1 Korintasve 11:26
Sa herë që të hani këtë bukë dhe të pini kupën…
MATTHEW HENRY (1662-1714):
Në lidhje me këtë urdhërim, këtu bëhet e qartë që duhet të jetë e shpeshtë: “Sa herë që të hani këtë bukë dhe të pini kupën.” Kishat e lashta e kremtonin këtë urdhërim çdo Ditë të Zotit (të dielë), në mos çdo ditë kur mblidheshin për adhurim.
GEORGE MÜLLER (1805-1898):
Edhe pse nuk kemi një urdhërim të mirëfilltë lidhur me frekuencën e kremtimit të Darkës së Zotit, shembulli i apostujve dhe i dishepujve të parë na çon ta kremtojmë këtë urdhërim çdo Ditë të Zotit (të dielë), Veprat 20:7.
A. P. GIBBS:
A mund ta imagjinoni një djalë të ri që ka kërkuar dashurinë e një vajze të re dhe ka marrë miratimin e saj për propozimin e martesës, që t’i ankohet një miku, “A duhet të shkoj dhe ta shoh çdo javë? A nuk do të mjaftonte vetëm një herë në muaj?” A e duam vërtet Zotin Jezus? Nëse po, atëhere ne nuk do të mendojmë sa rrallë mund ta kujtojmë Atë, por se sa shpesh kemi privilegjin ta bëjmë këtë. Sigurisht, një herë në javë nuk është shumë shpesh për të kujtuar Atë që rrëfejmë se e duam më shumë se çdo tjetër dhe i cili, në hirin e Tij të mrekullueshëm, mbajti mëkatet tona dhe vuajti gjithë gjykimin e një Perëndie të shenjtë në vendin tonë, dhe u ngrit për të qenë Zoti ynë dhe shoku ynë më i mirë.
C. H. SPURGEON (1834-1892):
Dëshmia ime është, dhe mendoj se flas në emër të shumë vetave prej popullit të Zotit që tani janë të pranishëm, se duke ardhur çdo javë në tryezën e Zotit, ne nuk shohim aspak që thyerja e bukës të ketë humbur kuptimin e saj…Turp për kishën e krishterë që e ka shtyrë atë te vetëm një herë në muaj, dhe të privojë ditën e parë të javës nga lavdia e saj në mbledhjen së bashku për bashkësi dhe thyerjen e bukës dhe shfaqjen e vdekjes së Krishtit deri sa Ai të vijë. Jam i sigurt se ata që e dinë ëmbëlsinë e çdo Dite të Zotit (të dielat) duke kremtuar Darkën e Tij nuk do të jenë të kënaqur ta shtyjnë atë për periudha më të rralla.
WILLIAM S. PLUMER (1802-1880):
Është një pyetje serioze nëse bota e krishterë nuk është shumë e papërgjegjshme duke pasur kaq pak Darka Zoti.
JOHN CALVIN:
Do të ishte mirë që Darka e Shenjtë… të mbahej çdo të diel.
JONATHAN EDWARDS (1703-1758):
Duket qartë nga Shkrimi se të krishterët e hershëm ishin të prirur ta kremtonin këtë kujtim të vuajtjeve të Shpëtimtarit të tyre të dashur çdo Ditë të Zotit (të dielë). Unë besoj se kjo do të ndodhë përsëri në Kishën e Krishtit në ditët që po vijnë.
JOHN OWEN (1616-1683):
Pyetje 40. Sa shpesh duhet të administrohet ky urdhërim (Darka e Zotit)?
Përgjigje. Çdo ditë të parë të javës, ose të paktën sa herë që mund të arrihet mundësia e përshtatshme. (1 Korintasve 11:26; Veprat 20:7).
THOMAS DOOLITLE (1630-1707):
Pastor puritan në Londër nga viti 1653 deri në vdekjen e tij në 1707, në një vepër të titulluar “Një Traktat për Darkën e Zotit (A Treatise Concerning The Lord’s Supper)”, dhe një kapitull të titulluar “Duke treguar se besimtarët duhet të marrin shpesh Darkën e Zotit” (f. 30-33):
Detyra e dishepujve të Krishtit është të marrin shpesh Darkën e Zotit.
