Pikëpamja e Reformuar për Darkën e Zotit

Darken e Zotit

Si është kuptimi i Reformuar i ndryshëm nga ai që besojnë Ungjillorët dhe Luteranët?
Nga Anthony Charles

Kur krahasojmë pikëpamjen e Reformuar me atë Luterane, shohim se nuk ka asnjë mosmarrëveshje për realitetin e bashkësisë me Krishtin. Dallimi qëndron në natyrën e Darkës së Zotit. Për Luteranët, në Darkën e Zotit Krishti vjen në tokë dhe është i pranishëm në bukën dhe verën. Ndërsa në pikëpamjen e Reformuar, shpirtrat tanë janë në bashkim me Krishtin nëpërmjet Frymës të Tij, sepse natyra e Tij njerëzore mbetet në të djathtën e Atit deri në ardhjen e Tij të dytë. Qëllimi përfundimtar i Darkës së Zotit është që ajo na bashkon me Zotin.

Si e kuptojnë të Krishterët e Reformuar Darkën e Zotit? Si është kuptimi i Reformuar i ndryshëm nga ai që besojnë Ungjillorët dhe Luteranët? A besojmë në praninë e vërtetë të Krishtit në Darkën e Zotit? Në këtë postim, do të mbështetem shumë te Rrëfimet e Reformuara dhe te Zhan Kalvin (John Calvin), ndërsa përpiqem të shpjegoj pikëpamjen e Reformuar për Darkën e Zotit.


Darka e Parë e Zotit

“Dhe, si falënderoi, e theu dhe tha: ”Merrni, hani; ky është trupi im që është thyer për ju; bëni këtë në përkujtimin tim”. Gjithashtu, pas darkës, mori edhe kupën, duke thënë: ”Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim; bëni këtë sa herë që të pini, në përkujtimin tim”.”
1 Korintasve 11:24–25

Në natën kur Jezusi u tradhtua, ai u mblodh me dishepujt e Tij për të festuar Pashkën Judaike. Kjo ishte një sakrament i Dhiatës së Vjetër që kremtonte shpëtimin e Izraelit nga engjëlli i vdekjes dhe tirania e Egjiptit. Jezusi mori elementet e Pashkës, bukën dhe verën, dhe themeloi Darkën e Zotit. Pashka origjinale gjeti përmbushjen e saj përfundimtare në flijimin e Qengjit të Perëndisë, Jezu Krishtin.


Pse u vendos Darka e Zotit?

Pse u vendos Darka e Zotit? Ajo u vendos për të “ushqyer dhe mbështetur ata që” Perëndia “i ka rilindur dhe i ka përfshirë në familjen e Tij, që është Kisha e Tij.”

Ashtu si Perëndia na jep ushqim tokësor për jetën tonë fizike, Ai gjithashtu na jep ushqim shpirtëror për jetën tonë shpirtërore. Ai “ka dërguar një Bukë të gjallë, e cila zbriti nga qielli, pra Jezu Krishtin, i Cili ushqen dhe përforcon jetën frymërore të besimtarëve, kur ata hanë, pra kur e përvetësojnë dhe e pranojnë me anë të besimit në frymë” (Rrëfimi Belg i Besimit, Neni 35).

Meqënëse ne jemi ende qenie të brishta dhe të dobëta, Jezusi ofroi elementë të prekshëm tokësorë për të na mësuar dhe për të na siguruar “se, ashtu siç marrim dhe mbajmë me siguri këtë sakrament në dorën tonë, e hamë dhe e pimë me gojë, dhe, i cili, më pas na forcon jetën, kështu dhe me po aq siguri ne marrim me anë të besimit (i cili është dora dhe goja e frymës) trupin dhe gjakun e vërtetë të Krishtit, Shpëtimtarit tonë të vetëm, në shpirtin tonë, për mbështetjen e jetës frymërore” (Rrëfimi Belg i Besimit, Neni 35).


Prania e Vërtetë e Krishtit

Ndryshe nga shumica e Ungjillorëve, të Krishterët e Reformuar besojnë në praninë e vërtetë të Krishtit në Darkën e Zotit. Nuk është thjesht një darkë përkujtimore. Pali thotë: “Kupa e bekimit, që ne bekojmë, a nuk është vallë pjesëmarrje në gjakun e Krishtit? Buka që ne thyejmë, a nuk është vallë pjesëmarrje në trupin e Krishtit?” (1 Korintasve 10:16).

Në një mënyrë të mistershme, ka një bashkësi të vërtetë me Krishtin në Darkën e Zotit. Herman Bavinck ka thënë: “Darka e Zotit është mbi të gjitha një dhuratë e Perëndisë, jo përkujtimi dhe rrëfimi ynë. Darka e Zotit nënkupton bashkimin mistik të besimtarit me Jezu Krishtin.

Si të Krishterë të Reformuar, mund të themi madje se ne ushqehemi me Krishtin në Darkën e Zotit, nëse e kuptojmë kështu: “ajo që hahet ose pihet prej nesh është trupi i vërtetë e i natyrshëm dhe gjaku i vërtetë i Krishtit. Por mënyra se si ushqehemi me të nuk është me anë të gojës, por me anë të frymës, nëpërmjet besimit.” (Rrëfimi Belg i Besimit, Neni 35).

Ashtu si Luteranët, të Krishterët e Reformuar besojnë në praninë e vërtetë dhe reale të Krishtit në Darkën e Zotit. Kalvini mësonte se “Asgjë nuk është më absurde sesa të quajmë sakrament atë që është i zbrazët dhe që nuk na paraqet me të vërtetë atë që nënkupton.” Pyetja nuk është NËSE Krishti është i pranishëm, por SI është i pranishëm.

Ndërsa Martin Luteri mësonte me këmbëngulje “është do të thotë ËSHTË,” pozicioni i Reformuar është se “Ky është trupi im” duhet të merret në të njëjtën mënyrë si kur Jezusi tha se Ai është “dera,” ose në të njëjtën mënyrë si kur Ai është “bariu i mirë” dhe “vreshti.” Jezusi po përdorte gjuhë metaforike për të komunikuar këtë realitet shpirtëror.

Zhan Klavin shkroi: “Thyerja e bukës është një simbol; nuk është vetë gjëja. Por… duke treguar simbolin, tregohet edhe vetë gjëja.” Termi që përdoret nga teologët për të shpjeguar këtë dinamikë është “metonimi.”

Çfarë është një metonimi? Një shembull do të ishte: “Betohem për besnikëri ndaj kurorës.” Unë nuk po betohem për një kurorë metalike të mirëfilltë, por në një kuptim shumë të vërtetë, po betohem për besnikëri ndaj asaj që kurora përfaqëson, vetë mbretin!

Zacharius Ursinus [një teolog gjerman] tha: “Emri i gjësë që simbolizohet i atribuohet shenjës nga një metonimi sakramentale.” Kur besimtarët marrin pjesë në simbolet e bukës dhe verës, ne mund të jemi të sigurt “se e vërteta e gjësë që simbolizohet është me siguri e pranishme aty” (Kalvini).


Kristologjia e Reformuar

Përfundimisht, pikëpamja e Reformuar për praninë e vërtetë të Krishtit në Darkën e Zotit lidhet me Kristologjinë. A është Jezu Krishti i pranishëm me ne në tokë në natyrën e Tij njerëzore? A është natyra e Tij njerëzore e kudogjendur (e gjithëpranishme)? Luteranët besojnë se natyra njerëzore e Jezusit është e gjithëpranishme. Prandaj, ata mësojnë se mishi dhe gjaku i Tij i mirëfilltë është “në, me dhe nën bukën.”

Të Reformuarit e panë pikëpamjen Luterane si një gabim kristologjik, sepse do të shkelte Besoren e Kalkedonit, e cila thotë se Biri ka “dy natyra, të papërzieshme, të pandryshueshme, të pashkëputshme dhe të pandashme; dallimi i natyrave nuk prishet aspak nga bashkimi, por përbërja e secilës natyrë është ruajtur.

Si të Krishterë të Reformuar, ne besojmë në praninë e vërtetë të Krishtit në Darkën e Zotit. Por si mund ta besojmë këtë? Sepse, edhe pse “sipas natyrës së Tij njerëzore, Ai tani nuk është në tokë; por sipas hyjnisë, madhështisë, hirit dhe Shpirtit të Tij, Ai nuk është asnjëherë i munguar prej nesh” (Katekizmi i Hajdelbergut, pyetja 47).

Në Darkën e Zotit, Krishti nuk është fizikisht i pranishëm në elementet e bukës dhe verës, por Ai është me të vërtetë i pranishëm përmes Shpirtit të Tij. Siç ka thënë RC Sproul: “Natyra njerëzore e Jezusit është aktualisht e lokalizuar në qiell. Ajo mbetet në bashkim të përsosur me natyrën e Tij hyjnore. Edhe pse natyra njerëzore është e përmbajtur në një vend, personi i Krishtit nuk është i kufizuar në këtë mënyrë, sepse natyra e Tij hyjnore ende ka fuqinë e gjithëpranisë.


Mendime Përfundimtare

Kur krahasojmë pikëpamjen e Reformuar me atë Luterane, shohim se nuk ka ndonjë mosmarrëveshje për realitetin e një bashkësie me Krishtin. Dallimi qëndron në natyrën e asaj bashkësie.

Për Luteranët, bashkësia ndodh Krishti duke ardhur në tokë dhe duke qenë i pranishëm në bukën dhe verën. Ndërsa pikëpamja e Reformuar është se shpirtrat tanë janë në bashkim me Krishtin përmes Shpirtit të Tij, sepse natyra e Tij njerëzore mbetet në të djathtën e Atit deri në ardhjen e Tij të dytë.

Qëllimi përfundimtar i Darkës së Zotit është që ajo na bashkon me Zotin. Siç ka thënë Geerhardus Vos [një teolog i shekullit të 19-të]: “Besimi ynë drejtohet te Ndërmjetësi që vuajti dhe vdiq. Dhe të hash trupin e Tij dhe të pish gjakun e Tij [është] asgjë tjetër përveçse të përvetësosh me besim meritat e vuajtjes dhe vdekjes së Tij… Darka e Zotit drejton drejt hirit të drejtësimit si një mjet hiri.

Kur ne marrim pjesë në Darkën e Zotit, mund të kemi sigurinë e bashkësisë tonë me Krishtin, duke ditur se jeta jonë shpirtërore po ushqehet në të njëjtën mënyrë si buka dhe vera mbajnë dhe ushqejnë jetën tonë fizike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes