Një Përshëndetje për Vitin e Ri
Për E. M., Janar, 1859.
Mikja ime e dashur,
Pyes veten nëse ke marrë një porcion për vitin e ri dje. Mbrëmë, ndërsa po kërkoja Jezusin, këto fjalë më erdhën në mendje me ëmbëlsi: “shpirti i atyre që janë të kujdesshëm do të kënaqet plotësisht.” (Fjalët e Urta 13:4) Për këtë arsye, vendosa që ato të jenë motoja ime për vitin e ri. Këto fjalë i ndiej të jenë shumë qortuese për zemrën time të ngadaltë, por ka një ëmbëlsi të tillë në gojën e të Dashurit tonë, sa që edhe një qortim nga buzët e Tij të dashura bie si një pikë mjalti në shpirt. Oh, le të na frymëzojë Shpirti i bekuar me zellin dhe kujdesin e vërtetë shpirtëror, që na çon te më shumë sesa dëshira. Sepse ne mund të kemi ‘dëshira’ dhe përsëri të jemi ende të ngadaltë dhe të plogët. “Shpirti i përtacit dëshiron dhe nuk ka asgjë.” “Dora e njeriut të kujdeshëm do të sundojë, por dora e përtacëve do t’i nënshtrohet punës së detyrueshme.” (Fjalët e Urta 12:24) — nën skllavëri ndaj botës dhe mishit, në vend të lirisë së Shpirtit. Zot i hirshëm, na bëj të kujdesshëm dhe të zellshëm, dhe na mbaj të tillë përmes ripërtëritjeve të Frymës së Shenjtë.
Por qëllimi im kryesor në këtë shkrim ishte të të jap një fjalë që më shkriu zemrën të premten në mbrëmje, nga Isaia 50, një kapitull i preferuar i imi, dhe në leximin e të cilit Zoti ynë i çmuar tregoi veten e Tij me dashuri përmes këtij vargu: “I paraqita kurrizin tim atij që më rrihte dhe faqet e mia atij që më shkulte mjekrën; nuk ia fsheha fytyrën time poshtërimit dhe të pështyrave.” (Isaia 50:6). Jo, Ai do të na fshihte, duke mos e fshehur veten e Tij. Ai do të goditej, që përmes plagëve të Tij ne mund të shërohemi. Balsami ynë i gjallë do të kishte prerjet frikësuese në mishin e Tij, që virtytet e tij balsamike të rridhin në shpirtin tonë të sëmurë. Pusi ynë i Betlehemit u hap në Kalvar. Aty mund të mblidhemi ne mëkatarët e varfër sot, dhe, duke u mbledhur rreth kryqit të tij, të pijmë lirisht nga vera më e mirë. Të pimë për të zhdukur ngadalësinë tonë, dhe të pimë derisa të zgjohemi në punë të shenjta, duke kërkuar më shumë nga rrëkeja e gjallë, dhe, duke u ushqyer me Të, të jetojmë përmes Tij. (Gjoni 6:56, 57) Oh, ajo fytyrë e shenjtë dhe e dashur, që nuk u fsheh nga poshtërime të tilla për shkakun tonë! Unë mrekullohem dhe e adhuroj!
Le të jetë meditimi yt për Të i ëmbël, dhe le të sjellë Ai bukën dhe verën për të burgosurin e Tij.
Me dashuri të ngrohtë,
Ruth