Predikuar në Ditën e Zotit më 18 Mars, 2018 nga Pastor Michael Ives, i Kishës Presbiteriane të Reformuar të Rhode Island
Një nga praktikat që Presbiteri ynë ka përvetësuar është që në adhurimin publik të Zotit, gratë ti kenë kokat e tyre të mbuluara. Sigurisht që pasazhit të cilit i referohemi nuk është i lehtë për t’u kuptuar. Unë vetë për shumë vite, e kam lexuar dhe kam pasur vështirësi me të. Por unë mendoj se pozicioni që kemi arritur si presbitër është i duhuri, për aq sa Perëndia na ka dhënë dritë. Dhe ne duam ta paraqesim këtë para jush me përulësi, që ju me lutje ta konsideroni atë. Ne nuk po e paraqesim atë si një “kusht për përbashkësi”, si një kërkesë për të qenë anëtar të mirë të kishës. Nuk e kemi parë të arsyeshme të shkojmë aq larg, duke kuptuar se është një pasazh sfidues. Dhe shumë besimtarë të tjerë të perëndishëm në Zotin Jezu Krisht i kanë parë gjërat ndryshe nga ne. Megjithatë, ne paraqesim këtë pozicion.
Tani, mënyra se si do të vazhdojmë është, së pari, thjesht të lexojmë pasazhin te 1 Korintasve 11 duke komentuar dhe vërejtur strukturën e argumentit që jep Apostulli, dhe më pas do ta mbyllim duke i’u përgjigjur disa kundërshtimeve. Teza këtu është që në adhurimin publik të Perëndisë, gratë duhet ta adhurojnë Perëndinë me kokat e mbuluara.
- 1. KONSIDERIMI PASAZHIT
- “Dhe ju lavdëroj, vëllezër, që më kujtoni në të gjitha gjërat, dhe i mbani traditat, ashtu siç jua kam dhënë.” (1 Kor. 11:2).
Është gjithmonë një gjë e mirë ti inkurajosh njerëzit kur po bëjnë një punë të mirë. Por tani ai i kthehet një fushë ku ata kanë nevojë për disa udhëzime, madje edhe korrigjim.
ARGUMENTI NGA AUTORITETI
Në vargjet 3-6 ai paraqet një argument nga autoriteti. “Por dua që të dini se kreu i çdo burri është Krishti; dhe kreu i gruas është burri; dhe kreu i Krishtit është Perëndia.” (v. 3).
Lidhëza “por” këtu po na drejton te një çështje. Ai u thotë korintasve se megjithëse keni bërë shumë gjëra të lavdërueshme, ka një çështje për të cilën duhet të flasim. Ai fillon duke folur për marrëdhënien e burrave dhe grave dhe Zotit Jezu Krisht. Ai po hedh një themel teologjik: doktrina paraprin praktikën. Marrëdhënia e veçantë për të cilën ai flet, është marrëdhënia e bashkëshortit dhe bashkëshortes, ose burrave dhe grave. Kreu i gruas është burri, dhe kreu i Krishtit është Perëndia. Ka një kryesi mashkullore, një kryesi mbi gruan. Kjo kryesi nuk është absolute, por është nën Zotin Jezu Krisht; çdo burrë përgjigjet para Jezusit, por ai ka një autoritet mbi gruan e tij.
“Çdo burrë, kur lutet ose profetizon kokëmbuluar, turpëron kryet e tij. Edhe çdo grua, që lutet ose profetizon kokëzbuluar, turpëron kryet e saj: sepse është njësoj sikur të ishte rruar.” (v. 4-5).
Këtu është problemi: nuk ka një reflektim të jashtëm të realitetit që kreu i gruas është burri dhe që kreu i Krishtit është Perëndia. Dhe kjo mund të shihet në kishë kur gratë nuk po mbulojnë kryet e tyre. Çfarëdo gjëje që i ka motivuar ato të veprojnë kështu, kjo është një çështje që shkon kundër asaj strukture autoriteti që Perëndia ka caktuar.
Akuina shkruan se
“një vello e vënë mbi kokë tregon fuqinë e një tjetri mbi kokën e një personi që ekziston në rendin e natyrës. Prandaj, burri që ekziston nën Perëndinë nuk duhet të ketë një mbulesë mbi kokën e tij për të treguar se ai është nën Perëndinë; por gruaja duhet të mbajë një mbulesë për të treguar se përveç Perëndisë, nga natyra, ajo është edhe nën autoritetin e një tjetri” (kom. 1 Kor. 11:4-5, përkth. Fabian Larcher).
