Nga Rev. John Marcus
(Publikimi i parë në “Beacon Lights”)
Mungesa e modestisë në veshje është një çështje që e ka shoqëruar racën njerëzore që nga rënia e Adamit dhe Evës në mëkat dhe ajo nuk do të zhduket deri sa të shkojmë për të qenë me Perëndinë në lavdi. Një njeri, shpesh mbetet i habitur nga ajo që vajzat e reja (dhe edhe ato më të moshuarat) veshin këto ditë. Jo vetëm në rrugë dhe në shkollë, por edhe në kishë duket sikur standardi i veshjes po bëhet gjithnjë e më pak modest. Sa i shkurtër mund të jetë një fund përpara se të konsiderohet jomodest? A është gabim të veshësh rroba të ngushta që theksojnë formën e trupit? A është e përshtatshme për vajzat e krishtera të veshin bikini (apo edhe rroba banje të zakonshme) në publik? A mund burrat tanë të veshin rroba banje Speedo në publik? Në shoqërinë e sotme, besimtarët përballen me këto dhe shumë pyetje të tjera. A ofron Bibla udhëzime që mund t’i ndjekim në këtë fushë? Nëse Bibla i trajton këto çështje, ne jemi të detyruar të dëgjojmë dhe të bindemi dhe aty ku Bibla është e heshtur, ne duhet të qëndrojmë të heshtur.
Modestia përkufizohet nga Fjalori i Webster-it si “liri nga krenaria ose kotësia; përshtatshmëri në veshje, të folur ose sjellje.” Ky përkufizim nxjerr në pah dy aspekte të modestisë: të brendshmen dhe të jashtmen. Të dyja aspektet janë të lidhura. Modestia e brendshme çon në modestinë e jashtme dhe modestia e jashtme është një shenjë e cilësisë së brendshme. Të krishterët kanë nevojë për të dyja.
Ne na thuhet te 1 Pjetër 3:3-4: “Stolia juaj të mos jetë e jashtme: gërshëtimi i flokëve, stolisja me ar ose veshja me rroba të bukura, por njeriu i fshehur i zemrës, me pastërtinë që nuk prishet të një shpirti të butë dhe të qetë, që ka vlerë të madhe përpara Perëndisë.“
Nga ky Shkrim i Shenjtë, është e qartë se modestia e brendshme dhe e jashtme janë të lidhura. Ato që janë të zbukuruara me një frymë të butë dhe të qetë do të jenë të njëjtët njerëz që nuk e kanë stolinë e tyre të jashtme. Si modestia e brendshme ashtu edhe ajo e jashtme duhet të kultivohen mes nesh. Kjo nuk është një opsion, kjo është ajo që Perëndia dëshiron për ne si populli i Tij.
Ekzistojnë dy parime biblike që na udhëheqin për çështjen e modestisë në veshje: Parimi i parë është që ne nuk duhet të kërkojmë të tërheqim vëmendjen tek vetja përmes mënyrës se si vishemi. Parimi i dytë, duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të mos i shkaktojmë të tjerët të bien në mëkat për shkak të mënyrës se si vishemi.
Parimi i parë ka të bëjë me krenarinë dhe kotësinë që ndodhen në zemrën tonë. Krenaria dhe kotësia janë ato që i shtyjnë shumë njerëz të vishen ashtu siç vishen. Shumë njerëz vishen në mënyrë që të bien në sy nga të tjerët. Në varësi të personave që duan t’u bien në sy, njerëzit mund të përdorin shumë strategji të ndryshme. Ata mund të zgjedhin të veshin modën më të fundit, ta mbushin trupin me bizhuteri nga më të ndryshmet, të shpojnë pjesë të trupit si hundën, gjuhën, qepallat, etj., të ngjyrosin flokët, dhe lista vazhdon. Por Perëndia është tmerrësisht i pakënaqur me një mendjemadhësi të tillë dhe premton gjykim mbi ata që e praktikojnë atë:
“Zoti thotë akoma: “Me qenë se vajzat e Sionit janë fodulle dhe ecin qafëpërpjetë dhe me vështrime provokuese, duke ecur me hapa të vogla dhe duke bërë të tringëllojnë unazat që mbajnë te këmbët e tyre, Zoti do të godasë me zgjebe majën e kokës së vajzave të Sionit dhe Zoti do të nxjerrë në shesh turpet e tyre.” (Isaia 3:16-17).
As djemtë e rinj nuk janë të përjashtuar nga krenaria dhe kotësia. Për të tërhequr vëmendjen tek vetja, ata mund të blejnë këpucët më të shtrenjta Nike, të shpojnë veshët, ose të veshin rrobat më të fundit sportive.
Në raste të tjera, një person mund të kërkojë të vërehet nga persona të seksit të kundërt. Djemtë e rinj shpesh vishen specifikisht për të impresionuar vajzat. Ndoshta ai zgjedh një bluzë të ngushtë, ose një me mëngë të prera që tregon muskujt që ai ka stërvitur gjatë gjithë verës. Vajzat e reja gjithashtu mund të bien në këtë grackë duke u veshur për të ekspozuar trupin e tyre. Rrobat me dekolte të ulët, me prerje të lartë, ose ato që ekspozojnë lëkurën janë ftesë për vëmendjen e djemve. Jo vetëm rrobat që tregojnë lëkurën e një vajze janë një problem, por edhe rrobat e ngushta që theksojnë formën e trupit të saj mund të përdoren për të tërhequr vëmendjen.
Të gjitha këto shfaqje në mënyrën se si vishemi janë të gabuara për shkakun e thjeshtë se ato lindin nga krenaria mëkatare. Asnjë nga gjërat në këtë listë nuk është nevojshmëri. Të gjithë ato vishen për arsye të gabuara, për t’i sjellë lavdi vetes sonë kur ne, duhet të kërkojmë lavdinë e Krijuesit dhe Shpëtimtarit tonë.
Parimi i dytë ka të bëjë me shkaktimin e rënies tek të tjerët. Nga dashuria për të afërmin tonë, ne nuk mund t’i lejojmë vetes lirinë për t’u veshur në çdo mënyrë që duam. Sidomos Urdhërimi i Shtatë flet për këtë çështje. Në trajtimin e Urdhërimit të Shtatë, Katekizmi i Hajdelbergut thotë si më poshtë:
“A ndalon Perëndia në këtë urdhërim vetëm kurorëshkeljen dhe të tilla mëkate flagrante?
Përgjigjja:
Meqenëse edhe trupi, edhe shpirti ynë janë tempuj të Frymës së Shenjtë, Ai na urdhëron t’i ruajmë ato të pastra dhe të shenjta; prandaj Ai i ndalon të gjitha veprimet, gjestet, fjalët, mendimet dhe dëshirat jo të dëlira, si dhe çdo gjë që mund t’i joshë njerëzit drejt këtyre.” (P & P 109).
Fraza e fundit tregon se Urdhërimi i Shtatë ndalon të gjitha gjërat që mund të tundojnë dikë për të kryer mëkat të kurvërisë, qoftë me trupin e tyre ose në mendimet e tyre. Qartazi, veshja jomodeste i tundon disa për të kryer mëkat në mendjet e tyre; kështu që, një veshje e tillë është e ndaluar nga Urdhërimi i Shtatë. Duke u veshur në mënyrë extravagante, është gjithashtu e mundur që të tjerët të fillojnë të dëshirojnë atë që ne kemi dhe të dëshirojnë të njëjtin standard veshjeje për veten e tyre. Përsëri, parimi i abstinencës nga çdo gjë të panevojshme që shkakton një vëlla ose motër të bjerë është politika biblike që ne jemi të detyruar ta ndjekim nga dashuria për të afërmin tonë.
A shkaktojnë bikini dhe veshjet e plazhit që vëllezërit dhe motrat tona të bien? Atëherë ne nuk mund t’i veshim ato. A ka një alternativë modeste? Atëherë duhet ta zgjedhim atë. Nëse nuk ka një alternativë të përshtatshme, atëherë është më mirë të mos shkojmë fare në plazh. Më mirë kështu se sa të shkaktojmë rënie tek dikush tjetër. Dhe nëse e dimë që do të ketë njerëz në plazh që janë veshur në mënyrë jo modeste, atëherë është më mirë të qëndrojmë në shtëpi sesa të vendosim veten në rrugën e tundimeve.
Modestia do të jetë gjithmonë një çështje në jetën e popullit të Perëndisë, sepse njeriu i vjetër i mëkatit nuk do të zhduket deri sa të arrijmë në lavdi. Herë pas here, ne duhet të kujtojmë veten dhe besimtarët e tjerë se çfarë kërkon Zoti prej nesh për sa i përket modestisë. Kur informohemi për këtë çështje, ne nuk duhet ta bëjmë atë nga perspektiva e botës dhe standardet që ajo konsideron të pranueshme. Përkundrazi, ne duhet të kërkojmë të njohim vullnetin e Perëndisë për këtë çështje. Populli i Perëndisë do të kërkojë me seriozitet rrugën e modestisë, si brenda ashtu edhe jashtë. Ata do ta bëjnë këtë për lavdinë e Tij.
Përkthyer nga: https://cprc.co.uk/articles/modesty/