Puritani Thomas Boston (1676-1732)
Mëshira e Veçantë dhe Detyra e Jetës
Vepra VII, fq. 582-3, 590-2
Shtatë Arsye për të Ushtruar Fenë në Familje
U bëhet thirrje kryetarëve të familjeve që të përhapin fenë te fëmijët dhe familjet e tyre.
Arsyeja 1. Merreni parasysh që juve u është dhënë përgjegjësia për shpirtin e tyre nga vetë Perëndia, që Ai ua ka besuar juve. Për këtë arsye, urdhërimi i katërt, që është baza e gjithë fesë, u drejtohet kryefamiljarëve. Në shembullin e Abrahamit tregohet qartë detyra e tyre: “E kam zgjedhur,” thotë Zoti, “me qëllim që të urdhërojë bijtë e tij dhe shtëpinë e tij të ndjekin pas tij rrugën e Zotit, duke zbatuar drejtësinë dhe barazinë,” (Zanafilla 18:19).
Arsyeja 2. Ata lindin si mëzat e egër, me një prirje natyrore drejt mëkatit dhe shkatërrimit: “Këta të pabesë janë prishur që në barkun e nënës; këta gënjeshtarë kanë marrë rrugë të keqe që në lindje.” (Psalmet 58:3). Është dashuri tepër e verbër dhe e pamend ndaj fëmijëve tuaj, nëse nuk vini re prishjen e natyrës së tyre. Dhe nëse nga natyra ata janë të prishur, çfarë mund të prisni tjetër përveç se do të rendin drejt shkatërrimit të tyre, nëse nuk përpiqeni për të mirën e shpirtit të tyre? Prandaj thotë Solomoni: “Shufra dhe qortimi japin dituri; por fëmija për të cilën nuk kujdeset kurrkush e turpëron nënen e vet.” (Fjalët e Urta 29:15).
Arsyeja 3. Prindërit e trashëgojnë atë prishje natyrore te fëmijët e tyre përmes lindjes natyrore. Natyra mëkatare e fëmijëve është një pasqyrë ku prindërit mund të shohin përulësisht veten e tyre: “Adami… i lindi një djalë që i përngjiste, një lloj në shëmbëlltyrë të tij dhe e quajti Seth.” (Zanafilla 5:3). Krahasuar me Jobin 14:4: “Kush mund të nxjerrë një gjë të pastër nga një gjë e papastër? Askush.” Nëse keni qenë mjet për të përcjellë helmimin, a nuk duhet të ndiheni të shtyrë të ofroni edhe kundërhelmin?
Arsyeja 4. Ata ndodhen në mes të shumë kurtheve, të futur në një botë ku mëkatet janë të shumta (Mateu 18:7). Rinia i bën të papjekur dhe pa përvojë, dhe i shtyn të jenë të nxituar dhe të pakujdesshëm. U duhet një këshilltar, një mësues dhe një udhërrëfyes. Si do të mësojnë, nëse nuk mësohen?
Arsyeja 5. Ju duhet të vdisni; dhe me shumë gjasë do të vdisni para tyre, duke i lënë ata në këtë botë të keqe. A nuk do të shqetësoheni për ta, që të jenë mirë kur ju të mos jeni më? Kujdesi juaj për mirëqenien e tyre materiale nuk do t’u bëjë mirë, nëse nuk jeni të shqetësuar të mbillni farat e fesë në zemrat e tyre. Do të ishte njësoj si t’i jepnit shumë vela një anijeje bosh pa ngarkesë, që mbytet në det të hapur, siç edhe shihet shpesh në përvojën e hidhur të shumë vetave.
Arsyeja 6. Edhe ata duhet të vdesin; dhe ndoshta mund të ndodhë që të vdesin para jush dhe t’ju lënë pas. Atëherë ata nuk do të kenë më dobi nga pasuria që keni grumbulluar për ta. Por feja që u keni përcjellë do të shfaqet si një thesar i çmuar. Por nëse ju e keni lënë pas dore këtë detyrë ndaj tyre, kjo do të duket si një neglizhencë kriminale, që nuk do ta keni më mundësinë ta rregulloni; dhe do t’ju lërë një plagë të dhimbshme në ndërgjegje, nëse nuk jeni krejt të pandjeshëm.
