Të Këqijat e Luftës

Te Keqijat e Luftes

Nga Archibald Alexander

Asnjë që ka dy pare mend nuk mund të besojë se është një gjë e drejtë që njerëzit të shkatërrojnë jetët e njëri-tjetrit. Kur një njeri derdh gjakun e vëllait të tij, kjo është vrasje, dhe të derdhësh gjakun e qindra vetave është vrasje në një shkallë të madhe. Nuk ka asnjë justifikim për luftën, përveç në rast nevoje të skajshme. Çdo komb duhet të shmangë luftën, sa më shumë të jetë e mundur. Por një gjendje lufte mund t’i imponohet një kombi. Vetëmbrojtja është ligji i parë i natyrës sonë dhe është një detyrë. Në të kundërt, të ligjtë dhe të dhunshmit do të kishin gjithçka në duart e tyre, dhe të virtytshmit dhe të paqtët do të bëheshin pre e të ligjëve. Por përsëri, është një e vërtetë e dukshme që, çdo rast ku merret një jetë njerëzore në luftë, është një rast vrasjeje. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për derdhjen e gjithë gjakut që është derdhur. Ai komb që pa patur arsye të mjaftueshme fillon një luftë, ose provokon një luftë, ka një përgjegjësi të tmerrshme mbi veten. Dhe po kështu, kur një luftë është në vazhdim, ai komb që refuzon të bëjë paqe ose insiston në kushte të paarsyeshme, është fajtor për gjithë gjakun që mund të derdhet dhe për gjithë mjerimin që sillet. Sado që ta maskojmë, një fushë-betejë paraqet një skenë tronditëse për ndjenjat morale. Mendoni sikur nuk do të kishte pasur kurrë ndonjë përshkrim të luftës në historinë e kombeve, çfarë ndjenjash do të kishim duke lexuar për një betejë të përgjakshme?

Por humbja e jetës njerëzore nuk është pasoja e vetme e keqe e luftës. Shumë familje mbeten pa mbështetjen dhe udhëheqjen e kryefamiljarëve të tyre dhe hidhen në një botë të pamëshirshme dhe në një gjendje pafuqie. Shikoni nënën e ve në një familje me fëmijë të vegjël. Sikur ajo të ishte vetëm, mund të përpiqej të mbijetonte në botë, por kur sheh fëmijët e saj të dashur, zemra e saj fundoset dhe ajo është gati t’i dorëzohet dëshpërimit. Lavdia ushtarake është një ngushëllim i dobët për humbjen e saj, dhe nderimet e dhëna për të vdekurit janë një ngushëllim i dobët për një zemër të thyer. Këto vërejtje kanë të bëjnë me të gjitha luftërat. Ato janë një e keqe e tmerrshme, pavarësisht se ku qëndron faji.

Efektet morale të luftës janë gjithashtu më të vajtueshmet. Burrat që merren ushtarë shpesh bëhen jashtëzakonisht blasfemues dhe të pakujdesshëm për sjelljen e tyre.

Autori është mjaftueshëm në moshë për të kujtuar të këqijat që i erdhën një fshati të qetë pasi disa ushtarë u kthyen pas Luftës së Revolucionit. Këta burra, duke qënë të mësuar me jetën ushtarake, ishin urrejtës të punës dhe për aq kohë sa kishin diçka për të shpenzuar, mblidheshin në grupe për të pirë, për të sharë dhe për të luftuar, duke shqetësuar fqinjët. Madje edhe rikthimi i oficerëve nuk ishte i dobishëm për kauzën e maturisë dhe pastërtisë. Ata tani dëshironin skena argëtimi të modës, si ato që kishin shijuar në ushtri. Bixhozi dhe kërcimi u futën në një shoqëri ku argëtime të tilla kishin qenë pothuajse krejtësisht të panjohura. Mësuesit e kërcimit tani po kërkoheshin shumë, dhe vëmendja e të rinjve u fokusua shumë me këtë argëtim magjepsës. Rendi familjar shpesh ndërpritej dhe feja familjare bëhej e urryer për të rinjtë. Prindërit e devotshëm nuk mund t’i frenonin fëmijët e tyre dhe shumë rrëfyes të besimit devijuan, duke menduar se këto takime shoqërore ishin të padëmshme, dhe se ato ndihmonin të rafinonin të rinjtë. Një pasojë e këtyre gjërave ishte që kisha ra në një gjendje të ftohtë dhe të kapitur. Të rinjtë shfaqnin një mospëlqim të madh ndaj fesë dhe për vite me radhë asnjë prej tyre nuk donte të shkonte në kishë. Disiplina ushtrohej, por meqënëse opinioni publik ishte shumë kundër saj, në shumicat e rasteve dështoi të arrinte rezultatin e dëshiruar. Nëse gjendja në atë fshat do të kishte qëndruar në atë gjendje, të sjellë nga ata ushtarë, feja shumë shpejt do të ishte zhdukur, pasi, ajo po qëndronte vetëm te disa persona të moshuar. Por pas disa vitesh Perëndisë i pëlqeu ta ringjallte besimin në atë vend, dhe shumë persona u konvertuan nga rruga e gabimeve të tyre, dhe i’u shtuan kishës.

Autori nuk shpreh asnjë mendim në lidhje me nevojën e luftës në të cilën vendi ynë po merr pjesë (1847). Ai nuk është politikan dhe nuk pretendon të kuptojë arsyet pse qeveria jonë po merr pjesë në këtë konflikt. Por për një gjë është plotësisht i bindur: lufta është një fatkeqësi e frikshme dhe një gjykim i rëndë nga Perëndia mbi çdo komb, qoftë ajo e nisur, për arsye të mjaftueshme apo të pamjaftueshme. Dhe ashtu sic është shumë më e lehtë për ta nxjerrë shpatën sesa për ta kthyer atë në mill, mund të hasim shumë telashe dhe shqetësime përpara se të arrijmë në një përfundim të sigurt dhe të ndershëm për këtë konflikt. Aq sa dimë, qeveria jonë është e shqetësuar për të siguruar paqen, por armiqtë tanë duket se nuk janë të prirur të pajtohen me këto pikëpamje paqësore.

Në këto rrethana, populli i krishterë i këtij vendi duhet të bashkohet në lutje të sinqerta që Perëndia të heqë nga vendi ynë peshën e këtij gjykimi të rëndë. Perëndia mund të ketë parë se kemi nevojë për ndëshkim dhe për këtë arsye ka lejuar këtë konflikt të ashpër, nga i cili kanë humbur kaq shumë jetë të çmuara për vendin dhe familjet e tyre. Meqënëse në disa kisha janë caktuar ditë lutjeje, le të bashkohen të gjithë ata që dinë të luten dhe që besojnë në fuqinë e lutjes, për të kërkuar nga froni i hirit, mëshirë dhe heqjen e këtij gjykimi të rëndë. Le të klithin: “Kursehe popullin tënd, o Zot,” dhe të rikthehet paqja në vendin tonë, i cili ka derdhur tashmë kaq shumë gjak dhe pasuri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes