Krahasimi i Teologjisë së Besëlidhjes dhe Teologjisë Dispensacionaliste

Kjo përmbledhje paraqet pikëpamjet tradicionale dhe bazohet në studimin e Richard P. Belcher, “Krahasimi i Dispensacionalizmit dhe Teologjisë së Besëlidhjes” 1986.

 

1. PËRSHKRIMI I PËRGJITHSHËM

A. Një Përshkrim i Teologjisë së Besëlidhjes:

Teologjia e besëlidhjes përqendrohet në një besëlidhje të përgjithshme, të njohur si besëlidhja e hirit. Disa e kanë quajtur atë besëlidhja e shpengimit. Nga shumë veta kjo përkufizohet si një besëlidhje e përjetshme midis personave të Hyjnisë, duke përfshirë:

  1. Ati zgjodhi një popull për të qenë populli i Tij;
  2. Biri, me pajtimin e tij, u caktua të paguajë dënimin e mëkatit të tyre;
  3. Fryma e Shenjtë, me pajtimin e tij, u caktua për të aplikuar veprën e Birit te ky popull i zgjedhur.

Kjo besëlidhje e hirit po realizohet në histori në tokë përmes besëlidhjeve nënshtruese, duke filluar me besëlidhjen e veprave dhe duke kulmuar në besëlidhjen e re, e cila përmbush dhe kompleton veprën e hirit të Perëndisë për njeriun në tokë. Këto besëlidhje përfshijnë besëlidhjen Adamike, besëlidhjen Noeike, besëlidhjen Abrahamike, besëlidhjen Moisianike, besëlidhjen Davidike dhe besëlidhjen e Re.

Teologjia e besëlidhjes nuk i sheh çdo besëlidhje si të veçantë dhe të dallueshme. Por çdo besëlidhje ndërtohet mbi ato të mëparshme, duke përfshirë aspekte të besëlidhjeve të mëparshme dhe duke kulminuar në besëlidhjen e re.

 

B. Një Përshkrim i Teologjisë Dispensacionaliste:

Teologjia dispensacionaliste e sheh botën dhe historinë e njerëzimit si një shtëpi mbi të cilën Zoti po mbikëqyr realizimin e vullnetit të Tij. Ky realizim i qëllimit dhe vullnetit të Tij mund të shihet duke vërejtur periudhat ose fazat e ndryshme, të ekonomive të ndryshme, ku Perëndia merret me veprën e Tij dhe me njerëzimin në veçanti. Këto faza të ndryshme ose ekonomi quhen dispensacione. Numri i tyre mund të përfshijë shtatë: pafajësi, ndërgjegje, qeverisje njerëzore, premtim, ligj, hir dhe mbretëri.

 

2. POPULLI I ZOTIT

A. Populli i Zotit në Teologjinë e Besëlidhjes:

Zoti ka një popull, të përfaqësuar nga shenjtorët në Dhiatën e Vjetër dhe shenjtorët e epokës së Dhiatës së Re.

 

B. Populli i Zotit në Teologjinë Dispensacionaliste:

Zoti ka dy popuj—Izraelin dhe kishën. Izraeli është një popull tokësor, dhe kisha është një popull qiellor.

 

3. PLANI I ZOTIT

A. Plani i Zotit për Popullin e Tij në Teologjinë e Besëlidhjes:

Zoti ka një popull—kishën—për të cilën Ai ka një plan, në të gjitha epokat që nga Adami: ta thërrasë këtë popull në një trup, në të dyja epokat e Dhiatës së Vjetër dhe të Dhiatës së Re.

 

B. Plani i Zotit për Popullin e Tij në Teologjinë Dispensacionaliste:

Zoti ka dy popuj të ndarë—Izraelin dhe kishën—dhe gjithashtu ka dy plane të ndara për këta dy popuj të ndryshëm.

Ai planifikon një mbretëri tokësore për Izraelin. Kjo mbretëri është shtyrë deri në ardhjen e Krishtit me fuqi, meqënëse Izraeli e refuzoi atë në ardhjen e parë të Krishtit.

Gjatë epokës së kishës, Zoti po thërret një popull qiellor.

Dispensacionalistët nuk bien dakord nëse të dy popujt do të mbeten të ndarë në gjendjen e përjetshme.

 

4. PLANI I SHPËTIMIT TË ZOTIT

A. Plani i Shpëtimit të Zotit në Teologjinë e Besëlidhjes:

Zoti ka një plan shpëtimi për të gjithë popullin e Tij që nga koha e Adamit. Plani është një plan hiri, duke qenë një realizim i besëlidhjes së përjetshme të hirit, dhe vjen përmes besimit në Jezu Krishtin.

 

B. Plani i Shpëtimit të Zotit në Teologjinë Dispensacionaliste:

Zoti ka vetëm një plan shpëtimi, megjithëse kjo shpesh është keqkuptuar për shkak të pasaktësive në disa shkrime dispensacionaliste. Disa kanë mësuar ose kuptuar gabimisht se besimtarët e Dhiatës së Vjetër shpëtuan përmes veprave dhe sakrificave. Megjithatë, shumica kanë besuar se shpëtimi ka qenë gjithmonë përmes hirit përmes besimit, por përmbajtja e besimit mund të ndryshojë deri në shfaqjen e plotë të Zotit në Krishtin.

 

5. FATI I PERJETSHEM

A. Fati i përjetshëm për Popullin e Zotit në Teologjinë e Besëlidhjes:

Zoti ka vetëm një vend për popullin e Tij, meqënëse Ai ka vetëm një popull, një plan për popullin e Tij, dhe një plan shpëtimi. Populli i Tij do të jetë në praninë e Tij për përjetësi.

 

B. Fati i përjetshëm për Popullin e Zotit në Teologjinë Dispensacionaliste:

Ka mosmarrëveshje midis dispensacionalistëve në lidhje me gjendjet e ardhshme të Izraelit dhe kishës. Shumë besojnë se kisha do të ulet me Krishtin në fronin e Tij në Jeruzalemin e Ri gjatë Mijëvjeçarit ndërkohë që Ai do të sundojë mbi kombet, ndërsa Izraeli do të jetë kreu i kombeve të tokës.

 

6. LINDJA E KISHËS

A. Lindja e Kishës në Teologjinë e Besëlidhjes:

Kisha ekzistonte para epokës së Dhiatës së Re, duke përfshirë të gjithë të shpëtuarit që nga Adami. Pentakosti nuk ishte fillimi i kishës, por fuqizimi i manifestimit të Dhiatës së Re të popullit të Zotit.

 

B. Lindja e Kishës në Teologjinë Dispensacionaliste:

Kisha lindi në Ditën e Pentakostit dhe nuk ekzistonte në histori deri në atë kohë. Kisha, trupi i Krishtit, nuk gjendet në Dhiatën e Vjetër, dhe shenjtorët nuk janë pjesë e trupit të Krishtit.

 

 7. QËLLIMI I ARDHJES SË PARË TË KRISHTIT

A. Qëllimi i Ardhjes së Parë të Krishtit në Teologjinë e Besëlidhjes:

Krishti erdhi për të vdekur për mëkatet tona dhe për të krijuar Izraelin e Ri, manifestimin e Dhiatës së Re të kishës. Kjo vazhdimësi e planit të Zotit e vendosi kishën nën një manifestim të ri të të njëjtës besëlidhje hiri. Mbretëria që ofroi Jezusi ishte mbretëria e tanishme, shpirtërore dhe e padukshme.

Disa teologë të besëlidhjes (veçanërisht postmillenialistët) shohin gjithashtu edhe një aspekt fizik të mbretërisë.

 

B. Qëllimi i Ardhjes së Parë të Krishtit në Teologjinë Dispensacionaliste:

Krishti erdhi për të krijuar mbretërinë mesianike. Disa dispensacionalistë besojnë se kjo do të ishte një mbretëri tokësore në përmbushje të premtimeve të Dhiatës së Vjetër për Izraelin. Nëse hebrenjtë do ta kishin pranuar ofertën e Jezusit, kjo mbretëri tokësore do të ishte krijuar menjëherë.

Dispensacionalistë të tjerë besojnë se Krishti e krijoi mbretërinë në një formë, në të cilën kisha merr pjesë, por mbretëria tokësore pret ardhjen e dytë të Krishtit në tokë. Krishti gjithmonë e kishte për qëllim kryqin para kurorës.

 

 8. PËRMBUSHJA E BESËLIDHJES SË RE

A. Përmbushja e Besëlidhjes së Re në Teologjinë e Besëlidhjes:

Premtimet e besëlidhjes së re përmenden te Jeremia 31:31-34: “Ja do të vijnë ditët”, thotë Zoti, “në të cilat do të vendos një besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës; jo si besëlidhja që kam vendosur me etërit e tyre ditën kur i zura për dore për t’i nxjerrë nga vendi i Egjiptit, sepse ata e shkelën besëlidhjen time, ndonëse unë isha Perëndia i tyre”, thotë Zoti. “Por kjo është besëlidhja që do të vendos me shtëpinë e Izraelit mbas atyre ditëve”, thotë Zoti: “Do ta shtie ligjin tim në mendjen e tyre dhe do ta shkruaj mbi zemrën e tyre, dhe unë do të jem Zoti i tyre dhe ata do të jenë populli im. Ata nuk do të mësojnë secili të afërmin e tij dhe secili vëllanë e tij, duke thënë: “Njihni Zotin!”, sepse të gjithë do të më njohin, nga më i vogli e deri te më i madhi”, thotë Zoti. “Sepse unë do ta fal paudhësinë e tyre dhe nuk do ta kujtoj më mëkatin e tyre.” Këto premtime përmbushen në Dhiatën e Re.

 

B. Përmbushja e Besëlidhjes së Re në Teologjinë Dispensacionaliste:

Dispensacionalistët ndryshojnë vetëm nëse Izraeli do të marrë pjesë në besëlidhjen e re, në një kohë më vonë, ose nëse si kisha ashtu edhe Izraeli marrin pjesë së bashku. Disa dispensacionalistë besojnë se ka një besëlidhje të re me dy aplikime: një për Izraelin dhe një për kishën. Të tjerë besojnë se ka dy besëlidhje të reja: një për Izraelin dhe një tjetër për kishën.

 

 9. MIJËVJEÇARI

A. Si e sheh Mijëvjeçarin Teologjia e Besëlidhjes:

Historikisht, teologjia e besëlidhjes ka qenë ose amilenialiste, duke besuar se mbretëria është e tanishme dhe shpirtërore; ose postmilenialiste, duke besuar se mbretëria po vendoset në tokë dhe ardhja e Krishtit do jetë kulmi i saj. Në vitet e fundit, disa teologë të besëlidhjes kanë qenë premilenialiste, duke besuar se do të ketë një manifestim të ardhshëm të mbretërisë së Zotit në tokë (Premilenializmi Historik). Megjithatë, veprimet e Zotit me Izraelin do të jenë në lidhje me kishën. Postmilenialistët besojnë se kisha po sjell mbretërinë tani, me Izraelin që përfundimisht do të bëhet pjesë e kishës.

 

B. Si e sheh Mijëvjeçarin Teologjia Dispensacionaliste:

Të gjithë dispensacionalistët janë premilenialistë, megjithëse jo domosdoshmërisht pretribulacionistë. Premilenialistët e këtij lloji besojnë se Zoti do t’i kthehet përsëri kombit të Izraelit, veçmas veprës së Tij me kishën, dhe se do të ketë një periudhë 1,000-vjeçare të mbretërimit të Krishtit në fronin e Davidit në përputhje me dhe në përmbushje të profecive të Dhiatës së Vjetër.

 

10. ARDHJA E DYTË

A. Si e sheh Ardhjen e Dytë Teologjia e Besëlidhjes:

Ardhja e Krishtit do të jetë për të sjellë gjykimin përfundimtar dhe gjendjen e përjetshme. Ata që janë premilenialistë, pretendojnë se një periudhë mijëvjeçare do të paraprijë gjykimin dhe gjendjen e përjetshme. Postmilenialistët besojnë se mbretëria po krijohet nga puna e popullit të Zotit në tokë deri në kohën kur Krishti do ta sjellë atë në përfundim me ardhjen e Tij.

 

B. Si e sheh Ardhjen e Dytë Teologjia Dispensacionaliste:

Shumica e dispensacionalistëve besojnë se Rrëmbimi do të ndodhë i pari, pastaj një periudhë vuajtjeje e ndjekur nga Ardhja e Dytë e Krishtit me shenjtorët dhe një mbretëri 1,000-vjeçare të Krishtit, pas së cilës do të ketë një gjykim dhe gjendja e përjetshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes