Nga Paul J. Barth
Në postimin tonë të parë bëmë një vështrim paraprak mbi natyrën abortuese të kontraceptivëve, duke vënë në dukje se kontraceptivët hormonalë kanë mundësinë të shkaktojnë abort dhe për këtë arsye nuk janë një opsion për të krishterët pro-jetës, pavarësisht nga qëndrimi që mund të kenë për parandalimin e ngjizjes. Ne gjithashtu shqyrtuam disa rreziqe shëndetësore të lidhura me kontraceptivët, vonimin dhe kufizimin e lindjes së fëmijëve, dhe neglizhimin e ushqyerjes me gji. Përveç këtyre, pamë se si kontraceptivët krijojnë idenë e një “shtatzënie të padëshiruar” dhe rrit gjasat e kryerjeve të aborteve, si dhe sesi kontraceptivët përhapin dhe lehtësojnë shthurjen seksuale.
Më pas pamë se si kontraceptivët nuk janë një shpikje e kohëve të fundit. Përdorimi i tij ishte i përhapur në botën e lashtë, dhe gjatë historisë paganët e kanë përdorur atë, por të krishterët jo, kjo për shkak të kuptimit të tyre për bekimin e të paturit fëmijë, qëllimin e martesës dhe mëkatin e onanizmit. Dhe ashtu si gjendja e Kishës gjatë robërimit babilonas dhe kohërave të tjera të përndjekjes (Jer. 29:6), të krishterët gjithmonë kanë kuptuar se lindja e fëmijëve dhe “rritja e një farë të perëndishme” (Mal. 2:15) është jetike për rritjen e Kishës.
Modeli i Shkrimeve për Lindjen e Fëmijëve.
Shkrimi e nënkupton se fëmijët janë një rezultat i nevojshëm i martesës dhe se lindja e fëmijëve është një qëllim themelor i martesës. Steriliteti shihet si një gjë shkatërruese; çdo rast i sterilitetit ndodhet në kontekstin e lotëve dhe dëshpërimit, konsiderohet një vuajtje dhe mallkim i madh (përveç grave që Jezusi u referohet te Lluka 23, të cilat janë falenderuese që janë sterile dhe që gjithashtu dëshirojnë që malet të bien mbi to).
“Ja, bijtë janë një trashëgimi që vjen nga Zoti: fryti i barkut është një shpërblim. Si shigjeta në duart e një trimi; kështu janë bijtë e rinisë. Lum ai njeri që e ka kukurën e tij plot! ata nuk do të ngatërrohen, kur të flasin me armiqtë e tyre te porta.” (Ps. 127:3-5).
Lindja e fëmijëve, veçanërisht në kohë të vështira për kishën, është e rëndësishme sepse është metoda kryesore e dishepullimit dhe Perëndia është i kënaqur të zgjerojë kishën e tij përmes familjeve të besëlidhjes. Kur Izraeli vuante në Egjipt dhe Babiloni, dikush do të mendonte se lindja e fëmijëve do të ishte e papërshtatshme dhe e vështirë, por megjithatë, populli i Perëndisë e pa atë si një mjet mbijetese. “Por sa më tepër i shtypnin, aq më shumë shtoheshin dhe përhapeshin” (Eks. 1:12). “Merrni gra, dhe bëni bij dhe bija; merrni gra për bijtë tuaj, dhe martojini vajzat tuaja që të bëjnë bij dhe bija, me qëllim që atje të shumoheni, dhe të mos pakësoheni.” (Jer. 29:6).
“Zoti është dëshmitar midis teje dhe bashkëshortes së rinisë tënde, ndaj të cilës je sjellë me pabesi: ndonëse ajo është shoqja jote, dhe bashkëshorte e besëlidhjes sate. Por a nuk i bëri Perëndia një qënie të vetme dhe megjithatë fryma qëndroi në të? Po pse vallë një qënie e vetme? Sepse ai kërkonte një prejardhje nga Perëndia. Tregoni, pra, kujdes për frymën tuaj dhe askush të mos sillet me pabesi me bashkëshorten e rinisë së vet.” (Mal. 2:14-15).