Kjo është në kundërshtim me mendimin e shoqërisë tonë sot. Mendimi është se në marrëdhënien martesore ka një barazi absolute. Eshtë e vërtetë që ka një barazi në kuptimin si njeri, por ka një ndryshim rolesh dhe përgjegjësish, dhe ka një kryesi të burrit mbi gruan siç Perëndia e ka caktuar atë.
Çfarë do të thotë saktësisht me “lutje ose profetizim”? A do të thotë kjo që gratë po luteshin ose profetizonin në kishë? Do të flasim pas pak për këtë.
“Sepse në qoftë se gruaja nuk mbulohet, le të qethet: por në qoftë se për gruan është turp të qethet a të rruhet, le të mbulojë kryet.” (v. 6).
Këtu është pasoja. Pali po thotë se nëse ajo që po them është e vertetë ajo duhet të jetë e mbuluar. Nëse ka një rend autoriteti. Nëse gruaja duhet t’i nënshtrohet burrit në Zotin në të gjitha gjërat e ligjshme, atëherë pasoja është: ajo le ta tregojë këtë në asamblenë publike me kokën e mbuluar. Veç nëse ajo do të ishte e qethur, gjë që do të ishte e pamendueshme.
ARGUMENTI NGA KRIJIMI
Pali vazhdon në vargjet 7-9 me një argument nga krijimi. “Sepse burri nuk duhet të mbulojë kryet, sepse është shëmbëllimi dhe lavdia e Perëndisë, kurse gruaja është lavdia e burrit, sepse burri nuk është nga gruaja, por gruaja nga burri, edhe sepse burri nuk u krijua për gruan; por gruaja për burrin.”
Për të mbështetur këtë praktikë të veçantë që Korintasit e kishin lënë pas dore Apostulli po zgjeron dhe shpjegon më tej këtë rend autoriteti, dhe mbështet më tej argumentin e tij duke drejtuar mbrapa tek historia e krijimit. Mbani mend historinë. Perëndia krijoi njerëzimin me dy gjini, mashkull dhe femër. Tani, a i krijoi Ai ata të dy njëkohësisht? Jo, Ai nuk i krijoi njëkohësisht. Ai së pari krijoi burrin, së pari krijoi gjininë mashkullore. Dhe ai pa që nuk ishte mirë që burri të ishte vetëm, kështu që Ai e vuri Adamin në gjumë, hapi anën e tij, nxori një brinjë, dhe nga ajo formoi një grua. Ai e zgjoi Adamin dhe ia paraqiti gruan burrit, që ajo të ishte një ndihmë për të. Sic e shihni, Apostulli Pali po vendos përsëri dallimet gjinore nga vetë rendi i krijimit. Burri nuk u krijua për gruan, por gruaja u krijua për burrin.
ARGUMENTI NGA ENGJEJT
Tani ka një argument nga engjëjt. “Prandaj gruaja, për shkak të engjëjve, duhet të ketë në shenjë autoriteti mbi kryet.” (v. 10).
Disa mendojnë se engjëjt këtu mund t’i referohen predikuesve, siç mund të nënkuptojnë kapitujt 2-3 të Zbulesës dhe vende të tjera të ndryshme. Nëse është kështu atëherë ky varg do të thotë që gratë duhet të jenë të mbuluara që të mos ofendojnë predikuesit prej pamaturisë së tyre. Por mendoj se është më e natyrshme ta kuptojmë që vargu po flet për engjëjt si ato qenie shpirtërore që janë të pranishme në një mënyrë të vecantë në asamblenë e mbledhur. Apostulli Pjetër thotë se engjëjt dëshirojnë të shohin në gjërat që kanë të bëjnë me shpëtimin e qenieve njerëzore (1 Pjetri 1:12). Dhe kështu, ajo që Pali do të thoshte në këtë rast është se pamaturia e gruas që nuk mban një mbulesë koke do të ishte e trishtueshme për këto qenie të shenjta.
Krisostomi shkruan:
“Engjëjt janë të pranishëm këtu. Hap sytë e besimit dhe shiko këtë pamje. Sepse nëse vetë ajri është i mbushur me engjëj, sa më shumë është e mbushur Kisha me ta? …Dëgjo Apostullin që mëson këtë, kur ai urdhëron gratë të mbulojnë kokat e tyre me një vello për shkak të pranisë së engjëjve që ata të mos trishtohen nga pamaturia që janë qenie më të mëdha dhe më të larta.”
Një Kualifikim
Më pas, në vargjet 11-12 ka një kualifikim që të mos e dekurajojë gruan sikur Pali në një farë mënyre po mëson se gratë janë absolutisht inferiore ndaj burrave. Ai tregon se në një kuptim tjetër, ka një barazi të madhe.
“Por në Zotin as burri s’është pa gruan, as gruaja pa burrin.” (v. 11).
Ata kanë nevojë për njëri-tjetrin! Ata plotësojnë njëri-tjetrin. Që burri të mos mendojë: “Ah! Zoti më krijoi mua të parin dhe ti u krijove për të më shërbyer!” Pali do t’i thoshte atij burri: “ti ke nevojë për gruan! Ju keni nevojë për njëri-tjetrin. Ju nuk mund të bëni pa njëri-tjetrin.” Dhe pastaj ai vazhdon të thotë:
“Sepse sikurse gruaja vjen nga burri, ashtu edhe burri vjen nëpërmjet gruas; dhe gjithcka vjen nga Perëndia.” (v. 12).
Çdo burrë pas Adamit është “nga gruaja.” Asnjë prej nesh burrave nuk erdhi në këtë botë përveçse nga barku i nënave tona. Kështu që Pali nuk është një shovinist mashkullor këtu; ai nuk po përçmon gratë në asnjë mënyrë.
ARGUMENTI NGA NATYRA
Pastaj ka një argument nga natyra. “Gjykoni ndër veten tuaj: a i ka hije gruas t’i lutet Perëndisë pa u mbuluar? Po vetë natyra, a nuk ju mëson se, një burrë i mban flokët e gjatë, kjo është cnderim për të? Por në qoftë se gruaja i ka flokët të gjatë, kjo është lavdi për të, sepse flokët i janë dhënë asaj për mbulesë.” (vv. 13-15).
Pali i sfidon Korintasit në lidhje me këtë çështje në bërjen e asaj që është e denjë në adhurimin në kishë.
Çfarë do të thotë “lutje ose profetizim”?
Në këtë pikë le të flasim pak për frazën “lutje ose profetizim”, sepse Pali e përmend atë përsëri në vargun 13. A është e përshtatshme që një grua ti lutet Zotit e zbuluar?
“Lutje ose profetizim” nga gratë nuk mund të nënkuptojë që gratë mund t’i ushtrojnë këto funksione në kishë, sepse këto funksione nënkuptojnë autoritet. Ne e dimë këtë sepse vetëm dy kapituj më vonë lexojmë: “Gratë tuaja të heshtin në kisha: sepse nuk u lejohet të flasin; por duhet të nënshtrohen, sikurse e thotë edhe ligji. Dhe në qoftë se duan të mësojnë ndonjë gjë, le të pyesin burrat e tyre në shtëpi, sepse është turp për gratë të flasin në kishë.” (1 Kor. 14:34-35). Pra, çfarëdo që nënkupton lutja ose profetizimi i grave, nuk mund të nënkuptojë që brenda kishës këto gra të kenë, ose të lejohen të kenë, role mësimore zyrtare. Kjo është gjithashtu kundër praktikës së shumë kishave të tjera brenda Krishtërimit. Nuk është e drejtë që një grua të mësojë, siç thotë diku tjetër Pali, as të ushtrojë autoritet mbi një burrë (1 Tim. 2:12). Kjo shkon kundër natyrës. Kjo shkon kundër autoritetit që Zoti ka caktuar.
Kjo nuk e ul gruan, sepse gruaja është krijuar me dinjitetin më të madh. Dhe në Krishtin ka një barazi absolute, “nuk ka as mashkull as femër: sepse të gjithë jeni një në Jezus Krishtin” (Gal. 3:28; krahaso Kol. 3:11).
