Kisha e hershme ishte e urryer nga shoqëria dhe Perandoria Romake. Arsyet për këtë ishin të ndryshme por një shkak kryesor ishte refuzimi i të krishterëve për t’u bërë sakrifica perëndive romake.
Kjo është historia e martirizimit të Polikarpit, peshkopit të kishës në Smirnë, një qytet në Azinë e Vogël (Izmiri modern sot në Turqi) rreth vitit 160 pas Krishtit. Ajo është shkruar në formën e një letre nga dëshmitarët okularë të kishës në Smirnë për kishat e tjera në krahinë.
Polikarpi ishte një burrë plak, të paktën 86 vjeç. Ai kishte qënë dishepulli i apostullit Gjon dhe ndoshta ishte personi i fundit ende i gjallë që kishte njohur një apostull. Kjo ishte edhe arsyeja se pse ai vlerësohej shumë si mësues dhe udhëheqës kishtar. Emri i tij në greqisht do të thoshte “shumë fryt” dhe jeta e tij ishte e tillë si në shërbesën e tij ndaj kishës ashtu edhe në mënyrën e lavdishme të vdekjes së tij.
Hyrja e Letrës së Smirnës
Vëllezër, po ju shkruajmë një rrëfim të martirëve, veçanërisht të të bekuarit Polikarp, vdekja e të cilit i dha fund persekutimit. Pothuajse të gjitha ngjarjet që çuan deri te ajo zbulojnë një tjetër martirizim sipas modelit hyjnor që shohim në Ungjill. Sepse ai priti tradhëtinë e tij, ashtu sic bëri Zoti, në mënyrë që ne ta ndjekim atë, duke u kujdesur për nevojat e të tjerëve, si dhe për ato të vetes sonë. Dashuria e vërtetë dëshiron jo vetëm shpëtimin e vet, por edhe shpëtimin e të gjithë vëllezërve tanë.
Martirët e Mëparshëm
Të gjitha martirizimet që Zoti lejoi të ndodhnin (kujtoni se të devotshmit do t’ia atribuojnë gjithçka sovranitetit të Tij) ishin të bekuara dhe fisnike. Kush nuk mund të admirojë nderin e tyre, durimin e tyre dhe dashurinë e tyre për Zotin? Ata u rrahën aq shumë saqë damarët dhe arteriet e tyre dolën në pah, por prapësëprapë ata qëndruan me durim, ndërkohë që njerëzit që qëndronin pranë, qanin për ta. Ata kishin kaq guxim saqë asnjëri prej tyre nuk lëshoi një psherëtimë ose një ankth, duke provuar se, kur vuajtën nga ato tortura, ata ishin jashtë trupave të tyre – ose më saktë, se Zoti qëndronte pranë tyre dhe fliste me ta. Me hirin e Krishtit, ata përçmuan të gjitha mizoritë e kësaj bote, duke u çliruar nga ndëshkimi i përjetshëm përmes vuajtjes së një ore të vetme. Zjarri i ekzekutuesve të tyre të egër u dukej i ftohtë, sepse ata i mbanin sytë tek shpëtimi nga zjarri i përjetshëm i pashuar dhe tek të mirat e premtuara për ata që qëndrojnë – gjëra “të cilat veshi nuk i ka dëgjuar, syri nuk i ka parë, dhe zemra e njeriut nuk i ka menduar,” por që i’u zbuluan atyre nga Zoti. Ata nuk ishin më njerëz, por tashmë ishin bërë engjëj. Në të njëjtën mënyrë, ata që u dënuan të përballeshin me kafshët e egra duruan tortura të tmerrshme. Disa u shtrinë mbi shtretër me gozhda. Të tjerët i’u nënshtruan të gjitha llojeve të torturave, të gjitha në përpjekjen e Djallit për t’i bërë të mohonin Krishtin.
Vdekja e Germanikut
Në gjithçka që tentoi Djalli, ai dështoi. Falenderimi i qoftë Zotit. Heroi Germaniku inkurajoi të dobëtit me qëndrueshmërinë e tij dhe luftoi me guxim kundër kafshëve të egra. Kur Prokonsulli u përpoq ta bindte që të bashkëpunonte për hir të rinisë së tij, ai tërhoqi kafshën e egër drejt vetes dhe e provokoi atë, për t’u larguar më shpejt nga kjo botë e ligë. Duke parë të gjitha këto, turma e spektatorëve të habitur thirrën: “Poshtë ateistët! [dmth. ata që nuk besojnë në perënditë romake] Kapni Polikarpin!”
Pse nuk inkurajojmë martirizimin vullnetar
Kur Kuintusi i Frigjisë i’u dorëzua martirizimit me disa të tjerë, Prokonsulli i bindi ata të bënin betimin dhe sakrifica. Kjo është arsyeja pse ne nuk e miratojmë martirizimin vullnetar, diçka që Ungjilli nuk na mëson ta bëjmë.
Vegimi i Polikarpit
Kur dëgjoi për këtë, i patremburi Polikarp nuk u shqetësua aspak dhe ishte i lumtur të qëndronte në qytet, por në fund, pasi u këshillua dhe u bind, ai u largua. Ai shkoi te miqtë në zonën fshatare aty pranë, ku si zakonisht, kalonte gjithë kohën, ditë e natë, në lutje për të gjithë njerëzit dhe për kishat në mbarë botën. Ndërsa po lutej, tri ditë para se të arrestohej, pati një vegim sikur ishte shtrirë dhe jastëku nën kokën e tij ishte i mbuluar me flakë. Ai u tha atyre që ishin me të se do të vdiste jo nga kafshët e egra, por nga zjarri.
Tradhëtia
Ata që po e kërkonin Polikarpin po afroheshin. Kështu Polikarpi u largua në një shtëpi tjetër. Ata e ndoqën menjëherë dhe, kur nuk e gjetën aty kapën dy të rinj nga shtëpia e tij dhe i detyruan të tregonin. Sherifi, i quajtur Herod, ishte i paduruar për ta sjellë Polikarpin në stadium, në mënyrë që ai të përmbushte rolin e tij të veçantë, të vuante si Krishti, ndërkohë që ata që e tradhëtuan do të ndëshkoheshin si Juda.
Arrestimi
Ushtarët dhe kalorësit erdhën me të riun të premten në mbrëmje, në kohën e darkës, me armët e tyre të zakonshme, sikur po dilnin kundër një hajduti. Ai priti me durim për ushtarët romakë që të vinin e ta merrnin. Ai mund të kishte shpëtuar, por në vend të kësaj ai tha: “U bëftë vullneti i Zotit.” Kur dëgjoi se ata kishin ardhur, ai zbriti dhe foli me ta. Ata u mahnitën nga mosha dhe qëndrueshmëria e tij, dhe disa prej tyre thanë: “Pse u munduam aq shumë për të kapur një njeri të tillë?” Menjëherë Polikarpi kërkoi që t’u sillnin ushqim dhe pije ushtarëve dhe u kërkoi një orë kohë për t’u lutur pa ndërprerje. Ata ranë dakord, dhe ai qëndroi në këmbë dhe u lut, kaq i mbushur me hirin e Zotit, saqë nuk mund të ndalonte për dy orë. Në lutjet e tij ai përmëndi të gjithë besimtarët që njihte dhe donte dhe të gjitha kishat të cilave u kishte shërbyer. Ushtarët u habitën dhe shumë prej tyre u penduan që kishin ardhur për të arrestuar një plak kaq të perëndishëm dhe të nderuar.
Hyrja në Qytet
Kur përfundoi lutjen… ata e vendosën në një gomar dhe e çuan në qytet…
Polikarpi Refuzon të Mohojë Jezusin
Ndërsa Polikarpi po çohej në arenë, pa turmën e etur për gjak dhe pasi pa drejt qiellit dëgjoi zërin e Perëndisë që gjëmoi: “Ji i fortë, Polikarp, dhe qëndro si burrë!” Askush nuk pa se kush foli, por vëllezërit tanë që ishin atje e dëgjuan zërin. Kur turma dëgjoi se Polikarpi ishte kapur, shpërtheu një zhurmë e madhe. Guvernatori romak e pyeti nëse ai ishte Polikarpi. Kur dëgjoi që ishte ai, u përpoq ta bindte që të mohonte besimin, duke i thënë: “Ki respekt për moshën tënde, betohu për Cezarin. Pendohu dhe thuaj: ‘Poshtë Ateistët!’” Polikarpi pa në mënyrë të zymtë turmën e ligë të paganëve në stadium dhe duke bërë shenjë, tha qetësisht: “Poshtë Ateistët!” duke sfiduar kështu fronet dhe principatat që janë kundër Perëndisë së vetëm të vërtetë, Birit të Tij të vetëmlindur, dhe Frymës së Tij të Shenjtë. Turma u inatos më shumë dhe guvernatori romak ngulmoi përsëri “Betohu, fyeje Krishtin dhe do të të liroj.” Por Polikarpi deklaroi, “86 vjet i kam shërbyer Atij, dhe Ai nuk më ka bërë asnjë të keqe. Si mund të blasfemoj Mbretin dhe Shpëtimtarin tim?”
Përpjekje të Tjera për ta Detyruar të Nënshtrohet
Guvernatori u përpoq ta bindte për herë të fundit. “Kam kafshë të egra këtu. Do të të hedh te to nëse nuk pendohesh” – tha ai, “Silli,” – u përgjigj Polikarpi. “Është e pamendueshme për mua të pendohem për atë që është e mirë dhe të kthehem te ajo që është e ligë. Por është e drejtë që të braktis rrugën e ligësisë për rrugën e drejtësisë.” “Nëse nuk ke frikë kafshët, do të të djeg.” Polikarpi i tha, “Ti më kërcënon me zjarr që digjet për një orë por që nuk mund të më bëjë asnjë të keqe të përjetshme. Pas një kohe zjarri yt do të shuhet, por unë dua që ti të dish që ka një zjarr tjetër, zjarri i gjykimit që do të vijë dhe të dënimit të përjetshëm. Ky është zjarri që i pret shpirtrat e të pabesëve. Por pse po pret? Nëse do që të më bëhet dicka, le të bëhet tani. Jam gati.”
Përgatitja e Zjarrit
Gjithçka u bë aq shpejt sa mund të thuhet me fjalë. Turma mblodhi dru dhe tufa degësh nga dyqanet dhe banjat publike. Si zakonisht, judenjtë ishin të etur për të ndihmuar. Kur grumbulli ishte gati, Polikarpi hoqi rrobat e tij të sipërme, zgjidhi rripin e tij dhe u përpoq të hiqte sandalet – diçka që nuk e bënte shpesh pasi, besimtarët gjithmonë nxitonin ta bënin për të, secili duke dashur të ishte ai që do të prekte lëkurën e tij – kaq e mirë ishte jeta e tij. Kështu Polikarpi u cua drejt vdekjes, por fytyra e tij ishte plot gëzim, kurajo dhe hir. Kur donin që ta gozhdonin, ai i pyeti se pse duhej ta gozhdonin një njeri të lidhur, ata i thanë, “Për të parandaluar dridhjen gjatë djegjes së mishit”. Polikarpi u tha, “Nuk ka nevojë që të më gozhdoni. Më lini kështu si jam, sepse Ai që më jep forcë të duroj zjarrin, do të më bëjë edhe që të mos dridhem.”
Lutja e Polikarpit
Kështu, ata thjesht i lidhën atij duart pas shpine si një dash i zgjedhur nga një tufë e madhe për sakrificë. Gati për të qenë një ofertë e pranueshme e djegur për Zotin, ai ngriti sytë nga qielli dhe tha: “O Zot, Perëndi i Plotfuqishëm, Ati i Birit tënd të dashur dhe të bekuar, Jezu Krishtit, përmes të cilit kemi marrë njohjen për ty, Perëndia i engjëjve, fuqive dhe çdo krijese, dhe i gjithë të drejtëve që jetojnë para teje, unë të falënderoj që më konsideron të denjë të numërohem mes martirëve të tu, duke marrë nga kupa e Krishtit dhe ringjalljen në jetën e përjetshme, si të shpirtit ashtu edhe të trupit, përmes pavdekësisë së Frymës së Shenjtë. Qofsha i pranuar sot si një sakrificë e pranueshme, ashtu siç ti, Perëndia i vërtetë, e ke paracaktuar, ma ke zbuluar, dhe tani e ke përmbushur. Të lavdëroj për të gjitha këto gjëra, të bekoj dhe të përlëvdoj, bashkë me Jezu Krishtin e përjetshëm, Birin tënd të dashur. Ty, me të, përmes Frymës së Shenjtë, të qoftë lavdia tani dhe përgjithmonë. Amen.”
