Shtigjet e Shpresës: Udhëtimi im përmes Depresionit dhe Kurajo për Shtegëtarin e Krishterë

Depresioni

Nga Bestar Flamuraj

 

“Por ai e njeh rrugën që kam marrë; kur të më ketë sprovuar, unë do të dal si ari.” Jobi 23:10 ESV

“…atij që vepron të gjitha sipas këshillës së vullnetit të tij.” Efesianët 1:11

“…a nuk do ta pi unë kupën që më ka dhënë Ati?” Gjoni 18:11b

“duke fuqizuar shpirtërat e dishepujve dhe duke i këshilluar që të ngulmojnë në besim, dhe duke thënë se me shumë pikëllime duhet të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë.” Veprat 14:22

 

Historia ime

Isha duke ecur në një nga rrugët e Tiranës disa vite më parë kur një mpirje e duarve dhe këmbëve më fillon, e shoqëruar me një ndjenjë të madhe vështirësie në frymëmarrje. Aq fortë po më ndodhte kjo saqë më dukej sikur nuk merrja dot frymë dhe po vdisja. Po më ndodhte, ajo që quhet sulm paniku/ankthi. Kur kjo ndodh, trupi reagon në një mënyrë kaq të fortë saqë ti ndien sikur nuk merr dot më frymë dhe realisht të duket sikur po vdes, megjithëse nuk ka asnjë problem me mushkritë. Shkova te Urgjenca e Tiranës dhe aty më bënë një qetësues. Ishte dicka e re që nuk e kisha përjetuar më parë. Shkuarja në urgjencë ndodhi edhe 2-3 herë në raste të tjera. Këto përgjigje të forta të trupit tim ishin një reagim si pasojë e një gjendje stresuese të vazhdueshme që po ndodhte në jetën time.

Ja si ishte puna i dashur lexues. Që prej vitit 2012 e deri në kohën kur ndodhën këto sulme të ankthit disa vite më vonë, im atë ishte paralizuar nga një goditje ishemike në tru duke e bërë atë të paralizohej në anën e djathtë të trupit dhe të ketë afazi (mosaftësia për të folur). Kalvari më i madh i vuajtjeve në jetën dhe familjen time sapo kishte filluar. Dicka e papritur për ne që na bëri të sorrollateshim nëpër spitale dhe doktorë për një kohë të gjatë duke u marrë me paralizën vetë, infeksionet, DVT (trombozat në venat e këmbës), dhimbjet dhe rënkimet e shpeshta e pothuajse të përditshme, rraskapitjes, shpenzimet e shtrenjta të fizioterapisë, analizave, ilaceve, dhe gjërave të tjera. E gjithë kjo kishte ndikuar gradualisht në mendjen dhe trupin tim derisa arriti në pikën kulmore e sulmeve të ankthit. Kjo situatë e vazhdueshme stresi, shqetësimi dhe mbimendimit të gjërave kishte bërë që të ligshtohesha, të lodhesha e të rraskapitesha. Vetmia dhe mungesa e miqve besnikë të krishterë për pjesën më të madhe të kësaj kohe e bënte edhe më të vështirë.

Shumë herë gjatë këtyre viteve jam ndier i dëshpëruar, i dekurajuar dhe i ligështuar. Këto gjendje ishin përgjigjja ime emocionale dhe fizike ndaj këtyre sprovave të mëdha. I dashur lexues, ndoshta edhe ti po përjeton dicka të ngjashme si gjendje ankthi, depresion dhe dëshpërim. Nëse je në këtë gjendje, apo njeh dikë të ftoj ta lexosh këtë artikull deri në fund pasi jam i bindur që do të mësosh shumë prej tij. Oh, Zoti e përdortë dhe të ndihmoftë shumë në ecjen tënde shpirtërore.

Miku im, kur sprovat vijnë mëso si të rritesh përmes tyre. Nëse sheh mëkat apo veprime mëkatare në ty merru me to menjëherë dhe mos vono! Gjërat që sapo kanë filluar dhe që mund duken pak, megjithëse mund të duken të vogla dhe të parëndësishme, nëse nuk trajtohen (dhe kjo në mënyrë të thellë e të plotë), do të hedhin rrënjë dhe do të forcohen. Nëse i lejon, procesi për heqjen dhe braktisjen e tyre do të jetë më i vështirë e më i dhimbshëm.

Nëse barishtet e këqija nuk këputen që në rrënjë sapo ato shfaqen, ato do të vazhdojnë të rriten dhe të forcohen, dhe kjo do ta bëjë më të vështirë e më të dhimbshme crrënjosjen e tye. Ti mund ta shkulësh fare lehtë një bimë të vogël, por nuk mund ta shkulësh kollaj një pemë të rritur. Nëse është lejuar që të rritet ajo do kërkojë më shumë kohë dhe punë për t’u shkulur me rrënjë.

Në Hirin e Zotit, ato sulme të forta ankthi nuk kanë ndodhur më në vitet e fundit, por, edhe në këtë moment që jam duke shkruar këtë artikull, shtegëtimi i vështirë vazhdon ende, teksa ende vazhdoj të përkujdesem për tim atë dhe të përleshem me rrënjët dhe simptomat e depresionit dhe ankthit.

 

Dhembshuri dhe Ndihmë

Isha në gjendje trishtimi dhe depresioni para disa kohësh kur duke folur dhe duke i treguar dicka për gjendjen time një amerikani tek kisha ime, ai më thotë që unë nuk duhet të kisha depresion! Në fakt, ka shumë njerëz sot që thonë se të krishterët nuk duhet të kenë depresion. Disa shkojnë edhe më larg duke thënë që as nuk duhet të vuajmë dhe as nuk duhet të sëmuremi. Këto gjëra jo vetëm që janë tërësisht të gabuara që të thuhen por janë tërësisht jo biblike gjithashtu!

Kur një i krishterë është tashmë në një gjendje të ligështuar dhe depresioni, ai e sheh gjendjen në të cilën ndodhet dhe ai e vuan këtë. Ai nuk ka nevojë ti thuhet “nuk duhet të jesh në depresion!” por ka nevojë që të ndihmoet si të ecë përmes kësaj vuajtje. Është njësoj sikur ti thuash dikujt që ka ethe, “mos u dridh”!

Këta persona kur shprehen në këtë mënyrë nuk po tregojnë dhembshuri, as dashuri dhe as nuk po e ndihmojnë personin. Cilado qofshin shkaqet e depresionit dhe ankthit që personi po përjeton ai tashmë po e përjeton atë.

Ajo që personi ka nevojë është për lutje, për një vesh që ta dëgjojë me vëmëndje, dhe më pas butësisht të këshillohet duke e ndihmuar që të shohë se cilat janë rrënjët e depresionit të tij, dhe të ridrejtohet në të menduarin dhe të vepruarin e duhur, të drejtë dhe biblik.

Gjithashtu, emocionet depresive nuk janë të pazakonta te njerëzit e Perëndisë. Njerëz të Perëndisë në Shkrimin e Shenjtë dhe përgjatë historisë së kishës janë përballur me rrethana shumë të vështira dhe kanë kaluar kohë të forta depresioni dhe vuajtje.

Njerëz të Perëndisë kanë vuajtur nga depresioni përgjatë gjithë historisë së njerëzimit. Ajo është emërtuar në mënyra të ndryshme si shkretëtirë shpirtërore, dëshpërim, nata e errët e shpirtit, etj. Por termi më i përdorur dhe më gjithë-përfshirës ishte melankoli.