Nga ana tjetër, burrat mund të profetizojnë ose të luten në kishë, por kur ata e bëjnë këtë, sipas vargut 4, nuk duhet të jenë të mbuluar. Profesori John Murray e kupton këtë si vijon: “Nëse gratë do të luten ose profetizojnë publikisht, ato fare mirë mund të heqin mbulesat e kokës, sepse kjo nuk është asgjë tjetër veçse refuzimi i shenjës së nënshtrimit.” (Përdorimi i Mbulesave të Kokës në Adhurimin e Perëndisë).
Apostulli i mbështet të gjitha këto duke i’u referuar natyrës. “A nuk ju mëson vetë natyra…?” Ai kalon nga zbulesa e veçantë në zbulesën e përgjithshme dhe në mënyrë specifike i referohet ndryshimit të përgjithshëm të flokëve që mbajnë burrat dhe gratë. Ka një dallim gjinor natyror. Burrat priren të kenë flokë më të shkurtër, gratë priren të kenë flokë më të gjatë. Dhe nga natyra, kjo mbështet, argumentin që ai po bën.
ARGUMENTI NGA KISHA
Së fundi, argumenti nga Kisha. “Por në qoftë se ndokush mendon të kundërtshtojë, ne s’kemi zakon të tillë, as kishat e Perëndisë.” (v. 16).
Cfarë nënkuptohet këtu është se Apostulli Pali po qorton vetë-mjaftueshmërinë dhe grindjet e Korintasve. Ai po u thotë që, nëse ende dëshironi të luftoni, duhet të kuptoni se jeni vetëm. Praktika universale e kishave qëndron kundër jush. Gratë tona nuk heqin mbulesat e tyre, aq më pak të luten ose të profetizojnë në adhurimin e përbashkët.
2. PERGJIGJE NDAJ KUNDERSHTIMEVE
Tani le të merremi me disa kundërshtime. Ky është një pasazh sfidues dhe një çështje që jo të gjithë të krishterët e shohin në të njëjtën mënyrë. Kështu që, ne duam ti trajtojmë kundërshtimet që janë bërë ose që mund të bëhen, në një mënyrë të dashur dhe që e nderon Perëndinë.
Kundërshtimi 1: Mbulesat e kokës ishin kulturore
Kundërshtimi i parë që mund të ngrejë dikush është se ky zakon i grave, që ti kenë kokat e tyre të mbuluara në adhurimin publik të Perëndisë, ishte i përshtatshëm për kulturën e asaj kohe dhe prandaj nuk është i detyrueshëm sot. Sipas këtij kundërshtimi, mbulesa e kokës, pra, ishte thjesht një çështje kulturore. Që ka disa praktika kulturore shumë të dallueshme te kishat e Dhiatës së Re për të cilat nuk mendoj se ndonjëri prej nesh do që t’i praktikojmë. Për shembull, përshëndetja e njëri-tjetrit “me një puthje të shenjtë” në fund të disa letrave të Dhiatës së Re (Rom. 16:16; 1 Kor. 16:20; 2 Kor. 13:12; 1 Thes. 5:26). Ka disa që ende mund ta bëjnë këtë, por për shumë evropianë veriorë, nuk është diçka që e bëjmë. Ajo bëhet në disa kultura, por ne nuk do të thonim që është një ligj që të gjithë duhet ta mbajnë. Është një reflektim i dashurisë që shprehet në botën mesdhetare me një puthje të shenjtë. Pra, a është mbajtja e mbulesave të kokës nga gratë në të njëjtën kategori si puthja e shenjtë? Është një pyetje e natyrshme, dhe ne duam të jemi të ndjeshëm për këtë.
Përgjigje:
- 1. Ne përgjigjemi dhe pyesim, pse Apostulli që kishte një vizion afatgjatë për Kishën, do të merrej me zakone të pavlefshme? Këto që kemi lexuar janë katërmbëdhjetë vargje në një letër që është e mbushur me shumë doktrina dhe udhëzime. Pse do të ishte Apostulli kaq shumë i shqetësuar për diçka që vërtet është thjesht e pavlefshme? Unë them ‘patate’, ti thua ‘patato’. Nuk do të kishte shumë rëndësi. Por, ka më shumë kuptim, që një pasazh kaq i gjatë dhe i detajuar, të lexohet që po shpreh diçka normative për Kishën, në të gjitha epokat.
- 2. Ne gjithashtu mund të pyesim, pse Apostulli do të vendoste një peshë të tillë teologjike për të provuar pikën e tij? Katërmbëdhjetë vargje dhe ai hyn në disa çështje shumë të thella teologjike. Perëndia, Krishti, marrëdhënia e burrit dhe gruas, engjëjt, etj. A e bën ai këtë lloj gjëje me puthjen e shenjtë? A thotë ai, “Tani ju lavdëroj, vëllezër, që më kujtoni në të gjitha gjërat, dhe i mbani traditat, ashtu siç jua kam dhënë” …por ju vërtet duhet të rifilloni praktikën e puthjes së shenjtë, dhe ja pse… më lejoni t’ju jap këtë dhe atë arsye teologjike, etj.? Kjo nuk do të kishte kuptim.
- 3. Për më tepër, pse do ta përfshinte këtë—nëse kjo do të ishte thjesht kulturore—në një pjesë ku ai po korrigjon menjëherë abuzimet në adhurimin e kishës dhe rregullon çështjet për praktikën e ardhshme të popullit të Perëndisë? Pas këtij pasazhi është pjesa ku ai korrigjon abuzimet e tyre të Darkës së Zotit. Pse shkojmë te argumenti kulturor, kur argumenti që jemi duke treguar ka kuptim?
Kundërshtimi 2: Mbulesa e kokës është thjesht një traditë, jo një urdhëresë hyjnore
Një kundërshtim tjetër vjen nga përdorimi i fjalës “ordinanca” (παραδόσεις) nga Pali në vargun 2.
Teknikisht, në origjinal, fjala mund të përkthehet gjithashtu “tradita”. Mund të lexohet: “Dhe ju lavdëroj, vëllezër, që më kujtoni në të gjitha gjërat, dhe i mbani traditat, siç jua kam dhënë”. Pra, a nuk është kjo thjesht një traditë, duke nënkuptuar se tradita është relative? Ka shumë lloje të ndryshme traditash. Kur shkoni në shtëpi, me shumë mundësi keni disa tradita në lidhje me atë që do të hani ose bëni, ose kë do të telefononi. Ose, kur mblidheni për Ditën e Falenderimeve, keni disa tradita të caktuara. Ato janë gjëra të bukura, por nuk do t’i konsideronit të detyrueshme. Nuk do të thoshe që të gjithë duhet t’i përmbahen të njëjtës mënyrë se si i bëj unë.
Përgjigje:
- 1. Ne e pranojmë që me të vërtetë ka tradita njerëzore që nuk janë të detyrueshme. Dhe besoj se ne jemi aq të përulur që ta marrim seriozisht cështjen, kur dikush vjen tek ne me respekt dhe paraqet ndonjë praktikë ose traditë që kemi, si dicka që ai nuk e mendon biblike. Ne nuk duam ti bëjmë gjërat në kishën e Perëndisë thjesht sepse është diçka që e kemi bërë gjithmonë, dhe na pëlqen. Kjo është mënyra si bëhen gjërat në shumë kisha. Njerëzit nuk kanë një arsye biblike përse e bëjnë këtë ose përse e bëjnë atë gjë. “Eshtë thjesht diçka që e kemi bërë gjithmonë dhe na pëlqen, dhe jemi mësuar. Kështu që mos na e hiq atë!”
- 2. Por ndërsa ka tradita njerëzore që nuk kanë autoritet mbi ne, prapësëprapë ka edhe tradita hyjnore. 2 Thesalonikasve 2:15 përdor të njëjtën fjalë, “Prandaj, vëllezër, qëndroni dhe ruani traditat që keni mësuar, qoftë me anë të fjalës, qoftë me anë të letrës sonë.” Mbajini ato!
- 3. Ai gjithashtu i lavdëron Korintasit për mbajtjen e tyre, “Tani ju lavdëroj, vëllezër…” (v. 2). Nëse e lavdëron dikë, ti e bën sepse personi po bën një punë të mirë. Ata po punojnë shumë, dhe duhet të përgëzohen. Ai përdor gjuhën “siç jua kam dhënë”. Nëse ky kundërshtim do të qëndronte, do të ishte sikur unë të të lavdëroja ty për veshjen e materialit të poliestrës. Por unë nuk duhet as të të lavdëroj, as të të qortoj për këtë, pasi është dicka e pavlefshme. Ai gjithashtu përdor të njëjtën formulë më vonë në lidhje me Darkën e Zotit, “Sepse unë mora nga Zoti atë që ju transmetova edhe juve” (v. 23), por ai nuk mund t’i lavdërojë në atë rast sepse ata nuk kishin mbajtur me besnikëri traditat që Apostulli Pali u kishte dhënë atyre (v. 22). Kështu që nuk mund ti bëjmë mbulesat e kokës një gjë relative dhe kulturore kur lexojmë fjalën “ordinanca” ose “tradita”.
Kundërshtimi 3: Ka rëndësi parimi i kryesimit, jo mbulesat e kokës
Më tej, dikush mund të kundërshtojë duke thënë: ne nuk po heqim dorë nga parimet e kryesimit. Ne duhet të mbajmë parimet por të ndjekim zakonet e përshtatshme për kulturën tonë që nderojnë më së miri ato parime. E thënë në një mënyrë tjetër, ‘ne kemi të njëjtat parime që keni edhe ju. Ne nuk jemi si bota egalitariane që thotë se nuk ka dallime midis gjinive dhe se nuk ka dicka të tillë, ose nuk duhet të ketë dicka të tillë, që gruaja ti nënshtrohet burrit të saj. Kjo është ajo që thotë kultura jonë. Është një kulturë që është influencuar, jo nga Fjala e Zotit, por nga feminizmi. Ne kemi këto parime ashtu si ju, por thjesht ne themi se do t’i shprehnim dhe do t’i mbanim këto parime në një formë kulturore tjetër, përveç mbulesës së kokës.’
Përgjigje:
- 1. Ne e pranojmë se mund të ketë aspekte të mbulesave të kokës që mund t’i quajmë “pozitive.” Që do të thotë se ato në vetvete nuk janë as të drejta dhe as të gabuara. Nëse shkon në një mbledhje kishe në Irak do të shohësh gra që mbajnë lloje të caktuara mbulesash koke që janë mjaft ndryshe nga mbulesat e grave në Sudan. Personalisht, unë preferoj që gruaja ime të mbajë një kapele grash, sepse kjo ngjall më pak habi në Amerikë sesa llojet e tjera të mbulesave.
- 2. Por çfarë do të ishte ai zakon në një pikëpamje alternative, që nuk do të përfshinte ardhjen në adhurimin në kishë me një kokë të zbuluar— që është pikërisht gjëja të cilën Pali po kundërshton? Nëse dikush thotë se flokët e gjatë të gruas shërbejnë si mbulesë koke, atëherë ky është një argument krejt tjetër, që do ta trajtojmë tani.
Kundërshtimi 4: Flokët e gjatë të gruas janë mbulesa e saj e kokës
Ky kundërshtim thotë se nuk ka qenë kurrë praktika e kishës së hershme për të mbuluar kokën me një mbulesë artificiale, dhe ajo që praktikohej ishte thjesht mbajtja e flokëve të gjatë nga gratë. Pra, kjo mbulesë te 1 Korintasit 11, janë flokët e gjatë të gruas. Në shikim të parë, nga leximi i vargjeve 14 dhe 15 duket se mbështet këtë qëndrim. Le ta lexojmë përsëri, “Po vetë natyra, a nuk ju mëson se, në qoftë se një burrë i mban flokët të gjatë, kjo është cnderim për të? Por në qoftë se gruaja i ka flokët të gjatë, kjo është lavdi për të: sepse flokët e saj i janë dhënë asaj për mbulesë.” Mendoj se duke e lexuar këtë pasazh me sytë e shekullit 20 dhe 21 ka kuptim.
Përgjigje:
- 1. Pse Pali po e paraqet çështjen e gjatësisë së flokëve si një argument mbështetës? Kjo është cka po bën ai. Ai tha më parë se, “duke u bazuar në këto konsiderime: marrëdhënia midis mashkullit dhe femrës, Perëndisë dhe Krishtit, për shkak të engjëjve, dhe rendit të krijimit, gruaja ta mbulojë kokën. Dhe ja tani ku kemi edhe një argument tjetër që mbështet gjithçka që sapo thashë: shiko te natyra, shiko se si Perëndia i krijoi burrat dhe shikoni se si shoqëritë përgjithësisht ndjekin këtë model. Burrat kanë flokë të shkurtër, gratë kanë flokë më të gjatë.” Një argument mbështetës është veçmas nga argumenti vetë. Ti nuk e mbështet atë që po përpiqesh të provosh me atë që po përpiqesh të provosh. Pali po provon që gratë duhet të mbulojnë kokat e tyre në adhurimin publik me një lloj mbulese prej pëlhure, dhe ai po e mbështet këtë duke i’u referuar dëshmisë së natyrës, te dallimi që ekziston midis burrave dhe grave në gjatësinë e flokëve të tyre.
- 2. Por një përgjigje edhe më bindëse mund të nxirret nga vargu 6. “Sepse në qoftë se gruaja nuk mbulohet, le të qethet: por në qoftë se për gruan është turp të qethet a të rruhet, le të mbulojë kryet.” Nëse mbulesa e vargut 15 – flokët e gjatë të gruas – është e njëjta gjë si mbulesa e kokës për të cilën ai ka folur më parë, atëherë vargu 6 nuk ka kuptim. Është e tepërt. Do të ishte sikur të thoshte: ‘nëse ajo ka flokë të shkurtër, atëherë le të ketë flokë të shkurtër.’ Ose, ‘nëse ajo është rruar, atëherë le të jetë e rruar.’ Thjesht nuk do të kishte kuptim. Por vargu 6 ka kuptim plotësisht nëse e lexojmë në mënyrën që kemi kuptuar, që është, ‘nëse një grua nuk do të mbulojë kokën e saj, atëherë ajo fare mirë mund të jetë gjithashtu e qethur. Por nëse është turp për një grua të jetë e qethur ose e rruar, atëherë le të mbulojë kokën e saj.’
Kundërshtimi 5: Gratë duhet ti kenë gjithmonë kokat e mbuluara
Së fundi, a nuk duhet që gratë ti kenë kokat e tyre të mbuluara gjithmonë?
Përgjigje:
- 1. Në kontekst, ky pasazh i referohet mbledhjes publike të popullit të Perëndisë. Ai ka folur për lutjen dhe profetizimin. Nuk është e përshtatshme që një burrë të lutet dhe profetizojë me kokën e mbuluar. Dhe Pali gjithashtu flet për profetizimin në kishë te 1 Korintasit 14:4, “Ai që flet një gjuhë tjetër ndihmon veten e tij; por ai që profetizon, ndihmon kishën.” Po ashtu, vargjet 2 dhe 17 janë shumë të ngjashme dhe duket se lidhin të dy pasazhet. “Dhe ju lavdëroj, vëllezër, që më kujtoni në të gjitha gjërat, dhe i mbani traditat, siç jua kam dhënë.” (v. 2). “Por, duke porositur këtë, unë nuk ju lavdëroj, se ju mblidheni, jo për më mirë, por për më keq.” (v. 17). Kjo mbështet idenë se i referohet mbledhjes së popullit të Perëndisë kur ata “mblidhen” në adhurimin publik.
- 2. Argumenti mbështetës nga natyra, flokët e gjatë të gruas, duket se drejton te mandati i saj i kufizuar në vargjet 14 deri në 15. Në një farë kuptimi, për ‘Natyrën,’ flitet si dicka ‘aty jashtë’ në një mënyrë që është ndryshe nga ‘këtu brenda.’ “Kur mblidheni” në asamblenë e krishterë, ju po hyni në sferën e të mbinatyrshmes. Është këtu dhe jo atje, ku Jezusi ecën midis shtatë shtyllave të arta; është këtu në Kishë, shtylla dhe themeli i së vërtetës, ku ne banojmë në vetë shtëpinë e Perëndisë. Ne nuk duhet të ngatërrojmë natyrën dhe të mbinatyrshmen, botën dhe kishën. Rregulla të ndryshme zbatohen. Ne duhet të mbajmë Darkën e Zotit, por duhet t’i mbajmë të ndara vaktet e zakonshme, që si rregull, i ndajmë në vetë shtëpitë tona (v. 22). Megjithatë, natyra mbështet të mbinatyrshmen. Ne e sjellim natyrën në kishë çdo herë që mblidhemi; ne nuk i lëmë trupat tanë në derë me palltot dhe cadrat! Burrat hyjnë me flokët e tyre të shkurtër dhe gratë me flokët e tyre të gjatë. Por ndërsa ata hyjnë në një sferë ndryshe, më të lartësuar, një pjesëmarrje e veçantë zbatohet. Shenjtorët janë këtu, engjëjt janë këtu; dhe çfarë është më e rëndësishmja, Jezusi vetë është këtu! Dhe kështu gratë mbulojnë kokat e tyre. Është një pjesëmarrje unike, e megjithatë e rrënjosur në natyrë.
