Nga Paul Barth
Urdhërimi i parë mëson se kush është Perëndia i vërtetë dhe se vetëm Ai duhet të adhurohet. Urdhërimi i dytë mëson se vetëm Perëndia përcakton se si Ai dëshiron të adhurohet. Të adhurosh Perëndinë ashtu siç dëshirojmë ne është vetë përkufizimi i idhujtarisë.
“Nuk do të bësh skulpturë ose shëmbëlltyrë të asnjë gjëje që ndodhet aty në qiejt ose këtu poshtë në tokë ose në ujërat nën tokë. Nuk do të përkulesh para tyre dhe as do t’i shërbesh, sepse unë, Zoti, Perëndia yt, jam një Perëndi xheloz…” (Eksodi 20:4-5).
—–
1 – Ka dy pjesë në urdhërimin e dytë: Mos bëj një shëmbëlltyrë të Perëndisë (v.4), dhe mos e adhuro Perëndinë me anë të shëmbëlltyrave dhe figurave (v.5)
“Ka dy pjesë në Urdhërim: e para ndalon ngritjen e një imazhi të gdhendur, ose të ndonjë ngjashmërie të tillë. E dyta ndalon kalimin e adhurimit që Perëndia e kërkon vetëm për Veten e Tij, te ndonjë nga këto krijime ose shfaqje mashtruese. Prandaj, të krijosh cdo lloj figure për Perëndinë, është në vetvete një veprim i pabesë. Sepse me anë të këtij korrupsioni, Madhështia e Tij falsifikohet, dhe Ai paraqitet si diçka tjetër nga ajo që është. Nuk ka nevojë të hedhim poshtë fantazinë e marrë të disave, sepse të gjitha skulpturat dhe pikturat janë të dënuara këtu nga Moisiu, për shkak se ai nuk kishte tjetër qëllim përveçse të shpëtonte lavdinë e Perëndisë nga të gjitha imagjinatat që synojnë ta korruptojnë atë. Dhe me siguri që është një paturpësi e madhe të bësh Perëndinë si një dru ose një gur… Unë nuk e mohoj se këto gjëra duhet të merren së bashku, pasi adhurimi supersticioz rrallë ndahet nga gabimi i mëparshëm. Sepse sa herë që dikush lejon veten të krijojë një figurë për Perëndinë, ai menjëherë bie në adhurim të rremë. Dhe me siguri, kushdo që ndjen dhe mendon me respekt dhe seriozitet për Vetë Perëndinë, është larg këtij absurditeti. Si edhe nuk hyn kurrë asnjë dëshirë ose mendjemadhësi për ta transformuar Perëndinë, përveç atëhere kur imagjinatat e rëndomta e mishërore pushtojnë mendjet tona. Prandaj ndodh që, ata që krijojnë për vete zota nga materiale të prishshme, në mënyrë supersticioze adhurojnë veprën e duarve të tyre… Vetëm le të kujtojmë se Perëndia ofendohet, jo vetëm kur adhurimi i Tij transferohet te idhujt, por edhe kur ne përpiqemi ta paraqesim Atë me cdo ngjashmëri të jashtme.”
John Calvin, Komentari mbi Eksodin 20:4.
“Nuk do të bëni idhuj, nuk do të ngrini figura të gdhendura ose ndonjë kolonë dhe nuk do të vendosni në vendin tuaj asnjë gur të stolisur me figura, me qëllim që të përuleni para tij; sepse unë jam Zoti, Perëndia juaj.” (Lev. 26:1; kr. Rom. 1:23, LiP. 4:12-19).
—–
2 – Ka dicka të vërtetë në lidhjen midis krijimit të një përshkrimi vizual të Perëndisë dhe adhurimit të Perëndisë përmes atij krijimi. Është gabim të mendohet se është e mundur të përdoren figura të Perëndisë pa e adhuruar Atë përmes tyre. Kjo do të thotë se kur shkelet pjesa e parë e urdhërimit, shkelet dhe e dyta gjithashtu. Një figurë është një përfaqësim i Perëndisë “vepër arti të latuar dhe të shpikur nga njeriu” (Veprat 17:29) dhe zakonisht konsiderohet si një mjet përmes të cilit ne mund ta nderojmë Perëndinë ose t’u mësojmë fëmijëve për Të. Justifikimi se figurat dhe pamjet për Perëndinë nuk po përdoren për adhurim është tërësisht i pavërtetë, sepse ne duhet ta nderojmë dhe adhurojmë Perëndinë me gjithë zemrën, shpirtin dhe forcën tonë (LiP. 6:5). Nëse një figurë e Krishtit nuk “sjell devotshmëri, është kot; nëse sjell devotshmëri, është një adhurim përmes një figure ose pikture, dhe kështu një shkelje e dukshme e urdhërimit të dytë” (Vincent, Një Udhëzues Mësimor Familjar).
“Në parim, Pikturat e Krishtit janë një shkelje e urdhërimit të dytë. Një pikturë e Krishtit, nëse ka ndonjë qëllim të dobishëm, duhet të ngjallë ndonjë mendim ose ndjenjë në lidhje me të dhe, duke pasur parasysh atë që Ai është, ky mendim ose ndjenjë do të jetë adhurim. Ne nuk mund të shmangim bërjen e pikturës një mjet adhurimi. Por, meqënëse materialet për këtë mjet adhurimi nuk vijnë nga e vetmja zbulesë që kemi në lidhje me Jezu Krishtin, domethënë, Shkrimi, adhurimi është i detyruar nga një krijim i mendjes njerëzore që nuk ka asnjë autorizim dhe përligjje. Ky është adhurim i bazuar në dëshirë. Sepse parimi i urdhërimit të dytë është që ne duhet ta adhurojmë Perëndinë vetëm në mënyrat e përcaktuara dhe të autorizuara nga Ai. Është një mëkat i rëndë të kemi adhurim të detyruar nga një fantazi njerëzore, dhe kjo është ajo që përfshin një pikturë e Shpëtimtarit.”
John Murray, Pikturat e Krishtit.
—–
3 – Perëndia është Frymë dhe nuk mund të përfaqësohet me figura; kjo është një pamundësi ontologjike, dhe prandaj është mëkat të përpiqesh ta bësh. “Kujt dëshironi t’i përngjajë Perëndia dhe çfarë figure do t’i vinit përballë?” (Isa. 40:18). “Duke qenë, pra, se ne jemi pasardhës të Perëndisë, nuk duhet të mendojmë që natyra e perëndishme është e ngjashme me arin ose me argjendin, ose me gurin ose me një vepër arti të latuar dhe të shpikur nga njeriu.” (Veprat 17:29). Perëndia nuk ka pjesë dhe nuk e zbulon Veten në pjesë, sepse kjo është në kundërshtim me natyrën e Tij, dhe për këtë arsye, e pamundur. Nga natyra, Perëndia është Frymë dhe nuk mund të shihet. Perëndia e ka manifestuar Veten ndaj njerëzve në mënyra të ndryshme, por Ai kurrë nuk është parë në mënyrë të dukshme, as nuk mund të shihet. Ne nuk kemi të drejtë të prodhojmë, sajojmë dhe shpikim një përshkrim të Tij, qoftë një teofani të Dhiatës së Vjetër, ose mishërimin e Birit të Perëndisë. Asnjë nga patriarkët, profetët, ose apostujt nuk e kanë menduar ndonjëherë të paraqesin vizualisht Perëndinë pas takimeve të tyre me Të. Të gjitha pamjet dhe imazhet e Tij kërkojnë presupozime heretike mbi natyrën e Tij. Prandaj, kur njerëzit përdorin figura dhe imazhe për t’u mësuar fëmijëve për Perëndinë, ata po u mësojnë atyre për një zot “të formuar nga arti dhe imagjinata e njeriut” në vend të Perëndisë të vetëm të vërtetë të Bibës.
“Adhurimi i Perëndisë duhet të jetë shpirtëror, në mënyrë që të përputhet me natyrën e Tij… Prandaj është e nevojshme të kujtojmë se çfarë është Perëndia, që të mos formojmë ndonjë ide trashanike ose tokësore në lidhje me Të. Fjalët thjesht shprehin se është e gabuar për njerëzit të kërkojnë praninë e Perëndisë në ndonjë imazh apo pamje të dukshme, sepse Ai nuk mund të përfaqësohet për sytë tanë.”
John Calvin, Komentari mbi Eksodin 20:4
Të sugjerosh se natyra njerëzore e Krishtit mund të jepet me imazh nënkupton një ndarje midis natyrave hyjnore dhe njerëzore të Krishtit (Nestorianizmi). “Nuk është e ligjshme të kemi figura dhe piktura të Jezu Krishtit, sepse natyra e tij hyjnore nuk mund të përfaqësohet aspak; dhe sepse trupi i tij, ashtu siç është tani i përlëvduar, nuk mund të përfaqësohet ashtu siç është” (Vincent, po aty).
“Duke qenë se Perëndia si Frymë është në thelb i padukshëm dhe i pafund, Ai nuk mund të shprehet vërtet nga ndonjë art ose imazh… Edhe pse Krishti mori natyrë njerëzore, ai nuk e mori atë për të ofruar një model për gdhendësit dhe piktorët. Ai e mohoi se kishte ardhur “për të shfuqizuar ligjin dhe profetët” (Mateu 5:17). Por figurat dhe imazhet janë të ndaluara nga ligji dhe profetët” (LiP. 4:15; Isa. 44:9). Ai e mohoi se prania e tij trupore do të ishte e dobishme për Kishën dhe premtoi se do të ishte afër nesh me Frymën e Tij përjetë (Gjoni 16:7). Prandaj, kush do të besonte se një hije ose ngjashmëri e trupit të tij do të jepte ndonjë përfitim për të devotshmit? (2 Kor. 5:5). Meqënëse Ai qëndron në ne me Frymën e Tij, ne jemi tempulli i Perëndisë (I Kor. 3:16). Por “çfarë lidhje ka tempulli i Perëndisë me idhujt?” (II Kor. 6:16).”
Rrëfimi i Dytë Helvetik, kapitulli 4.
“Unë jam Zoti, ky është emri im;
nuk do t’i jap lavdinë time asnjë tjetri,
as lavdërimet e mia shëmbëlltyrave të gdhendura.”
Isaia 42:8.
Perkthyer nga: https://purelypresbyterian.com/2016/05/03/three-reasons-images-of-god-are-idolatrous/