Lutja: Këshillë për Shenjtorët!

Lutja

Nga J. C. Ryle

Lufta

Së fundi, më lejoni të flas për ata që luten. Unë kam besim se disa prej atyre që e lexojnë këtë, e dinë mirë se çfarë është lutja dhe kanë Frymën e birësimit. Të gjithë personave të tillë, dua t’u ofroj disa fjalë këshille dhe nxitjeje vëllazërore. Temjani që ofrohej në tabernakull ishte urdhëruar të përgatitej në një mënyrë të caktuar. Jo çdo lloj temjani ishte i pranueshëm. Le ta kujtojmë këtë dhe të jemi të kujdesshëm si për përmbajtjen, ashtu edhe për mënyrën e lutjeve tona.

Vëllezër që luteni, nëse di ndonjë gjë për zemrën e një të krishteri, ju shpesh jeni të pakënaqur me vetë lutjet tuaja. Ju asnjëherë nuk i ndieni më shumë fjalët e apostullit: “Kur unë dua të bëj të mirën, e keqja ndodhet në mua” (Romakëve 7:21), sesa kur jeni disa herë në gjunjë. Ju e kuptoni thënien e Davidit: “I urrej mendimet e kota” (Psalmi 119:113 Përkthimi KJV). Ju mund të ndjeni dhembshuri për atë hotentot1 të varfër të kthyer, që u dëgjua duke u lutur: “O Zot, më çliro nga të gjithë armiqtë e mi, por mbi të gjitha, nga ai njeri i keq, vetja ime.” Ka pak bij të Perëndisë që nuk e përjetojnë shpesh kohën e lutjes si një kohë lufte. Djalli ka një zemërim të veçantë ndaj nesh kur na sheh në gjunjë. E megjithatë, unë besoj se lutjet që nuk na kushtojnë asnjë përpjekje duhet të shihen me shumë dyshim. Unë besoj se ne jemi gjykatës shumë të dobët të cilësisë së lutjeve tona, dhe se lutja që ne na pëlqen më së paku, shpesh i pëlqen më shumë Perëndisë. Më lejoni, pra, si një bashkë-shoqërues në luftën e krishterë, t’ju ofroj disa fjalë nxitjeje. Të paktën, një gjë e ndjejmë të gjithë: ne duhet të lutemi. Ne nuk mund ta heqim dorë nga ajo. Ne duhet të vazhdojmë përpara.

Qëndrimi

Ju rekomandoj rëndësinë e nderimit dhe përulësisë në lutje. Le të mos harrojmë asnjëherë se kush jemi dhe sa solemne është të flasësh me Perëndinë. Le të ruhemi nga hyrja në praninë e Tij me pakujdesi dhe lehtësi. Le t’i themi vetes: “Unë jam në tokë të shenjtë. Kjo nuk është asgjë tjetër veçse porta e qiellit. Nëse nuk e kam me gjithë zemër atë që them, unë po tallem me Perëndinë. Nëse ruaj paudhësi në zemrën time, Zoti nuk do të më dëgjojë.”

Le të mbajmë në mend fjalët e Solomonit: “Mos u nxito me gojën tënde, dhe zemra jote të mos shpejtohet të thotë ndonjë fjalë përpara Perëndisë, sepse Perëndia është në qiell dhe ti mbi tokë” (Predikuesi 5:2). Kur Abrahami i foli Perëndisë, ai tha se ishte “veçse pluhur dhe hi” (Zanafilla 18:27). Kur Jobi i foli Perëndisë, tha: “Unë jam i lig” (Jobi 40:4 KJV). Le të bëjmë edhe ne po kështu.

Ju rekomandoj rëndësinë e të luturit në mënyrë shpirtërore. Me këtë dua të them që të përpiqemi gjithmonë që të kemi ndihmën e drejtpërdrejtë të Frymës në lutjet tona dhe mbi të gjitha, të ruhemi nga formalizmi. Nuk ka asgjë aq shpirtërore sa të mos mund të kthehet në një zakon të thatë. Kjo është veçanërisht e vërtetë për lutjen personale. Pa e kuptuar, ne mund të bëjmë zakon përdorimin e fjalëve më të përshtatshme, dhe ofrimin e kërkesave më biblike, dhe megjithatë t’i bëjmë të gjitha mekanikisht, pa ndjenja, duke vepruar përditë në të njëtën mënyrë. Dua ta prek këtë pikë me kujdes dhe delikatesë. E di se ka disa gjëra të mëdha që i kemi nevojë përditë, dhe nuk ka asgjë domosdoshmërisht formale nëse i kërkojmë këto gjëra me të njëjtat fjalë. Bota, djalli dhe zemrat tona janë përditë të njëjtat. Me domosdo, duhet të ecim përditë mbi të njëjtat shtigje. Por them këtë: duhet të jemi shumë të kujdesshëm në këtë pikë. Nëse skeleti dhe struktura e lutjeve tona, nga zakoni, janë bërë thuajse një formë, atëherë le të përpiqemi që veshja dhe mbushja e këtyre lutjeve të jenë sa më shumë të jetë e mundur nga Fryma. Sa për citimin e thatë të lutjeve nga një libër, në devocionet tona personale, është një zakon që nuk mund ta lavdëroj. Nëse mund t’u tregojmë mjekëve tanë gjendjen e trupit pa pasur nevojë për një libër, ne duhet të jemi në gjendje t’i tregojmë Perëndisë gjendjen e shpirtit tonë. Nuk kam asnjë kundërshtim që një njeri të përdorë paterica kur po shërohet nga një këmbë e thyer. Është më mirë të ecësh me paterica sesa të mos ecësh fare. Por nëse do ta shihja atë tërë jetën mbi paterica, nuk do ta quaja arsye për përgëzim. Unë do doja që ta shihja atë mjaftueshëm të fortë, sa për t’i hedhur tutje patericat.

Praktika

Ju rekomandoj rëndësinë e bërjes së lutjes një pjesë të rregullt të jetës suaj. Unë mund të them diçka për vlerën e caktimit të orareve të rregullta në ditë për lutje. Perëndia është një Perëndi i rregullit. Orët për flijimin e mëngjesit dhe të mbrëmjes në Tempullin hebraik nuk ishin të përcaktuara pa një qëllim. Parregullsia është një nga frytet e mëkatit. Por nuk dua t’i jap askujt barrë të panevojshme. Vetëm këtë them: është thelbësore për shëndetin e shpirtit tënd që ta bësh lutjen pjesë të punës tënde çdo njëzet e katër orë në jetën tënde. Ashtu siç cakton kohë për të ngrënë, për të fjetur dhe për punët e tua, cakto edhe kohë për lutjen. Zgjidh oraret dhe momentet që të përshtaten. Së paku, fol me Perëndinë në mëngjes përpara se të flasësh me botën, dhe fol me Perëndinë në mbrëmje pasi të kesh mbaruar me botën. Por vendose në mendjen tënde që lutja është një nga gjërat më të rëndësishme të çdo dite. Mos e shty në cep. Mos i jep thërrimet dhe mbetjet e detyrave të tua. Çfarëdo gjëje tjetër që bën me përkushtim, bëje me përkushtim edhe lutjen.

Ju rekomandoj rëndësinë e këmbënguljes në lutje. Pasi të keni filluar këtë zakon, mos e lini kurrë. Zemra jote do të të thotë ndonjëherë: “Ti u lute me familjen; çfarë të keqe ka nëse nuk lutesh privatisht?” Trupi do të të thotë ndonjëherë: “Ti je i sëmurë, apo i përgjumur, apo i lodhur; nuk ke pse të lutesh.” Mendja do të të thotë ndonjëherë: “Ti ke për të bërë punë të rëndësishme sot; bjeri shkurt lutjes.” Shihi të gjitha këto sugjerime si fjalë që vijnë drejtpërdrejt nga Satani. Të gjitha në thelb, janë sikur të thoshin: “Mos u kujdes për shpirtin tënd.” Nuk po them që lutjet duhet të jenë gjithmonë në të njëjtën gjatësi, por po them këtë: mos lejo asnjë justifikim që të të bëjë të heqësh dorë nga lutja.

