Zëri i Perëndisë në Gjykimet
Nga Arthur W. Pink (1886-1952)
Teolog, pastor dhe autor anglez i njohur për teologjinë e tij të patundur kalviniste dhe përkushtimin e thellë ndaj autoritetit të Shkrimeve.
“Prandaj tani folu njerëzve të Judës dhe banorëve të Jeruzalemit dhe u thuaj: ‘Kështu thotë ZOTI: Ja, unë kam përgatitur kundër jush të keqen dhe një plan kundër jush. Tani, le të heqë dorë secili nga rruga e tij e keqe, përmirësoni gjithashtu rrugët dhe veprimet tuaja.’” (Jer. 18:11).
Siç fjala “prandaj” e tregon, këtu po bëhet një aplikim praktik i asaj që është thënë më parë në kontekst. Profeti ishte thirrur që të dëshmonte një mësim nga një pamje në shtëpinë e poçarit. Më pas, Zoti i shpall atij marrëdhëniet që Ai ka me kombet. Domethënë: Si Sovran, Sundimtar dhe Gjyqtar mbi to. Si dhe parimet që rregullojnë sjelljet e Tij ndaj tyre: autoritet dhe fuqi, drejtësi dhe mëshirë. Një shembull i veçantë dhe ilustrues i kësaj paraqitet këtu… Izraeli e kishte provokuar Perëndinë për një kohë të gjatë përpara syve të Tij, dhe megjithëse Ai kishte qenë i ngadalshëm në zemërim, tani kishte ardhur koha që Ai t’i qortonte dhe t’i gjykonte për ligësinë e tyre. Retë e errëta të zemërimit të Tij qëndronin pezull mbi ta. Por edhe në këtë orë të vonë, nëse ata me të vërtetë do të hiqnin dorë nga rrugët e tyre të këqija dhe do të ecnin në shtigjet e virtytit, mëshira do të “triumfonte mbi gjykimin.”
Perëndia na flet jo vetëm përmes fjalës së Tij (si personale ashtu edhe të shkruar), por edhe përmes veprave dhe udhëve të Tij. “Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij. Një ditë i flet ditës tjetër dhe një natë ia tregon tjetrës. Nuk kanë gojë, as fjalë; zëri i tyre nuk dëgjohet; por harmonia e tyre përhapet mbi gjithë dheun dhe mesazhi i tyre arrin deri në skajin e botës; në qiejtë Perëndia ka vënë një çadër për diellin.” (Psa. 19:1-4). Krijimi dëshmon për madhështinë e Krijuesit. Edhe provanitë hyjnore janë të zëshme: “Të fola në kohën e begatisë sate” (Jer. 22:21) — Ato po thonë: “Të mirat e Mia shpallnin mirësinë Time dhe duhet të kishin zbutur zemrat tuaja”. Edhe gjykimet e Perëndisë mbajnë një mesazh të caktuar. Për këtë arsye porositet të “kini kujdes për thuprën dhe për atë që e ka caktuar.” (Mikea 6:9) — Vëreni si fillon vargu me “Zëri i ZOTIT i thërret qytetit.” “Thupra” e Tij na urdhëron të konsiderojmë Dorën që e mban dhe na thërret të heqim dorë nga mëkatet tona. Kur Perëndia flet në gjykim, është paralajmërimi i fundit se Ai nuk është për t’u tallur. Kur i Gjithëfuqishmi ngjallet në zemërim, kush mund të qëndrojë përpara Tij? Kombet nuk janë më të afta ta kundërshtojnë me sukses Atë sesa balta të pengojë gishtat e poçarit që e formëson atë. Po, ato llogariten si “pluhuri i një peshoreje” (Isa. 40:15), që nënkupton parëndësi të plotë. Le të thërrasim: “Kush nuk do të kishte frikë prej teje, o mbret i kombeve? !” (Jer. 10:7). Asnjë popull nuk ka ndonjë garanci shpirtërore për të vënë shpresën e tij në madhështinë njerëzore, në numrin e ushtrive të tyre, në shkëlqimin e pajisjeve të tyre, apo në fuqinë e mbrojtjes së tyre. Perëndisë i mjafton të fryjë mbi to dhe ato përmbysen menjëherë dhe shkatërrohen plotësisht. Vëreni se si theksohet kjo te Jeremia 18: “Nga një herë për një komb dhe për një mbretëri, unë flas dhe them se duhet çrrënjosur, rrëzuar dhe shkatërruar.” (v. 7). Kjo bëhet në një moment — papritur, shpejt dhe fuqishëm.