“Nuk është gabim që të krishterët të trishtohen. Është në rregull që të qash dhe të pikëllohesh (Predikuesi 3:4). Ata duhet të jenë “si të brengosur, por gjithmonë të gëzuar” (2 Korintasit 6:10). Të dyja ndjenjat mund dhe do të ekzistojnë njëkohësisht në jetën e besimtarit që ka gëzim si edhe shpresë në Zotin teksa ndodhet në mes të brengosjes. Por trishtimi, pikëllimi dhe depresioni nuk duhet të zgjaten ne pashpresshmëri mëkatare. “që të mos trishtoheni si të tjerët që nuk kanë shpresë. (1 Thesalonikasit 4:13)”

David P. Herding, Këshillimi i personave në depresion. Alternativa Puritane ndaj Psikologjisë Shekullare

 

Raste Depresioni në Bibël dhe në historinë e kishës

Është e nevojshme që të ndalem pak këtu. Jo më kot janë regjistruar në faqet e Shkrimit të Shenjtë njerëzit e Perëndisë në kohë depresioni.

Davidi – Te Psalmi 6:6,7 ai thotë, “Unë jam sfilitur duke psherëtirë; çdo natë e lag shtratin me vajin tim dhe bëj që të rrjedhin lotë mbi shtrojen time. Syri im ligështohet nga dhembja”. Te Psalmi 32:3-5 thotë “Ndërsa po heshtja, kockat e mia treteshin midis rënkimeve që kisha tërë ditën. Sepse ditë e natë dora jote rëndonte mbi mua, fuqia ime i përngjante thatësisë së verës. (Sela) Para teje pranova mëkatin tim, nuk e fsheha paudhësinë time. Thashë: “Do t’ia rrëfej shkeljet e mia Zotit”, dhe ti e ke falur paudhësinë e mëkatit tim. (Sela)”

Jeremia – Jeremia ishte profeti që shpesh kishte lajme të këqija. Ai ishte refuzuar përcmuar dhe lënduar nga njerëzit tek të cilit ishte dërguar. Te Jeremia 20:14 ai thotë: “Mallkuar qoftë dita në të cilën linda! Mos qoftë e bekuar dita në të cilën nëna ime më lindi!” Vargu 18: “Pse kam dalë nga barku i nënës, për të parë vuajtje, dhembje dhe për t’i mbaruar ditët e mia me turp?”

Jobi – Jobi 3:11 thotë: “Pse nuk vdiqa në barkun e nënës sime? Pse nuk vdiqa sapo dola nga barku i saj?” Jobi 3:26 thotë: “Nuk kam qetësi, nuk kam prehje, por më pushton shqetësimi”. Jobi 10:1 thotë: “Jam neveritur nga jeta ime; do të shfryj lirisht vajtimin tim, duke folur në trishtimin e shpirtit tim!”.

Nga historia e kishës mund të përmënd predikuesin e mirënjohur anglez Çarls Spërxhën i cili shpesh vuante nga depresioni për shkak të sëmundjeve fizike të tij. Gjithashtu dicka tjetër që e preku thellësisht atë ishte kur gjatë shërbesës dikush në mënyrë tinëzare thirri “zjarr” dhe turmat duke u shtyrë të dilnin, cuan në rënien nga shkallët dhe vdekjen e disa personave.

Një shembull tjetër është Martin Luteri. Ai përdorte fjalën gjermane “Anfechtungen” për t’ju referuar kohëve të sprovave shpirtërore, terrorit, dëshpërimit, dhe krizave që përjetonte. Në një rast gruaja e tij, Kati, duke parë dëshpërimin e madh ku ai kishte rënë, veshi një fustan të zi dhe shkoi tek ai. Martini kur e pa e pyeti se kush kishte vdekur për shkak të veshjes së zezë. Ajo i tha “Perëndia ka vdekur”. I shtangur ai e pyet sa cfarë ajo donte të thoshte. Ajo i thotë, “Epo, duhet të mendojmë që Perëndia ka vdekur nga mënyra se si ti po sillesh”. Martini pasi buzëqeshi e falenderoi Katin që e ktheu në realiet dhe kështu ai gëdhëndi fjalën latine “Vivit” në tavolinën e tij, fjalë që do të thotë “Ai jeton”.

Pastori puritan Timothy Rogers (1658-1728) përjetoi një depresion shterues që e hoqi nga shërbesa pastorale për tetë vite. Pasi u rikuperua nga kjo kohë errësirë dhe vuajtje, ai shkroi:

“Melankolia pushton trurin dhe shpirtin, dhe i paaftëson për mendim ose veprim; ajo i ngatërron dhe shqetëson të gjitha mendimet e tyre, dhe i mbush pashmangshmërisht me ankth dhe shqetësim, për të cilat nuk ka asnjë ngjashmëri me asnjë sëmundje tjetër… ai nuk ka asnjë perspektivë as shpresë… aftësitë e shpirtit janë dobësuar dhe të gjitha veprimet e tij janë shqetësuar dhe errësuar, dhe trupi i gjorë vyshket dhe dobësohet në të njëjtën kohë… zakonisht zgjat shumë gjatë… dhe e gjithë kjo kohë e gjatë e qëndrimit të saj është plot frikë dhe mundim, tmerr dhe mahnitje. Është në çdo aspekt e trishtë dhe mbingarkuese; është një gjendje errësire që nuk ka rreze drite të dallueshme. Është një tokë errësire mbi të cilën nuk duket se shkëlqen asnjë diell.”

William Cowper (1731–1800) ishte shkruesi i himnit “ka një burim të mbushur me gjak”. Ai kishte depresione të forta paralizuese si para kthimit ne besim ashtu edhe pasi u bë i krishterë. Miku dhe këshilltari i tij më i afërt ishte Xhon Njuton (John Newton), autori i himit të njohur “Sa hir madhështor”. Ato do të ishin miq për tërë jetën dhe Xhon Njuton do ti qëndronte afër mikut të tij duke e këshilluar atë në kohët e tij të depresionit.

 

Shkaqet e Depresionit

Psikologjia shekullare mund të japë një përshkrim të problemeve por ajo nuk shkon te zemra. Zemra është qendra e mendimeve, dëshirave dhe vullnetit. Psikologjia shekullare thjesht trajon simptomat ose sjelljet, por nuk merret me realitetet dhe me rrënjët e zemrës.

Unë jam një person që shpesh i mbimendoj fjalët, gjërat dhe ngjarjet! “Si e thashë? “Pse e thashë?”, “Si ndodhi?”, etj. Ndoshta edhe ti lexues i dashur je një person i tillë që i mbimendon ato. Megjithëse kjo na e bën pak më të vështirë, përsëri shkaqet dhe rrënjët e depresionit që duhet të njohim janë të njëjta.

Për të zbuluar shkaqet e vërteta të tij unë dua që të shkojmë te rrënjët e depresionit, jo thjesht të flasim për simptomat. Depresioni është përgjigja emocionale që ne japim ndaj shkaqeve të caktuara. Puritanët besonin që depresioni mund të shkaktohej nga mëkati, kequshqyerja, shëndeti i dobët, sëmundjet mendore, dhe Sovraniteti i Perëndisë!

“Puritanët ishin tepër të kujdesshëm në diagnozën e tyre për depresionin. Kjo do të thoshte që ata nuk i shikonin hidhërimin dhe trishtimin si forma depresioni. Ata do të thonin që këto ndjenja janë tërësisht normale dhe të natyrshme për të krishterin… Në fakt, ata besonin fort që nuk ishte biblike ose e shëndetshme shpirtërisht që përvojat e trishta në jetën e të krishterit të hiqeshin… Duke u bazuar te Predikimi në mal (Mateu 5) që mësonte rëndësinë e të qënit të varfër në shpirt dhe vajtues, puritanët e dinin që të krishterët duhej të kishin një zakon hidhërimi për mëkatin e tyre… Zemrat e tyre duhet të përulen dhe të thyen nga Fryma ndërsa binden për mëkat, drejtësi dhe gjykim.”

David P. Herding, Këshillimi i personave në depresion. Alternativa Puritane ndaj Psikologjisë Shekullare

 

Sprovat e Ndryshme

“Puritanët me të drejtë besonin që vuajtja në përgjithësi dhe depresioni në vecanti ishte rezultat i qëllimeve sovrane të Perëndisë, për shenjtërimin e personit dhe ndërtimin e karakterit personal dhe qëllimi i këshillimit të tyre nuk ishte ‘domosdoshmërisht heqja e vuajtjes por rritja përmes vuajtjes [që kërkonte] një të kuptuar të provanisë së Perëndisë.’”

David P. Herding, Këshillimi i Personit në Depresion. Alternativa puritane ndaj psikologjisë sekulare

“Kujto gjithë rrugën që Zoti, Perëndia yt, të ka bërë të përshkosh në këtë dyzetë vjet në shkretëtirë që ti të ulësh kokën dhe të vihesh në provë, për të ditur çfarë kishte në zemrën tënde dhe në se do të respektoje apo jo urdhërimet e tij.” (Ligji i Ripërtërirë 8:2)

Miku im, sprovat që po kalon, rrethanat e vështira që po të ndodhin dhe sëmundjet që po përjeton janë në një farë mënyre pompa presioni që nxjerrin në pah cka fshihet në skutat e thella e të errta të zemrës tënde. Lexues i dashur, ato jo thjesht lejohen, por vijnë nga Perëndia për të shtrydhur zemrën tënde, për të nxjerrë jashtë, atë cka është brenda teje. Vetëm kështu ti je në gjëndje të shohësh se cfarë ke pasur brenda teje, dhe në këtë mënyrë të pendohesh e të rritesh në shenjtëri.

Mendo kur ke qënë në situata të vështira dhe stresuese. Si ke vepruar në ato situata? Sa herë ke mëkatuar? Nuk ke vepruar drejt? Dhe nuk je përgjigjur mirë? Nëpërmjet tyre Perëndia po të tregon mëkatet e zemrës tënde, në mënyrë që të pendohesh për to, të rritesh dhe të shikosh tek Ai për ndihmë. Për të të mbajtur të përulur dhe të varur tek Ai.

Ti mund të thuash, “pse?”. Përgjigjja është: Si do mund ta kuptoje ti ligësinë që ndodhet në zemrën tënde nëse Perëndia nuk do ti sillte këto gjëra?! Si do shenjtëroheshe ti nëse ato nuk do ndodhnin?! Si do e njihje ti Perëndinë më mirë dhe në mënyrë më madhështore pa këto situata? Si do e kuptoje ti që vetëm Zotin ke dhe askënd tjetër? Si do ta njihje Zotin më shumë? Si do të drejtoheshe dhe do vrapoje drejt Tij më shumë, nëse nuk do i kishe këto situata që të bënin të drejtoheshe tek Ai?!

Psalmi 199:71 thotë, “Ka qenë një e mirë për mua të jem pikëlluar, që kështu të mësoja statutet e tua.” Ne jemi më të gatshëm për të mësuar dhe pranuar mësimet e Perëndisë kur jemi në mes të vuajtjes. Puritanët thonin që “vuajtja zbërthen derën e zemrës që Fjala të hyjë në të.”

A e mban mend Jobin? A e di cfarë thotë ai në fund, pas gjithë atyre sprovave? Ai thotë: “Veshi im kishte dëgjuar të flitej për ty, por tani syri im të sheh. (Jobi 42:5)

Ai tashmë e njihte me të vërtetë Perëndinë për shkak të sprovave të mëdha që kaloi. Lexues i dashur, ti mund të dëgjosh të flitet për Perëndinë por në vuajtje ti fillon ta njohësh atë me të vërtetë se kush është AI.

Puritani Thomas Brooks (1608-1680) te “Perëndia vjen përmes vuajtjes” thotë:

“Me siguri, ashtu sic shijimi i mjaltit hapi sytë e Jonathanit, kështu edhe ky kryq, kjo vuajtje do të hapë sytë e mi. Nga kjo goditje, do të kem një shikim më të pastër të mëkateve të mia dhe të vetes sime, dhe shikim më të plotë të Perëndisë sim. (Jobi 33:27-28, 40:4-5, 13:1-7)

Me siguri, kjo vuajtje do të heqë zgjyrën time. (Isaia 1:25)

Me siguri, ashtu sic plugimi i tokës do të heqë barërat e këqija, po kështu këto vuajtje do të heqin mëkatet e mia dhe do të zbusin zemrën time. (Osea 5:15, 6:1-3).

Me siguri, ashtu sic pomada nxjerr jashtë bërthamën e infektuar, po kështu vuajtja që është mbi mua do të nxjerrë bërthamën e krenarisë, bërthamën e dashurisë për veten, bërthamën e zilisë, bërthamën e të qënit tokësor, bërthamën e dukjes, bërthamën e hipokrizisë (Psalmi 119:67,71).

Me siguri, nëpërmjet këtyre vuajtjeve, Zoti do të kryqëzojë zemrën time më shumë ndaj botës dhe botën ndaj zemrës sime (Galatasit 6:14, Psalmi 131:1-3).

 Me siguri prej këtyre vuajtjeve, Zoti do e mbajë krenarinë larg shpirtit tim (Jobi 33:14-21).

Me siguri, këto vuajtje janë vecëse thikat krasitëse të Zotit me anë të të cilave ai do të përgjakë mëkatet e mia, krasitë zemrën dhe ta bëjë atë më pjellore dhe të fytshme. Ato janë vecëse ilaci i Zotit me anë të të cilave ai do të më pastrojë dhe do të më clirojë nga ato sëmundje që janë më vdekjeprurëse dhe më të rrezikshme për shpirtin tim. Vuajtja është një ilac shërues i tillë që do të largojë të gjitha sëmundjet e shpirtit më mirë se cdo ilac tjetër (Zakaria 13:8,9).

Me siguri, këto vuajtje do të rrisin bashkësinë time shpirtërore me Perëndinë (Romakët 5:3,4).

Me siguri, përmes këtyre vuajtjeve, unë do të bëhem të marr më shumë pjesë në shenjtërinë e Perëndisë (Hebrenjve 12:10). Ashtu si sapuni i zi bën rroba të bardha, po kështu vuajtjet e mprehta bëjnë zemra të shenjta.

Me siguri, nëpërmjet këtyre vuajtjeve, Zoti do e bëjë zemrën time më shumë e më shumë që ta kërkojë Atë. “në mjerimin e tyre do të më kërkojnë me zell” (Osea 5:15). Në kohë vuajtjesh, të krishterët me zell, shpejt dhe herët do të kërkojnë Zotin.

Me siguri, nëpërmjet këtyre sprovave, Zoti do e fiksojë shpirtin tim më shumë se kurrë mbi shqetësimet e mëdha të botës së përjetshme (Gjoni 14:1-3, Romakët 8:17-18, 2 Korintasit 4:16-18).

Me siguri, nëpërmjet këtyre sprovave Zoti do të punojë në mua më shumë butësi dhe dhembshuri ndaj atyre që janë të përvuajtur (Hebrenjve 10:34, 13:3).

Me siguri, nuk janë vecëse shenja dashurie të Perëndisë. “Unë të gjithë ata që i dua i qortoj dhe i ndëshkoj” (Zbulesa 3:19). Kështu thotë i krishteri i shenjtë: “O shpirti im! Hesht, pusho. Gjithcka dërgohet me dashuri. Gjithcka është fryti i favorit hyjnor. Unë shoh mjalt mbi majën e cdo thupre. Unë e shoh shkopin të jetë vecëse një degëz rozmarine (shënim i përkth: rozmarina është një simbol i kujtesës dhe besnikërisë. Shkopi i Perëndisë është një kujtesë e besnikërisë së Tij ndaj nesh). Unë kam sheqer me vrerin tim, dhe verë me hidhërimin tim. Prandaj hesht, o shpirti im.

Vuajtjet zbehin tërheqjet mishërore të botës që mund të na joshin. Vuajtjet zbehin epshet dhe lakmitë e mishit në ne që mund të na kapë në grackë.

Vuajtjet na përulin dhe na mbajnë poshtë. Zemrat e shenjta do të jenë të përulura nën dorën e Perëndisë që shkakton vuajtje. Kur shkopi i Perëndisë është në kurrizin e tyre, gojët e tyre do të jenë në pluhur. Një zemër e perëndishme do të shtrihet më ulët kur dora e Perëndisë është ngritur më lart.”

 

A e shikon o lexues i dashur, sa përfitime të mira ka koha jonë e vuajtjes dhe sa i mirë është Perëndia?! Shenjtërimi nuk ndodh në mënyrë magjike, të menjëhershme, nuk ndodh duke vajtur në një koncert të krishterë, dhe nuk ndodh në një “takim rizgjimi” por është një proces skalitës që Perëndia po punon në ne dhe që kërkon kohën e vet. Bashkë me ty, në këtë shtegëtim ndodhet cdo i krishterë i vërtetë.

Sic e lexove edhe më lart, vuajtja na mban të përulur. Këtë e shohim edhe te Pali.

Te 2 Korintasit 12:7 ai thotë, “Dhe, që të mos më rritet mendja për shkak të jashtëzakonshmërisë së zbulesave, m’u dha një gjëmb në mish, një engjëll i Satanit, për të më rënë me grushta, që të mos mbahem me të madh. Lidhur me këtë iu luta tri herë Zotit që ta largonte nga unë. Por ai më tha: ”Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi”. Prandaj me kënaqësi të madhe do të krenohem më tepër për dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të rrijë tek unë.”

 

E kaluara mëkatare, faj the turp

Një shkak depresioni dhe ankthi është e kaluara mëkatare. Mëkate të caktuara që personi ka bërë në kaluarën e tij. Ai i mendon vazhdimisht ato gjëra dhe kjo e bën atë të jetë në një gjendje të trishtuar dhe të mjerë.

Më ndodh ndonjëherë të mendoj për të kaluarën dhe them me vete se si munda të mëkatoj! Me shumë mundësi edhe ti lexues i dashur mendon mëkate specifike në të kaluarën tënde dhe kjo gjë të paralizon, të trishton, të mbush me turp, dhe të bën të dënosh veten. Mund të ketë qënë ndonjë fjalë e rëndë që ke thenë, ndonjë mëkat seksual ose ndonjë veprim tjetër mëkatar. Ti thua, “Si mund ta bëja atë mëkat?!”, “Mëkati im është tepër i rëndë”, “Nuk ka falje për mua”, “Zoti nuk mund të më falë” e gjëra të tjera si këto!

Ah miku im! Nëse je një i krishterë kupto që është një nga strategjitë e Satanit që ti paralizojë dhe dëshpërojë të krishterët! Nëse ai nuk mund të ndalojë shpëtimin tënd ai do përpiqet të heqë gëzimin e shpëtimit tënd!

Martin Luteri thoshte: “kur djalli të hedh mëkatet e tua në fytyrë dhe deklaron se ti meriton vdekjen dhe ferrin, thuaji këtë: “E pranoj se meritoj vdekjen dhe ferrin, e çfarë pastaj? Sepse unë njoh Dikë që vuajti dhe bëri shlyerjen në vendin tim. Emri i Tij është Jezus Krisht, Biri i Perëndisë, dhe ku është Ai, atje do të jem edhe unë!”

Mëkatet e tua mund të kenë qënë të mëdha, të rënda e të liga, por nëse ti je penduar për to dhe i ke rrëfyer, gjej paqe dhe prehje në hirin dhe sovranitetin e Perëndisë.

1 Gjoni 1:9 thotë: “Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi.”

Pali thotë “më parë isha blasfemues, përndjekës dhe i dhunshëm; por m’u dha mëshira…” (1 Timoteu 1:13)

Zoti është Zot i së kaluarës, Zot i së tashmes dhe Zoti i ardhmes. Cfarëdo që të ketë ndodhur në të kaluarën tënde ti nuk mund ta ndryshosh atë. Besoja të kaluarën Zotit që ka urtësi të panjohshme, njohuri të pafundme dhe sovranitet absolut.

Gjithashtu kupto që sa më afër të afrohesh me Perëndinë aq më shumë do e shohësh mëkatin tënd dhe ligësinë tënde! Aq më shumë do të duket vetja e ligë!

Isaia te kapitulli 6 vargu 5 tha: “Atëherë unë thashë: “I mjeri unë! Unë jam i humbur, sepse jam një njeri me buzë të papastra dhe banoj në mes të një populli me buzë të papastra; megjithatë sytë e mi kanë parë Mbretin, Zotin e ushtrive”.

Është simptomë e mirë kur ti gjithnjë e më shumë po shikon ligësinë tënde. Sigurisht, kur sheh ligësi në ty kjo të trishton dhe të tmerron por ki prasysh që është një shenjë e mirë.

 

Qëllime dhe synime të pa-arrira

Një shkak tjetër depresioni mund të jenë qëllime dhe synime të pa-arrira. Mund të jetë cdo lloj qëllimi dhe synimi i kërkuar dhe që nuk është realizuar! Do të marr një rast shumë të ndjeshëm për shumë persona. Rastin e beqarëve të krishterë që, megjithëse mund të kenë kërkuar për një kohë të gjatë, ende nuk kanë arritur ta gjejnë një bashkëshort/e.

Në këtë kohë kur po shkruaj këtë artikull unë vetë jam një beqar që po kërkon për një vajzë të perëndishme. Megjithëse kam vite që lutem dhe që kërkoj ende nuk e kam gjetur atë. Shpesh pyes Zotin edhe për sa kohë do vazhdojë kjo situatë. Kur do e gjej atë. Kur do e japë Zoti këtë favor. Pritja dhe kërkimi i pasuksesshëm mund ta lodhin dhe ligështojnë zemrën.

Ndoshta edhe ti lexues i dashur je në këtë situatë. Nëse është kështu ka disa gjëra të rëndësishme që duhet ti themi vetes. Ne duhet ti themi vetes që, në cdo kohë e në cdo moment, Zoti është i mirë dhe bën atë që është më e mira për ne. Jo atë që ne mendojmë se është më e mira për ne por atë që Ai di se është më e mira. Nëse Zoti ende nuk na e ka dhënë një bashkëshort/e Ai po e bën këtë për të mirën tonë. E di që kjo është e vështirë që ta besosh por është një nga ato situatat ku Zoti po na tregon cfarë ka në zemrën tonë.

Ta hetojmë veten së bashku. Në këtë situatë që jemi a po i besojmë Zotit? A i jemi mirënjohës? A po ia parashtrojmë këtë Atij? A po mendojmë gjëra të vërteta dhe të drejta për Zotin dhe situatën? Apo… jemi mosbesues, të hidhëruar me Të, mos-mirënjohës, dhe që mendojmë gjëra pavërteta për Të dhe këtë situate? Disa të pavërteta mund të jenë, “Ai nuk po tregohet i mirë me mua!”, “Ai nuk po ma jep këtë favor dhe për këtë arsye nuk po më bën mirë!” “Më e mira për mua është të martohem si gjithë të tjerët”, “unë nuk do të martohem kurrë”, e gjëra të tjera si këto.