Arsyeja 7. Së fundi, çfarë ngushëllimi mund të keni për ta, kur nuk keni asnjë shpresë të mirë për lumturinë e tyre të përjetshme? Edhe sikur të bëhen zotërinj dhe zonja në këtë botë, nëse do të humbasin përgjithmonë në tjetrën, çfarë ngushëllimi ka aty? Barku i thatë dhe gjinjtë e thatë janë më të preferueshëm se të lindësh fëmijë për vrasësit; aq më tepër për ferrin.
Le të ndikojnë këto gjëra mbi ndërgjegjen tuaj dhe dashurinë natyrore prindërore, që të ngriheni për të përhapur fenë te brezi që po rritet. Nëse keni sadopak ndjenjë detyre ndaj Perëndisë, ndonjë ndjenjë njerëzore ndaj krijesave të tjera, mos e neglizhoni më. Për udhëzime të veçanta, unë propozoj:
Dhjetë Udhëzime për Fenë në Familje
1. Njihini fëmijët tuaj me fjalën e Perëndisë. Mësojini fëmijët tuaj të lexojnë; dhe për shërbëtorët tuaj që nuk dinë të lexojnë, tregohuni aq bamirës sa t’i mësoni. Dhe ju që jeni shërbëtorë, sigurohuni për këtë në kushtet kur punësoheni. Shtyjini dhe nxitini të lexojnë Shkrimet rregullisht, kur të kenë mundësi ta bëjnë. Për Timoteun thuhet për nder të tij: “dhe se që nga fëmijëria i njeh Shkrimet e shenjta, të cilat mund të të bëjnë të ditur për shpëtimin me anë të besimit që është në Krishtin Jezus.” (2 Timoteu 3:15).
2. Mos e lini pas dore katekizimin në familje. Kërkojuni fëmijëve të mësojnë përmendësh Katekizmin e Shkurtër të Uestminster-it dhe përpiquni t’i bëni ta kuptojnë përmes pyetjeve dhe përgjigjeve. Për këtë, keni shumë mjete të mira në dispozicion.
3. Kujtojini shpesh për gjendjen e tyre mëkatare dhe të mjerueshme që kanë nga natyra, dhe për shpëtimin që kanë në Jezu Krishtin.
4. Bashkoni një këshillim praktik me katekizimin. Do të ishte e dobishme që çdo pyetje e katekizmit të mbyllej me një këshillë të shkurtër me përdorim praktik. Për shembull, tek pyetja e parë, [“Qëllimi kryesor i njeriut është të përlëvdojë Perëndinë dhe të gëzohet në Të përjetë”], këshillojini: Mbajeni mend mirë se gjëja më e madhe që keni për të bërë në këtë botë është të përlëvdoni Perëndinë; dhe gjëja më e madhe që keni për të kërkuar është gëzimi në Të.
5. Mësojini dhe edukojini ata me nderimin dhe vlerësimin për shërbesën e ungjillit, si një urdhërim i Krishtit për shpëtimin e mëkatarëve. Detyrojeni familjen tuaj të marrë pjesë me ndërgjegje në shërbesat; askush të mos qëndrojë në shtëpi kur është në gjendje të përfitojë nga fjala, përveç nëse ka një arsye të vlefshme përpara Perëndisë (1 Korintasve 1:21). E theksoj këtë më shumë sepse disa rriten në neglizhencë, madje edhe përçmim ndaj saj, duke sjellë shkatërrimin e shpirtrave të tyre. Kujtoni fëmijët e shkretë të Bethelit.
6. Mësojini dhe përpiquni t’ua rrënjosni bindjen për kotësinë e botës dhe pamundësinë për të gjetur prehje për zemrat e tyre në ndonjë krijesë. Thuaju nga fjala e Perëndisë, nga përvoja juaj dhe e tyre.
7. Mësojini dhe përpiquni t’i bindni se lumturia e plotë gjendet vetëm te Perëndia në Krishtin, siç ofrohet në premtimin e ungjillit. Sigurojini solemnisht se atje mund të gjejnë prehje për zemrën; dhe se Perëndia po u ofrohet si i tillë.
8. Bëjuani të njohur sa i mirë është Perëndia si Zot; sa e ëmbël është rruga e shenjtërisë; sa i lig është djalli si zot; sa i urryer është mëkati për Perëndinë; sa shumë i kushtoi Krishtit; dhe sa i hidhur do të jetë për mëkatarin, qoftë në këtë jetë apo në përjetësi.
9. Shtyjini të luten me çdo mënyrë, dhe mësojini të luten, dhe kujtojini vazhdimisht nevojën për lutje.
10. Bëjuni të njohur se Perëndia është Perëndi i drejtësisë së përsosur dhe i së vërtetës më të pastër: dhe për këtë arsye, nëse i doni shpirtrat e tyre, përpiquni shpesh t’u mësoni një neveri të thellë ndaj çdo padrejtësie, sado e vogël qoftë, dhe ndaj çdo gënjeshtre, në çfarëdo rasti. Mënyra e keqe siç disa rriten për këto gjëra, i lë pa ndërgjegje për ndershmërinë dhe të vërtetën më të zakonshme.
Dhe mbajeni mend: “Urdhërimi duhet të jetë mbi urdhërim, urdhërim mbi urdhërim, vijë mbi vijë, vijë mbi vijë, këtu pak e atje pak” (Isaia 28:10).
Dhe mos u dekurajoni, edhe nëse nuk shihni frytin. Fryti mund të vijë kur ju të jeni në varr. Kujtoni kthimin e Manaseut, kur i ati i tij i perëndishëm kishte vdekur dhe kishte kaluar [2 Kronikave 33:1-16].
Thirrje për Fëmijët
Tani, ju të rinj dhe fëmijë, për të cilët u tha kaq shumë, do ta mbyll me tre fjalë për ju dhe një ofertë të madhe.
1. Krishti dhe djalli po luftojnë për ju. Krishti po lufton për ju përmes shërbëtorëve të Tij, prindërve tuaj dhe mësuesve që tregojnë kujdes për shpirtin tuaj, dhe përmes ndërgjegjes suaj. Djalli po përpiqet t’ju mbajë përmes tundimeve, botës së kotë dhe të ligë, dhe dëshirave tuaja. Por djalli është një vrasës, bota është mashtruese, dhe dëshirat tuaja janë të rreme — dhe këtë do ta kuptoni nëse u besoni atyre.
2. Ju jeni në mes të humbjes dhe fitimit tani. Nëse Krishti ju fiton që të rinj, do ta shërbeni me jetë dhe zell; por nëse djalli fiton, sa më shumë të rriteni, aq më larg do të shkoni nga Perëndia. Sepse rinia ecën me hov të madh — për mirë ose për keq.
3. Përjetësia është në rrezik për ju; përjetësisht mirë ose përjetësisht keq, sipas anës që zgjidhni.
Unë ju ofroj Krishtin, dhe shpall se Ai është i gatshëm të jetë i juaji dhe t’ju bëjë të lumtur përgjithmonë, të jetë prehje për zemrat tuaja: “U thoni të ftuarve: Ja unë e kam shtruar drekën time, viçat e mi dhe bagëtia ime e majmur janë therur dhe gjithçka është gati; ejani në dasmë.” (Mateu 22:4). “Unë i dua ata që më duan, dhe ata që më kërkojnë me kujdes më gjejnë.” (Fjalët e Urta 8:17). Mbajeni mend këtë dhe thoni: Amen.
Perkthyer nga: https://purelypresbyterian.com/2024/07/08/seven-motivations-for-family-religion/