Pali tha: “Ngulmoni në lutje” dhe “Lutuni pa pushim” (Kolosianëve 4:2; 1 Thesalonikasve 5:17). Ai nuk donte të thoshte që njerëzit duhet të jenë gjithmonë në gjunjë, por donte të thoshte që lutjet tona duhet të jenë, si flijimi i vazhdueshëm i djegur, të qëndrueshme, këmbëngulëse çdo ditë; duhet të jenë si koha e mbjelljes dhe e korrjes, si vera dhe dimri, që vijnë pa ndërprerje në kohët e tyre të caktuara; duhet të jenë si zjarri mbi altar, jo gjithmonë duke përpirë flijime, por kurrë duke mos u fikur plotësisht. Mos harro kurrë që mund t’i lidhësh devocionet e mëngjesit dhe të mbrëmjes me një zinxhir të pandërprerë lutjesh të shkurtra gjatë ditës. Edhe në shoqëri, në punë, apo në mes të rrugës, mund të dërgosh në heshtje lutje të vogla me krahë të shpejtë drejt Perëndisë, ashtu siç bëri Nehemia në vetë praninë e Artakserksit (Nehemia 2:4). Dhe mos mendo kurrë se është humbje kohe ajo që i jepet Perëndisë. Një komb nuk bëhet më i varfër sepse humbet një ditë pune në shtatë kur mban Shabatin (të Dielën). Një i krishterë kur këmbëngul në lutje, nuk del humbës.

Qëndrimi

Ju rekomandoj rëndësinë e zellit në lutje. Nuk është e nevojshme që një njeri të bërtasë, të ulërijë, apo të flasë me zë të lartë për të treguar se është i zjarrtë në lutje. Por është e dëshirueshme që të jemi të sinqertë, të zjarrtë dhe të ngrohtë në lutje, dhe të kërkojmë sikur vërtet na intereson ajo që po bëjmë. Është “lutja e përzemërt dhe efektive” ajo që “ka shumë fuqi” (Jakobi 5:16). Ky është mësimi që na jepet nga shprehjet e përdorura në Shkrim për lutjen: ajo quhet “thirrje, trokitje, përleshje, mundim dhe përpjekje”.

Ky është mësimi që na japin edhe shembujt e Shkrimit. Jakobi është një prej tyre. Ai i tha engjëllit në Penuel: “Nuk do të të lë të shkosh, përveç nëse më bekon” (Zanafilla 32:26). Danieli është një tjetër. Dëgjoje si i’u lut Perëndisë ai: “O Zot, dëgjo; o Zot, fal; o Zot, kushtoji kujdes dhe vepro. Mos vono, për hir të vetes, o Perëndia im!” (Danieli 9:19). Zoti ynë Jezu Krisht është një tjetër. Është shkruar për Të: “Në ditët e mishit të Tij, me klithma të forta dhe me lot, I ofroi lutje dhe atij që mund ta shpëtonte nga vdekja.” (Hebrenjve 5:7). Sa ndryshe janë këto nga shumë prej lutjeve tona! Sa të vakëta dhe të plogëta duken ato në krahasim. Me të vërtetë, Perëndia mund t’u thotë shumë prej nesh: “Ti nuk e dëshiron me të vërtetë atë për të cilën lutesh.”

Le të përpiqemi ta ndreqim këtë mangësi. Le të trokasim fort në derën e hirit, si Mëshira te Udha e Shtegëtarit”, sikur të jemi duke humbur nëse nuk dëgjohemi. Le ta vendosim në mendjen tonë që lutjet e ftohta janë një flijim pa zjarr. Le të kujtojmë historinë e Demostenit, oratorit të madh, kur një burrë erdhi dhe i kërkoi të mbronte çështjen e tij. Demosteni e dëgjoi pa shumë vëmendje ndërsa burri fliste pa zjarr. Kur burri e pa këtë dhe shpërtheu me ankth duke thënë se gjithçka ishte e vërtetë, Demosteni tha: “Ah, tani të besoj.”

Ju rekomandoj rëndësinë e të luturit me besim. Ne duhet të përpiqemi të besojmë se lutjet tona dëgjohen dhe se, nëse kërkojmë gjëra sipas vullnetit të Perëndisë, do të marrim përgjigje. Ky është urdhërimi i qartë i Zotit tonë Jezu Krisht: “Të gjitha ato që ju kërkoni duke u lutur, besoni se do t’i merrni dhe ju do t’i merrni” (Marku 11:24). Besimi është për lutjen ashtu siç është pendëza për shigjetën. Pa të, lutja nuk do të godasë në shenjë.

