Nga Alan Sharpe
Bibla nuk e përmend fjalën masturbim. A do të thotë kjo se kënaqja e vetes është e lejueshme? Jo kaq shpejt. Thjesht sepse Bibla nuk përmend diçka, nuk do të thotë se ajo është e lejuar. Duhet të gërmosh më thellë nëse dëshiron që të zbulosh pse masturbimi është mëkat…
Masturbimi është një Mëkat Sepse Kura për Dëshirat Seksuale është Martesa, Jo Masturbimi
“Tani, u them të pamartuarve dhe vejushave se do të ishte më mirë për ta po të rrinë siç jam edhe unë. Por nëse nuk vetëpërmbahen, të martohen. Sepse është më mirë të martohesh, sesa të digjesh.” (1 Korintasve 7:8-9 BiblaPRO)
Kura për hormonet e trazuara të adoleshentëve, dëshirat seksuale, mendimet epshore dhe energjinë seksuale të mbajtur nuk është asnjëherë masturbimi. Ky është mësimi i qartë i Shkrimit. A është masturbimi një mëkat në Bibël? Po.
Këtu, Pali po i shkruan kishës në Korint mbi imoralitetin seksual (1 Korintasve 7:1-2 BiblaPRO). Ai u thotë besimtarëve atje: “Po për shkak të kurvërive, secili të ketë gruan e vet dhe secila të ketë burrin e vet.” Me fjalë të tjera, për të shmangur seksin përpara martesës, një burrë duhet të martohet me një grua, dhe një grua duhet të martohet me një burrë.
Por kjo natyrshëm ngre një pyetje. Çfarë duhet të bëjnë njerëzit beqarë me dëshirat e tyre seksuale? Çfarë duhet të bëjnë vejushat me dëshirat e tyre seksuale? Të masturbohen? – Jo. Të martohen. Nëse masturbimi do të ishte një mënyrë legjitime për të liruar tensionin seksual, Pali do ta thoshte këtë. Kënaqja e vetes është sigurisht më e shpejtë dhe më e lirë, dhe më e volitshme, dhe përfshin më pak angazhim, sesa të martohesh me dikë. Por kënaqja e vetes nuk është një opsion për një të krishterë.
Po nëse një person beqar ose një vejushë nuk mund të martohet? A nuk është atëhere masturbimi në rregull? – Jo, nuk është, siç e thotë qartë Pali. Individët e pamartuar dhe vejushat që luftojnë me pasionin seksual duhet të ushtrojnë vetëpërmbajtje. Ata nuk duhet të masturbohen, ata duhet të ushtrojnë përmbajtje. Dhe nëse ata nuk mund të përmbajnë veten, nëse dëshirat dhe pasionet e tyre seksuale janë më shumë se sa mund ta përballojnë, ata duhet të martohen.
A është masturbimi një mëkat në Bibël? – Po. Sepse ka vetëm dy mënyra biblike për të shprehur dëshirën seksuale. Njëra është vetëpërmbajtja. Tjetra është martesa. Zgjidh njërën.
Masturbimi është një Mëkat Sepse Detyra Jote Martesore është ndaj Gruas Tënde, Jo ndaj Vetes Tënde
“Burri të përmbushë detyrimin ndaj gruas, dhe po ashtu edhe gruaja ndaj burrit.” (1 Korintasve 7:3 BiblaPRO)
Një nga misteret e martesës është se dy bëhen një. Ky është projektimi i Perëndisë, që Ai e themeloi që në Kopshtin e Edenit, në fillim të historisë njerëzore, me Adamin dhe Evën: “Prandaj burri e lë atin e tij dhe nënën e tij dhe ngjitet me gruan e tij, dhe bëhen një mish” (Zanafilla 2:24 BiblaPRO).
Një burrë dhe një grua bëhen një në aktin e martesës, që do të thotë, përmes marrëdhënies seksuale. Përpara natës së tyre të martesës, ata janë dy individë. Pas natës së tyre të martesës, ata janë një mish. Dy individë të plotë dhe të veçantë bashkohen për t’u bërë një në një bashkim të përhershëm, të pandashëm dhe për tërë jetën sipas projektimit të Perëndisë. Ne shohim frytin e këtij bashkimi unik në fëmijë. Një fëmijë është një individ i plotë dhe i veçantë i krijuar nga bashkimi i dy të tjerëve. Dy krijojnë një.
Kur një burrë dhe një grua bashkohen në martesë, ata sjellin nevojat e tyre seksuale në martesë me vete. Të dy, burri dhe gruaja, kanë të drejtë të kenë seks, por personi që duhet të plotësojë ato dëshira seksuale është bashkëshorti i kundërt, askush tjetër. Kjo përjashton seksin me njerëz jashtë martesës (kurorëshkeljen) dhe seksin me veten (masturbimin).
“Burri të përmbushë detyrimin ndaj gruas” do të thotë se burri duhet të “plotësojë detyrën e tij martesore ndaj gruas së tij”. Detyra e tij martesore është të bëjë seks me gruan e tij kur ajo e dëshiron. Dhe gruaja duhet të bëjë të njëjtën gjë. Ajo duhet të bëjë seks me burrin e saj kur ai e dëshiron. Të dy duhet ta bëjnë këtë me respekt të ndërsjelltë dhe pëlqim.
Vër re gjuhën e Shkrimit këtu. Seksi është diçka që i “takon” gruas. Ajo ka të drejtë të ketë seks me burrin e saj. Dhe burri ka një “detyrë martesore,” një përgjegjësi brenda martesës, për të përmbushur nevojat seksuale të gruas së tij. Kur gruaja ka nevoja seksuale, ajo nuk duhet t’i plotësojë ato vetë përmes masturbimit. Kur burri ka nevoja seksuale, ai nuk duhet t’i plotësojë ato vetë duke u vetë-kënaqur. Seksi është për bashkëshortin tjetër.
Seksi është projektuar të ndodhë mes një mashkulli dhe një femre, mes një burri dhe një gruaje të martuar. Seksi kërkon dy njerëz që bashkohen si një. Çfarë do të thotë kjo në jetën e përditshme është se asnjë burrë dhe as një grua nuk duhet të marrë atë vetë përsipër. Nëse ata duan të kenë seks, ata duhet t’i drejtohen bashkëshortit të tyre. Jo dikujt tjetër. Dhe jo vetes.
Masturbimi është një Mëkat Sepse Ti ia dhe Autoritetin mbi Trupin Tënd Gruas Tënde
“Gruaje nuk ka pushtet mbi trupin e vet, por burri; dhe po ashtu, edhe burri nuk ka pushtet mbi trupin e vet, por gruaja.” (1 Korintasve 7:4 BiblaPRO)
Njoh një burrë të krishterë që mendonte se martesa do e ndalonte masturbimin e tij të bërë zakon. Kjo nuk ndodhi. Ai shikonte pornografi dhe masturbonte ndaj pornografisë për 20 vitet e para të martesës së tij. Më në fund, ai u lodh aq shumë nga mëkati i tij dhe nga fshehja e tij nga gruaja, saqë ai rrëfeu gjithçka.
Ai u habit nga reagimi i gruas së tij që i tha, “Unë mendoja se kishe humbur interesin për mua, që nuk isha më tërheqëse për ty, dhe kjo ishte arsyeja se pse nuk bënim më seks aq shpesh sa më parë,”. Burri u ndje i turpëruar, duke kuptuar se nuk kishte përmbushur nevojat seksuale të gruas së tij. Ai kishte menduar se masturbimi i tij ishte një mëkat privat që nuk e dëmtonte gruan. Ai ishte gabim.
Ajo që ky vëlla nuk e kuptoi është se, kur u martua, trupi i tij nuk ishte më i tij për të marrë vendime për të. Ai nuk e kuptoi të vërtetën e asaj që Pali kishte në mendje. Ai nuk e kuptoi se nuk kishte më autoritet mbi trupin e tij. Gruaja e tij tani kishte atë autoritet. Ai nuk kishte autoritet për ta përdorur trupin e tij për kurorëshkelje, sodomi ose ndonjë akt tjetër papastërtie. Dhe ai nuk kishte autoritet për të përdorur trupin e tij për masturbim.
Kur ti u martove me gruan tënde, i dhe asaj autoritetin mbi trupin tënd. Kjo do të thotë se ti i dhe asaj fuqinë për të marrë vendime kur do të bësh seks, dhe humbe çdo autoritet për të pasur seks me dikë tjetër, duke përfshirë edhe veten. Vetëm gruaja jote ka të drejtë mbi trupin tënd për seks. Vetëm ajo ka pushtet mbi të, për ta kërkuar përdorimin e tij kurdo që ajo dëshiron (me pëlqimin dhe bashkëpunimin tënd, sigurisht).
Kur ti masturbon, ti mashtron gruan tënde. Ti po merr diçka që vetëm ajo ka autoritet mbi të dhe ti e përdor për kënaqësinë tënde egoiste. Ti e përjashton atë nga krevati i martesës. Kjo është vjedhje, e pastër dhe e thjeshtë, siç e mësoi me turp vëllai që njoh. Për 20 vjet, ai e grabiti gruan e tij nga përmbushja e saj seksuale duke kënaqur veten e tij. Ai kishte seks rregullisht, vecëse jo me të. Egoizmi i tij e lëndoi thellësisht gruan e tij. Ajo mendonte se mungesa e seksit ishte faji i saj, kur në të vërtetë faji qëndronte në duart e njeriut që ajo zgjodhi mbi të gjithë të tjerët për t’i qënë besnike për gjithë jetën.
Pse Ti Nuk Mund Të Lutesh dhe Të Masturbosh në Të Njëjtën Kohë
“Dhe ngaqë nuk e panë me vlerë për të pasur një njohje të vërtetë të Perëndisë, Perëndia i dorëzoi në një mendje të pavlerë, për të bërë ato që nuk duhet, duke qënë të mbushur me cdo padrejtësi, ligësi, lakmi, të keqe; plot smirë, vrasje, grindje, dredhi, keqdashje; përgojues,” (Romakëve 1:28-29 BiblaPRO)
Kur Perëndia e dorëzon një individ, Ai e dorëzon atë në imoralitet seksual. Mëkati seksual i bërë zakon është një simptomë e një zemre të ngurtësuar ndaj Perëndisë, e një mendjeje që nuk e sheh me vlerë të ketë njohjen e Perëndisë. Zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli kundër të gjitha pabesive dhe padrejtësive të njerëzve, që shtypin të vërtetën në padrejtësi (Romakëve 1:18).
Nëse ti je një burrë i krishterë që masturbon rregullisht me pornografi, dhe nëse dëshiron të heqësh dorë, kthehu te ky varg mbrapa, hap pas hapi, për të zbuluar shkakun e robërisë tënde, dhe kurën për të. Mos shiko në fëmijërinë tënde. Mos dëgjo programet e rikuperimit me 12 hapa që të thonë se ti e përdor pornografinë për t’u vetë-mjekuar. Këto grupe të thonë, takim pas takimi, “Je plagosur shpirtërisht kur ishe fëmijë,”, “dhe masturbon me pornografi si një i rritur për të zbutur dhimbjen.” Shmangi këto keqdiagnostikime. Në vend të këtyre shiko renditjen mbrapsht dhe hap pas hapi.
a) Si një grup njerëzish, ata që praktikojnë mëkatin seksual, të bërë zakon, dhe në mënyrë kompulsive, janë të mbushur me padrejtësi. b) Ata praktikojnë ato gjëra që nuk janë të përshtatshme sepse Perëndia i ka dorëzuar në një mendje të pavlefshme. c) Dhe Perëndia i ka dorëzuar ata në një mendje të pavlefshme sepse ata nuk e panë me vlerë për të pasur një njohje të vërtetë të Perëndisë. Unë e kuptoj që ky varg nga Romakëve po përshkruan të pabesët dhe të dënuarit, atë grup mëkatarësh të ngurtësuar që Perëndia një ditë do t’i dënojë me zjarr të përjetshëm. Këta janë njerëzit që Perëndia ka dorëzuar. Ky pasazh nuk është shkruar për të shpëtuarit, ata që janë rilindur përmes besimit në veprën shpenguese të Krishtit dhe ringjalljes së Tij për ta. Por kjo trajektore ende mbetet e vërtetë në jetën tënde dhe timen.
Ti nuk mund të shikosh pornografi dhe të masturbohesh muaj pas muaji, vit pas viti, dhe të mendosh se mendjet tona janë të shenjta. Ne nuk mund të praktikojmë mëkatin seksual, të bërë zakon, dhe të mendojmë se kemi një njohuri të duhur për Perëndinë. Shenja e një mendjeje të dënuar është se ajo fillimisht zgjedh të mos shikojë me vlerë pasjen e njohjes së Perëndisë, pastaj ajo bëhet e pavlerë, pastaj gëzohet në praktikimin e imoralitetit seksual, dhe më pas përfundimisht miraton të tjerët që bëjnë të njëjtën gjë (Romakëve 1:32). Kjo tingëllon si industria e pornografisë. Kapitulli 1 i Romakëve nuk mëson se ti, si individ, sot, je në rrugën drejt liqenit të zjarrit për shkak të mëkatit tënd seksual. Por ai të mëson se si njerëzit e papenduar dhe në imoralitet seksual marrin këtë rrugë. Ata fillojnë duke zgjedhur të mos shikojnë me vlerë pasjen e njohjes se Perëndisë. Ata i kthejnë shpinën Perëndisë, dhe kështu që Ai bën të njëjtën gjë me ta. Rruga për t’u rikthyer për mua dhe për ty është të kthehemi te Perëndia. Kur fillojmë të shikojmë përsëri me vlerë këtë pasje të njohjes së Perëndinë, kur fillojmë ta njohim Perëndinë si krijuesin, ligjvënësin dhe shpëtimtarin tonë, pornografia dhe masturbimi ndalojnë.
Masturbimi është një Mëkat Sepse Nuk Mund ta Bësh me Besim
“Por ai që dyshon, po të hajë, është i dënuar, sepse të ngrënët e tij nuk është prej besimit; dhe gjithcka që nuk është prej besimit, është mëkat.” (Romakëve 14:23 BiblaPRO)
Rreth 55,000 të krishterë kërkojnë online çdo muaj për të zbuluar nëse masturbimi është një mëkat. Ata hapin Google dhe shkruajnë: “A është masturbimi një mëkat?” (15,589 kërkesa), “a është të masturbosh mëkat?” (6,544 kërkesa), “a është masturbimi një mëkat sipas Biblës?” (6,494 kërkesa), “çfarë thotë Bibla për masturbimin?” (4,774 kërkesa), “a është prekja e vetes një mëkat?” (1,900 kërkesa), “çfarë thotë Bibla për vetëkënaqësinë?” (921 kërkesa).
Siç e shihni, disa të krishterë janë aq të turpëruar saqë as nuk e shkruajnë fjalën në Google. Ata e quajnë “prekje e vetes,” “vetëkënaqësi,” “të luash me veten,” “seks me veten,” dhe eufemizma të tjera. Të gjitha këto tregojnë se dhjetëra mijëra të krishterë (një numër i mahnitshëm prej 660,000 në vit vetëm në Google) nuk kanë një ndërgjegje të pastër kur bëhet fjalë për masturbimin. Dhe këta janë vetëm ata që dimë duke analizuar volumet e kërkimeve në Google. Të tjerët përdorin Bing ose një motor tjetër kërkimi. Por shumica ndoshta nuk kërkojnë fare.
Pse ka kaq shumë të krishterë që kërkojnë të zbulojnë nëse masturbimi është një mëkat? Sepse ndërgjegjja e tyre i shqetëson. Ndërgjegjja e tyre i bën të ndihen fajtorë dhe të turpëruar pas aktit, kështu që ata dyshojnë se akti duhet të jetë i gabuar. Ata e bëjnë aktin në privatësi dhe e mbajnë të fshehtë nga e fejuara ose bashkëshorti i tyre, dhe kështu që, në mënyrë të natyrshme, ata dyshojnë se duhet të jetë mëkat. Por ata nuk gjejnë një urdhërim të qartë në Bibël që e ndalon masturbimin, dhe kështu ata i drejtohen Google.
Por vendi më i mirë për t’u drejtuar është kapitulli 14 i Librit të Romakëve, vargu 23. Këtu Pali e shpreh rregullin universal që duhet të përdoret çdo herë kur shqyrtohet një akt i dyshimtë. “Çfarëdo që nuk është prej besimit,” thotë Pali, “është mëkat.” Me fjalë të tjera, nëse nuk mund ta bësh diçka me bindje të plotë se veprimi është i drejtë, ai veprim është mëkat. Nëse dyshon se diçka nuk është e duhur, mos e bëj, sepse ta bësh atë është mëkat. Për të bërë çdo veprim, duhet të jesh i bindur se ai është i drejtë, i përshtatshëm dhe i mirë. Nuk mund të dyshosh. Nëse dyshon, je i dënuar (lexo përsëri pjesën e parë të vargut).
Kujto se e kundërta e këtij rregulli nuk është e vërtetë. Thjesht sepse ti beson se diçka është në rregull, nuk do të thotë se nuk është mëkat. Sauli mendonte se kishte të drejtë në përndjekjen e kishës. Ai ishte gabim. Hebrenjtë mendonin se kishin të drejtë në vrasjen e Jezusit. Ata ishin të gabuar. Kjo na sjell përsëri në temën e masturbimit. Ti nuk mund ta bësh atë me një ndërgjegje të pastër sepse nuk mund të masturbosh me besim. Duke qenë se dyshon, mos e bëj.
Masturbimi është një Mëkat Sepse Nuk Mund ta Bësh për Lavdinë e Perëndisë
“Prandaj, qoftë kur hani, qoftë kur pini, çfarëdo kur bëni dicka tjetër, të gjitha bëjini për lavdi të Perëndisë.” (1 Korintasve 10:31 BiblaPRO)
Parimi i madh i parë i ecjes me Zotin është se asnjë akt nuk është natyrshëm shekullar ose shpirtëror. Ti mund të shërbesh në një tavernë me një shpirt të lartë të krishterë. Dhe ti mund të predikosh Ungjillin me një shpirt shekullar. Ajo që ka rëndësi në jetën e krishterë nuk është akti i jashtëm, por shpirti në të cilin e kryen atë akt. Një akt shekullar i bërë për lavdinë e Perëndisë është shpirtëror. Një akt fetar i bërë në një shpirt shekullar është shekullar.
Ky parim i madh i jetës së krishterë rregullon çdo aktivitet që bën, nga më të zakonshmet deri te më të lartat. Kjo është ajo që Pali komunikon me kishën në Korint, dhe me besimtarët kudo, madje edhe aty ku ti jeton tani, kur thotë, “çfarëdo kur bëni dicka tjetër, të gjitha bëjini për lavdi të Perëndisë.” “Çfarëdo” dhe “të gjitha” janë gjithë-përfshirëse. Ato mbulojnë gjithçka që bën, qoftë në publik apo në privat.
Ky rregull i jetës është thelbësor për t’u aplikuar në ato fusha të jetës për të cilat Bibla është e heshtur, siç janë argëtimi që shikon dhe karriera që ndjek. Bibla nuk thotë se nuk mund të shikosh serialin me shumë skena erotike “Game of Thrones”, për shembull. Dhe nuk thotë se nuk mund të fitosh bukën e gojës duke shkruar romane të papërshtatshme. Por a mund t’i bësh ti këto gjëra për lavdinë e Perëndisë? Ky është matësi yt.
Kjo ngre pyetjen, a mund të masturbosh ti për lavdinë e Perëndisë? A mund të jesh vetëm dhe të kënaqesh, duke besuar se ajo që po bën e kënaq Perëndinë? A mund të luash me veten, duke besuar se aktiviteti yt seksual solo e nderon Perëndinë? A e lavdëron Perëndinë kur kënaq veten? Nëse dikush të shikon nga dritarja dhe të sheh duke masturbuar, a do t’i çosh ata me shembullin tënd për të lavdëruar Perëndinë dhe për të pranuar Ungjillin e Tij? Përgjigjet për këto pyetje janë të qarta.
Ti e lavdëron Perëndinë kur ke mendime të nderuara dhe të shenjta për Të, kur i bindesh ligjeve të Tij, kur e falenderon për mirësitë e Tij të provanisë, kur përparon planet dhe interesat e Tij, dhe kur vepron në mënyra që i afrojnë njerëzit më afër Krijuesit, Ligjvënësit dhe Shpëtimtarit tonë. Çdo akt që ti bën, që nuk arrin këtë standard dështon për të lavdëruar Perëndinë. Unë do të shkoja një hap më tej. Masturbimi e çnderon Perëndinë.
Masturbimi Nuk e Kalon Testin e Dishepullimit
“Dhe u thoshte të gjithëve: “Nëse dikush dëshiron që të vijë mbas meje, të mohojë vetveten dhe të mbartë kryqin e vet cdo ditë, dhe të më ndjekë.’” (Luka 9:23 BiblaPRO)
Nëse dëshiron të zbulosh nëse masturbimi është një mëkat, thjesht shqyrto një nga kostot e dishepullimit për të ndjekur Jezusin. Jezusi mëson se nëse dëshiron të jesh dishepulli i Tij, ti duhet të mohosh vetveten. Duke qenë se, masturbimi është një akt egoist që kënaq mishin në vend që ta mohojë atë, kushdo që masturbon dështon në këtë kërkesë themelore për të qenë dishepull i Jezusit.
Kur Jezusi na urdhëron që të mohojmë vetveten, Ai përdor një fjalë që do të thotë të heqësh dorë, të refuzosh, të mohosh. Është një fjalë që do të thotë të refuzosh të afirmosh diçka, të refuzosh të pranosh diçka, ose të refuzosh të identifikohesh me dikë ose diçka. Do të thotë të kundërshtosh, të heqësh dorë, të mos pranosh. E kupton? Për të qenë dishepull i Jezusit, ti dhe unë duhet të refuzojmë të afirmojmë dëshirat tona. Për dëshirën për të parë pornografi, ne duhet ta hedhim poshtë atë. Tundimin për të masturbuar duhet ta mohojmë, ta refuzojmë dhe të mos identifikohemi me të.
Dishepullimi është një jetë vetë-mohimi. Ne e mohojmë vetveten për t’u identifikuar me Jezusin dhe për ta ndjekur Atë. Dhe vetë-mohimi nuk është një nocion abstrakt. Të mohosh vetveten do të thotë të mohosh ambiciet e tua, të refuzosh planet e tua, të heqesh dorë nga vullneti yt në favor të bërjes së asaj që Jezus dëshiron për jetën tënde. Të mohosh vetveten do të thotë të refuzosh të identifikohesh me epshet e tua mishërore dhe dëshirat e imoralitetit seksual, dhe të përqafosh dëshirat e shenjta që Jezusi do që të kesh.
Thjesht, nuk ka mënyrë që ti ose unë të masturbojmë dhe të mendojmë se po mohojmë vetveten. Ne nuk mund të refuzojmë mendimet tona epshore duke i’u dorëzuar atyre. Ne nuk mund të refuzojmë tundimin seksual duke u kënaqur në të. Ne nuk mund të praktikojmë vetë-mohimin duke praktikuar vetë-kënaqësinë. Unë e kuptoj që ky është një lajm i pakëndshëm për shumë burra të krishterë. Por ky është çmimi i dishepullimit, i dhënë nga Mësuesi. Të ndjekësh Jezusin nuk duhet të jetë e lehtë. Të jesh dishepull i Jezusit të kushton diçka, të drejtën tënde për veten.
Masturbimi është një Mëkat Sepse e Bën në Fshehtësi
“Dhe mos u bëni bashkëpjesëmarrës në veprat e pafrytshme të errësirës, por më tepër edhe t’i qortoni haptas, sepse ato që bëhen fshehurazi nga ata, është e turpshme edhe që të thuhen.” (Efesianëve 5:11-12 BiblaPRO)
Nëse ende po përpiqesh të vendosësh nëse masturbimi është mëkat, thjesht pyete veten me këtë: “A do të shqetësohesha nëse gruaja/e fejuara/prindërit e mi do të më shihnin duke e bërë këtë akt?” Nëse do të isha krejt i vetëm, duke e bërë veprimin, dhe ata do të hynin brenda dhe do të më shihnin, si do të ndihesha? Mirë? I turpëruar? I pashqetësuar? I shokuar?
Një nga provat e mëkatit është se njerëzit e praktikojnë atë në fshehtësi. Hajdutët hyjnë natën. Çiftet që kryejnë kurorëshkelje takohen në motele të largëta. Mashtruesit online përdorin emra të rremë. Hajdutët e bankave maskojnë fytyrat e tyre. Vrasësit mbajnë dorashka. E njëjta gjë vlen edhe për mëkatet seksuale të bëra zakon. Personat që janë të dhënë pas pornografisë e shikojnë atë në fshehtësi. Bashkëshortët që vizitojnë prostitutat paguajnë në dorë që transaksioni të mos shfaqet në kartat e tyre të kreditit. Dhe personat që masturbojnë e bëjnë këtë në fshehtësi.
Sigurisht, jo çdo gjë e bërë në fshehtësi është mëkat. Ti dhe unë veshim rrobat çdo mëngjes me perdet e mbyllura sepse nuk duam që askush të na shohë lakuriq. Por kjo është thjesht modesti. Nuk ka asgjë mëkatare në të veshurit. Nëse ti je i martuar, ti dhe gruaja jote bëni dashuri me derën e mbyllur jo sepse seksi është mëkat, por sepse seksi mes një burri dhe një gruaje është një çështje private. Nëse kapesh në akt, do të ndihesh i zënë ngushtë, por nuk duhet të ndihesh i turpëruar.
Por masturbimi është ndryshe, apo jo? Ti nuk ke nevojë të lexosh asnjë varg biblik për të ditur pse masturbimi është mëkat. Nëse e bën atë në fshehtësi sepse frikësohesh se do të kapesh, nëse fsheh provat pas aktit, dhe nëse e mban aktivitetin sekret nga ata që do, dhe që dëshiron të mbash miratimin e tyre, atëherë ti ke përgjigjen tënde. Nëse është një turp të flasësh për gjërat që bëjnë të ligjtë në fshehtësi, atëherë aktet vetë janë padyshim të liga.
Turpërimi që ti ndien pas masturbimit është i mirë. Ai është mënyra e Perëndisë për të të thënë që të kesh seks me veten është e gabuar. Ndërgjegjja jote është miku yt. Kështu që, dëgjoje atë. Thjesht kujto se nëse injoron miqtë e tu për një kohë të gjatë, ata përfundimisht do të ndalojnë së foluri me ty.
Masturbimi e Dërgon Një Person në Burgun e Vetvetes
C.S. Lewis
Për mua, e keqja reale e masturbimit është se ai merr një dëshirë që, në përdorimin e ligjshëm, e drejton individin jashtë vetes për të përfunduar (dhe korrigjuar) vetë personalitetin e tij, në atë të një tjetri (dhe përfundimisht në fëmijë dhe madje nipër e mbesa) dhe e kthen atë mbrapsht: duke e dërguar njeriun në burgun e vetes së tij, aty për të mbajtur një harem të nuseve imagjinare.
Dhe ky harem, kur pranohet, punon kundër çdo përpjekjeje për të dalë jashtë dhe për t’u bashkuar vërtet me një grua reale. Sepse harem-i është gjithmonë i aksesueshëm, gjithmonë i bindur, nuk kërkon sakrifica apo përshtatje, dhe mund të pajiset me tërheqje erotike dhe psikologjike që asnjë grua reale nuk mund ta rivalizojë.
Në mesin e këtyre nuseve hije, ai gjithmonë adhurohet, gjithmonë është i dashuri perfekt. Asnjë kërkesë nuk bëhet mbi vetë-mohimin e tij, asnjë vrasje të mëkatit nuk i imponohet kotësisë të tij. Në fund, ato bëhen thjesht mjeti përmes të cilit ai gjithnjë adhuron veten e tij.
Lexo me vëmendje “Zbritje në Ferr” nga Charles Williams dhe studioje karakterin e Mr. Wentworth. Dhe nuk është vetëm aftësia e dashurisë që sterilizohet në këtë mënyrë, e detyruar të kthehet në vetvete, por edhe aftësia e imagjinatës.
Sipas mendimit tim, ushtrimi i vërtetë i imagjinatës është (a) të na ndihmojë të kuptojmë njerëzit e tjerë, (b) të përgjigjemi dhe, disa prej nesh, të krijojmë art. Por ajo ka gjithashtu edhe një përdorim të keq: të na sigurojë, në formë hije, një zëvendësim për virtytet, sukseset, dallimet, etj., të cilat duhet të kërkohen jashtë në botën reale — p.sh., të imagjinoj do të ishte gjithçka që do të bëja nëse do të isha i pasur në vend që të punoja dhe të kurseja.
Masturbimi përfshin këtë abuzim të imagjinatës në çështje erotike (çka mendoj se është e keqe në vetvete) dhe kështu inkurajon një abuzim të ngjashëm në të gjitha sferat.
Për pasojë, pothuajse puna kryesore e jetës është të dalim nga vetja, nga burgu i vogël dhe i errët në të cilin të gjithë lindim. Masturbimi duhet të shmanget si të gjitha gjërat që e ngadalësojnë këtë proces. Rreziku është të fillosh ta duash burgun.
Fragment i nxjerrë nga “I Yti, Xheku”, nga C.S. Lewis.