Pagëzimi administrohet vetëm një herë, por Darka e Zotit duhet marrë shpesh. Frekuenca e saj nuk është përcaktuar. Duhet të jetë shpesh, por sa shpesh nuk shprehet. Nëse do të kishit mundësinë çdo Ditë të Zotit (të dielë), shpirti juaj do të rritej dhe përparonte më shumë në hir dhe shenjtëri. Vaktet që janë për ushqimin e trupit duhet të jenë të shpeshtë. Ju hani shpesh dhe pini shpesh për ushqimin e trupave fizikë, dhe megjithatë, nuk i’u thuhet se sa shpesh duhet të hani, ose sa shpesh duhet të pini, por ndjesia e mungesës së ushqimit tuaj ju drejton për këtë. Po kështu, nëse keni vetëm një ndjesi të mungesës së këtij urdhrimi… kjo do t’ju drejtojë në një aplikim të shpeshtë të këtij urdhërimi. Konsidero:
- A nuk keni shpesh nevojë për tu larë në gjakun e Krishtit? A nuk e ndotni shpesh veten dhe nuk mblidhni pisllëk në shpirtin tuaj? Dhe, a nuk duhet ta zhysni veten shpesh te burimi i gjakut pastrues të Jezu Krishtit?
- A nuk i shkatërroni shpesh dëshmitë tuaja dhe nuk e shqetësoni paqen tuaj? A nuk keni nevojë për aplikimin e shpeshtë të këtij urdhërimi ku Perëndia mund të ripërtërijë dëshmitë tuaja dhe të flasë paqe në ndërgjegjen tuaj? A nuk mbusheni shpesh me faj dhe a nuk duhet të vini shpesh, për ta pasur faljen tuaj të vulosur dhe të konfirmuar në shpirtin tuaj përmes gjakut të Krishtit?
- A nuk keni shpesh nevojë për mjetet e ngrohjes dhe ngjalljes shpirtërore? A nuk jeni shpesh të topitur, shpesh të vdekur, dhe shpesh të vakët? Dhe a nuk kanë nevojë ata që janë të sëmurë shpesh për mjekimin e tyre për t’i pastruar dhe për t’i shëruar? Po, kur ngroheni në një urdhërim, a nuk ndodh që ndjenjat tuaja të ftohen përsëri, që të mos keni gjallërinë e ndjenjave ose atë gëzim ngjallës që keni pasur gjatë ushtrimit të detyrës? Dhe a është e nevojshme t’ju këshilloj juve që keni gjetur përfitime nga ky urdhërim, që të shkoni shpesh tek ai? Le të jetë përvoja e asaj që keni gjetur në të dhe nevoja që ndjeni për t’u afruar tek ai, që t’ju nxitë dëshirat tuaja për të marrë pjesë shpesh në të.
- A nuk keni shpesh nevojë për një ndihmë të tillë të madhe për të thyer dhe zbutur zemrën tuaj, për të ripërtërirë pendesën tuaj për mëkatin dhe për të forcuar dhe konfirmuar vendimet tuaja kundër tij? A nuk është zemra juaj e prirur për të rënë në dashuri me mëkatin dhe për të përtërirë lidhjen me të? A nuk keni shpesh nevojë të kujtoheni për zemërimin e Perëndisë kundër tij, urrejtjen që Ai ka ndaj tij, dhe pasojat dhe rezultatet e tmerrshme të tij? A nuk bëhet kjo më fuqishëm në Darkën e Zotit? Zemërimi i Perëndisë kundër mëkatit është zbuluar më shumë në vdekjen e Krishtit sesa në dëbimin e engjëjve nga qielli ose të Adamit nga kopshti i Edenit. Ai shihet më shumë në Darkën e Zotit sesa në shkatërrimin e botës së vjetër, shkrirjen e Sodomos, apo dënimin personave që nuk besojnë dhe nuk pendohen.
- A nuk keni shpesh nevojë për një ndihmë të tillë të madhe për të rritur dashurinë tuaj për Perëndinë dhe Krishtin? A nuk ankoheni shpesh se nuk e doni Perëndinë më shumë, dhe a nuk duhet ta përdorni shpesh këtë mjet të madh për të rritur dashurinë tuaj?