Një Mrekulli
Pastaj zjarri u ndez dhe flaka shpërtheu me tërbim. Ne që ishim të privilegjuar ta shihnim, pamë një mrekulli të madhe, dhe kjo është arsyeja pse jemi ruajtur për të treguar historinë. Zjarri mori formën e një harku, si vela e një anijeje kur mbushet me erë, dhe formoi një rreth rreth trupit të martirit. Brenda tij, ai nuk dukej si mish që digjet, por si bukë që piqet ose si ari dhe argjendi që shkëlqejnë në një furrë. Dhe ne ndjemë një aromë të ëmbël, si temjan ose disa erëza të çmuara.
Vdekja e Polikarpit
Më në fund, kur ata njerëz të lig panë se trupi i tij nuk mund të konsumohej nga zjarri, urdhëruan një ekzekutues që ta shponte me një kamë. Kur ai e bëri këtë, [një pëllumb fluturoi jashtë dhe] [*kjo mund të jetë një shtesë e mëvonshme ose një gabim transkriptimi] një sasi e madhe gjaku rrodhi saqë zjarri u shua. Turma u mahnit nga ndryshimi midis të pabesëve dhe të zgjedhurve – ndër të cilët Polikarpi i madh ishte padyshim midis tyre, duke qenë në kohët tona një mësues profetik dhe apostolik, dhe peshkop i kishës së Smirnës. Sepse cdo fjalë që ai tha ose është përmbushur ose do të përmbushet.
Trupi
Kur Armiku pa mrekullinë e martirizimit të tij, jetën e tij të paqortueshme dhe tani kurorëzimin e tij me pavdekësi, bëri gjithçka që mundi për të na penguar të mbajmë ndonjë kujtim për të ose të marrim zotërimin e trupit të tij të shenjtë. Ai frymëzoi Niketin, babanë e Herodit, së bashku me Judenjtë, që t’i kërkonin guvernatorit që të mos e dorëzonte trupin e tij për varrim. “Ata mund të ndalojnë së adhuruari të kryqëzuarin,” – tha ai, “vetëm për të filluar të adhurojnë këtë.” Ata nuk kuptonin se është e pamundur për ne që të braktisim Krishtin, i cili vuajti për shpëtimin e botës, ose të adhurojmë ndonjë tjetër….
Festimet
Centurioni, duke parë trazirën e shkaktuar nga Judenjtë, mori trupin dhe e dogji publikisht. Më vonë, ne mblodhëm eshtrat e tij, më të çmuara se gurët e çmuar dhe më të pastra se ari, dhe i vendosëm në një vend të përshtatshëm, ku, me dashjen e Zotit, do të festojmë ditëlindjen e martirizimit të tij çdo vit me gëzim dhe hare, si për të kujtuar ata që e kanë përfunduar garën e tyre, ashtu edhe për të përgatitur ata që ende duhet të ecin në hapat e tyre.
Shpërblimi i Polikarpit
Kjo është historia e të bekuarit Polikarp, martirit të dymbëdhjetë në Smirnë që ka një vend unik në kujtesën e të gjithë njerëzve, duke u kujtuar edhe nga të gjithë paganët. Ai nuk ishte thjesht një mësues i shquar, por edhe një martir i shkëlqyer, vdekjen e të cilit të gjithë dëshirojnë ta imitojnë, duke qenë plotësisht në përputhje me Ungjillin e Krishtit. Pasi e mposhti guvernatorin e padrejtë me durim dhe fitoi kurorën e pavdekësisë, tani, bashkë me apostujt dhe të gjithë të drejtët, ai përlëvdon Perëndinë At me gëzim dhe bekon Zotin tonë Jezu Krisht, Shpëtimtarin e shpirtrave tanë, Sunduesin e trupave tanë dhe Bariun e Kishës në mbarë botën.