Nga Alan Sharpe
Në vetëm 17 minuta ti mund të mësosh gjithçka që duhet të dish për të shmangur pornografinë sot. Por pastaj vjen pjesa e vështirë. Nëse ti lufton me epshin dhe tundimin seksual, dhe nëse shikon pornografi, si një zakon, por lëngon ta lësh, ka disa gjëra bazike që duhet të mësosh për veten tënde, për imoralitetin seksual, për kiminë e trurit tënd, për mënyrën se si t’i rezistosh tundimit seksual, përse pornografia krijon kaq shumë varësi, dhe kështu me radhë. Por sfida jote nuk është thjesht mungesa e njohurive, apo jo? Sfida jote është mungesa e bindjes dhe mungesa e fuqisë.
Kur ti kupton vullnetin e Perëndisë për jetën tënde në këtë fushë, dhe kur ti vlerëson të gjitha burimet hyjnore që Perëndia vë në dispozicionin tënd për të të ndihmuar të fitosh mbi mëkatin seksual, ti ke një zgjedhje: të bindesh ose të mos bindesh, të qëndrosh në Krishtin ose të veprosh vetë, të ecësh në Frymë ose të ecësh sipas mishit.
Këtu është gjithçka që duhet të dish (dhe të bësh) për të shmangur pornografinë si një burrë i krishterë sot. Këto të vërteta i zbulova gjatë dy viteve të studimit të përditshëm të Biblës dhe meditimit, dhe dy viteve të kërkimit të ndihmës së Zotit për pesë dekadat e mia të mëkatit seksual. Nëse më pyet sot për të të treguar gjërat thelbësore absolute që të duhet për të fituar dhe ruajtur fitoren biblike mbi pornografinë dhe tundimin seksual, kjo është ajo që do të të them. Do të të duhen 17 minuta për ta lexuar. Pastaj fillon beteja jote (dhe fitorja të pret).
Shqyrto Veten
Kupto veten tënde, mëkatin tënd dhe pse je në këtë gjendje në të cilën ndodhesh aktualisht.
1 – Ti shikon pornografi sepse është e disponueshme, falas dhe private. Nëse pornografia do të ishte e vështirë për t’u gjetur, e shtrenjtë për t’u blerë, dhe e pamundur për t’u parë pa u ekspozuar dhe turpëruar publikisht, ti nuk do të ishe në robëri ndaj saj. Një pjesë e madhe e luftës tënde nuk është tërësisht faji yt. Ti përballesh me më shumë tundime seksuale brenda një viti sesa shumica e burrave të krishterë përballeshin gjatë gjithë jetës së tyre. Kjo nuk e justifikon mëkatin tënd, por ndihmon për ta shpjeguar atë.
2 – Ti shikon pornografi sepse të sjell kënaqësi. Kur shikon pornografi, trupi yt lëshon nivele të larta dhe të pazakonta të dopaminës në trurin tënd, duke krijuar ndjenja euforie dhe lumturie. Dopamina vepron si një sistem shpërblimi. Truri yt përgjigjet ndaj dopaminës duke dëshiruar aktivitetin që e nxit atë. Ky është shkaku kryesor pse pornografia bëhet zakon. Ajo të bën të ndihesh jashtëzakonisht mirë duke ndryshuar kiminë e trurit tënd, duke të bërë të dëshirosh më shumë pornografi me cdo shikim të saj.
3- Ti tundohesh të shikosh pornografi sepse e dëshiron atë. Ti mund të tundohesh vetëm nga ajo që dëshiron. Siç thotë Jakobi: “Por secili tundohet nga dëshirimi i vet, duke u tërhequr dhe duke u joshur prej tij. Pastaj dëshirimi, kur mbarset, lind mëkatin dhe mëkati, kur kryhet, pjell vdekjen.” (Jakobi 1:14-15 BiblaPRO). Ti mund ta urresh pornografinë dhe dëshiron ta lësh, por nëse tundohesh ta shikosh, atëherë e dëshiron atë. Pornografia është një çështje zemre.
4 – Ti shikon pornografi sepse zemra jote është e ligë. Jezusi thotë: “Sepse nga zemra dalin mendimet e mbrapshta, vrasjet, shkeljet e kurorës; kurvëria, vjedhjet, dëshmitë e rreme, blasfemitë. Këto janë gjërat që e ndotin njeriun…” (Mateu 15:19-20). Zemra jote nuk është e ligë sepse ti shikon pornografi. Ti shikon pornografi sepse zemra jote është e ligë. Ti je problemi yt me pornografinë. Për të pushtuar pornografinë, duhet të ndryshosh atë që zemra jote dëshiron.
5 – Ti je i lidhur pas pornografisë për shkak të mosbesimit. Dështimi yt për të lënë shikimin kompulsiv të pornografisë dhe për të braktisur masturbimin dhe mëkatet e tjera seksuale të bëra zakon është një provë e mosbesimit tënd. Ti nuk beson se imoraliteti yt seksual do të të çojë në ferr. Por Jezusi thotë ndryshe. Ai të paralajmëron se, nëse refuzon të nxjerrësh syrin tënd të djathtë kurorëshkelës dhe ta flakësh larg teje, i gjithë trupi yt do të hidhet në ferr (Mateu 5:27-29).
-
Mos u Mashtro
Kupto se çfarë të pret në të ardhmen nëse refuzon të braktisësh pornografinë.
6 – Pornografia është progresive. Personat që shikojnë pornografi për një periudhë të gjatë kohe kanë nevojë për forma gjithnjë e më të rënda të saj. Ata kalojnë në diçka më të ligë, më të fortë, më të paligjshme, për të arritur të njëjtin nivel eksitimi që dikur e përjetonin me përmbajtje më të lehtë. Nëse flet me ndonjë kriminel seksual që po vuan dënimin për përdhunim, abuzim seksual ndaj fëmijëve ose më keq, do të zbulosh një person që e nisi udhëtimin e tij me pornografi të lehtë në një moshë të re, dhe vazhdoi më tej.
7 – Pornografia është ndëshkuese. Nëse nuk e braktis pornografinë dhe nuk largohesh prej saj, do të paguash pasojat. Mendo për humbjen e dëshmisë tënde, martesës tënde, qasjes ndaj fëmijëve të tu. Mendo për sëmundjet seksualisht të transmetueshme, shtatzanitë e padëshiruara, humbjen e punës, skandalin, burgun, emrin tënd në Regjistrin e Kriminelëve Seksualë. Shikimi i pornografisë rrit kurorëshkeljen me 300%. Rreth 40% e njerëzve që identifikohen si të varur nga seksi humbasin bashkëshortin/en, 58% pësojnë humbje të konsiderueshme financiare dhe 33% humbasin punën e tyre.
8 – Dënimi përfundimtar për konsumimin e pornografisë është Liqeni i Zjarrit. “Apo nuk e dini se të padrejtët nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë? Mos u mashtroni! as kurvarë, as idhujtarë, as kurorëshkelës, as të zhburrëruar seksualisht, as ata që shkojnë me meshkuj, as vjedhës, as lakmitarë, as pijanecë, as sharës, as grabitqarë, nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.” 1 Korintasve 6:9-10 (BiblaPRO).
9 – Mëkati yt dëmton të tjerët. Sa herë që shikon një grua për ta dëshiruar, ti mëkaton kundër katër personave: 1. Perëndisë, 2. bashkëshortes tënde (aktuale ose të ardhshme), 3. vetes tënde, dhe 4. gruas që dëshiron. Shumë nga të ashtuquajturat “yje të pornos” që shikon, tashmë kanë vdekur në kohën kur i sheh, qoftë nga vetëvrasja, mbidoza e drogës, ose vrasja nga trafikantët e tyre.
10 – Ti nuk je një i varur. Nëse konsumon pornografi të bërë zakon, ti je një mëkatar, një skllav vullnetar i mëkatit, jo një i varur nga pornografia. Sa më gjatë që e shikon veten si një viktimë, një i varur që ka nevojë për trajtim, rikuperim dhe mbështetje, aq më gjatë do të të duhet për t’u penduar për mëkatin tënd dhe për t’ju larguar pornografisë. “I krishteri i varur nga pornografia” është një kontradiktë në terma…” Nëse shikon, lexon ose dëgjon pornografi në mënyrë të zakontë, Perëndia të quan një kurorëshkelës, një kurvar, që nuk ke të kuptuar, të mashtruar dhe të lig, por kurrë nuk të quan një të varur të pafuqishëm.
Mos Trego Kujdes për Mishin
Çelësi për fitoren biblike mbi pornografinë është shmangia.
11 – Pornografia është më shumë diçka që e shmang, sesa e lë. “Vishuni me Zotin Jezus Krisht, dhe mos tregoni kujdes për mishin, për t’ia plotësuar dëshirimet” (Romakëve 13:14 BiblaPRO). Ti e nxjerr dhe e flak larg teje syrin që të bën të mëkatosh seksualisht (Mateu 5:28-29). Ti bën një besëlidhje me sytë e tu për të mos i dëshiruar vajzat (Jobi 31:1). Pornografia është më shumë diçka që i qëndron larg, sesa e pushton.
12 – Mëkati seksual fillon me sytë. Burrat nxiten nga ajo që shohin. E ashtuquajtura Industria për të Rritur (video pornografike, aplikacione takimesh për seks, faqe interneti pornografike, klube striptizmi dhe më shumë) është ndërtuar për t’u dhënë burrave një përvojë vizuale që ndez epshin e tyre. Kurorëshkelja, seksi jashtë martesës, masturbimi dhe mëkatet e tjera seksuale gjithmonë kanë një shkak, dhe ai shkak zakonisht është diçka erotike që një burrë e sheh.
13 – Për të mposhtur epshin, mposht sytë e tu. Jezusi thotë se duhet të nxjerrësh syrin e djathtë që të bën t’i dëshirosh vajzat, dhe pastaj ta flakësh larg teje që të mos të të tundojë më (Mateu 5:28-29). Nxjerrja e syrit tënd të djathtë do të thotë të heqësh çdo gjë që është e çmuar, e dobishme ose e përshtatshme (ashtu siç është syri yt i djathtë). Do të thotë të shmangësh çdo person, vend ose gjë që e di se të tundon të shikosh pornografi.
14 – Nxjerrja e syrit tënd të djathtë do të dhëmbë, shumë. Ka revista që nuk mund t’i lexosh. Filma që nuk mund t’i shikosh. Faqe interneti që nuk mund t’i vizitosh. Plazhe që nuk mund t’i frekuentosh. Pajisje elektronike që nuk mund t’i përdorësh më në privat. Aplikacione që nuk mund t’i shkarkosh. Nëse ndonjë gjë në jetën tënde të bën të mëkatosh seksualisht, prite dhe flake larg. Arritja dhe ruajtja e pastërtisë seksuale është e bezdisshme, e papërshtatshme, e vështirë dhe e dhimbshme. Por ia vlen.
15 – Syno parandalimin, jo kurën. Një nga çelësat për të abstenuar nga pornografia është zhvillimi i zakoneve të shëndetshme për të zëvendësuar këtë zakon të ligë. Kjo është ajo që Pali ka në mendje kur të thotë ty dhe mua të shmangim dehjen duke u mbushur me Frymën. Ti shmang njërën duke bërë tjetrën. Ti shmang pornografinë duke bërë diçka tjetër.
16 – Bëhu llogaridhënës ndaj një personi. Apostulli Jakob thotë se të krishterët ndonjëherë kanë nevojë për një besimtar tjetër që të vijë pranë tyre për t’i kthyer nga gabimi i rrugëve të tyre (Jakobi 5:20). Kështu, gjej një partner llogaridhënie. Gjej një vëlla në Zotin të cilit i beson, idealisht dikë që ka fituar në këtë fushë, pastaj flisni apo takohuni çdo ditë ose javë për të diskutuar përparimin tënd në rrugën drejt pastërtisë seksuale.
17 – Instalo program llogaridhënie në të gjitha pajisjet e tua elektronike. Nëse viziton një faqe të papërshtatshme me laptopin tënd, ose shikon imazhe mëkatare në telefonin tënd, ose shfleton imazhe seksualisht të pamoralshme në tabletin tënd ndërsa je në punë, programi “Covenant Eyes” merr screenshot-e të aktiviteteve të tua dhe ia dërgon ato partnerit tënd llogaridhënës. Pastaj partneri yt i llogaridhënies të ballafaqon (me dashuri dhe në mënyrë ndihmuese). Frika nga kapja e bërjes së veprimit të mban larg nga veprimi. Nëse ndodh të biesh dhe të shikosh diçka pornografike, partneri yt i llogaridhënies diskuton për mëkatin tënd me ty dhe të ndihmon të rikthehesh në rrugë.
Ik prej Kurvërisë
Çelësi për fitoren biblike mbi tundimin seksual është ikja.
18 – Perëndia të urdhëron të “ikni prej kurvërisë!” (1 Korintasve 6:18 BiblaPRO). Këto janë tri fjalë të thjeshta, por një hap gjigand drejt suksesit. Kjo ka funksionuar në kohën e Palit. Funksionon edhe sot. Kura për tundimin seksual është një urdhërim që duhet ta zbatosh, një veprim që duhet të ndërmarrësh: ik. Pornografia është diçka ndaj të cilës duhet të veprosh me trupin tënd. Nuk mund të ikësh nga tundimi seksual duke qëndruar i palëvizur. Duhet të vraposh larg, të shpëtosh, të ikësh.
19 – Tundimi seksual është një proces, jo një ngjarje. Tundimi për të shikuar pornografi fillon me një nxitës. Ti shikon dikë, lexon diçka, ose dëgjon diçka. Këtë e pason një përgjigje emocionale të pavullnetshme. Për shembull, ti mund të ndihesh i kënaqur, i neveritur, ose kurioz. Tani vjen mendimi yt i parë. Nëse nxitësi është një imazh pornografik, mendimi i parë ka të ngjarë të jetë nëse do të vazhdosh që ta shikosh apo jo. Tani vjen lëshimi kimik, dopamina që shkon në trurin tënd, dhe të bën të ndihesh kaq mirë. tani pulsi yt rritet, frymëmarrja jote rritet, dhe fillon të kesh një ereksion. Tani vjen mendimi yt i dytë. Këtu ti kryen një betejë me ndërgjegjen tënde, duke menduar arsyet për të vazhduar të shikosh pornografinë dhe arsyet për të shikuar nga ana tjetër. Cilido mendim që fiton këtë betejë, ai do të jetë edhe veprimi që do të bësh.
20 – Ndrysho rrugë përpara dopaminës. Sapo ti has diçka që është joshëse seksualisht, lëre atë që po bën dhe zbrit menjëherë nga treni i tundimit. Sa më gjatë të qëndrosh në të, aq më shumë rrugë do të bësh, dhe aq më e vështirë do të jetë për ty që të zbresësh ndërsa treni përshpejton. Kjo është puna me kënaqësinë, ti nuk do që ajo të ndalet. Por për të mposhtur pornografinë, duhet të mposhtësh mishin tënd. Kjo do të thotë të ikësh sapo të tundohesh, përpara se të ndodhë ai lëshimi i kënaqshëm i dopaminës. Aleati yt më i besueshëm në këtë luftë është penisi yt. Sapo të ndjesh që po ngrihet, zbrit nga treni. Përvec rasteve kur je me gruan tënde, një ereksion që po rritet gjithmonë do të thotë se mëkati seksual po përgatitet të nxjerrë trenin tënd nga shinat.
21 – Perëndia gjithmonë siguron rrugën e shpëtimit. “Asnjë tundim nuk ju ka zënë ju, përveçse atij njerëzor; por besnik është Perëndia i cili nuk do të lejojë që ju të tundoeni përtej asaj që mundeni, por bashkë me tundimin do të bëjë edhe rrugëdaljen, që ju të mund ta duroni.” (1 Korintasve 10:13 BiblaPRO). Kjo rrugëdalje nuk është një dritare për të dalë, por një mundësi për të kapur, zakonisht një mundësi e matur në sekonda. Nëse dëshiron të shmangësh mëkatin seksual, merr rrugëdaljen që Perëndia gjithmonë ofron me çdo tundim, menjëherë.
22 – Smartfoni yt është një nga pajisjet e Satanit. Rreth 70% e të gjithë pornografisë aksesohet në telefonat. Nëse ti e di që mënyra kryesore si bie në tundimin seksual është smartfoni yt, zëvendësoje atë me një telefon të thjeshtë. Kalo në një telefon që nuk ka shfletues inerneti, as aplikacione, as wi-fi—zero qasje në pornografinë në internet. Këto telefona ekzistojnë ende…
Vishu me Zotin Jezu Krisht
Fitorja jote përfundimtare mbi pornografinë është fuqia e Zotit të ringjallur në jetën tënde.
23 – Përkushtoja orën e parë të çdo dite Zotit. Përpara se të kontrollosh telefonin tënd ose të bësh ndonjë gjë tjetër, hap Biblën tënde dhe lëre Perëndinë të flasë me ty. Lexo të paktën një kapitull çdo ditë, duke lexuar librat e Biblës me radhë. Pastaj mbyll sytë dhe flit me Perëndinë.
24 – Mbaj një ditar devocional ditor. Pas leximit të Biblës çdo ditë, zgjidh një varg, ose një mendim, që të ka prekur te pasazhi. Shkruaj mendimet e tua në ditar. Kërko një premtim për të kërkuar, një mëkat për të shmangur, një shembull për të ndjekur, ose një urdhërim për të zbatuar.
25 – Mbaj llogari të menjëhershme me Perëndinë. Nëse mëkaton seksualisht, rrëfeja menjëherë mëkatin tënd para Perëndisë. Kërkoji të të falë në bazë të sakrificës shlyese të Jezu Krishtit. Mos e mbaj keqardhjen dhe turpin tënd tek e nesërmja. “Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, Ai është besnik dhe i drejtë, që të na i falë mëkatet dhe të na pastrojë nga cdo padrejtësi.” (1 Gjonit 1:9 BiblaPRO).
26 – Kërko shenjtërinë. Cili është qëllimi i Perëndisë për jobesimtarët? Shpëtimi. Cila është vullneti i Perëndisë për besimtarët? Shenjtërimi.“Se ky është vullneti i Perëndisë: shenjtërimi juaj – që ju të rrini larg nga kurvëria.” (1 Selanikasve 4:3 BiblaPRO).
27 – Besoji Krishtit. Tundimi për të parë pornografi mund të jetë i fortë, por ti ke fuqi mbi të. Dëshira për të masturbuar me imazhe dhe video erotike mund të duket e parezistueshme, por nuk është kështu. Nëse ti je një besimtar në Krishtin, i lindur përsëri dhe i mbushur me Frymën e Shenjtë, atëherë Krishti është Sovrani yt. Mëkati nuk mbretëron më mbi ty. Shpëtimtari mbretëron (Romakëve 6:12). Por Krishti mbretëron vetëm kur ti i kthen shpinën mëkatit dhe i drejtohesh Atij. Ti duhet ta bësh këtë si një veprim të vullnetit tënd. Epshi është diçka ndaj së cilës je i lejuar të jesh i pabesë. Je i lejuar të mos bindesh ndaj tundimit seksual. Kështu që, vazhdo, mos i’u bind.
28 – Shikoje pastërtinë seksuale si një ecje, jo si një destinacion. Ti nuk do ta gjesh pastërtinë seksuale në ndonjë hartë. Kështu që mos prit të arrish në një vend në jetën tënde ku do përjetosh zero epshe seksuale, zero tundime seksuale ose zero fantazi seksuale. Qëllimi yt është të ecësh siç duhet sot (Romakëve 13:13). Mos syno të pushtosh përfundimisht dëshirat dhe tundimet seksuale dhe mëkatet seksuale. Mos mendo se duke ecur përmes 12 hapave të rikuperimit do të të çojë një ditë në destinacionin tënd me një aureolë që të pret. Pastërtia seksuale nuk është një destinacion që shpreson ta arrish nesër. Ajo është një ecje që bën me Zotin sot.
Përfundim
Nëse refuzon ta braktisësh, pornografia do të shkatërrojë jetën tënde, në këtë botë dhe në botën që do të vijë. Lutja ime është që këto mendime do të të edukojnë, inkurajojnë, sfidojnë dhe frymëzojnë për ta mundur pornografinë dhe epshin seksual sot. Ti mund ta bësh…