Autor i panjohur
Kisha Katolike Romane pretendon që peshkopi i parë i Romës ishte vetë Apostulli Pjetër. Ata e bazojnë këtë në premtimin e Jezusit, “Dhe unë po të them gjithashtu se ti je Pjetri, dhe mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kishën time” (Mateu 16:18), dhe “unë do të të jap çelësat e mbretërisë së qiejve; gjithçka që të kesh lidhur mbi tokë, do të jetë lidhur në qiej, dhe gjithçka që të kesh zgjidhur mbi tokë, do të jetë zgjidhur në qiej.” (Mateu 16:19).
Por a po thoshte me të vërtetë Jezusi që Ai do ta ndërtonte kishën e tij mbi supet e Pjetrit, dhe se do t’i jepte Pjetrit çelësat e qiellit? Këtu janë 7 arsye pse kjo është thjesht një marrëzi:
1- Nuk ka asgjë të thënë në Dhiatën e Re që Pjetri ka qenë ndonjëherë në kishën e shekullit të parë në Romë. Kisha romane e bazon këtë pretendim vetëm në traditat e tyre. Audienca e Pjetrit në predikimin e tij të parë te Veprat 2 ishin hebrenj nga e gjithë perandoria romake, duke përfshirë edhe ata nga Roma (Veprat 2:10). Ata romakë që besuan më pas u kthyen në shtëpitë e tyre dhe filluan kishën atje. Në fakt, Pjetri ishte në Jeruzalem nga ajo e Dielë Pentakosti në vitin 30 ose 33 pas Krishtit dhe deri sa u largua nga Jeruzalemi rreth vitit 44 pas Krishtit, më shumë se 10 vite më vonë.
Për më tepër, në letrën e Palit drejtuar kishës në Romë rreth vitit 57 pas Krishtit, 27 vite (!) pasi besimtarët e parë u kthyen në Romë, ai nuk përmend kurrë që ai ose Pjetri ishin atje. Dhe në të gjitha përshëndetjet e tij në letrën e tij drejtuar romakëve, Pali nuk e përmendi emrin e Pjetrit asnjëherë. Nëse Pjetri ishte pastor atje në atë kohë, Pali do ta kishte përshëndetur atë së pari.
2 – Kur Jezusi i drejtohej Pjetrit, ai po i drejtohej atij si “zëdhënës” i Dymbëdhjetëve. Pjetri, duke qenë më i zënëshmi dhe impulsivi ndër Dymbëdhjetë, ishte gjithmonë në krye të bisedave të tyre me Jezu Krishtin. Ne e dimë këtë kur në vargun 19, Jezusi i thotë atij, “unë do të të jap çelësat e mbretërisë së qiejve; gjithçka që të kesh lidhur mbi tokë, do të jetë lidhur në qiej, dhe gjithçka që të kesh zgjidhur mbi tokë, do të jetë zgjidhur në qiej.” Por dy kapituj më vonë, Jezusi përsërit të njëjtën deklaratë fjalë për fjalë, “Në të vërtetë ju them se gjitha gjërat që do të keni lidhur mbi tokë do të jenë lidhur edhe në qiell; dhe gjitha gjërat që keni zgjidhur mbi tokë do të jenë zgjidhur edhe në qiell.” (Mateu 18:18). Dhe kujt po i fliste ai te Mateu 18? Qartazi, ai po u fliste të gjithë dishepujve, jo vetëm Pjetrit, sepse “ju them” këtu është në shumës.
3 – “Çelësat” nuk i jepen Pjetrit, por të gjithë apostujve dhe të gjithë shërbëtorëve që predikojnë ungjillin e vërtetë. Jezusi thotë, “Unë jam dera; nëse dikush hyn nëpërmjet meje, do të shpëtohet; do të hyjë, do të dalë dhe do të gjejë kullotë.” (Gjoni 10:9). Më vonë, ai gjithashtu thotë, “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje.” (Gjoni 14:6). Në fjalimin e tij drejtuar kishës në Filadelfia, Krishti thotë se ai “ka çelësin e Davidit, ai që hap dhe askush nuk mbyll; dhe mbyll dhe askush nuk hap.” (Zbulesa 3:7). Për shkak se filadelfianët ishin besnikë ndaj fjalës së tij, Krishti premtoi, “ja, të vura përpara një dere të hapur që asnjëri nuk mund ta mbyllë;” (Zbulesa 3:8). Dhe për të gjithë të pabesët, Krishti ka çelësat për t’i hedhur në Vdekje dhe Hades (Zbulesa 1:18).
Nëse Jezusi është dera për në qiell, çelësi që hap dhe mbyll këtë derë është predikimi i ungjillit të vërtetë, përmes të cilit ai që dëgjon dhe beson shpëtohet, “Besimi, pra, vjen nga dëgjimi, dhe dëgjimi vjen nga fjala e Perëndisë.” (Romakëve 10:17). Sepse “[ungjilli] është fuqia e Perëndisë për shpëtim për çdo njeri që beson” (Romakëve 1:16). Prandaj, ai po u jep “çelësat” apostujve të tij dhe më pas, pastorëve dhe pleqve të kishës së tij universale.
4 – Shkrimet e Dhiatës së Re na tregojnë se Pjetri nuk ishte i lartësuar mbi asnjë nga apostujt e tjerë. Menjëherë pas kësaj bisede, Jezusi paratha vdekjen e tij, por Pjetri nxitimthi premtoi se kjo nuk do të ndodhte kurrë nën mbikëqyrjen e tij. Por Jezusi e qortoi shumë ashpër, “Shporru prej meje, o Satan! Ti je një skandal për mua” (vargu 23). Në fakt, apostulli impulsiv nuk ishte i vërtetë ndaj fjalës së tij, kur në frikë për jetën e tij, e mohoi Jezu Krishtin tri herë. Në Këshillin e Jeruzalemit, Pjetri foli për punën e tij me paganët, por nuk ishte ai, as Pali, që kryesonte këtë këshill të madh. Ishte Jakobi (Veprat 15:7, 13). Dhe pas disa viteve ku Pjetri u dëshmoi paganëve (Veprat 10), ai refuzoi të hante me paganët, por Pali e qortoi (Galatasve 2:11-15). Kisha e Krishtit nuk u ndërtua mbi themelin e Pjetrit, madje as mbi të Dymbëdhjetët. “Themel i vetëm i kishës është Jezu Krishti, Zoti i saj.”
5 – Krishti është Kreu i vetëm i Kishës (Efesianëve 1:22-23; 5:23; Kolosianëve 1:18). Kisha është nën sundimin dhe kujdesin e Ndërmjetësit të saj të vetëm, Jezu Krishtit, “Në fakt një është Perëndia, dhe një i vetëm është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: Krishti Jezus njeri” (1 Timoteut 2:5). Që nga ngjitja e Tij në qiell, Krishti është i pranishëm me Kishën e Tij përmes Fjalës dhe Sakramenteve përmes shërbëtorëve të Tij dhe ndriçimit të Frymës së Shenjtë.
6 – Meqënëse Krishti është Kreu i vetëm i Kishës, asnjë njeri nuk mund të jetë asnjëherë “Zëvendësuesi” i Tij në tokë. Dhe nuk ka Apostuj të tjerë që erdhën pas Pjetrit dhe njëmbëdhjetë Apostujve të tjerë. Që nga dita e Pentakostit, të gjithë apostujt filluan të ndërtojnë themelin e kishës (Efesianëve 2:20). Pali thotë se nuk është vendosur ndonjë themel tjetër përveç Krishtit nga Apostujt. Pasi ky themel është vendosur, nuk ka më punë për të bërë në themel — puna e Apostujve është përfunduar (1 Korintasve 3:10-11). Prandaj, nuk ka më Apostuj pas Dymbëdhjetë të parëve. Në fakt, të gjithë njerëzit e tjerë, përveç të Dymbëdhjetëve, janë të pakualifikuar për të qenë Apostuj, meqënëse kërkesa është që ai duhet të ketë qenë një dëshmitar okular i Krishtit të ngjallur (Veprat 1:22). A ka ndonjë Papë që ka qenë dëshmitar okular i Krishtit të ngjallur?
7 – Prandaj, shkëmbi për të cilin fliste Jezusi ishte rrëfimi i Pjetrit. Çdokush që e rrëfen Jezusin në veprën e Tij si Krishti Shpëtimtar dhe në identitetin e Tij si Biri i Perëndisë, Personi i Dytë i Perëndisë Triun, do të shpëtohet. Dhe çdokush që vjen në këtë besim shpëtues do të jetë gurë të gjallë që do të formojnë kishën (1 Pjetri 2:4-5). Të gjithë të tjerët që e mohojnë këtë nuk do të pranohen në qiell, por një çelës do t’u hapë dyert e ferrit në të cilin do të hidhen.