- A nuk keni shpesh nevojë për një ndihmë të tillë të madhe për të forcuar besimin dhe shpresën tuaj, në mënyrë që të jeni më të aftë për të bërë një aplikim të veçantë të Krishtit dhe të mirave të Tij për shpirtin tuaj, dhe për të patur një shpresë më të gjallë për mbretërinë e qiellit?
- A nuk keni shpesh nevojë për një ndihmë të tillë të madhe për t’ju kujtuar për Zotin Jezus? A nuk jeni shpesh të prirur ta harroni Atë dhe dashurinë e Tij për ju në vdekjen e Tij për ju? A është Ai po aq në mendimet tuaja sa meriton të jetë? A është e mjaftueshme të keni disa mendime rastësore për Krishtin, apo të banoni më solemnisht në meditimet tuaja mbi Të? Dhe a nuk ju drejton dhe ndihmon natyra dhe qëllimi i këtij urdhërimi ti fiksoni mendimet tuaja në mënyrë të përhershme mbi Të, kur e shihni se si Ai u kryqëzua dhe vdiq për ju?
- A nuk keni shpesh nevojë për një ndihmë të tillë të madhe për t’u bërë më falënderues për dashurinë e pashoq dhe të pakrahasueshme me të cilën Ai ju ka dashur, dhe për bekimet e pashoqe dhe të pakrahasueshme që Ai ka blerë për ju dhe ua ka dhënë? A nuk është turp dhe mëkat që nuk jeni angazhuar më shumë në lavdërimin e Perëndisë dhe në gëzimin në Të për këto privilegje që u fituan me gjakun e Birit të Tij të vetëm dhe Zotit tuaj më të dashur? Dhe a mund të uleni në tryezën e Darkës së Zotit dhe të mos i ngrini shpirtërat tuaj në lavdërimin më të madh për dashurinë dhe mëshirën e Tij ndaj jush?
- A nuk keni shpesh nevojë për një ndihmë të tillë të madhe për të pasur dhe ruajtur një bashkësi më të ngushtë me Perëndinë dhe me Jezu Krishtin? A nuk është këtu që Perëndia lëshon Veten e Tij në zemrat e popullit të Tij? A nuk është këtu që besimtarët ndjejnë vazhdimin përpara të zemrave të tyre në dashuri për Të, dëshirë për Të, dhe gëzim në Të? A ankoheni se keni kaq pak nga Perëndia, dhe a nuk duhet të shkoni më shpesh aty ku mund të merrni më shumë ndikime nga Ai?
- A nuk keni shpesh nevojë për një ndihmë të tillë të madhe për të lidhur zemrën tuaj më ngushtë me popullin e Perëndisë në një dashuri më të madhe për ta? A i doni ata siç duhet? Apo nuk ka aty një shkëputje të madhe të zemrës dhe dashurisë tuaj për ta? A nuk i nxit ky urdhërim, që të tregon dashurinë e Krishtit për të gjithë popullin e Tij, ata që marrin pjesë në të, të imitojnë Zotin Jezus në dashurinë e Tij ndaj tyre? A nuk të tregon Darka se si duhet të duam njëri-tjetrin siç na ka dashur Ai, kur ne shohim që jemi një trup, të shpëtuar nga një Zot dhe të ushqyer në një Tryezë; se jemi të larë në të njëjtin gjak, gëzojmë të njëjtat privilegje dhe jemi këtu të siguruar për të njëjtën trashëgimi dhe lavdi? A nuk na angazhon kjo të jemi me një zemër dhe të kemi dashuri për njëri-tjetrin, siç Krishti ishte ndaj nesh të gjithëve? Është për t’u vajtuar me lot gjaku që ky urdhërim, që duhej të na bashkonte në dashuri dhe të lidhte zemrat tona, për shkak të korruptimit tonë është bërë rasti, jo arsyeja, për ndarje të mëdha në Kishën e Perëndisë.
Kështu, nëse shqyrton seriozisht nevojat e tua dhe mendon për nevojën tënd të shpeshtë për këtë urdhërim, do të shohësh arsye të mjaftueshme për pjesëmarrjen tënd të shpeshtë në një urdhërim kaq shumë të nevojshëm.