E Keqja e Përgojimit dhe të Folurit të Keq
Nga Richard Baxter
Pastor, Teolog dhe Autor Puritan Anglez (1615–1691)
1 – Është e ndaluar nga Perëndia si një nga mëkatet më të rënda dhe dënuese. Ajo është shenja e një njeriu famëkeq e të lig, por shmangia e saj, është shenjë dalluese e atyre që janë të pranuar nga Perëndia dhe që do të shpëtohen. Te Romakëve 1:29-30, ajo paraqitet si shenjë e një mendjeje të korruptuar që është duke shkuar drejt dënimit, dhe vendoset në një linjë me vrasjen dhe urrejtjen ndaj Perëndisë, pra: “të mbushur me cdo padrejtësi… grindje, mashtrim, poshtërsi, thashethemaxhinj, shpifës.” Psalmi 15:1,3 thotë: “Zot, kush do të banojë në çadrën tënde? Kush do të banojë në malin tënd të shenjtë?… Që nuk shan me gjuhën e tij, nuk i bën asnjë të keqe shokut të tij, dhe nuk shpif të afërmin e tij..” Dhe kur Pali përshkruan ata që duhet t’i qortojë dhe t’u mbyllë gojën, ai përshkruan tipin përçarës të të krishterëve të kohëve tona. 2 Korintasve 12:20 thotë: “Sepse kam frikë se mos kur të vij nuk ju gjej sikundër kam dashur dhe se mos ju më gjeni sikundër nuk keni dashur juve se mos ka grindje, xhelozi, zemërime, rivalitet, përgojime, pëshpëritje, fyerje, ose trazira midis jush.” Efesianëve 4:31 thotë: “Le të hiqet nga ju çdo hidhësi, inat, zemërim, e bërtitur, dhe sharje, bashkë me çdo mbrapshti. Por jini të mirë dhe të përdëllyeshëm me njëri-tjetrin…”
2 – Është një mëkat që i jep kënaqësi Satanit dhe i shërben ligësisë së tij kundër të afërmit tonë. Ai është plot ligësi ndaj të gjithëve dhe të flasësh keq e të bësh dëm janë vepra që i përshtaten natyrës së tij të ligë. Dhe a duhet vallë që një i krishterë ta bëjë gjuhën e tij, një mjet në dorën e akuzuesit të vëllezërve, për të kryer veprën e tij kundër njëri-tjetrit?
3 – Tregon mungesën e dashurisë së krishterë. Sepse dashuria nuk flet keq, as nuk zbulon fajet e njerëzve pa shkak, por ajo i mbulon dobësitë. Aq më pak që të gënjejë apo të shpifë për të tjerët, duke përhapur lajme të pasigurta kundër tyre. Bëjuni të tjerëve atë që do të donit që ata t’jua bënin juve. Dhe sa thelbësore është dashuria për krishterimin e vërtetë, vetë Krishti na e ka thënë shpesh.
4 – Është një mëkat që shërben drejtpërdrejt për të shkatërruar dashurinë e dëgjuesve, dhe për pasojë, për të shkatërruar shpirtrat e tyre. Nëse përgojuesi do ta kuptonte veten e vet, do të pranonte se synimi i tij i vërtetë është t’ju bëjë të urreni (ose të zvogëloni dashurinë tuaj) atë, për të cilin ai flet keq. Ai që flet mirë për një njeri, e paraqet atë të dashur; sepse dashuria dhe mirësia janë një dhe e njëjta gjë. Dhe ai që flet keq për një njeri, e paraqet atë si të urryeshëm ose të padashur; sepse urryeshmëria, mosdashuria dhe e keqja janë një dhe e njëjta gjë. Dhe ashtu siç nuk është mënyra e natyrshme e dashurisë fituese që t’i lutet dikujt dhe t’i thotë: “Të lutem, duaje këtë person ose atë gjë”, por zbulimi i mirësisë së gjësë apo të personit, ajo që ngjall dashurinë tek të tjerët, po ashtu, për të ndezur urrejtjen tek njerëzit, nuk është mënyra e natyrshme t’u lutesh atyre që “të urrejnë këtë apo atë njeri”, por është t’u tregojmë sa të këqij që janë ata. Kjo gjë do të ngjallë urrejtje në ata që e besojnë këtë. Prandaj, të flasësh keq për tjetrin është më shumë se sa t’u thuash dëgjuesve: “Ju lutem, që ta urreni këtë njeri ose zvogëloni dashurinë tuaj për të”. Dhe se vrasja e dashurisë, është vrasje ose shkatërrim i shpirtit të njeriut, ashtu siç e shpall shpesh apostulli Gjon.
5 – Kjo gjithashtu priret të shkatërrojë dashurinë, dhe për pasojë shpirtin e atij për të cilin ti flet keq. Sepse kur ajo që ke thënë arrin në veshët e tij, (siç mund të ndodhë në një mënyrë apo një tjetër,) e keqja që ke përhapur për të pas shpinës, priret ta bëjë atë të të urrejë ty dhe kështu ta bëjë më të keq.
6 – Është një shkatërrues i madh i paqes kudo që ushtrohet. Ajo priret të nxisë përçarje mes njerëzve. Kur thuhet se filani ka folur keq për ty në një vend të caktuar, atëherë lindin zemërime, përgojime të ndërsjellta, ndarje në grupe dhe një armiqësi pasuese, ashtu siç e kishte për qëllim djalli përmes këtij veprimi.
7 – Ata që flasin keq për të tjerët pas shpine, ka shumë gjasa që, pa dijeninë e tyre, të thonë të pavërteta për ta. Fama zakonisht është një gënjeshtare, dhe ata që bëhen lajmëtarët e saj, do të jenë gënjeshtarë. Si e di ti që ajo që raporton është e vërtetë? A është vetëm sepse një person i besueshëm e ka thënë? Por si e dinte ai person se ishte e vërtetë? A nuk mund ta ketë marrë ai me mirëbesim, ashtu si ti? Dhe a nuk mund të ketë besuar ai, një person që duket i besueshëm, por që nuk është? Dhe sa shpesh ndodh që përçarja, interesi, pasioni, apo besëtytnia ta bëjë të pabesueshëm një person në një çështje, ndonëse është i besueshëm në të tjera ku nuk ka një tundim të tillë! Nëse e di që nuk është e vërtetë, ose nuk ke prova të mjaftueshme për ta vërtetuar, atëhere ti je fajtor për gënjeshtër dhe shpifje, edhe nëse më pas ajo del se ishte e vërtetë. Sepse, për aq sa ti dije, ajo mund të ishte një gënjeshtër.
8 – Është padrejtësi e rëndë të flasësh për fajet e një njeriu, pa e dëgjuar më parë atë të flasë për veten. E di që është e zakonshme që të thonë: “E kemi dëgjuar nga ata për të cilët jemi të sigurt se nuk gënjejnë.” Por ai është një gjykatës i marrë dhe i padrejtë, që jep vendimin vetëm duke dëgjuar njërën palë dhe nuk e kupton sa e zakonshme është që një njeri kur flet për veten, të bëjë të bien akuzat më të sigurta dhe më bindëse dhe ta tregojë cështjen se është shumë ndryshe. Ti nuk e di çfarë ka për të thënë një njeri tjetër derisa ta kesh dëgjuar atë.
9 – Përgojimi i mëson të tjerët të përgojojnë. Shembulli yt i fton ata të bëjnë po njësoj. Dhe mëkatet, që janë të zakonshme, gëlltiten lehtë, dhe rrallë ka pendesë për to. Njerëzit mendojnë se zakonshmëria e tyre i justifikon ose i zbut fajet.
10 – Ajo i inkurajon njerëzit e paperëndishëm në mëkatin e urryer të përgojimit dhe shpifjes kundër personave më besimtarë e më të drejtë. Është e zakonshme që familja e djallit t’i bëjë shërbëtorët besnikë të Krishtit temë bisede në tryezat e tyre, objekt talljeje dhe përçmimi dhe këngë pijanecësh. Çfarë bollëk gënjeshtrash qarkullon mes njerëzve të tillë të ligj kundër më të pafajshmëve, njerëz të cilët do të ishin turpëruar po t’i kishin lejuar ata të pafajshëm të flisnin më parë për veten. Dhe shpifjet e tilla janë një nga mjetet e zakonshme të djallit për të mbajtur njerëzit e paperëndishëm larg dashurisë për perëndishmërinë, dhe kështu larg pendimit dhe shpëtimit. Dhe vetë rrëfyesit e besimit që përgojojnë, i inkurajojnë njerëzit në këtë. Sepse me çfarë mase matin, do të maten edhe ata. Dhe ata që janë objekt i përgojimit, mendojnë se kanë të drejtë të kthejnë përgojimin me të njëjtën masë.
11 – Është një mëkat që zakonisht e përjashton qortimin dhe nxitjen e vërtetë e të dobishme. Ata që flasin më shumë pas shpine për të tjerët, zakonisht janë ata që thonë më pak përballë në fytyrë të mëkatarit, në çfarëdo mënyre që do të shërbente për shpëtimin e tij. Ata nuk do të shkojnë me dashuri në mënyrë private, për t’i vënë mëkatin përballë ndërgjegjes dhe për ta nxitur në pendim, por çdo gjë do t’u shërbejë si justifikim i mjaftueshëm për të shmangur këtë detyrë, në mënyrë që përgojimi të zëvendësojë qortimin e sinqertë. Dhe e gjitha buron nga vetëruajtja mishërore. Për shkak se ata kanë frikë që njerëzit do të ofendohen nëse u flasin në fytyrë, ata zgjedhin të pëshpërisin kundër tyre pas shpine.
12 – E pakta, ajo është fjalë boshe dhe keqpërdorim i kohës tënde. Çfarë dobie kanë dëgjuesit nga të dëgjuarit për mëkatet e të tjerëve? Dhe ti e di që kjo nuk po i sjell dobi personit për të cilin po flet. Një qortim miqësor dhe i mençur mund t’i sillte dobi atij! Por ta shpërfillësh këtë dhe të flasësh për fajet e tij në mënyrë të padobishme, pas shpine, është veçëse një rëndim më i madh i mëkatit të mungesës tënde të dashurisë. Jo vetëm që ti nuk i jep ndihmë njeriut në mëkat, por edhe e dëmton dhe i bën keq.
ZBATIMI
Qorto përgojuesit dhe mos i inkurajo duke dëgjuar tregimet e tyre. Fjalët e Urta 25:23: “Era e veriut sjell shiun, dhe gjuha që shpif tinëz e bën fytyrën të indinjuar.” Ndoshta ata mendojnë se janë njerëz fetarë dhe do ta marrin për fyerje nëse i largon me një fytyrë të zemëruar. Por vetë Zoti, që i do shërbëtorët e tij më shumë se ne, është më i ofenduar nga mëkati i tyre; dhe ajo që e ofendon Atë, duhet të na ofendojë edhe ne. Ne nuk duhet të dëmtojmë shpirtrat e tyre dhe të zemërojmë Perëndinë duke marrë mbi vete fajin e mëkateve të tyre, nga frika se mos i mërzisim. Thuaju sa shumë e urren Perëndia përgojimin dhe këshilloji që, nëse dinë ndonjë të keqe të bërë nga të tjerët, të shkojnë privatisht tek ata dhe t’ua thonë në një mënyrë që synon pendimin e tyre.