“Ja, unë kam përgatitur kundër jush të keqen.” Është e keqja e ndëshkimit që do të vijë mbi të keqen e mëkatit. Ajo nuk është një shpërthim i çastit i zemërimit të pakontrolluar, por një ndëshkim i paanshëm dhe i menduar me kujdes, dhe kur i Gjithëfuqishmi “formon” ose përgatit këtë të keqe kundër një mbretërie, asnjë fuqi nuk mund ta shpëtojë atë. Edhe sikur vetë Luciferi të thotë: “Do të ngjitem mbi pjesët më të larta të reve, do të jem i ngjashëm me Shumë të Lartin” (Isa. 14:14), mburrja e tij krenare shihet si e zbrazët, sepse Zoti thotë: “Po përkundrazi do të hidhesh në Sheol, në thellësitë e gropës.” (v. 15). “Damasku është bërë i flashkët, kthehet për të ikur, e ka kapur një drithmë; ankthi dhe dhimbjet e sulmojnë si një grua që është duke lindur.” (Jer. 49:24) — papritmas, ashpër, pa rezistencë, prej së cilës nuk ka shpëtim. Sa shumë duhet ta bëjë kjo të pabesin të dridhet dhe të largohet nga rrugët e tij të këqija! Perëndia e kthen “tokën pjellore në vend të thatë për shkak të sjelljes së keqe të banorëve të saj.” (Psa. 107:34).
“Ja, unë kam përgatitur kundër jush të keqen.” Fatkeqësitë dhe gjykimet nuk vijnë rastësisht, as nuk burojnë nga veprues të dorës së dytë ose nga shkaqe dytësore. Edhe pse Perëndia mund të përdorë instrumente njerëzore, Zoti është Autori dhe Vepruesi kryesor i tyre. Përpara se Asirianët të binin mbi Izraelin e rënë nga besimi, Jehova shpalli: “Unë do ta dërgoj kundër një kombi të pabesë dhe kundër popullit të zemërimit tim. Do ta urdhëroj që ta plaçkitë, ta zhveshë dhe ta shkelë si baltën e rrugëve.” (Isaia 10:6). Zoti e lëvizi atë, edhe pse ai nuk ishte aspak i vetëdijshëm për ndonjë shtytje ose urdhër hyjnor. Dhe kur Perëndia kishte mbaruar përdorimin e Babilonasve dhe ngriti Medët e Persët për t’i përulur ata në pluhur, Ai shpalli për Kirin: “Ti je për mua një çekiç, një mjet lufte; me ty do të shtyp kombet, me ty do të shkatërroj mbretëritë.” (Jer. 51:20). Kiri ishte po aq shërbëtor i Perëndisë sa edhe Moisiu apo ndonjë nga Profetët: shih Isaian 45:1; Ezdra 1:1. Mallkimet po aq sa bekimet, fatkeqësitë po aq sa të mirat, gjykimet po aq sa hiret vijnë nga i Gjithëfuqishmi. Ta mohosh këtë fakt është një formë e ateizmit.
“Ja, unë kam përgatitur kundër jush të keqen.” Sa shumë nevojë ka që të theksohet kjo fjalë në këtë brez të lig dhe kurorëshkelës, që është i zënë me çdokënd dhe gjithçka tjetër përveç Perëndisë së gjallë. Në një tokë ku Biblat janë të bollshme, ne nuk kemi asnjë justifikim kur nuk shikojmë më lart se vepruesit që po na kërcënojnë. Po, është një mëkat i rëndë për ne që t’ia hedhim fajin për sprovat dhe vuajtjet tona të tanishme instrumenteve njerëzore në vend të mëkateve tona kombëtare, dhe refuzojmë të shohim Perëndinë që i përdor ato instrumente kundër nesh. Hitleri nuk është gjë tjetër veçse një kamzhik në dorën e të Gjithëfuqishmit. As nuk ndihmojnë aspak për t’i drejtuar sytë nga Hartuesi suprem i së Keqes duke ia ngulitur vëmendjen vazhdimisht makinacioneve të papës dhe dëshirës së tij për të parë shkatërrimin e Perandorisë Britanike. Pa dyshim që ishte papati mbrapa futjes së Italisë në konflikt dhe të pabesisë së Francës. Ai është përgjegjës për refuzimin e Irlandës për të na dhënë bazat detare, për kundërshtimin e vazhdueshëm të Viki-së, për pabesinë e kanadezëve francezë dhe për shumë faktorë dhe forca të tjera armiqësore. Por kush po e lejon “Nënën e Kurvërive” (Kisha Katolike) të përdorë ndikimin e saj të fuqishëm në këtë mënyrë? Askush tjetër përveç Zotit të Ushtrive. Ai me drejtësi po e përdor Romën si një shkop ndëshkimi mbi një Protestantizëm apostat (të rënë nga besimi).
Ne nuk mund të presim që kombet e pafe të shikojnë përtej Hitlerit dhe shokëve të tij, por është privilegji i të krishterëve të “shikojnë drejt ZOTIT” (Mikea 7:7). Është në vetë natyrën e besimit të merret me Autorin e tij. Është detyra e besimit të “vërë ZOTIN gjithmonë përpara syve” (Psa. 16:8). Kur Amonitët dhe Moabitët dolën kundër Judës, Jozafati u kthye drejt Perëndisë dhe tha: “Ne jemi pa forcë përpara kësaj shumice të madhe që vjen kundër nesh; nuk dimë çfarë të bëjmë, por sytë tona janë drejtuar te ti.” (2 Kron. 20:12). Ky është mesazhi i parë për popullin e Tij që zëri i Zotit jep në gjykimet e Tij: Shikoni përtej kamzhikëve njerëzorë dhe shihni Dorën Time në hakmarrje të drejtë. Dhe është detyra e shërbëtorëve të Perëndisë në një kohë të tillë t’i nxisin shenjtorët: “Mëso, pra, sonte dhe mbaje në zemrën tënde që Zoti është Perëndi atje lart në qiejt dhe këtu poshtë në tokë, dhe se nuk ka asnjë tjetër.” (Ligji i Rip. 4:39). Oh, qoftë kjo përjetimi si i shkruesit ashtu edhe i lexuesit — “Drejt teje i ngre sytë e mi, drejt teje që je ulur në qiejtë.” (Psa. 123:1) dhe atëherë do ta provojmë vetë: “Ata e shikuan atë dhe u ndriçuan.” (Psa. 34:5).
“Kështu thotë Zoti: Ja, unë kam përgatitur kundër jush të keqen dhe një plan kundër jush.” (Jer. 18:11). Kjo është gjuha e Perëndisë drejtuar një mbretërie, rrëzimi i së cilës po kërcënohet nga gjykimet e Tij dhe ndaj së cilës rregullimet e provanisë së Tij shpallin shkatërrim të afërt. Retë e errëta të fatkeqësisë qëndrojnë pezull si dëshmi e mospëlqimit të Perëndisë ndaj mëkateve të një kombi. Nën një parashenjë kaq të rëndë të stuhisë së afërt të zemërimit hyjnor, shpirtrat krenarë duhet të zbuten dhe masat të kuptojnë se sa e kotë është të luftosh kundër të Gjithëfuqishmit dhe sa të tmerrshme janë pasojat e përbuzjes së autoritetit të Tij dhe të shkeljes së ligjeve të Tij. Pasojat e të keqes quhen nga Fryma “hidhësirë”, por nuk ndodh deri sa Perëndia ta çojë një komb në mjerim të jashtëm që ata ta ndiejnë të vërtetën e kësaj. “Vetë sjellja jote e keqe dhe shmangiet e tua do të të dënojnë. Prano, pra, dhe shiko sa e keqe dhe e hidhur për ty është të braktisësh Zotin, Perëndinë tënd, dhe të mos kesh fare frikë nga unë”, thotë Zoti, Zoti i ushtrive.” (Jer. 2:19).
“Ja, unë kam përgatitur kundër jush të keqen.” Folësi është Më i Larti, dhe “askush nuk mund t’i ndalë dorën, as t’i thotë: ‘Çfarë po bën?’.” Ai përgatiti të keqen kundër paraardhësve të përmbytjes. “Toka ishte e korruptuar para Perëndisë dhe plot e përplot me dhunë…. çdo mish i tokës kishte shthurur sjelljen e tij.” (Zan. 6:11–12). Paralajmërimet për dënimin e afërt u dhanë nga Enoku (Juda 14–15) dhe Noeu, por askush nuk i dëgjoi. Atëherë shpërtheu stuhia: “tërë burimet e humnerës së madhe shpërthyen dhe kataraktet e qiellit u hapën.” (Zan. 7:11). Dhe çfarë mund të bënin njerëzit për të ndihmuar veten? Asgjë fare. Perëndia “përgatiti të keqe” mbi Sodomën dhe Gomorrën, dhe ç’mund të bënin banorët e tyre kur Ai derdhi “zjarr dhe squfur” mbi ta? (Zan. 19:24). Ata ishin të pafuqishëm për ta kundërshtuar. Perëndia “përgatiti të keqe” kundër Egjiptit. Monarku krenar i saj shpalli: “Kush është Zoti që unë duhet t’i bindem zërit të tij?” (Eks. 5:2), por ai zbuloi se Ai nuk mund të përbuzet pa pasoja, kur “Zoti ua hoqi rrotat qerreve të tyre” dhe e mbyti atë bashkë me ushtritë e tij në Detin e Kuq.
Kur i Gjithëfuqishmi dërgon një tërmet shkatërrues, ç’mund të bëjë njeriu i brishtë? Kur Ai ndalon shiun dhe uria përfshin një tokë, kush mund t’i bëjë ballë? Kur Ai sjell murtajë që pret miliona në lulëzim të jetës, siç bëri gripi i vitit 1918, kush mund t’i thotë Atij “jo”? Kur Ai lëshon qentë e tmerrshëm të luftës, kush mund t’i kthejë mbrapsht? A ka, pra, shpresë? Po, nëse masat përulen me të vërtetë nën Dorën që ka filluar t’i godasë. Gjykimet e Perëndisë janë të qarta: ato i thërrasin të gjithë të hedhin armët e rebelimit të tyre të egër kundër Qiellit. Perëndia ua heq paqen dhe ngushëllimet në mënyrë që ata të heqin dorë nga idhujt e tyre. Fatkeqësitë u dërgohen të ligjve që ata të largohen nga ligësia e tyre. Perëndia është i aftë të shkatërrojë mbretërinë më të fuqishme në shkeljen e syrit, por zakonisht, Ai i shtrin gjykimet e Tij në kohë, siç bëri me dhjetë plagët mbi Egjiptin, duke dhënë kohë për pendim dhe duke lënë një interval midis shpalljes së faktit që Ai “po përgatit të keqe” dhe ekzekutimit të plotë të saj.
Kështu është edhe këtu te Jeremia 18:11. Pas shpalljes që Ai kishte përgatitur një të keqe dhe plan kundër një kombi, Perëndia shton: “Tani, le të heqë dorë secili nga rruga e tij e keqe, përmirësoni gjithashtu rrugët dhe veprimet tuaja.” Kthimi duhet të jetë rezultati i menjëhershëm i gjykimeve të Perëndisë, qofshin ato të shpallura apo tashmë në zhvillim. Nëse njerëzit do të braktisnin mëkatet e tyre, Perëndia do të linte mënjanë shkopin e Tij. Por vër re urgjencën e Thirrjes: “Le të heqë dorë secili nga rruga e tij e keqe.” Nuk ka kohë për vonesë. Perëndia nuk do të tallet. Njerëzit janë të prirur të neglizhojnë. Ata e shtyjnë ditën e pendesës dhe e vonojnë reformimin. Ata shpresojnë dhe vendosin, por vazhdojnë të shtyjnë, dhe sa më gjatë që ta bëjnë këtë, aq më të ngurta bëhen zemrat e tyre dhe aq më plotësisht i zotëron Djalli. Agripa “gati u bind,” por deri aty shkoi. Epshet e tij e mbajtën të lidhur. “Sot, po të jetë se dëgjoni zërin e tij, mos e fortësoni zemrën tuaj.” (Psa. 95:7). Nëse ka pasur ndonjë kohë kur kjo thirrje duhet dëgjuar, ajo është tani.
“Por ata thonë: “Éshtë e kotë.” (Jer. 18:12). Ka tre interpretime të mundshme të këtyre fjalëve. Së pari, ato mund të shihen si gjuha e dëshpërimit: “është e kotë për ne te Perëndia, kemi mëkatuar përtej mëshirës”. Por kjo do të nënkuptonte ndjenjë të thellë faji dhe pjesa tjetër e vargut e përjashton qartësisht këtë ide. Së dyti, “është e kotë” mund të jetë gjuha e pranimit të pafuqisë: “është e kotë, jemi shumë të dehur nga mëkati për t’u përmirësuar, shumë të lidhur me të për t’u ndarë”. Por edhe kjo kundërshtohet haptas nga pjesa tjetër e vargut. Së treti, “është e kotë” është gjuha e sfidës së hapur. “Është e kotë për ju, është e kotë të na predikoni, mendjen e kemi bërë gati, jemi të vendosur të ndjekim rrugën tonë dhe asgjë që thoni nuk do të na ndryshojë”. “Ne duam të ecim duke ndjekur mendimet tona dhe dëshirojmë të veprojmë sipas kryeneçësisë së zemrës sonë të keqe” shpallën ata. Ishte gjuha e rebelimit të hapur, qoftë me fjalë apo me vepra.
Që ky është kuptimi i qartë i “është e kotë” shihet jo vetëm nga fjalët që vijojnë menjëherë, por edhe nga pasazhe të tjera te Jeremia. “Por ata nuk dëgjuan as ma vunë veshin, por ecën sipas këshillave dhe kryeneçësisë së zemrës së tyre të keqe, dhe shkuan prapa dhe jo përpara.” (7:24); “Ti më the: “Nuk do të dëgjoj”. Kjo ka qenë sjellja jote qysh në rininë tënde: nuk e dëgjove kurrë zërin tim.” (22:21; shih edhe 44:16–17). Ata nuk pranuan të ndikoheshin nga retë e zeza të gjykimit mbi kokat e tyre. Ata refuzuan të hiqnin dorë nga rrugët e tyre të këqija. Ata ishin të vendosur të vazhdonin në mosbindje. Ata e sfiduan haptazi të Gjithëfuqishmin. Ata ishin të pandjeshëm ndaj çdo qortimi e këshillimi. Zemrat e tyre ishin plotësisht të vendosura të pinin deri në fund kupën e paudhësisë. “Megjithatë populli nuk kthehet tek ai që e godet dhe nuk kërkon Zotin e ushtrive.” (Isa. 9:13). “Ti i godite, por ata nuk ndjenë asnjë dhembje; i ke konsumuar, por kanë refuzuar të pranojnë korrigjimin. Ata e ngurtësuan fytyrën e tyre më tepër se shkëmbi dhe nuk pranuan të kthehen.” (Jer. 5:3).
“Ne duam të ecim duke ndjekur mendimet tona.” (Jer. 18:12) Ne jemi krejtësisht të vendosur të vazhdojmë në mëkat dhe asnjë predikim nuk do të na ndryshojë. Ne jemi të vendosur për të vepruar kështu, çfarëdo kostoje që të ketë. Më parë, Perëndia dërgoi mungesë ushqimi mbi Izraelin, por nuk pati reformim: “megjithatë nuk jeni kthyer tek Unë, thotë Zoti.” Ai i goditi me thatësirë dhe myk, shkatërroi kopshtet dhe vreshtat e tyre, por ata nuk u prekën: “megjithatë nuk jeni kthyer tek Unë, thotë Zoti.” Ai dërgoi murtajë ndër ta dhe vrau të rinjtë e tyre, por ata vazhduan të papenduar: “megjithatë nuk jeni kthyer tek Unë, thotë Zoti.” Disa prej tyre Ai i dogji me zjarr, por ata këmbëngulën në mëkatet e tyre: “megjithatë nuk jeni kthyer tek Unë, thotë Zoti” (Amos 4:6–10). Dhe historia është përsëritur! Ajo po përsëritet përpara syve tanë. Korruptimi i Izraelit të lashtë pasqyrohet në kundërshtimin e krishterimit modern. Perëndia i ka dhënë Britanisë “kohë për t’u penduar,” por, mjerisht, duhet shtuar: “dhe ajo nuk u pendua” (Zbulesa 2:21), as që ka ndonjë shenjë se do ta bëjë një gjë të tillë.