Lexues i dashuar, dëshira për t’u martuar është një dëshirë e mirë që kemi por ka një rrezik të madh këtu. Çdo dëshirë e mirë mund të kthehet në idhull! Martesa mund të kthehet në idhull, dhe një nga punët që Zoti ynë bën është copëtimi i idhujve tanë. Dhe, copëtimi I idhujve tanë është pjesë e shenjtërimit tonë.

Nëse po shqetësohemi shumë për martesën kam frikë se ajo mund të jetë kthyer në një idhull për ne, po tregohemi mosbesues ndaj Perëndisë, dhe kemi harruar fuqinë, mirësinë dhe provaninë e tij!

A e mban mend cila ishte rruga për të qënë të gëzuar gjithnjë në Zotin (Filipianët 4:4)? “…Zoti është afër. Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim. Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus. Së fundi, vëllezër, të gjitha gjërat që janë të vërteta, të gjitha gjërat që janë të ndershme, të gjitha gjërat që janë të drejta, të gjitha gjërat që janë të pastra, të gjitha gjërat që janë të dashura, të gjitha gjërat që janë me famë të mirë, nëse ka ndonjë virtyt dhe nëse ka ndonjë lëvdim, këto mendoni.” (Filipianët 4:5-8)

 

Shqetësim dhe Mosbesim ndaj Perëndisë

I dashur i krishterë, duke qënë se unë isha në sprovë për një kohë të gjatë, për shkak të shqetësimit, ligështimit dhe dekurajimit të vazhdueshëm e të grumbulluar, dhe mos marrjes me të, unë arrita në atë pikë kulmore të sulmeve të ankthit.

“Një frymë e dërrmuar i than kockat.” (Fjalët e Urta 17:22b)

“Gëzimi apo trishtimi i mendjes, ato pasione të shpirtit, kanë një ndikim të madh mbi trupin, qoftë për mirë qoftë për keq.” (Komentari John Gill)

Mos arri në këtë pikë ku fryma jote dërrmohet. Fjala e Perëndisë përmes apostullit Pal thotë: “Mos u shqetësoni për asgjë” (Fil.4:6). Vetë Jezusi te Mateu 6 na thotë të paktën katër herë që të mos shqetësohemi.

Kam frikë se, shqetësimi, të paktën në shuimcat e rasteve, në të vërtetë është mosbesim. Ah, sikur ti besonim më shumë Perëndisë dhe provanisë së Tij ne nuk do të ishim shumë të shqetësuar! Sa më i madh është besimi ynë aq më i vogël do të jetë shqetësimi ynë. Lutu që Perëndia të të jap më shumë besim dhe shko te Fjala e Tij për të parë karakterin, fuqinë dhe provaninë e Tij!

 

Hidhërim dhe Zemërim Mëkatar ndaj Perëndisë

Kjo më shumë është përgjigje mëkatare ndaj shkaqeve të depresionit. Më duhet të rrëfej që në gjendjen time të vështirë ka pasur momente kur kam qënë i hidhëruar dhe zemëruar me Perëndinë. Jam penduar për këtë por i dashur i krishterë, situatata në të cilën je mund të të ketë bërë që edhe ti të hidhërohesh dhe zemërohesh me Perëndinë. Unë të ftoj që të pendohesh pasi ne nuk kemi asnjë të drejtë të hidhërohemi dhe zemërohemi me Krijuesin dhe ti themi Atij “pse?”.

A nuk jam unë dhe ti krijesa të vogla që zvarriten në sipërfaqen e kësaj toke që është e Tija? A nuk është Ai i Pafundmi që rri në dritë të paafrueshme që nuk i jep llogari askujt?! Si mund ne ti kërkojmë të Pafundmit llogari sepse gjërat nuk janë ashtu sic ne duam që të jenë? A mos vallë ne jemi më të urtë se AI?!

“O thellësi pasurie, urtësie dhe diturie të Perëndisë! Sa të pahulumtueshme janë gjykimet e tij dhe të pashtershme janë udhët e tij! ”Sepse kush e njohu mendjen e Zotit? Ose kush u bë këshilltar i tij? Ose kush i dha atij më parë, që të ketë për të marrë shpagim?”. Sepse prej tij, me anë të tij dhe për të janë të gjitha gjëra. Lavdi atij përjetë! Amen!” (Romakët 11:33-36)

Është rebelim i urryer që krijesa ti kërkojë llogari Krijuesit. Mos e bëj këtë. Nëse e ke bërë, shko te Perëndia dhe rrëfeja këtë mëkat që është pafundësisht i urryeshëm.

Puritani Thomas Brooks (1608–1680) thotë:

“I krishterë! Vuajtjet e tua të tanishme nuk janë të mëdha nëse krahasohen me vuajtjet dhe ndëshkimet e shumë të dënuarve në ferr, të cilët, kur ishin në këtë botë, kurrë nuk mëkatuan në një shkallë aq të lartë sic ke mëkatuar ti! Ka shumë tani në ferr që kurrë nuk mëkatuan kundër një drite kaq të qartë, as kundër një dashurie kaq të veçantë, as kundër mëshirave kaq të çmuara siç ke bërë ti! Me siguri, ka shumë tani që po ulërijnë në djegie të përjetshme të cilët kurrë nuk mëkatuan siç ke bërë ti!

Dhimbjet e tyre janë pa ndërprerje apo lehtësim; ata kanë vajtimin si valë të parë, më pas kërcëllimën e dhëmbëve si valë të dytë, krimbin gërryerës si valë të tretë dhe dhimbjen e padurueshme si valë të katërt!

Por dhimbja e trupit është pjesa më e vogël e dhimbjes së tyre. Vetë shpirti i hidhërimit dhe dhimbjes është hidhërimi dhe dhimbja e shpirtit të tyre! Largimi dhe ndarja e përjetshme nga Zoti është vala e pestë!

Ah, i krishterë! Si mund të mendosh për këto gjëra seriozisht dhe të mos vendosësh dorën tënde mbi gojë, madje edhe atëhere kur je nën vuajtjet e përkohshme më të mëdha? Mëkatet e tua kanë qenë shumë më të mëdha se ato të shumë prej atyre që janë në ferr, dhe vuajtjet e tua “të mëdha” janë vetëm sa një pickim pleshti krahasuar me të tyret! Prandaj, pusho murmuritjen tënde dhe rri i heshtur përpara Zotit!”

“Po kush je ti, o njeri, që i kundërpërgjigjesh Perëndisë? A mund t’i thotë ena mjeshtrit: ”Përse më bërë kështu?”. (Romakët 9:20)

 

Si të Përballemi me Depresionin

“Psikologjia shekullare në mënyrë të gabuar e etiketon depresionin si sëmundje që duhet zhdukur. Depresioni nuk është sëmundje por një përgjigje emocionale ndaj jetës. Megjithëse shkenctarët e kanë studiuar depresionin për disa dekada, ata nuk kanë gjetur ndonjë provë të fortë që depresioni është sëmundje. Përgjigjja e një personi ndaj një sëmundje mund të cojë në gjendje depressive, por depresioni në vetvete nuk është sëmundje.

Megjithëse teknikisht nuk është një sëmundje e vërtetë mjekësore, psikologjia shekullare e shet depresionin si sëmundje, në mënyrë që, të shenjëstrohet për tu zhdukur. Nëse do që njerëzit të blejnë një produkt, së pari duhet ti bindësh ata që e duan ose kanë nevojë për të, dhe që të marketosh ilacet psikiatrike, njerëzit duhet të jenë bindur që kanë “sëmundje” që mund të “trajtohen” me ilace. Për këtë arsye, psikologjia fillon me mendimin që depresioni duhet shkatërruar për shkak të efekteve dobësuese që ka dhe nuk konsideron që mund të jetë mënyra e trupit dhe e mendjes duke dhënë alarmin që dicka është gabim.

Pra, në vend që ta shërojmë shpejt depresionin në rrënjë (zemra, mëkati, papërgjegjësia, etj) në mënyrën si bënin Puritanët, psikologjia zakonisht përpiqet të heshtë simptomat e parehatshme apo të dhimbshme (duke përdorur anti-depresantë).

Doktori dhe psikiatristi Peter R. Breggin ka këtë paralajmërim për ata që marrin ose po mendojnë të marrin antidepresantë:

“Studim pas studimi ka konfirmuar që antidepresantët veprojnë vetëm pak më mirë se pilulat e sheqerit. Në disa studime, ato janë më pak efektive se pilulat e sheqerit… Jo vetëm që pilulat e shqerit jane njësoj me antidepresantët, por ndoshta shumë më mirë se to. Para së gjithash, pilulat placebo nuk japin efekte të rrezikshme, psikoza dhe agresion. Së dyti, provat klinike, u pauan dhe u vlerësuan nga vetë kompanitë farmaceutike.”

Megjithatë, kjo nuk do të thotë që në probleme fizike ne nuk duhet të shkojmë te doktori dhe të mos marrim mjekimet e nevojshme. Lavdi Zotit për ata doktorë të mirë që kemi dhe për ilacet që ndihmojnë me sëmundjet fizike.

Puritanët e trajtonin depresionin në tre aspekte. 1) Depresioni si një mik që duhet përqafuar, 2) sovraniteti i Perëndisë në lejimin e tij, dhe 3) qëndrimi në premtimet e Perëndisë.

Ata rrallë mund ti referoheshin melankolisë (depresionit) që të ishte sëmundje. Ata shpesh e shikonin atë si disiplinë nga Perëndia nga një At i dashur kundrejt birit të tij (Hebrenjve 12:6). Shumë psalme flasin për këtë. Psalmi 119:75 thotë: “ti më ke hidhëruar në besnikërinë tënde.”  Ata arsyetonin nga një perspektive e përjetshme se vuajtja synonte ti zhvishte njerëzit nga vetë-mjaftueshmëria dhe kështu do i tërhiqte dhe conte ata te Krishti duke i bërë të vendosnin besimin dhe varësinë e tyre tek Ai. Ata mësonin që edhe në mes të dhimbjes dhe gjendjes depresive njerëzit mund të ketë trishtim por prapë edhe gëzim (2 Kor. 6:10) për shkak se  herët a vonë ata do të shohin mirësinë e Perëndisë në dobësinë e tyre njerëzore dhe kjo do të shërbejë për të shfaqur hirin dhe fuqinë e Perëndisë.

Ndryshe nga besimi bashkëkohor ungjillor modern që një Perëndi i dashur nuk e përdor vuajtjen (ose mundimet si depresioni) për qëllimet e Tija të mira e përfundimtare të lavdishme, Perëndia sovran i Shkrimit thotë të kundërtën. Ndërkohë që ata besonin që Perëndia ishte dhe është sovran mbi gjithcka në përgjithësi, ata mësonin më specifikisht që plani i Tij sovran përmbushet në ngjarje specifike dhe të detajuara për lavdinë e Tij. Ata i inkurajonin njerëzit që të meditonin për provaninë e Perëndisë. Ata besonin që gjithcka që ndodhte vinte nga goja e Perëndisë (Vajtimet 3:37,38).

Ata me të drejtë e shikonin vuajtjen në përgjithësi dhe depresionin në vecanti si rezultat të qëllimeve sovrane të Perëndisë për shenjtërimin e personit dhe ndërtimin e karakterit personal dhe qëllimi i këshillimit të tyre nuk ishte që “domosdo të hiqnin vuajtjen por të rriteshin përmes vuajtjes [që kërkonte] një të kuptuar të provanisë së Perëndisë.” Ashtu sic Jozefi u tha vëllezërve të tij për të ligën që i kishin bërë “Perëndia ka dashur që t’i shërbejë së mires” (Zanafilla 50:20). Kështu kur depresioni ndodh, Perëndia e ka caktuar, dhe sado që i ligë duket në këtë kohë, Perëndia synon që situatat e këqija do të përdoren për të mirën tonë afatgjate dhe lavdinë e Tij. Në vend që të kërkonin lehëtsimin e vuajtjeve Puritanët i kërkonin Perëndisë fortësimin e shpinës të tyre.

Ndryshe nga shumë besimtarë sot, puritanët nuk kishin turp dhe ishin tepër të bindur që Perëndia kontrollon si të mirën ashtu edhe të keqen “Unë formoj dritën dhe krijoj terrin, sjell mirëqënien dhe krijoj fatkeqësinë. Unë, Zoti, i bëj të gjitha këto gjëra” (Isaia 45:7). Ata gjithashtu kuptonin mirë që Perëndia ka një qëllim të përgjithshëm për cdo harabel që bie (Mateu 10:29), cdo qytet që bie (Amosi 3:6) dhe për gjithcka, dhe për këtë arsye ata këshillonin, jetonin dhe qëndronin mbi këtë të vërtetë të testuar nga koha, këtë varg ngushëllues nga Shkrimi, “unë jam Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër; jam Perëndia dhe askush nuk më ngjet mua, që shpall fundin që në fillim, dhe shumë kohë më parë gjërat që ende nuk janë bërë, duke thënë: “Plani im do të realizohet dhe do të bëj gjithçka më pëlqen” (Isaia 46:9,10).

Personat që janë në depression jo gjithmonë kanë fjalët për të përshkruar ose për të shpjeguar gjendjen e tyre. Kjo është një nga arsyet pse ekistojnë Psalmet. Ato janë një koleksion të personave që i thërrasin Perëndisë. Kur ti lexon Palmet të duket sikur po lexon për veten tende dhe këtë më pas e përdor për të folur me Perëndinë. Puritani Thomas Brooks shpesh u rikujtonte personave në depresion të fokusonin zemrat dhe mendjet e tyre te karakteri i Perëndisë dhe jo te rrethanat e vështira. Kjo ishte këshilla e Brooks për ata që nuk kanë gëzim në Krishtin si më parë dhe që kanë dyshime për fuqinë e Perëndisë:

“Perëndia do të restaurojë dhe ngushëllojë njerëzit e tij. Ndoshta kandili i tyre është fikur, Perëndia do ta ndezë përsëri, dhe do ta bëjë që të digjet më shndritshëm se më parë. Megjthëse dielli yt në të tashmen mund të jetë me re, ai që kalëron mbi retë do t’i shpërndajë ato, dhe do ta bëjë diellin të shndrisë dhe të ngrohë zemrën tënde si në ditët e hershme, sic thotë psalmisti: “Ti, që më bëre të provoj shumë fatkeqësira, të rënda, do të më japësh përsëri jetën dhe do të më bësh të ngrihem lart nga humnerat e tokës. Ti do të rritesh madhështinë time dhe do të kthehesh të më ngushëllosh.” (Psalmi 71:20,21). Perëndia heq pak ngushëllim që Ai të hapë vend në shpirt për një ngushëllim edhe më të madh. Këtë profeti Isaia e tregon ëmbëlsisht: “I pashë rrugët e tij, por unë do ta shëroj, do ta udhëheq dhe do t’i jap përsëri ngushëllimet e mia atij dhe të tijve që janë të pikëlluar.” (Isaia 57:18) Duro ëmbëlsisht, o shpirt i cmuar! Stuhia jote do të pushojë, dhe nata jote e errët do të kthehet në ditë me diell! Mëngjezi yt do të mbushet me gëzim dhe ujërat e ngushëllimit do të jenë më të ëmbla e më të larta në shpirtin tënë më shumë se kurrë më parë. Mëshira është e jotja, por koha e dhënies së saj është e Zotit. Prit edhe pak dhe do të zbulosh Zotin të të ngushëllojë në cdo anë.”

