Po cfarë vallë duhet të vesh (What in the World Should I Wear?)”, përshkruan këtë skenë ndriçuese:
“Një shoqe e imja më tregoi se vendimi i saj për ta kufizuar garderobën vetëm në fustane dhe funde erdhi si rezultat i një klase për gra. Të gjitha argumentet dhe arsyetimet e dhëna nuk patën efekt, derisa folësja tha: ‘Më lejoni t’ju demonstroj diçka.’ Ajo u kërkoi grave të mbyllnin sytë për pak çaste. Ajo mbajti lart një fotografi të madhe të një gruaje me një fund dhe bluzë të bukur, modeste dhe femërore. Pasi gratë i hapën sytë, ajo pyeti: ‘Cila është pika qendrore në këtë fotografi? Ku u përqendruan sytë tuaj menjëherë?’ Gratë ranë dakord se sytë e tyre u tërhoqën menjëherë nga fytyra e gruas. Përsëri ajo u kërkoi të mbyllnin sytë. Kësaj here, kur i hapën, po shikonin një postër të madh me një grua me këmishë sportive dhe xhinse të ngushta me zinxhir përpara. Ajo pyeti: ‘Tani, jini të sinqerta me veten. Ku shkuan sytë tuaj menjëherë kur e patë këtë foto?’ Shumë prej grave u habitën që sytë e tyre u përqendruan menjëherë te ijet dhe zona e legenit, që theksoheshin qartë, përpara se të shihnin fytyrën e gruas. Nëse kjo ndodhi në një grup grash, sa më shumë ndodh me burrat? Për shoqen time, Joetta, kjo ishte gjithë ‘prova’ që i nevojitej.”
Një grua më shkroi në përgjigje të kërkesës sime për dëshmi nga gra që kanë pasur bindje të fortë kundër veshjes me pantallona dhe tha:
“Asnjëherë nuk jam ndier rehat me pantallona… Çdo gjë që tërhiqte vëmendjen te disa pjesë të trupit më bezdiste.”
Një tjetër grua shkroi:
“Pantallonat vetëm tërheqin vëmendjen e gabuar, dhe mënyra e vetme për ta ndryshuar qëndrimin është dorëzimi – dëshira për ta kënaqur Zotin më shumë se veten dhe botën.”
Është e qartë për mua, si burrë, që pantallonat theksojnë figurën e gruas në një mënyrë joshëse dhe për rrjedhojë nuk janë modeste. Sipas vlerësimit tim, një grua me pantallona nuk është kurrë aq modeste dhe pa diskutim femërore, sa është me një fustan të rregullt.