Duke thënë të gjitha këto, nëse ndokush është i pasigurt dhe dëshiroj ta mbajë një mbulesë koke në çdo kohë, brenda dhe jashtë adhurimit, nuk ka ndonjë ndalim për këtë.
PERFUNDIM
Dua të përfundoj me disa citime. Ne tashmë kemi përmendur mendimin e Krisostomit dhe Akuinës, por më lejoni të përfundoj me mendimet e të tjerëve që, megjithëse nuk janë në nivelin e Shkrimit të Shenjtë, jehonizojnë dhe konfirmojnë dëshminë e tij.
Tertuliani, i cili ishte një nga etërit e mëdhenj të kishës, shkroi rreth vitit 200 pas Krishtit një traktat të quajtur “Për Mbulesën e Virgjëreshave.” Duket që arsyeja përse ai e shkroi këtë ishte sepse virgjëreshat, gratë e pa martuara, po i hiqnin mbulesat e tyre në kishë dhe nuk mendonin se kishin nevojë ti mbanin ato për faktin se nuk ishin të martuara. Tertuliani shkruan, “Po kështu, edhe vetë korintasit e kuptonin atë. Në fakt, në këtë ditë korintasit i mbulojnë virgjëreshat e tyre. Ajo që mësuan apostujt, dishepujt e tyre e miratojnë.” Sigurisht, kjo përfshin edhe gratë e martuara, por në këtë pikë çështja në diskutim ishte mbi virgjëreshat. Kështu që Tertuliani na tregon se në vitin 200 pas Krishtit, nëse do të shkoje në kishën në Korint, gratë e pa martuara dhe virgjëreshat do ti kishin ende kokat e mbuluara në adhurim.
Agustini shkruan më vonë:
“nuk është e denjë as për gratë e martuara të zbulojnë flokët e tyre, sepse Apostulli urdhëron gratë të mbajnë kokat e tyre të mbuluara” (Letra 245, Për Posiduin).
Martin Luteri shkruan:
“gruaja nuk është krijuar nga koka, që ajo të mos sundojë mbi burrin e saj, por të jetë e nënshtruar dhe e bindur ndaj tij. Për këtë arsye, gruaja mban një mbulesë koke, që do të thotë, vellon mbi kokë, ashtu siç shkruan Pali te 1 Korintasit në kapitullin e njëmbëdhjetë, që ajo nuk është e lirë, por nën bindje ndaj burrit të saj.” (Një Predikim mbi Martesën, 15 Janar 1525).
R.C. Sproul shkruan:
“Mbajtja e mbulesave të kokës prej pëlhure në adhurim ishte praktikë universale e grave të krishtera deri në shekullin e njëzetë.” Kujtoj duke folur me nënën time disa vite më parë, dhe ajo më tha se kur shkonte në kishë si një vajzë e vogël, ajo dhe motra e saj mbanin kapele në kishë. Dhe ajo nuk ishte Presbiteriane – kjo ishte e vërtetë për të gjithë Krishterimin Amerikan. “Çfarë ndodhi?” pyet Sproul, “A filluam papritur të gjejmë ndonjë të vërtetë biblike ndaj së cilës shenjtorët ishin të verbër për mijëra vite? Apo ishin pikëpamjet tona biblike për gratë që gradualisht u gërryen nga lëvizja moderne feminste që ka infiltruar Kishën e Jezus Krishtit, e cila është ‘shtylla dhe themeli i së vërtetës’ (1 Tim. 3:15)?” Tani, kjo është një pyetje e mirë!
Nxitje
Ju lë me këtë nxitje nga Pali, “gjykoni ndër veten tuaj” (v. 13), zgjidhni çështjen në ndërgjegjen tuaj. Ju inkurajoj gjithashtu, ju vajza të reja, gra që mbani kapele, sigurohuni që po e bëni për arsyet e duhura. Por gjithashtu të jemi të hirshëm ndaj të tjerëve që mund të mos bien dakord me ne, dhe ta fitojmë ditën përmes dashurisë. Amen.
Perkthyer nga https://purelypresbyterian.com/2019/07/15/head-coverings-in-worship/