“Por do të shpëtohet përmes të lindurish fëmijë, në qoftë se do të qëndrojnë në besim, në dashuri dhe në shenjtërim me modesti.” (1 Tim. 2:15).
“Dua, pra, që vejushat e reja të martohen, të lindin fëmijë, të bëhen zonja shtëpie, të mos i japin kundërshtarit asnjë rast për t’u përfolur.” (1 Tim. 5:14).
Për më tepër, te 1 Kor. 7:1-16, 1 Timoteu 2 dhe 3, Titi 1 dhe 2, Kol. 3:18-21, Veprat 21, Luka 23:28, Luka 1:7, etj. fëmijët nënkuptohen të jenë pjesë dhe rezultat i martesës. Kështu, është e qartë se përpjekja aktive për të bërë veten të paaftë për ngjizje dhe për të lindur fëmijë është tërësisht e papajtueshme me modelin e Shkrimeve në lidhje me lindjen e fëmijëve, siç edhe e shkroi teologu holandez i reformuar Jacobus Koelman:
“Në këtë lidhje [me krevatin martesor], Perëndia duhet të njihet, të kihet frikë dhe të adhurohet në një mënyrë të veçantë në besim. Ai hap mitrën dhe e mbyll atë (Zan. 16:2; 30:22; 1 Sam. 1:5). Psalmisti thotë që fëmijët janë një trashëgimi nga Zoti, dhe fryti i barkut është shpërblimi i tij (Ps. 127:3). Prandaj, ne duhet të kërkojmë me përulësi nga Zoti që ti pëlqejë Atij të na favorizojë me dhuratën e fëmijëve, ashtu siç u lutën Isaku dhe Ana (Zan. 25:11; 1 Sam. 1:12). Dhe njerëzit duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm që të mos kenë frikë nga të pasurit fëmijë, të bëjnë diçka për të parandaluar të pasurit e tyre, ose të jenë të trishtuar nëse Zoti e bën martesën të frytshme dhe e bekon atë.” (Detyrat e Prindërve, fq. 37).
Mandati i Dominimit.
Përveç modelit të përgjithshëm të Shkrimeve për bekimin e të paturit fëmijë, Shkrimi gjithashtu mëson se lindja e fëmijëve është urdhëruar, jo vetëm për Adamin dhe Noeun për të populluar tokën, por për të gjithë njerëzimin si një qëllim dhe detyrë themelore e martesës. Siç thotë Zhan Kalvin (John Calvin) në komentarin e tij për Zanafillën 1:28, “Ky bekim i Perëndisë mund të konsiderohet si burimi nga i cili ka rrjedhur raca njerëzore. Dhe ne duhet ta konsiderojmë atë kështu jo vetëm në tërësi, por gjithashtu, siç thonë, në çdo rast të veçantë.” Kontraceptivët shkelin mandatin e dominimit për të “qenë të frytshëm dhe për t’u shumuar dhe për të mbushur tokën dhe për ta nënshtruar atë…”
Bekimi dhe detyra për të qenë të frytshëm dhe për t’u shumuar është deklaruar vazhdimisht në Shkrime. Perëndia ia jep atë Adamit (Zan. 1), pastaj Noeut (Zan. 9), dhe i është përsëritur në substancë Abrahamit (Zan. 17), Jakobit (Zan. 28 dhe 35), Moisiut (Lev. 26), Jeremias (kapitulli 23), dhe Ezekielit (kapitulli 36). Është e rëndësishme të theksohet se referenca e fundit (Ezekieli 36) përdoret nga Jezusi për t’iu referuar epokës së Besëlidhjes së Re (Gjoni 3). Dhe te Jeremia 23 periudha kohore përcaktohet si koha kur “Ja, ditët po vijnë”, thotë Zoti, “në të cilat do të shkaktoj që të dalë nga Davidi një filiz i drejtë, që do të mbretërojë si mbret, do të ketë mbarësi dhe do të ushtrojë gjykimin dhe drejtësinë në vend.” (v. 5). Kjo tregon se lindja e fëmijëve brenda martesës është një urdhërim nga krijimi që vazhdon deri në përmbushje (Mat. 22:30), në vend që të jetë thjesht një urdhër pozitiv i dhënë vetëm Adamit dhe Noeut në kohë kur popullsia e tokës ishte e ulët. Ai vazhdon të jetë norma për çiftet e martuara dhe njerëzimin në tërësi.
