Ungjillëzimi – Nga A. W. Pink

Nga A.W.Pink (1886-1952)

 

PREDIKIMI I UNGJILLIT, NJË URDHËR

Ka nga ata që e keqinterpretojnë doktrinën e zgjedhjes në këtë mënyrë: Ja, unë jam ulur në tryezë me familjen time për çaj. Është një natë e ftohtë dimri, dhe jashtë në rrugë ka disa prostituta dhe disa fëmijë të uritur, dhe ata vijnë dhe trokasin në derën time dhe thonë: “Jemi shumë të uritur, zotëri, oh, ne jemi shumë të uritur dhe kemi shumë ftohtë, ne po vdesim nga uria: a nuk do të na japësh diçka për të ngrënë?” “T’ju jap diçka për të ngrënë? Jo, ju nuk duhet te jeni këtu, largohuni nga këtu.”

Pra, disa njerëz thonë se kjo është ajo çfarë zgjedhja nënkupton, se Perëndia ka hapur gostinë e ungjillit dhe disa mëkatarë të gjorë, të vetëdijshëm për nevojën e tyre të thellë, vijnë tek Zoti dhe thonë: “Ki mëshirë për mua” dhe Zoti thotë: “Jo, ti nuk je nga të zgjedhurit e mi”. Tani pra, miqtë e mi, ky nuk është mësimi i Librit (Biblës), nuk është aspak i tillë. Ky është absolutisht një përfaqësim i rremë i së vërtetës së Perëndisë. Unë nuk besoj diçka të tillë, dhe unë nuk do t’ju ofendoja duke ju kërkuar që të vini këtu çdo natë për të dëgjuar diçka të tillë.

 

  1. DETYROI QË TË HYJNË.

 Ja pra, këtu është e vërteta. Perëndia e ka hapur gostinë, por fakti është se askush nuk është i uritur dhe askush nuk dëshiron të vijë në gosti, dhe të gjithë gjejnë arsye për të qëndruar larg nga gostia, dhe kur ata janë të ftuar që të vijnë ata thonë, “Jo, nuk duam”, “Nuk jemi ende gati.” Perëndia e dinte këtë që që nga fillimi, dhe në qoftë se Perëndia nuk do të kishte bërë asgjë më shumë sesa vetëm ta hapte gostinë, çdo vend në tryezën e Tij do të kishte mbetur bosh për gjithë përjetësinë! Unë them pa asnjë hezitim, se nuk ka asnjë burrë apo grua në këtë kishë sonte që nuk ka bërë justifikime shumë herë, para se të vinte për herë të parë tek Krishti. Ju jeni njësoj si të tjerët. Ju keni nxjerrë justifikime, këtë e kam bërë edhe unë, dhe në qoftë se Perëndia nuk do të kishte bërë asgjë më shumë sesa vetëm hapjen e gostisë, çdo karrige këtu do të kishte qenë e zbrazët; prandaj, çfarë lexojmë në këtë shëmbëlltyrë tek Luka 14? Për shkak se festa nuk ishte e mbushur me mysafirë, Perëndia dërgoi “shërbëtorët” e Tij. Oh, vendosni syzet tuaja. Nuk thotë “shërbëtorët”, thotë Perëndia dërgoi «shërbëtorin» e tij dhe i tha atij t’i “detyrojë” ata që të vijnë në mënyrë që festa e Tij të mbushet me mysafirë. Nuk ka asnjë burrë dhe asnjë grua në këtë kishë sonte ose në ndonjë kishë tjetër që do të ulej ndonjëherë në darkën e martesës së Qengjit nëse nuk do të ishte i detyruar të hynte, i detyruar nga Perëndia. 

Epo, ti thua, çfarë nënkupton me ‘detyruar’? Unë nënkuptoj këtë, se Perëndia duhej ta mposhte rezistencën e VULLNETIT tuaj, Perëndia duhej ta mposhte ngurrimin e zemrës tënde, Perëndia duhej ta mposhte dashurinë tënde për kënaqësi, që ishte me e madhe se dashuria jote për Perëndinë, dashurinë tënde për gjërat e kësaj bote që ishte më e madhe se dashuria jote për Krishtin. 

Dua të them se Perëndia duhej të përdorte fuqinë e Tij për t’ju tërhequr; dhe nëse ndonjë prej jush di ndonjë gjë nga greqishtja, shihni atë foljen greke “tërheq” tek Gjoni 6:44, “Askush nuk mund të vijë tek unë, po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq.” Kjo folje do të thotë “Përdor forcën (dhunën)” Do të thotë ta zvarritësh me forcë. Nuk ka asnjë dijetar grek në tokë që mund ta sfidojë këtë deklaratë – Kjo është ajo që unë dua të them, dhe e mbështes me prova. Është e njëjta fjalë greke që përdoret tek Gjoni 21 kur ata tërhoqën rrjetën nga deti plot me peshq. Ata duhej ta TËRHEQNIN me gjithë forcën e tyre, sepse ajo ishte plot me peshq. Ata duhej ta pastronin atë. Po, miku im, kështu edhe ju u sollët tek Krishti. Ju mund të mos keni qenë të vetëdijshëm për këtë, brenda vetes ju mund të mos keni ditur se çfarë po ndodhte, por secili prej nesh ishte një rebel kundër Perëndisë, duke luftuar kundër Krishtit, duke rezistuar Frymën e Tij të Shenjtë, dhe Perëndia duhej të përdorte fuqi të plotfuqishme dhe të mposhtë atë rezistencë dhe të na sjellë në gjunjë; dhe nëse ndonjëri prej jush kundërshton atë gjuhë kaq të fortë, atëherë unë jam këtu për t’ju thënë, ju nuk besoni mësimin e këtij libri (Biblës) mbi prishjen (shthurjen) absolute të njeriut.

Njeriu është i humbur, dhe nga natyra njeriu është i vdekur në shkelje dhe mëkate. Dëgjo, nuk është thjesht që njeriu është i sëmurë dhe ka nevojë për një ilaç të vogël; nuk është thjesht që njeriu është injorant dhe ka nevojë për një mësim të vogël; nuk është thjesht që njeriu është i dobët dhe ka nevojë për një shpresë të vogël: njeriu është i vdekur, i vdekur në shkelje dhe mëkate, dhe vetëm fuqia e plotfuqishme nga qielli mundet ta ringjallë atë dhe ta sjellë nga vdekja në jetë. Ky është ungjilli që unë besoj, dhe unë nuk predikoj ungjillin sepse besoj se mëkatari ka fuqi në vetvete për t’iu përgjigjur atij. 

E pra, ju thoni, atëherë çfarë është dobia e predikimit të ungjillit nëse njerëzit janë të vdekur? Cila është dobia e predikimit? Do jua them. Dëgjoni! Ishte një njeri me një dorë të tharë, të paralizuar, dhe Krishti thotë, “Shtrije dorën tënde.” Kjo ishte një gjë që ai nuk mund të bënte! Krishti i tha atij për të bërë një gjë që ishte e pamundur në vetvete. Po, atëherë, ju thoni, përse i tha Krishti që të shtrijë dorën e tij? Sepse fuqia hyjnore doli bashkë me fjalën që e urdhëroi që ta bënte! Fuqia hyjnore e mundësoi atë. Përsoni nuk mund ta bënte atë vetë. Nëse mendon se ai mundë ta bënte nga vetja, ti je gati i çmendur, nuk më intereson kush je. Cilido burrë apo grua që mendon se ai njeri ishte në gjendje ta shtrinte krahun e tij të paralizuar nga një përpjekje e vullnetit të tij, është gati i çmendur! Si mund të lëvizë paraliza?

Por, unë do t’ju jap diçka edhe më të fortë se kjo. Keni nevojë për diçka të fortë sot, keni nevojë për diçka më shumë se qumështi i kulluar; ju keni nevojë për mish të fortë nëse ndonjëherë do të ndërtoheni, të rriteni dhe të bëheni të fortë në Zotin dhe në forcën e fuqisë së Tij.

Kemi një njeri i cili është i vdekur dhe i varrosur, dhe trupi i tij ka filluar të qelbet saqë tashmë ai bie erë. Ai ishte në varr, dhe Dikush erdhi tek ai varr dhe tha, “Llazar, eja jashtë.” Dhe nëse ai dikush kishte qenë diçka më pak se Vetë Perëndia, i shfaqur në mish, ai mund të ketë qëndruar deri tani duke thënë: “Eja jashtë.” Çfarë dobie ka ti thuash një njeriu të vdekur eja jashtë? Asnjë dobi! Përveçse nëse Ai që e tha këtë fjalë, kishte fuqinë ta bënte atë fjalë të dobishme.

Tani pra, miqtë e mi, unë predikoj ungjillin mëkatarëve, jo sepse besoj se mëkatari ka ndonjë fuqi në vete për t’iu përgjigjur atij: Unë nuk besoj se ndonjë mëkatar ka ndonjë lloj kapaciteti në vete. Por Krishti tha, “Fjalët që po ju them, janë frymë dhe jetë” dhe me anë të hirit të Perëndisë unë dal dhe predikoj këtë Fjalë sepse është një Fjalë e fuqisë, një Fjalë e Frymës, një Fjalë e jetës. Fuqia nuk është në mëkatarin, është në Fjalën kur Perëndia, Fryma e Shenjtë ka kënaqësinë ta përdorë atë. Dhe, miqtë e mi, e them këtë më gjith respektin; nëse Perëndia më thot në këtë Libër (Biblën)

që të dalë dhe t’u predikoj pemëve, unë do të shkoja! Po zoteri. Perëndia dikur i tha një shërbëtori të Tij që të shkonte dhe t’u predikonte eshtrave dhe ai shkoi. Pyes veten, nëse ju do të kishit shkuar! Po, kjo kishte një aplikim lokal, por gjithashtu një interpretim të ardhshëm profetik.

 

  1. PREDIKO UNGJILLIN ÇDO KRIJESE

Tani shtrohet pyetja, pse duhet ti predikojmë ungjillin çdo krijese, nëse Perëndia ka zgjedhur vetëm një numër të caktuar që të shpëtohen? Arsyeja është, sepse Perëndia na urdhëron që ta bëjmë këtë. Por, ju thoni, kjo nuk duket e arsyeshme për mua. Kjo nuk ka të bëjë fare me të; puna juaj është për t’ju bindur Perëndisë dhe jo të grindeni me Të. Perëndia na urdhëron ti predikojmë ungjillin çdo krijese dhe kjo nënkupton saktësishtë atë që thotë – çdo krijese – dhe kjo është një gjë serioze. Çdo i krishterë në këtë dhomë sonte ende duhet ti përgjigjet Krishtit pse ai nuk ka bërë gjithçka në fuqinë e tij për ta dërguar ungjillin tek çdo krijesë! 

Po, unë besoj në misione – ndoshta më fuqishëm se shumica prej jush, dhe nëse unë do t’ju predikoja për misionet, ndoshta do t’ju godisja më shumë sesa ju keni qenë goditur deri më tani. Pjesa më e madhe e njerëzve të Perëndisë që pretendojnë të besojnë në misione vëtëm po luajnë me to. E them me plot guxim për denominacionet tona ungjillore sot, ne vetëm po luajmë me misionet dhe kjo është e tëra. Pse është pothuajse gjysma e racës njerëzore? mendoni për këtë! – në shekullin e 20-të ku udhëtimi është aq i lehtë dhe aq i lirë, Bibla të shtypura pothuajse në çdo gjuhë nën qiell, – dhe ndërsa jemi ulur këtu sonte, pothuajse gjysma e racës njerëzore kurrë nuk kanë dëgjuar për Krishtin, dhe ne duhet t’i përgjigjemi Krishtit për këtë gjë! Ju dhe unë do ti përgjigjemi. Oh, po, unë besoj në përgjegjësinë e njeriut. Unë nuk besoj në “lirinë” e njeriut, por besoj në përgjegjësinë e njeriut dhe në mënyrë të dyfishtë besoj në përgjegjësinë e të krishterëve; dhe secili prej nesh këtu sonte duhet të përballet me Krishtin dhe të shikojmë në ata sy si një flakë zjarri, dhe Ai do të na thotë: Unë jua besova ungjillin tim. U ishte caktuar juve si një “besë” (Shih 1Theselonikasve 2:4).

Në kujdestari kërkohet që një njeri të gjendet besnik.

Oh, miqtë e mi, ne po luajmë me këto gjëra. Ne nuk kemi filluar të marrim seriozisht fenë, asnjëri prej nesh. Ne deklarojmë se besojmë në ardhjen e Krishtit dhe pretendojmë të besojmë se arsyeja e vetme pse Krishti nuk është kthyer ende është sepse Kisha e Tij, Trupi i Tij, ende nuk është kompletuar. Ne besojmë se kur Trupi i Tij është i plotë ai do të kthehet. Por, “trupi” i Tij kurrë, kurrë, nuk do të jetë i plotë derisa përsoni i fundit i njerëzve të Tij të zgjedhur të thirret dhe njerëzit e tij të zgjedhur thirren nën predikimin e ungjillit me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë; dhe nëse me të vërtetë jeni të pa duruar që Krishti të kthehet së shpejti, atëherë ju duhet të jeni më të zgjuar për përgjegjësinë tuaj lidhur me marrjen ose dërgimin e ungjillit te kombet!

Fjala e Krishtit për ne, është “Shkoni në të gjithë botën dhe predikoni ungjillin”. Ai nuk thotë “Dërgoni.” Ai thotë “Shkoni”, dhe ju do t’i përgjigjeni Krishtit për shkak se nuk keni shkuar! Epo, ju thoni, a je duke thënë që secili prej nesh këtu sonte duhet të shkojë në fushën e misionit? Nuk e kam thënë këtë. Une nuk jam gjyqtar i ndonjë njeriu. Shumë prej jush këtu sonte keni një arsye të mirë që ju nuk keni shkuar. Ai ju ka dhënë punë për të bërë këtu. Ai ju ka vënë në pozitë këtu. Ai ju ka dhënë përgjegjësi për të shkarkuar këtu, por çdo i krishterë që është i lirë të shkojë, dhe nuk shkon, duhet t’i përgjigjet Krishtit për të.

“Shko në të gjithë botën.” Epo, atëherë, ju thoni, Ku duhet të shkoj unë ? Oh, kjo është shumë e lehtë. Ju thoni, e lehtë? Po, unë do të thoja: është shumë e lehtë. Nuk ka asgjë më të lehtë në botë se sa ta dini se ku duhet të filloni punën misionare. E keni atë në kapitullin e parë të Veprave të Apostijve në vargun e tetë: “Ju do të merrni fuqi kur Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ju dhe do të bëheni dëshmitarët e mi në Jeruzalem (që është qyteti në të cilin ata ishin) dhe në gjithë Judenë [që është Shteti në të cilin ishte qyteti i tyre], në Samari [që është shteti fqinj], dhe deri në skajin e dheut”.

Nëse dëshironi të filloni punën misionare, ju duhet ta filloni atë në qytetin tuaj; dhe miq të dashur, nëse nuk jeni të interesuar për shpëtimin e kinezëve në Sidnei, atëherë nuk jeni vërtet të interesuar për shpëtimin e kinezëve në Kinë, dhe ju vetëm mashtroni veten nëse mendoni se jeni! Nëse jeni të shqetësuar për shpirtrat e kinezëve në Kinë, atëherë do të jeni po aq i shqetësuar për shpirtrat e kinezëve këtu në Sidnei; dhe pyes veten time, sa në këtë ndërtesë sonte kanë bërë ndonjëherë ndonjë përpjekje serioze për të arritur kinezët në Sidnei me ungjillin! Pyes veten, sa nga ju këtu sonte kanë shkuar në Shtëpinë e Biblës në Sidnei dhe i kanë thënë Menaxherit atje, “A keni ndonjë Dhiatë të Re në gjuhën kineze, apo a keni ndonjë Ungjill të Gjonit në gjuhën kineze? Sa kushtojnë njëqind prej tyre? apo dhjetë prej tyre?” Dhe pyes veten, sa prej jush kanë blerë një mijë apo njëqind, dhe pastaj kanë shkuar nëpër shtëpi në lagjen kineze dhe kanë thënë, “Miku im, kjo është një dhuratë e vogël që do ti bëje mirë shpirtin tënd nëse do ta lexosh.”

Ah, miqtë e mi, ne po luajmë me misione, është thjesht një shfaqje komike, kjo është e tëra! “Shkoni” është urdhëri i parë. Shkoni ku? Tek ata që janë përreth meje. Shkoni me çfarë? Me Ungjillin! Epo, ti thua, “Pse duhet të shkoj?” Për shkak se Perëndia të ka urdhëruar! Por, ti thua, “Cila është arsyeja e kësaj nëse Ai ka zgjedhur vetëm disa?” Për shkak se ungjilli është mjeti që Perëndia përdor për ti thirrur të zgjedhurit e Tij, kjo është arsyeja pse! Ju nuk e dini, unë nuk e di, dhe askush këtu në tokë nuk e di, kush janë të zgjedhurit e Perëndisë dhe kush nuk janë. Ata janë të shpërndarë nëpër botë dhe për këtë arsye ne duhet të predikojmë ungjillin tek çdo krijesë, që ai ti arrijë ata që Perëndia ka shënjosur midis atyre krijesa.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes