Nga “Original Covenanter”, viti 1881, TrueCovenanter
Për lehtësi të lexuesit shqiptar janë përkthyer vetëm disa pjesë dhe të renditura ndryshe
Dhjata e Re, e interpretuar drejt, jep dëshmi të mjaftueshme se Zoti ynë dhe apostujt e Tij përdorën në adhurim “flijim lavdie” (Heb. 13:15), ato “psalme, himne dhe këngë shpirtërore” (Efes. 15:19) që gjendeshin vetëm në Librin e frymëzuar të Psalmeve. As historia nuk tregon ndonjë ndryshim nga pasuesit e tyre të menjëhershëm. Është e vërtetë që kjo prishje e adhurimit hyjnor, u zhvillua paralelisht me prishjet e tjera në pjesën e hershme të epokës së krishterë. Në shekullin e tretë, psalmet çmoheshin aq shumë saqë ato mësoheshin përmendësh, ashtu siç ndodh ende sot nga fëmijët e kishës. Kaq i rëndësishëm dhe i zakonshëm ishte ky lloj formimi i hershëm nga prindërit dhe pastorët, saqë fëmijët e edukuar në këtë mënyrë quheshin pueri psalmorum, “djemtë e psalmeve.”
Arianët, Donatistët dhe sekte të tjera kishin përhapur aq shumë mësimet e tyre të rreme dhe heretike përmes këngëve të tyre në shekullin e katërt “duke ndezur dehjen e mendjeve të tyre përmes këngëve të krijuara nga njerëzit”, saqë këshilli i Laodicesë, rreth vitit 360, ndaloi përdorimin kishtar të të gjitha këngëve të pafrymëzuara dhe Këshilli i Kalkedonit, në vitin 451, e konfirmoi këtë dekret. (Dr. Binney, f. 368.) Çdokush që lexon historinë e kishës e di mirë se si këngët u kompozuan dhe u shumëzuan nga rendet e ndryshme të murgjve katolikë romanë, bashkë me dogmat e tyre heretike dhe prishjet e tjera, me anë të të cilave ungjilli u errësua dhe “Epokat e Errta” u përhapën mbi botën e krishterë.
Kur Zoti e nxori dëshminë e dëshmitarëve të Tij nga errësira në Piemonte, Bohemi, etj., përmes shërbesës së Luterit, bashkëkohësve dhe pasardhësve të tij, atëherë psalmet u rikthyen në vendin e tyre në kishat e Reformacionit. Luteri ishte i aftë në muzikë dhe vetë kompozoi shumë himne por ai bënte me kujdes dallimin ndërmjet Psalmeve dhe himneve të tij. Thuhet se një zonjë e moshuar në Pensilvaninë lindore ka në zotërim “një libër psalmesh gjerman, botuar nga vetë Luteri.” Libri mbyllet me një koleksion të himneve të Luterit por zonja e moshuar thotë se në rininë e saj në Gjermani, “udhëzimet e atij libri zbatoheshin me përpikmëri dhe në adhurimin publik këndoheshin vetëm Psalmet e Davidit.” Siç dihet mirë, e njëjta rregull, mbizotëronte në të gjitha kishat e tjera të reformuara të Evropës dhe të Ishujve Britanikë.
Në fillim të këtij shekulli, dhe në një krahinë në pjesën qendrore të Pensilvanisë, një pastor i cili kishte qenë për shumë vite bariu i një kongregacioni Presbiterian, u nda nga jeta. Gjatë gjithë kohës së shërbesës së tij të gjatë, Psalmet ishin përdorur ekskluzivisht në lavdërimin e Perëndisë. Drejtuesi i këndimit që vazhdonte ende të jetonte ishte tashmë i moshuar. Me kalimin e kohës, u thirr një pasardhës nga shumica e kongregacionit për të zëvendësuar pastorin e vjetër. Ai ishte në forcën e rinisë, i sapo dalë nga seminari teologjik dhe ishte plotësisht në përputhje me të gjitha “përmirësimet” e kongregacioneve më në modë të qyteteve bregdetare të Atlantikut. Në mëngjesin e së dielës kur pastori i ri predikoi për herë të parë në foltore, në vend që të ndiqte rendin e zakonshëm të ndjekur nga paraardhësi i tij i nderuar që konsistonte në thirrjen për praninë dhe mirësinë hyjnore, shpjegimin e një pjese të psalmodisë, që adhuruesit të përgatiteshin për të kënduar lavdet e Perëndisë me frymë dhe me kuptim, veprimi i parë i pastorit të ri ishte të ngrihej me pamjen dhe hijeshinë e një zotërie të përsosur dhe të rafinuar. Ai mbante në dorë një libër himnesh dhe “shpalli një himn”! Drejtuesi i vjetër i këndimit ndodhej në vendin e tij të zakonshëm, përpara foltores. Pastori i ri priti në këmbë që ai ta udhëhiqte kongregacionin në këtë “shërbesë të këngës” të re. Por në vend që të bindej, plaku me flokët gri u ngrit nga vendi i tij, mori kapelën e tij trekëndore dhe u nis ngadalë drejt një pozicioni të përshtatshëm në korridorin e kishës. Pastaj u kthye dhe i’u drejtua pastorit, i cili qëndronte ende në foltore, duke i thënë:—“Zotëri, unë kam qenë për dyzet vite drejtues i këndimit në këtë kongregacion dhe ti sot më ke bërë atë që të gjithë djajtë e ferrit nuk mund ta bënin. Ti më ke mbyllur gojën nga lavdërimi i Perëndisë tim në këtë kongregacion.” Pastaj doli ngadalë nga dera, duke qarë ndërsa largohej dhe nuk u kthye më kurrë. Ky është një rrëfim autentik i një skene prekëse nga dikush që ishte dëshmitar okular. Vërtet, shpesh kemi dëgjuar për raste të ngjashme edhe në ditët tona, pak a shumë të ngjashme me këtë shembull.
Nxitja e parë për t’u larguar nga përdorimi ekskluziv i psalmeve si përmbajtje e lavdërimit ndaj Perëndisë në shenjtëroren e Tij, erdhi nga një vepër e Dr. Isaac Watts, e titulluar “Një Imitim i Psalmeve të Davidit”. Këto u bënë shumë të njohura midis presbiterianëve në Shtetet e Bashkuara. Si një kundërhelm ndaj këtij korruptimi të një urdhërimi hyjnor, i ndjeri Dr. James R. Wilson, i Kishës Presbiteriane të Reformuar, botoi një broshurë të titulluar, “Dr. Isaac Watts një Arian, i provuar nga shkrimet e tij.” Kjo vepër u hapi sytë shumë vetave që kishin rënë në gabimin e zakonshëm të mendimit se Dr. Watts ishte ortodoks, për shkak të përshpirtshmërisë së tij të dukshme. Nuk ka mashtrim më të madh se ky, edhe pse goxha i përhapur. Ariani dhe Sociniani, të cilët “mohojnë Zotin që i bleu,” mund të flasin dhe të shkruajnë po aq përshpirtmërisht sa teologu më ortodoks dhe është vetëm “me fjalë të ëmbla dhe të bukura gënjejnë zemrat e të thjeshtit.” (Rom. 16:18) Po të shprehnin ata hapur dhe me guxim herezitë e tyre, duke mohuar hyjninë e plotfuqishme të të vetmit Shpëtimtar, shumë veta do të alarmoheshin dhe do t’i shpëtonin grackës së gjuetarit.
Mënyra e futjes së himneve “me forcë dhe me egërsi”, nga e cila është dhënë një shembull më sipër, u zbulua me kalimin e kohës se ishte një politikë e keqe. Një metodë më e qetë dhe më e suksesshme ishte të veprohej në mënyrë të tërthortë. Shkolla e së dielës hapi një rrugë premtuese. Fëmijët padyshim që do të magjepseshin shpejt nga risia. Ata i kuptonin himnet në një farë mase, ndërsa psalmet ishin të mbështjella me mister dhe të errësuara nën tipe, aq sa edhe vetë Dr. Watts ankohej për paqartësinë e tyre. Tani, shërbyesit e kishës kishin lënë mënjanë atë pjesë të rregullit që kërkonte shpjegimin e një pjese të psalmodisë në mëngjesin e së dielës. Me kalimin e kohës, pjesa më e madhe e shërbyesve u bënë po aq injorantë ndaj Psalmeve sa edhe fëmijët. Pastorët, mbikëqyrësit dhe mësuesit, duke shpërfillur ndalimet e urdhërimit të tretë, i mësuan të rinjtë në përdorimin familjar dhe pa respekt të emrave dhe atributeve hyjnore dhe në këtë mënyrë fshinë gradualisht dallimin mes një psalmi të frymëzuar dhe një kënge të pafrymëzuar. Është e vërtetë që novatorët mohonin çdo qëllim për të lënë mënjanë apo për të ulur vlerën e Psalmeve. Madje ata e kanë pohuar dhe ende pohojnë se i çmojnë shumë dhe herë pas here i lavdërojnë. Ata i ofrojnë Perëndisë si psalm, ashtu edhe himn, pa dallim. Kjo është tepër e ngjashme me “duke vënë pragun e tyre afër pragut tim dhe shtalkat e tyre afër shtalkave të mia” [Ezek. 43:8]; ose me dy altarët e mbretit Ahaz: altari i Damaskut për flijime dhe altari prej bronzi “do të merrem unë me të.” (2 Mbretërve 16:15). Por Perëndia ynë është një Perëndi xheloz. Ai ushtron prerogativën e Tij ekskluzive për të përcaktuar adhurimin që do të pranojë. Adhuruesit dhe shërbesa e tyre nën Besëlidhjen e Re përshkruhen me emra nga Besëlidhja e Vjetër (Heb. 13:15). Si adhuruesit, ashtu edhe ofertat e tyre, duhet të jenë pa të metë dhe ka një mallkim të frikshëm për “mashtruesin që ka në kopetë e tij një mashkull por premton e flijon për Zotin një kafshë me të meta” (Mal. 1:14). Ai duhet të adhurohet “në të vërtetën” (Gjoni 4:24).
Ndoshta asnjë gabim nuk është përhapur më gjerësisht ndër protestantët në këtë epokë të kishës, sesa ky: Që çdo njeri ka të drejtë të barabartë dhe hyjnore për të krijuar këngë që t’i ofrohen Perëndisë si lavdërim. Tani, le të mos mendojë askush se kemi diçka për të thënë kundër poezisë në përgjithësi, apo kundër himneve ungjillore në veçanti, për sa kohë që ato mbahen në vendin e vet. Por kur ato hyjnë në konkurrencë me Biblën, ose përdoren si zëvendësim për ndonjë pjesë të Biblës, atëherë, vërtetë, kjo ndërhyrje profane duhet të përballet dhe kufizohet nga autoriteti i Shkrimit dhe një protestë solemne. Sepse, nëse mund të pranojmë një “imitim” si zëvendësim për librin e Psalmeve pa blasfemi të paturpshme, mbi të njëjtin parim mund të pranohen imitimet edhe për të gjitha librat e tjerë të Biblës si zëvendësime; dhe kështu arrijmë në pikën e mosbesimit ku na kanë çuar, pa e kuptuar, mësimet e Dr. Watts, Cuyler dhe Musgrave. Sigurisht, ne i përdorim këto tre emra të teologëve të shquar vetëm si përfaqësues të një shumice të madhe burrash po aq të kulturuar por rrezik për kishën.
Inovatorët e kësaj epoke ndoshta nuk janë më të njohur sesa ata të cilëve profeti Isaia u ishte dërguar për t’i paralajmëruar, kështu: “Ja, të gjithë ju që ndizni një zjarr, që rrethoheni me shkëndija, ecni në dritën e zjarrit tuaj dhe në shkëndijat që keni ndezur! Këtë do të keni nga dora ime: ju do të lëngoni në vuajtje.” (Isaia 50:11 ESV). Nëse përkrahësit e pastërtisë së adhurimit të Perëndisë në çështjen e lavdërimit të Tij ndonjëherë flasin “marrëzira” apo edhe duken të fajshëm ndaj akuzës së “budallallëkut”, faji dhe ndëshkimi i tyre duhet të konsiderohen relativisht të lehta, kur krahasohen me fajin dhe fatin e atyre që përshkruhen në këtë paralajmërim të tmerrshëm të profetit të Zotit.