David P. Herding, Këshillimi i Personit në Depresion. Alternativa puritane ndaj psikologjisë sekulare

 

Ne i kemi prekur pak hapat se si duhet ti përgjigjemi gjendjes depresive përgjatë artikullit. Këtu po jap një përvijim dhe përmbledhje të tyre. Përballimi i depresionit nuk është dicka e menjëhershme por një process hap pas hapi. Ki parasysh që shpirti, mendja dhe trupi janë të lidhura dhe ndikojnë te njëra tjetra.

Fronti i parë dhe më i rëndësishëm është ai SHPIRTËROR dhe MENDOR.

Nëse calon këtu nuk do kesh ndonjë sukses të madh. Ky front përbëhet nga dy aspekte.

Aspekti i parë është shpëtimi. Ti duhet të kuptosh dy të vërteta të mëdha në lidhje me shpëtimin:

E vërteta e parë ka të bëjë me ty dhe mëkatin tënd. Mund të duket pak kontradiktore por është hapi i pare që ke nevojë të kuptosh. Kupto që ti je një mëkatar i madh i ndyrë dhe i mjerë, plot me ligësi që ke shkelur ligjin e Perëndisë cdo ditë dhe që e ke ofenduar të Pafundim cdo ditë të jetës tënde. Ti  mund të mendosh që je një njeri i mirë, por kur shkon te Shkrimi i Shenjtë i Perëndisë, Bibla, që shërben si pasqyrë që të tregon sic je realisht, ajo të thotë: “Nuk ka asnjë njeri të drejtë, as edhe një” (Romakët 3:11).

E vërteta e dytë është që Jezu Krishti, Zoti që ka krijuar gjithcka (që i shtoi natyrës së tij hynore mish njerëzor duke zbritur dhe lindur si një njeri) erdhi për të shpëtuar mëkatarët. Ai jetoi një jetë pa mëkat, dhe kur ishte koha e duhur ai e dha veten e Tij si një sakrificë për mëkatet e popullit të tij. Krishti vdiq në kryq duke u sakrifikuar në vend të njerëzve të Tij, duke marrë mëkatet e tyre dhe duke paguar në vend të tyre. Në këtë mënyrë u përmbush drejtësia e Perëndisë. Ka pagesë dhe ndëshkim për mëkatet, drejtësia u krye dhe tashmë cdo mëkatar që vjen tek Krishti do të falet nga mëkatet e tij dhe do të shpëtohet. Pas tre ditësh Krishti u ringjall duke mundur vdekjen.

Aspekti i dytë janë veprimet tona shpirtërore dhe mendore. Këto veprime janë:

Një pamje e lartë e Perëndisë – Sa më shumë të njohim Perëndinë dhe provaninë e Tij aq më shumë do ta panojmë situatën me gëzim, do ti besojmë Atij dhe do të mbështetemi në Të.

“Nuk e di ti, vallë, nuk e ke dëgjuar? Perëndia i përjetësisë, Zoti, krijuesi i kufijve të tokës, nuk mundohet dhe nuk lodhet, zgjuarësia e tij është e panjohshme.” (Isaia 40:28)

“O thellësi pasurie, urtësie dhe diturie të Perëndisë! Sa të pahulumtueshme janë gjykimet e tij dhe të pashtershme janë udhët e tij! ”Sepse kush e njohu mendjen e Zotit? Ose kush u bë këshilltar i tij?” (Romaket 11:33,34)

“A mundesh ti të hulumtosh thellësitë e Perëndisë? A mund të depërtosh në përsosmërinë e të Plotfuqishmit? Janë më të larta se qielli; çfarë mund të bësh? janë më të thella se Sheoli: çfarë mund të dish?” (Jobi 11:7,8)

“Vetëm ti je Zoti! Ti ke bërë qiejtë, qiejtë e qiejve dhe tërë ushtrinë e tyre, dheun dhe tërë ato që qëndrojnë mbi të, detet dhe gjithçka që është në ta. Ti i mban gjallë tërë këto gjëra dhe ushtria e qiejve të adhuron.” (Nehemia 9:6)

“Kujtoni gjërat e kaluara të kohëve shumë të vjetra, sepse unë jam Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër; jam Perëndia dhe askush nuk më ngjet mua, që shpall fundin që në fillim, dhe shumë kohë më parë gjërat që ende nuk janë bërë, duke thënë: “Plani im do të realizohet dhe do të bëj gjithçka më pëlqen” (Isaia 46:9,10)

“të gjitha gjëra bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij.” (Romakët 8:28)

Lutja – Filipianët 4:6 thotë,“…në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim.”.

Psalmi 50:15 thotë, “Kërkomë ditën e fatkeqësisë, unë do të të çliroj dhe ti do të më lëvdosh”

Mateu 11:28-30 thotë, “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë!”.

Leximi i ShkrimitPuritanët e dinin që vuajtja e bën njeriun më të ndjeshëm ndaj dëgjimit dhe leximit të Shkrimit. Ata thonin: “vuajtja zbërthen derën e zemrës dhe Fjala hyn më lehtë.”

Psalmi 119:15,16 thotë: “Do të mendoj thellë mbi urdhërimet e tua dhe do të marrë në konsideratë shtigjet e tua. Do të kënaqem me statutet e tua dhe nuk do ta harroj fjalën tënde.”

Psalmi 119:130 thotë: “Zbulimi i fjalëve të tua ndriçon dhe u jep mendje njerëzve të thjeshtë.”

Zëvendësimi i mendimeve – Kjo ka të bëjë se si mendojmë dhe përgjigjemi në situata të caktuara. Me zëvendësimin e mendimeve të pavërteta me mendime të vërteta. Mendja dhe trupi janë të lidhura dhe ndikojnë te njëri-tjetri. Nëse mendja nuk mendon biblikisht, nuk mendon në mënyrë të vërtetë dhe në mënyrë të duhur ajo do ta lodhë dhe rraskapisë trupin.

“Një frymë e dërrmuar i than kockat.” (Fjalët e Urta 17:22b)

“…të gjitha gjërat që janë të vërteta, të gjitha gjërat që janë të ndershme, të gjitha gjërat që janë të drejta, të gjitha gjërat që janë të pastra, të gjitha gjërat që janë të dashura, të gjitha gjërat që janë me famë të mirë, nëse ka ndonjë virtyt dhe nëse ka ndonjë lëvdim, këto mendoni.” (Filipianët 4:8)

Ti flasësh vetes – Psalmi 42 thotë: “Pse ligështohesh, shpirti im, pse rënkon përbrenda meje? Shpreso te Perëndia…” Cfarë po bën Psalmisti këtu? Teksa ai është në një gjendje të ligështuar dhe depresive ai po i flet vetes së tij! Ai po i thotë vetes se cfarë duhet të bëjë! Kaq shumë herë vetja jonë na flet dhe na thotë gjëra të pavërteta! Ajo na thotë “Zoti të ka harruar” “gjërat nuk do të ndryshojnë”, “nuk ia vlen” e shumë e shumë mendime të tjera.

Zoti na ndihmoftë që të zëvendësojmë mendimet mëkatare e të pavërteta që na thotë vetja me mendime të vërteta e biblike. Ti duhet ti flasësh vetes. Mendimet që ty të vijnë mund të vijnë nga i Ligu ose mund të vijnë nga dobësia e mishit tënd fakti është që ti po mendon të pavërteta.

Të folurit ndaj vetes tënde mund të bëhet nga një mik besnik që të flet ose nga ty vetë. Por jo gjithmonë do kesh dikë që të të flasë, kështu që në shumicën e kohës duhet të jesh ti vetë duke i folur vetes tënde të vërtetat rreth Perëndisë dhe për situatën. Të vërteta që mund t’i gjesh në Fjalën e Tij të Shenjtë.

 

Fronti i dytë është STILI I JETESËS dhe TRUPI FIZIK.

Ka të bëjë me parandalimin dhe lehtësimin e simptomave në trupin fizik. Edhe kur ti fillon ti bësh mirë hapat e mësipërm shpirtërorë dhe mendorë, nëse trupi ka qënë në gjendje ankthi dhe stresuese të vazhdueshme për një kohë të gjatë do duhet kohë që ai të qetësohet dhe të kthehet në normalitet.

Ushtrimet Fizike, Gjumi, Natyra dhe Ushqimi

Përpiqu të meresh me aktivitet fizik, të kesh një gjumë të mirë dhe të hash në mënyrë të shëndetshme. Ushtrimet fizike rrisin serotoninën në tru dhe të bëjnë të ndihesh mirë. Gjumi është shumë i rëndësishëm për mirëqënien tënde fizike dhe për fuqi e kthjelltësi. Bëj cdo gjë që mundesh për një gjumë të mirë. Një këshillë e mirë është reduktimi i përdorimit të telefonit përpara gjumit pasi drita blu ndikon tek ai. Shëtitjet në natyrë ndihmojnë që mendja të clodhet dhe të qetësohet. Shmang sa të mundesh ushqimet e këqija e të shpejta dhe fokusohu te gatimet dhe ushqimet e shëndetshme. Disa ushqime dhe pije si kafja e përkeqësojnë depresionin dhe ankthin dhe disa të tjera e lehtësojnë atë.

Nëse ka ndonjë mangësi në këto tre elemente do të ndikojë në trupin dhe mendjen tënde. Asnjëra prej tyre nuk duhet nënvlerësuar.

Antidepresivët me Recetë

Si dikush që ka përdorur lloje të ndryshme antidepresivësh në kohë të ndyshme (nuk lejohen në të njëjtën kohë) mund të them që antidepresivët kapin seretoninën në tru dhe kështu japin një efekt që ngadalëson procesin e të menduarit. Ato të afektojnë në një mënyrë të tillë në tru që të bën që të mos i mendosh shumë thellë gjërat. Nga njëra anë kjo të jep një fare qetësimi nga mendimet e shumta po nga ana tjetër është arsyeja se pse cdo antidepresiv me recetë ka një paralajmërim të fortë që ai mund të cojë në vetëvrasje. Arsyeja është që nuk i mendon gjërat gjatë. Nuk e mendon thellë. Ato gjithashtu mund të shfaqin efekte anësore të ndryshme si probleme me kujtesën apo efekte të tjera që gjenden në fletën shoqëruese.

Suplementet Bimore

“Ai bën që të rritet bari për bagëtinë dhe bimësia në shërbim të njeriut” (Psalmi 104:14)

Suplementet bimore mund të ndihmojnë në parandalimin ose lehtësimin e simptomave në trupin fizik. Që trupi të mos arrijë në rraskapitje. Të gjitha suplementet e mëposhtme i kam përdorur vetë në kohë të nddryshme dhe janë ndihmuese.

Nëse ke gjendje akute të menjëhershme ankthi mund të marrësh sedativë (qetësues) bimorë për një kohë të shkurtër si Vagostabyl, ose Persen ose Valeriana ose dicka tjetër.

Për një trajtim më afat-gjatë e të përditshëm këto suplemente pa recetë e ndihmojnë trupin. Vetitë e tyre mund ti kërkosh vetë në internet. Nëse ke gjëndje të tjera shëndetësore apo po merr ilace të tjera të lutem sigurohu që këto nuk ndërveprojnë dhe zgjidh atë që mund të jetë e duhur për ty:

John Wort – Kjo është lulja e Basanit në formë kapsule. Eshtë një anti-depresiv natyral i përgjithshëm që nuk ka efekte anësore si antidepresivët me recetë. Rrit dopaminën dhe serotoninën në tru. Mund të ketë efekte anti-kancer gjithashtu. Kujdes: Ky nuk duhet të merret asnjëherë me antidepresivët me recetë.

Pluhur Inositol (Vitamina B8) – Jo vetëm që kjo vitaminë është e mirë për sindromën e ovareve policistike te gratë, por në doza pak më të larta është shumë efektiv në luftimin dhe qetësimin e gjendjes së ankthit dhe OCD sepse rrit neurtransmetuesit në tru. Mund të ndalojë rritjen e qelizave kanceroze vecanërisht ato në mushkri, mund të ndihmojë me rënien në peshë dhe me gjumin.

Lions Mane – Eshte një kërpudhë aziatike në kapsulë që promovon një gjendje të mirë mendore, ndihmon në dëmtimet nervore duke stimuluar rritjen e nervave, ndihmon me ulcerën e stomakut dhe mund të ndalojë H. Pylorin. Mund të ndihmojë me zemrën, imunitetin, dhe ngadalësimin e kancerit.

L-tryptophan – Rrit nivelin e serotoninës në tru, jep një gjendje të mirë të humorit, ndihmon me gjumin, mund të ndihmojë me dhimbjen e kokës dhe migrenën, mund të ndihmojë me lënien e cigares dhe rënien nga pesha. Nuk duhet kombinuar me antidepresivë të tjerë dhe me rritës të tjerë të serotoninës.

Rohdiola – Eshtë një adoptagjen që ndihmon me depresionin dhe stresin, rrit nivelet e energjisë. Mund të parandalojë kancerin dhe të ndihmojë me zemrën, imunitetin dhe rënien në peshë.

 

Përfundim

Në errësirë e vërteta e Perëndisë ndricon me pastër. Depresioni është një vuajtje shenjtëruese ku Perëndia zbulon thesaret e tij më të mëdha te njerëzit që vuajnë në mes të errësirës së thellë. Kjo ilustrohet shumë mire në librin e lutjeve puritane Lugina e Vizionit:

“Perëndi, i madh dhe i shenjtë, zemërbutë dhe i përulur. Ti më ke sjellë në luginën e vizionit, ku në thellësitë e saj jetoj por në lartësi të shoh ty. I rrethuar nga malet e mëkatit unë sodis lavdinë tënde. Më mëso paradoksin që rruga poshtë është rruga për lart, që të jesh i ulët ësthtë të jesh i lartë, që zemra e thyer është zemra e shëruar, që fryma e penduar është fryma e gëzuar, që fryma e penduar është fryma e fituar, që të mos kesh asgjë është të kesh gjithcka, që të mbash kryqin është të vësh kurorën, që të japësh është të marrësh, që lugina është vendi i vizionit. Zot, yjet mund të shihen nga puset më të thella, dhe sa më të thella puset aq më shndritshëm ndricojnë yjet e tua. Më lër të gjej yllin tend në errësirën time, jetën tënde në vdekjen time, gëzimin tënd në hidhërimin tim, hirin tënd në mëkatin tim, pasuritë e tua në varfërinë time, lavdinë tënde në luginën time.”

Zoti na ndihmoftë në shtegëtimin tonë.

Në Krishtin dhe për Lavdinë e Perëndisë,

Bestar Flamuraj

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes