Gratë në Ushtri dhe Polici – Çfarë Thotë Fjala e Perëndisë?

Grate ne Ushtri dhe Polici

Nga Paul Barth

Së fundmi, në Shtetet e Bashkuara, janë hapur të gjitha pozitat në ushtri për gratë, duke përfshirë këtu edhe rolet më të rrezikshme të luftës. Pak pasi kjo ndodhi, njerëzit filluan të kërkojnë që gratë të detyrohen që të regjistrohen dhe të rekrutohen në rast të ndonjë mobilizimi. Çështja e grave në ushtri dhe në luftë është folur për një kohë, por tani situata ka arritur në rrethana shumë ekstreme.

Për momentin, do të lëmë mënjanë shqetësimet praktike si kapacitetet fizike të grave, humbjet në jetë, dhe faktin se “më shumë gra ushtarake janë përdhunuar nga ushtarët meshkuj në vitin 2008 sesa të gjitha vdekjet amerikane në Afganistan në 11 vitet e fundit,” madje edhe kur “80% deri në 90% e sulmeve seksuale nuk raportohen,” (Burimi:Time.com). Në këtë postim do të përqendrohemi në arsyet biblike dhe logjike pse gratë nuk duhet të jenë në luftë, madje as në mënyrë vullnetare, dhe se sa e neveritshme do të ishte për çdo shoqëri që t’i mobilizojë gratë.

—-

Natyra e Gjinive

Sepse burri nuk është nga gruaja, por gruaja nga burri, edhe sepse burri nuk u krijua për gruan, por gruaja për burrin.” (1 Kor. 11:8-9).

Perëndia e krijoi njeriun mashkull dhe femër sipas shëmbëlltyrës të Tij. Ai e caktoi burrin të jetë kreu i gruas së tij dhe e krijoi gruan si një ndihmë e përshtatshme për burrin e saj (Zanafilla 2:18). Gratë inkurajohen të jenë kujdestare të shtëpisë (1 Tim. 5:14; Titi 2:5) dhe të lindin fëmijë (1 Tim. 2:15), dhe burrat duhet të sigurojnë për familjen e tyre. Gratë u krijuan për të qenë “kujdestare, ushqyese, rritëse dhe inkurajuese” (anglisht: nurturing) dhe për të dhënë jetë. Ato janë “gjinia më e dobët” që duhet të mbrohet dhe të kujdeset (1 Pjetri 3:7). Për më tepër, “mallkimi mbi gruan ndikon në lindjen e fëmijëve dhe marrëdhënien e saj me burrin (Zanafilla 3:16). Ndërsa, mallkimi mbi burrin ndikon në rolin e burrit si fituesi kryesor të bukës së gojës dhe jetën e tij me punë të rëndë (Zanafilla 3:17-19)” (Raporti I-rë i Komitetit të OPC mbi Gratë në Ushtri dhe në Luftë).

Qëllimi i luftës është të jetë mjeti i fundit për të mbrojtur njerëzit nga dhuna. Njerëzit që kanë më shumë nevojë për mbrojtje janë gratë dhe fëmijët. Dërgimi i grave për të luftuar në luftë do të hidhte poshtë tërë qëllimin e luftës në radhë të parë. Është detyra e burrave të dalin përpara dhe të mbrojnë familjet e tyre (Efes. 5). Martin Luteri ka thënë:Është një ligj dhe një detyrë për ne të luftojmë për gruan, për fëmijët, shërbëtorët dhe nënshtetasit; ne jemi të detyruar t’i mbrojmë ata nga fuqia e keqe,(Martin Luteri, Biseda në Tavolinë). Ndërsa Gjon Krisostomi ka thënë:

“O ju përmbysës të të gjithë dinjitetit, që përdorni burra si të ishin gra, dhe që i çoni gratë në luftë si të ishin burra! Kjo është vepra e djallit, për të përmbysur dhe ngatërruar të gjitha gjërat, për të shkelur kufijtë që janë caktuar që në fillim dhe për të hequr ato që Perëndia i ka vendosur natyrës. Sepse Perëndia i caktoi gruas vetëm kujdesin për shtëpinë, ndërsa burrit drejtimin e punëve publike. Por ju e reduktoni kokën në këmbë, dhe e ngrini këmbën në kokë. Ju lejoni që gratë të mbajnë armë dhe nuk turpëroheni.”

Gjon Krisostomi, Homilia 5 mbi Titin, Etërit Nikeas dhe Post-Nikeas, 13:539.

—-

Gratë të Papërshtatshme për Luftë

Transvestizmi (të veshurit e veshjeve të gjinisë tjetër)
Gruaja nuk do të veshë rroba burrash, as burri nuk ka për të veshur rroba grash, sepse kushdo që bën gjëra të tilla neveritet nga Zoti, Perëndia yt.” (Ligji i Përtërirë 22:5).

Termi hebraik kĕliy geber i referohet armaturës ushtarake dhe është menduar për të nxjerrë një imazh të rolit më mashkullor të mundshëm. Ky varg ka një aplikim të gjerë, por nuk mund të injorohet që është shembulli kulmor që Shkrimi jep për veshjen e rrobave të gjinisë tjetër dhe e quan atë një neveri. Komentuesi i njohur i Biblës John Gill thotë se kjo i referohet roleve të burrave dhe grave në përgjithësi, por gjithashtu specifikisht për luftën:

“Fjala gjithashtu do të thotë armaturë ose blindim, siç e përktheu Onkelos; dhe këtu ndalon gratë të veshin një zakon ushtarak dhe të shkojnë me burrat në luftë, siç ishte zakon me gratë lindore; dhe sic e ilustron Maimonides, duke vënë një helmetë në kokë, dhe duke u veshur me një pallto; dhe në të njëjtën mënyrë Jozefi e shpjegon, kini kujdes, sidomos në luftë, që një grua të mos përdorë zakonin e një burri, ose një burrë atë të një gruaje…

Ekspozim i Librit të Ligjit të Ripërtërirë, fq. 266

Zhan Kalvin (John Calvin) gjithashtu shpjegon në predikimin e tij mbi Ligjin e Ripërtërirë 22:5 që e predikoi në janar të vitit 1556:

“Po ashtu, ndonëse gratë nuk vishen me veshje burrash, prapësëprapë, nëse ato janë shumë të guximshme, dhe dëshirojnë të kenë një shfaqje shumë të madhe, ato nuk dështojnë që ta ofendojnë Perëndinë… Megjithatë, ne duhet së pari të shohim që burrat të jenë të veshur në një mënyrë që nuk bëhen të ngjashëm me gratë, siç shohim disa herë që të vishen si nuse. Në këtë mënyrë ata duken se janë të keqardhur që Perëndia nuk i bëri gra dhe dëshirojnë të heqin dorë nga gjinia e tyre. Dhe kjo është një gjë e turpshme. Përsëri, kur gratë vishen si burra të luftës, (siç ka disa që do të preferonin të mbajnë një armë në supin e tyre se një furkë leshi) është kundër natyrës, dhe ne duhet ta urrejmë atë…Atëherë, ju shihni se së pari, moda që burrat përdorin në veshjen e tyre duhet të tregojë se Perëndia i krijoi ata për të qenë si burra dhe që gratë gjithashtu duhet të respektojnë modestinë që është e përshtatshme për gjininë e tyre.”

Komentuesi i njohur i Biblës Methju Henri (Matthew Henry) vëren se, “Disa [p.sh. Maimonidi dhe John Spencer] mendojnë se i referohet zakonit idhujtar të paganëve. Në adhurimin e Venusit, gratë shfaqeshin në armaturë, dhe burrat në veshje grash,”. Ky pasazh, “ndalon ngatërrimin e dispozitave dhe punëve të gjinive. Burrat nuk duhet të jenë femërorë, as të bëjnë punët e grave në shtëpi. As gratë nuk duhet të jenë dominuese dhe të dhunshme, të kërkojnë të mësojnë, ose të ushtrojnë autoritet (1 Tim. 2:11-12),” dhe se, “Dallimi i gjinive përmes veshjes duhet të ruhet, për ruajtjen e pastërtisë sonë dhe të të afërmve tanë. Natyra vetë na mëson se duhet të bëhet një dallim midis tyre në flokët e tyre (1 Kor. 11:14), dhe me të njëjtin rregull, në veshjet e tyre, të cilat nuk duhet të ngatërrohen, as në veshjen e zakonshme dhe as në momente rastësore.

Pra, adhurimi i Venusit, ndonëse idhujtar dhe immoral, është rrethanë aksidentale për këtë pasazh. Thelbi, ose pika kryesore e këtij pasazhi është dallimi midis gjinive, me rolin ushtarak të burrit që është shembulli më i dukshëm i mashkulloritetit. Ajo që e bën praktikën të gabuar në vetvete është përmbysja e roleve të caktuara nga Perëndia dhe dhuna ndaj natyrës së gjinive. Rrethana të tjera aksidentale që gjithashtu e bënë atë të gabuar në atë kohë mund të mos i përkasin rrethanave tona sot, por thelbi ende mbetet i vërtetë. “Adoptimi i veshjeve të një gjinie nga tjetri është një shkelje e dinjitetit, shkatërron dallimet e natyrës duke nxitur butësinë dhe feminizmin te burri, paturpësinë dhe guximin te gruaja, si dhe mendjelehtësinë dhe hipokrizinë te të dy” (komentari i Jamieson, Faussett, Brown).

Është një dhunë ekstreme ndaj natyrës së feminitetit të detyrosh gratë të luftojnë. “Kur vjen puna te ndalimi i veshjes së ‘asaj që i përket një burri’, ne jemi në një terren të sigurt nëse e kuptojmë këtë të thotë se gratë nuk duhet të angazhohen në aktivitete të caktuara burrash… një shembull i qartë ku ndalimi qëndron është angazhimi i grave në luftë ushtarake, disa lloje pune policore dhe punë të tjera që janë të rrezikshme dhe sfiduese fizikisht si ndërtimi” (James Gunn).

—-

Dëshmi të Mëtejshme Biblike

Jo vetëm që ndalimi i transvestizmit tregon që gratë që luftojnë në luftë është një shkatërrim i neveritshëm i rendit moral të krijimit të gjinive, por edhe Perëndia vetë rekrutoi vetëm burra në ushtritë e Izraelit.

Bëni regjistrimin e gjithë asamblesë së bijve të Izraelit në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke numëruar një për një emrat e çdo mashkulli. Nga mosha njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që në Izrael mund të shkojnë në luftë; ti dhe Aaroni do t’i regjistroni, grup pas grupi.” (Numrat 1:2-3).

Kjo kërkesë e qartë e Perëndisë për të mobilizuar meshkujt për të luftuar u bë norma ose standardi nga ky moment e tutje në Dhiatën e Vjetër, madje edhe kur Perëndia nuk flet drejtpërdrejt ose urdhëron që mobilizimi të bëhet (shih, p.sh., Numrat 31:3-4; Jozueu 1:14; 6:3; 8:3; Gjyqtarët 7:1-8; 20:8-11; 1 Samuel 8:11-12 [krahaso vargun 13]; 11:8; 13:2; 14:52; 24:2; 2 Samuel 24:2; 1 Kronikave 21:5; 27:1-15, 23-24; 2 Kronikave 17:12-19; 25:5-6; 26:11-14; 2 Mbretërve 24:14-16; Nehemia 4:14 [“luftoni për … gratë dhe shtëpitë tuaja“]). Po ashtu, në Ligjin e Ripërtërirë 20, një kapitull i kushtuar çështjeve që lidhen me luftën, jepen përjashtime nga lufta për arsye të ndryshme. Në çdo rast, duket qartë që ai që përjashtohet është burrë (shih, p.sh., vargjet 7 dhe 8, “A ka njeri që është fejuar me një femër dhe nuk e ka marrë akoma me vete? Le të shkojë dhe të kthehet në shtëpi të tij, që të mos vdesë në betejë dhe një tjetër ta marrë atë”… A ka ndonjë që ka frikë dhe të cilit i mungon guximi? Le të shkojë dhe të kthehet në shtëpi të tij, që guximi i vëllezërve të tij të mos mehet ashtu si i ndodhi atij.“).

Raporti I-rë i Komitetit të OPC mbi Gratë në Ushtri dhe në Luftë

Duke përdorur hermeneutikën konfesionale për të përcaktuar nëse ky ligj është për sot, ne duhet të bëjmë disa pyetje mbi pasazhin. Çfarë e bëri këtë urdhër të drejtë kur u dha? A ishte ai i drejtë dhe i barabartë për shkak të rrethanave të veçanta të Izraelit (dhe kështu i veçantë në barazinë e tij)? Apo ishte i drejtë, duke u rrënjosur në natyrë dhe i përshtatshëm për çdo popull të udhëhequr nga ligji moral (ligji që ka barazi të përgjithshme)? Duke marrë parasysh mësimin e qartë të Shkrimit mbi rolet që Perëndia krijoi për mashkullin dhe femrën, ne mund ta shohim lehtësisht se ky parim i përsëritur biblik i ushtarëve vetëm burra është i rrënjosur në Ligjin e Natyrës. Ky parim nuk është i rrënjosur në ndonjë rrethanë të veçantë për Izraelin e lashtë, dhe prandaj është i barabartë për të gjitha kohët dhe vendet. Edhe pse ne nuk kemi një urdhër për të pushtuar Tokën e Premtuar sot, barazia në kalimin që lidhet me natyrën e luftëtarëve të luftës është e zakonshme për të gjithë njerëzit kudo, domethënë, se vetëm burrat duhet të luftojnë.

Disa mund të sugjerojnë se profetesha Debora luftoi me Barakun sepse ajo tha se do të shkonte me të në betejë (Gjyqtarët 4:9). Por, kjo është një mënyrë e gabuar e interpretimit të pasazhit. Debora i tha qartë Barakut se Perëndia donte që ai dhe burrat e tij të shkonin në betejë (Gjyqtarët 4:6), “Vër re se ky tregim ka përsëritur urdhërimin e Perëndisë, që ne tashmë e kemi vënë re, që burri duhet të bëjë luftën, jo gruaja që madje edhe atëherë po e udhëheq popullin. Dhe Debora e ka kaluar besnikërisht atë urdhërim dhe ia ka lënë një burri të bëjë punën.”(po aty.) Në frikën e tij, ai kërkoi që ajo të vinte me të në betejë, jo për të luftuar, por, “duke dëshiruar që ai ta kishte atë me vete për t’ju lutur Perëndisë për të, për t’i dhënë atij këshilla dhe ta këshillonte për çdo emergjencë, ajo duke qenë si orakulli i Perëndisë… që ai mendonte se do t’i kënaqte ata [dmth. ushtarët] në lidhje me mendimin e Perëndisë në këtë, dhe t’u jepte atyre zemër dhe shpirt” (John Gill, Gjyqtarët 4:9). Dhe Baraku u çnderua si një gjeneral sepse gruaja Jael vrau Siserën në shtëpinë e saj, në vend që Baraku dhe burrat e tij ta mposhtnin atë në betejë. Vër re këtu miratimin për gratë që mbrojnë shtëpitë e tyre me armë, por jo që ato të luftojnë në ushtri. Vetë-mbrojtja është një gjë e madhe, por përmbysja e roleve gjinore të Perëndisë është krejtësisht ndryshe.

Në vende të tjera, “Perëndia vetë tregon se nuk i ka bërë gratë luftëtare me deklaratat e tij të përsëritura dënuese që ushtritë janë bërë, po bëhen, ose janë si ‘gra’ për të treguar se Ai nuk i përshtati gratë për luftë (Isaia 19:16; Jeremia 50:37; 51:30; Nahumi 3:13)… Perëndia dekalron përmes Jeremias se, në përgjigje të asaj që Perëndia do të bëjë,  Babilonasit “do të bëhen gra,”. Gjë të cilën Ai e zgjeron më vonë duke thënë se “luftëtarët e Babilonisë kanë ndaluar së luftuari, ata qëndrojnë në fortifikimet e tyre. Forca e tyre është e shteruar; ata janë bërë si gra” (Jeremia 50:37; 51:30). Kundër Ninevesë, Perëndia shpall mjerime te Nahumi 3:13 “Ja, trupat e tua në mes teje janë si gra!” Pse Perëndia i quan trupat e armiqve të tij “gra” si një tregues të dobësisë dhe pamundësisë për t’u përballur me Perëndinë? Sepse Perëndia nuk i ka bërë gratë të jenë luftëtarë dhe kështu çdo ushtri që është e dobët Ai e përcakton në këtë mënyrë.” (Raporti I i OPC).

—-

Konsistenca Logjike

Gratë nëpër histori gjithmonë kanë qenë mjeke, infermiere dhe u kanë dhënë ndihmë mjekësore ushtarëve në luftë. Duke lënë mënjanë çështjen nëse ka bazë biblike për gratë të punojnë jashtë shtëpisë, ndoshta nëse ushtria do të krijonte role mbështetëse dhe sekretarie për gratë që do të ishin vetëm në territorin e shtetit, pa mundësinë e dërgimit në luftë, dhe nuk do të kërkonin që gratë të trajnoheshin për luftë në Trajnimin Bazë, atëherë këto lloje punësh do të ishin të përshtatshme dhe të sigurta për gratë, nëse është vullnetare. Megjithatë, ndonëse sipas Konventës së Gjenevës personeli mjekësor është i mbrojtur nga të qenit objektiv ushtarak, nuk mund të mbajë armë, dhe nuk mund të jetë rob lufte, etj., shumë nga armiqtë me të cilët përballemi sot nuk e respektojnë një rregull të tillë dhe do të ishin po aq të gatshëm të vrasin, të përdhunojnë, dhe/ose t’i marrin ato robër. Prandaj, mund të mos jetë e urtë të kemi gra të dërguara në role mjekësore në këtë kohë.

“Raporti I-rë” rekomandon që OPC të kundërshtojë rekrutimin ose përfshirjen e grave në “shërbimin e luftimit” ose “njësitë luftuese”, por jo përfshirjen e grave në “pozita jo-luftuese.” Sipas një prej Kapelanëve tanë, i cili është instruktor në Shkollën e Këmbësorisë të Ushtrisë së SHBA, në të vërtetë, ky dallim është një keqkuptim dhe bazohet në doktrinën më të vjetër ushtarake të Luftës së Dytë Botërore. Në doktrinën moderne ushtarake nuk ka dallim midis njësive luftuese dhe jo-luftuese. Është e vërtetë që disa njësi janë në pozita më të drejtpërdrejta luftuese. Por në luftën moderne, njësitë mbështetëse dhe forcat e qëndrueshmërisë janë ato që sulmohen herët për shkak të faktit se ato janë objektiva me përfitim të lartë. A është ky një vend më i përshtatshëm për gratë? Sigurisht, do të ishte më e arsyeshme thjesht të kundërshtohej që gratë të mos ishin në ushtri fare.

Raporti II-të i Komitetit të OPC mbi Gratë në Ushtri dhe në Luftë

Ata që mbështesin gratë në luftë e shohin këtë konsistencë logjike, por fatkeqësisht ata kanë zgjedhur të anojnë me perspektivën feministe të mëkatshme dhe të rrezikshme. Të gjitha pozitat janë pozita luftuese në luftën asimetrike dhe gratë në “role mbështetëse” tashmë janë angazhuar në luftë për gati 15 vjet. Ky është argumenti kryesor që i dha grave akses në çdo Specialitet Ushtarak në radhë të parë.

Disa mund të thonë se është e pranueshme të nënshtrohemi dhe që gratë tona dhe bijat tona të regjistrohen në Shërbimin Ushtarak, sepse probabiliteti që një mobilizim do të shpallet ndonjëherë është shumë i ulët, ose, edhe në ndonjë rast të papritur që ata mund të shpallin mobilizim, do të kishim të drejtë të praktikojmë mosbindjen civile. Unë sugjeroj që të qëndrojmë te parimi dhe të mos jemi naivë. Çfarë kuptimi ka të nënshkruash një betim që të bëhesh subjekt i rekrutimit ushtarak dhe pastaj, kur emri yt të thirret, të protestosh papritur? Nëse ne nuk qëndrojmë në parim, kundër potencialit të afërt dhe lejueshmërisë ligjore të grave që mobilizohen, atëhere po ashtu ne nuk do të qëndrojmë kundër saj më vonë. Nëse, sipas standardit të Perëndisë, gratë janë të papërshtatshme për luftë, atëherë kush jemi ne për t’i shtuar ato në listat e trupave të përshtatshëm? Perëndia na ruajt! Qëllimi i luftës shkatërrohet nëse ne dërgojmë për të luftuar ata që ne duhet të mbrojmë. “Ne duhet t’i bindemi Perëndisë më shumë se njerëzve” (Veprat 5:29).

—-

Statusi i “Kundra-Ndërgjegjes” për Gratë

Fatmirësisht, shumë denominacione prezbiteriane dhe të reformuara kanë shkruar deklarata kundër grave në luftë për të parandaluar pikërisht këtë pashmangshmëri, e cila (dashtë Zoti) duhet të jetë në gjendje të shërbejë si precedent për statusin e “kundra-ndërgjegjes” për gratë e krishtera në Amerikë. Le të tregojmë vëmendje të madhe për këtë çështje dhe të mos lejojmë që gratë dhe bijat tona të merren dhe të masakrohen në fushën e betejës!

Nga Raporti i RPCNA 2015 për Sinodin nga Komisioni Prezbiterian dhe i Reformuar mbi Kapelanët dhe Personelin Ushtarak (PRCCMP):

“Komisioni i dha urdhër Kryetarit të PRCCMP për të ngritur një komitet për të hartuar një letër që adreson kishat tona për mundësinë e një ndryshimi radikal të ligjit të Shërbimit Ushtarak të Shteteve të Bashkuara, saktësisht regjistrimin e grave 18-vjeçare në Listat e Rekrutimit, me shumë mundësi deri në vitin 2016. Për më tepër, që kjo letër të rekomandojë miratimin e kësaj (ose një deklarate të ngjashme) në statutet e kishave individuale, domethënë që Bibla ndalon gratë të shërbejnë si luftëtare, si dhe një deklaratë që regjistrimi i grave 18-vjeçare për rekrutim është e ligë dhe jobiblike. Kjo do të ofrojë një argument të vlefshëm për statusin e “kundër-ndërgjegjes” për bijat e besëlidhjes, nipërit, dhe gratë e tjera të denominateve tona.”

Prandaj, le të vendoset tani: Se, ndonëse e njohim të drejtën dhe detyrën që gratë kanë për vetë-mbrojtje, e cila mund të përfshijë dhunë fizike (Gjyqtarët 9:53), është bindja jonë se mësimi biblik nuk jep leje për të angazhuar gratë në luftim ushtarak” (RPCNA Sinodi i 168-të, viti 1998).

Se, Asambleja e 68-të deklaron se përdorimi i grave në luftim ushtarak është si kundër natyrës ashtu edhe në kundërshtim me Fjalën e Perëndisë” (Asambleja e 68-të e OPC, viti 2001).

Kjo Asamble shpall se është detyra biblike e burrit të mbrojë gruan dhe prandaj dënon përdorimin e grave si luftëtarë ushtarakë, si dhe çdo rekrutim të grave në Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara” (Asambleja e 30-të e PCA, viti 2002).

Fjala e Perëndisë nuk jep asnjë lejim të shprehur ose të nënkuptuar që gratë të rekrutohen në shërbimin ushtarak ose të kërkohet që të marrin pjesë në luftim ushtarake. Prandaj, Sinodi i Përgjithshëm i Kishës Prezbiteriane të Reformuar të Asocuar kundërshton regjistrimin e grave për Shërbimin Ushtarak dhe caktimin e grave në detyra luftuese ose në detyra që përfshijnë një rrezik të rëndësishëm të angazhimit në luftë” (Sinodi i Përgjithshëm ARP, viti 2016, Indeksi 20).

 

Përkthyer nga: https://purelypresbyterian.com/2016/02/09/women-in-the-military-and-in-combat/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes