Puritani William Gouge (1575–1653)
Për Detyrat Familjare
Për burrat dhe gratë që ndihmojnë njëri-tjetrin në rritjen në hir.
Këtu duhet të shtohet edhe përpjekja për të ndihmuar në rritjen e hirit: ku burri dhe gruaja duhet ta kërkojnë dhe synojnë ta përmbushin reciprokisht te njëri-tjetri. Kujdesi që tregoi Elkanahu (1 Samueli 1) për t’i marrë dy gratë e tij me vete çdo vit në Tabernakullin e Zotit tregon se dëshira e tij ishte që t’i forconte ato në frikën e Perëndisë. Madje edhe dhuratat dhe pjesët që ai u jepte në atë kohë, nënkuptojnë kujdesin e tij për t’i inkurajuar të vazhdonin në shërbimin ndaj Zotit. Pa dyshim që qëllimi kryesor i Shunamites kur përgatiti një dhomë për profetin ishte që si ajo, ashtu edhe burri i saj të ndërtoheshin në Hirin e Perëndisë.
Kjo detyrë mund të arrihet më lehtë përmes mënyrave në vijim:
- Duke vënë re fillimin dhe shenjat më të vogla të hirit, dhe duke i vlerësuar ato.
- Duke biseduar shpesh për gjëra që lidhen me jetën shpirtërore: duke bërë pyetje dhe duke dhënë përgjigje mbi to me njëri-tjetrin.
- Me shembullin dhe praktikën e përbashkët: që secili të jetë një model i përkushtimit për tjetrin.
- Duke kryer ushtrime fetare së bashku, si lutja, këndimi i psalmeve, leximi i Fjalës, etj.
- Duke mbajtur ushtrime të shenjta dhe fetare në familje. Edhe pse kjo përgjegjësi i përket posaçërisht burrit, gruaja duhet ta kujtojë për këtë nëse ai e harron, dhe ta nxisë nëse ai tregohet i plogët. Kështu bëri gruaja e mirë Shunamite (2 Mbretërve 4:9-10). Askush nuk mund të ndikojë një burrë për këtë gjë më shumë se gruaja e tij.
- Duke nxitur njëri-tjetrin të shkojnë në shtëpinë e Zotit, për të dëgjuar Fjalën, për të marrë pjesë në sakrament, dhe për të përmbushur me ndërgjegje të gjitha pjesët e adhurimit publik të Perëndisë.
Ka shumë nevojë që bashkëshortët të përpiqen të ndihmojnë njëri-tjetrin në rritjen e hirit, sepse të gjithë jemi të prirur të ftohemi dhe të dobësohemi, ashtu si uji që ftohet nëse zjarri shuhet dhe nuk shtohet më dru. Dhe ndër të gjithë të tjerët, burrat dhe gratë mund të jenë më të dobishmit për këtë, sepse ata e dallojnë më shpejt rënien shpirtërore për shkak të afërsisë dhe bashkëjetesës së vazhdueshme që kanë.
Perkthyer nga: https://purelypresbyterian.com/2018/01/04/helping-your-spouse-grow-in-grace/