Lindja e Fëmijëve: një Qëllim dhe Detyrë Themelore e Martesës.
Biblikisht dhe ligjërisht, lindja e fëmijëve gjithmonë është kuptuar të jetë një qëllim dhe detyrë themelore e martesës. Rrëfimi i Besimit të Uestminsterit thekson rolin themelor të lindjes së fëmijëve (midis të tjerave) kur thotë se “Martesa u urdhërua për ndihmën e ndërsjellë të burrit dhe gruas; për shtimin e njerëzimit me një çështje të ligjshme, dhe të Kishës me një farë të shenjtë; dhe për parandalimin e papastërtisë.” (24:2). Katekizmi i Madh i Uestminsterit në mënyrë të ngjashme thotë se martesa, dashuria bashkëshortore dhe bashkëjetesa e tyre është një detyrë e urdhërimit të 7-të për ata që nuk kanë dhuratën e përmbajtjes (Zan. 1:28; 1 Kor. 7:2, 9; Prov. 5:19-20; 1 Pet. 3:7; Prov. 31:11, 27-28). (P. 138)
Gjithashtu, Anotimet dhe Komentari i Uestminsterit mbi të gjithë Biblën thotë se shtimi i fëmijëve “është përdorimi parimor i gjendjes bashkëshortore” (te Zan. 38:9). Libri i Lutjeve të Përbashkëta i referohet “lindjes së fëmijëve dhe edukimit të tyre në njohurinë dhe dashurinë e Zotit” (si dhe “gëzimit të ndërsjellë, ndihmës dhe ngushëllimit” midis bashkëshortëve) si një nga qëllimet kryesore “për të cilat u themelua nga Perëndia.” William Gouge i Uestminsterit shpesh fliste për lindjen e fëmijëve si “një qëllim kryesor i martesës” dhe “detyrën e mirëbërjes së duhur” (d.m.th. marrëdhëniet bashkëshortore), një qëllim i të cilit është “për shtimin e botës me një pasardhës legjitimë” në veprën e tij Detyrat Familjare. Zhan Kalvin (John Calvin) komenton në lidhje me lindjen e fëmijëve nga Zanafilla 1:28 “se metoda e pastër dhe e ligjshme e shtimit, të cilën Zoti e urdhëroi që nga fillimi, mbetet e fortë; kjo është ai ligj i natyrës që arsyetimi i zakonshëm e deklaron të jetë e paprekshme” (fq. 98). Arthur Pink jetoi në një kohë kur kuptimi universal dhe historik i kontraceptimin po ndryshonte kështu që ai kishte këtë për të thënë:
“Tani është e qartë se martesa duhet të ketë arsye të veçanta për caktimin e saj. Tre janë dhënë në Shkrime. Së pari, për shumimin e fëmijëve. Ky është qëllimi i saj i dukshëm dhe normal: ‘Kështu Perëndia krijoi njeriun në shëmbëlltyrën së vet, sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë e krijoi: AI krijoi mashkullin dhe femrën’ (Zan. 1:27) — jo të dy meshkuj ose të dy femra, por një mashkull dhe një femër; dhe për ta bërë projektimin e kësaj të qartë dhe pa dyshim Zoti tha, ‘Jini të frytshëm dhe shumohuni.’ Për këtë arsye martesa quhet ‘martesë,’ që nënkupton amësinë, për shkak se virgjëreshat bëhen nëna. Prandaj është e dëshirueshme që martesa të hyhet në një moshë të hershme, para se të kalojë kulmi i jetës: dy herë në Shkrime lexojmë për ‘gruan e rinisë tënde’ (Fjal. 5:18; Mal. 2:15). Ne kemi theksuar se shumimi i fëmijëve është qëllimi ‘normal’ i martesës… Ne nuk besojmë në atë që quhet ‘kontroll të lindjeve…’”
A W Pink (1886-1952), koment mbi 13:4 te “Një Ekspozim të Hebrenjve“
Martin Luteri deklaroi se “qëllimi i martesës nuk është kënaqësia dhe lehtësia por lindja dhe edukimi i fëmijëve dhe mbështetja e një familjeje…. Njerëzit që nuk i pëlqejnë fëmijët janë derra, budallenj, dhe kokëfortë, jo të denjë për t’u quajtur burra dhe gra, sepse ata përbuzin bekimin e Zotit, Krijuesit dhe Autorit të martesës” (Historia e Krishterë, Çështja 39, fq. 24). John Locke dhe William Blackstone i referoheshin lindjes së fëmijëve si “qëllimi kryesor” i institucionit të martesës (Drejtësia Roberts, Obergefell v. Hodges, duke kundërshtuar, fq. 6), dhe madje deri në kohët moderne ekspertët ligjorë laikë kanë pranuar se lindja e fëmijëve është një qëllim themelor i martesës dhe se shkëputja e kësaj lidhjeje ka rezultuar në precedent logjik dhe kulturor për martesat sodomike, “Nëse ky kuptim tradicional i qëllimit të martesës nuk tingëllon e vërtetë për të gjitha veshët sot, kjo është ndoshta sepse është dobësauar lidhja midis martesës dhe lindjes së fëmijëve” (Drejtësia Alito, Obergefell v. Hodges, duke kundërshtuar, fq. 4). Së fundmi, Alan Keyes në debatin e tij me Barack Obama për Senatin e Illinoisit bën një argument përgjatë këtyre linjave që ishte befasues për moderatorin dhe audiencën që gjendet këtu.
Shumë më tepër mund të citohen por kjo është e mjaftueshme për të demonstruar se lindja e fëmijëve është një qëllim themelor i martesës dhe është i rrënjosur në rendin e krijuar. Në dy postimet e fundit të kësaj serie ne do të shqyrtojmë se si aktet kontraceptive (d.m.th. hormonale, barriera, coitus interruptus, etj.) janë mëkatare sepse veprojnë kundër natyrës së martesës dhe seksit (jo se mungon mundësia por sepse veprohet kundër). Dhe ne do të dallojmë këto akte nga të tjerat si “metoda e ritmit”, ose Planifikimi Natyral i Familjes (NFP), i cili nuk është mëkatar në finis operis (qëllimi i aktit) por nëse përdoret për të parandaluar ngjizjen është mëkatar në finis operantis (qëllimi i vepruesit). krahaso Skolastika e Reformuar: Dallimi i Qëllimeve.
A do të thotë kjo se njerëzit e moshuar përtej viteve të lindjes së fëmijëve nuk mund të martohen ose se steriliteti anulon një martesë? Ne do t’i përgjigjemi këtij kundërshtimi në postimin tonë të ardhshëm dhe do të shqyrtojmë finis operis (qëllimi i aktit) dhe finis operantis (qëllimi i vepruesit) në lidhje me aktet që janë mëkatare si dhe qëllimet e ligjshme që Shkrimi jep për burrin dhe gruan që të abstenojnë përkohësisht nga marrëdhëniet seksuale, ku asnjëra prej të cilave nuk është për qëllimin e parandalimit të ngjizjes.
Kontraceptivët (Pj. 3): Shterpësia, të Moshuarit, dhe Planifikimi Familjar Natyror
Perkthyer nga https://purelypresbyterian.com/2015/07/25/contraception-pt-2-dominion-and-the-purposes-of-marriage/
Perkthimi Hungarisht: https://oreformatus.hu/2021/05/29/fogamzasgatlas-ii-resz-uralmi-mandatum-es-a-hazassag-celjai/