Ne duhet të kultivojmë zakonin e kërkimit të mbajtjeve të premtimeve të Perëndisë në lutjet tona. Ne duhet të marrim me vete ndonjë premtim dhe të themi: “O Zot, ja ku është Fjala Jote e dhënë. Bëj për ne sipas asaj që ke thënë.” Kjo ishte praktika e Jakobit, Moisiut dhe Davidit. Psalmi 119 është plot me kërkesa të bëra “sipas fjalës sate.” Mbi të gjitha, ne duhet të kultivojmë zakonin e pritjes së përgjigjeve ndaj lutjeve tona. Ne duhet të sillemi si tregtari që dërgon anijet në det. Ne nuk duhet të kënaqemi, derisa të shohim ndonjë kthim mbrapa. Mjerisht, ka pak pika ku të krishterët dështojnë aq shumë sa në këtë. Kisha në Jeruzalem u lut pa pushim për Pjetrin në burg; por kur lutja u përgjigj, ata mezi e besonin (Veprat 12:15)! Është një thënie solemne nga Robert Traill2: “Nuk ka shenjë më të sigurt që dikush po tallet me lutjen, se kur njerëzit janë të pakujdeshëm për atë që marrin nga lutja.”

Kërkimi

Ju rekomandoj rëndësinë e guximit në lutje. Ka një lloj familjariteti të papërshtatshëm në lutjet e disa njerëzve që nuk mund ta lavdëroj. Por ka një gjë të tillë si guximi i shenjtë, që është shumë i dëshirueshëm. E kam fjalën për një guxim të tillë si ai i Moisiut, kur i’u lut Perëndisë të mos e shkatërronte Izraelin. Ai tha: “Pse duhet që Egjiptasit të thonë: ‘Ai I nxori për t’ju bërë keq, që të vriten mbi mallet dhe për t’i shfarosur nga faqja e dheut? Hiq dorë nga zemërimi yt i zjarrtë” (Eksodi 32:12). E kam fjalën për guximin e Jozueut, kur izraelitët u mundën përpara njerëzve të Ait: “Çfarë do të bësh ti atëhere për emrin tënd të madh?” (Jozueu 7:9). Ky ishte guximi me të cilin njihej Luteri. Një person që e dëgjoi teksa lutej tha: “Çfarë fryme, çfarë sigurie kishte në fjalët e tij! Ai lutej me një nderim të thellë, si dikush që i lutej Perëndisë, dhe prapësëprapë me një shpresë dhe siguri të tillë, si të fliste me një Atë ose mik të dashur.” Ky ishte guximi që e veçonte edhe Brusin, një teolog i madh skocez i shekullit të shtatëmbëdhjetë. Për lutjet e tij thuhej se ishin “si shigjeta të hedhura në qiell.” Edhe këtu, kam frikë se kemi shumë për të ndrequr. Ne nuk e kuptojmë sa duhet privilegjin e besimtarit. Ne nuk ndërhyjmë aq shpesh sa duhet në lutje duke thënë: “O Zot, a nuk jemi populli yt? A nuk është për lavdinë Tënde që të shenjtërohemi? A nuk është për nderin Tënd që ungjilli yt të përhapet?”

Ju rekomandoj rëndësinë e plotësisë në lutje. Unë nuk harroj që Zoti ynë na paralajmëroi kundër shembullit të farisenjve që bënin lutje të gjata për t’u dukur, dhe që Ai na urdhëron që kur të lutemi, të mos përdorim përsëritje të kota (Mateu 6:7). Por nga ana tjetër, unë nuk mund të harroj që Ai vetë e miratoi lutjen e gjatë dhe të thellë, kur kaloi tërë natën në lutje ndaj Perëndisë. Në çdo rast, sot nuk është shumë e mundur që të gabojmë në të luturit e tepërt. A nuk është më shumë për t’u frikësuar se shumë besimtarë në këtë brez luten shumë pak? A nuk është koha që shumë të krishterë i kushtojnë lutjes, jashtëzakonisht e vogël? Kam frikë se këto pyetje nuk mund të marrin një përgjigje të kënaqshme. Kam frikë se devocionet personale të shumëkujt, në mënyrë të dhimbshme, janë të varfra dhe të kufizuara, sa për të treguar që janë ende gjallë, por asgjë më shumë. Ata duken sikur duan fare pak nga Perëndia. Ata duken sikur kanë pak gjëra për të rrëfyer, pak për të kërkuar dhe pak për të falënderuar. Mjerë ne, kjo është tërësisht gabim.

Nuk ka gjë më të zakonshme sesa të dëgjosh besimtarët të ankohen se nuk përparojnë. Ata na thonë që nuk rriten në hir siç do të dëshironin. A nuk duhet të vihet në dyshim se shumë prej tyre kanë aq hir sa kanë kërkuar? A nuk është e vërteta që ata kanë pak sepse ata kërkojnë pak? Shkaku i dobësisë së tyre ndodhet te vetë lutjet e tyre të zbehta, të përçudnuara, të prera, të ngushta, të nxituara, të shkurtra dhe të pakta. “Nuk kanë, sepse nuk kërkojnë” (Jakobi 4:2). Oh, ne nuk jemi të kufizuar në Krishtin, por në veten tone. Zoti thotë: “Hap gojën tënde gjerë, dhe Unë do ta mbush.” (Psalmi 81:10) Por ne jemi si mbreti i Izraelit që goditi në tokë vetëm tri herë dhe pastaj pushoi, kur duhej të kishte goditur pesë ose gjashtë herë (2 Mbretërve 13:18).

Ju rekomandoj rëndësinë e konkretësisë në lutje. Ne nuk duhet të kënaqemi me lutje të përgjithshme dhe të paqarta. Ne duhet t’i specifikojmë nevojat tona përpara fronit të hirit. Nuk mjafton të rrëfejmë që jemi mëkatarë. Ne duhet të përmendim mëkatet për të cilat ndërgjegjja na dëshmon se jemi më shumë fajtorë. Nuk mjafton të kërkojmë shenjtëri. Ne duhet të përmendim hiret që na mungojnë më shumë. Nuk mjafton t’i themi Zotit që jemi në mundim. Ne duhet ta përshkruajmë me hollësi mundimin tonë dhe të gjitha veçoritë e tij. Këtë bëri Jakobi kur kishte frikë nga vëllai i tij Esau. Ai i thotë Perëndisë saktësisht se nga çfarë ka frikë (Zanafilla 32:11). Këtë bëri Eliezeri kur kërkoi një grua për djalin e zotërisë së tij. Ai i paraqet Perëndisë pikërisht atë që dëshiron (Zanafilla 24:12). Këtë bëri Pali kur kishte një gjemb në mish. Ai i’u lut Zotit për këtë (2 Korintasve 12:8).

Ky është besim i vërtetë dhe siguri e sinqertë. Ne duhet të besojmë se nuk ka gjë shumë të vogël sa të mos mund të thuhet përpara Perëndisë. Çfarë do të mendonim për një pacient që i thotë mjekut se është i sëmurë, por nuk tregon asgjë specifike? Çfarë do të mendonim për një grua që i thotë burrit të saj se nuk është e lumtur, por nuk shpjegon shkakun? Çfarë do të mendonim për një fëmijë që i thotë të atit se është në vështirësi, por nuk thotë më tepër? Krishti është dhëndri i vërtetë i shpirtit, mjeku i vërtetë i zemrës, Ati i vërtetë i gjithë popullit të Tij. Le të tregojmë se e ndiejmë këtë duke qenë të hapur dhe të sinqertë në komunikimin tonë me Të. Të mos fshehim asnjë sekret prej Tij. Le t’i tregojmë Atij të gjithë zemrën tonë.

Ju rekomandoj rëndësinë e ndërmjetësimit në lutjet tona. Nga natyra, të gjithë jemi egoistë, dhe ky egoizëm shpesh na ndjek edhe pasi jemi kthyer. Ne kemi prirjen të mendojmë vetëm për shpirtin tonë, për luftërat tona shpirtërore, për rritjen tonë në besim, dhe të harrojmë të tjerët. Kundër kësaj prirjeje duhet të ruhemi dhe të luftojmë, veçanërisht në lutjet tona. Ne duhet të mësojmë të kemi një frymë publike. Ne duhet ta nxisim veten tonë që të përmendim emra të tjerë përveç tanëve përpara fronit të hirit. Ne duhet të përpiqemi të mbajmë në zemër tërë botën: jobesimtarët, hebrenjtë, katolikët romanë, trupin e besimtarëve të vërtetë, kishat protestante që e rrëfejnë besimin, vendin ku jetojmë, kishën lokale ku i përkasim, familjen me të cilën jetojmë, miqtë dhe të afërmit me të cilët kemi lidhje. Për të gjithë këta duhet të ndërmjetësojmë në lutje.

Kjo është dashuria më e lartë. Më do më shumë ai që më përmend në lutjet e tij. Kjo është për shëndetin e shpirtit tonë. Ajo zgjëron ndjesitë tona dhe zgjeron zemrat tona. Kjo është për dobinë e kishës. Rrotat e të gjitha mekanizmave për përhapjen e ungjillit lëvizin përmes lutjes. Po aq sa ata që luftojnë si Jozueu në mes të betejës, për kauzën e Zotit, bëjnë edhe ata që ndërmjetësojnë si Moisiu mbi mal. Kjo është të jesh si Krishti. Ai mban emrat e popullit të Tij përpara Atit, si Kryeprifti i tyre. Oh, çfarë privilegji është të jesh i ngjashëm me Jezusin! Kjo është gjithashtu të jesh ndihmës i vërtetë për shërbyesit e Perëndisë. Nëse duhet të zgjedh një kishë, më jep një kishë me njerëz që luten.

 

Falënderimi

Ju rekomandoj rëndësinë e mirënjohjes në lutje. E di mirë që t’i kërkosh Perëndisë është njëra gjë, dhe të lavdërosh Perëndinë, është një gjë tjetër. Por në Shkrim unë shoh një lidhje shumë të ngushtë midis lutjes dhe lavdërimit, aq sa nuk guxoj ta quaj të vërtetë atë lutje në të cilën nuk ka aspak mirënjohje. Nuk është rastësi që Pali thotë: “I’a parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë, me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falenderim.” (Filipianëve 4:6). Dhe përsëri: “Ngulmoni në lutje, duke ndenjur zgjuar në të me falënderim.” (Kolosianëve 4:2). Është mëshirë që nuk jemi në ferr. Është mëshirë që kemi shpresën e qiellit. Është mëshirë që jetojmë në një vend me dritë shpirtërore. Është mëshirë që jemi thirrur nga Fryma dhe nuk jemi lënë të korrim frytin e rrugëve tona. Është mëshirë që ende jetojmë dhe kemi mundësi të përlëvdojmë Perëndinë, qoftë me jetë aktive apo me durim pasiv. Me të vërtetë, këto mendime duhet të vërshojnë në mendjen tonë sa herë i flasim Perëndisë. Nuk duhet të hapim buzët për lutje pa e bekuar Perëndinë për hirin e tij të lirë në të cilin jetojmë, dhe për dashurinë e tij të përjetshme që vazhdon përjetë.

Nuk ka pasur kurrë ndonjë shenjtor të spikatur që të mos ishte plot mirënjohje. Pali zor se shkruan ndonjë letër pa filluar me falënderim. Burra si Uajtfilldi (Whitefield) në shekullin e kaluar dhe Bikerstethi (Bickersteth) në kohët tona, ishin të mbushur me falënderim. Oh, lexues, nëse duam të jemi drita të shndritshme në ditët tona, duhet të ushqejmë një frymë lavdërimi. Le të jenë lutjet tona lutje falenderuese.

Në gatishmëri

Ju rekomandoj rëndësinë e vigjilencës në lutjet tuaja. Lutja është ajo pikë në jetën e besimit ku duhet të jemi më së shumti vigjilentë. Këtu fillon feja e vërtetë; këtu ajo lulëzon dhe këtu ajo kalbëzohet. Më trego lutjet e një njeriu, dhe do të të them shpejt në çfarë gjendje është shpirti i tij. Lutja është pulsi shpirtëror. Përmes saj mund të matet shëndeti i brendshëm. Lutja është si një barometër shpirtëror. Me të mund të kuptojmë nëse zemra jonë është në mot të kthjellët apo të trazuar.

Oh, le ta mbajmë gjithmonë syrin mbi lutjet tona personale! Këtu gjendet thelbi dhe esenca e Krishterimit tonë praktik. Predikimet, librat, broshurat, mbledhje komitetesh dhe shoqëria me njerëz të mire, janë të gjitha të mira në vendin e vet, por asnjë prej tyre nuk mund të zëvendësojë neglizhimin e lutjes personale.

Shiko me kujdes vendet, shoqëritë dhe shokët që ju shkëputin zemrën nga bashkësia me Perëndinë dhe i bëjnë lutjet tuaja të jenë të rënda e të sforcuara. Qëndroni në roje. Vini re me vëmendje cilët miq dhe cilat angazhime ua lënë shpirtin më të kthjellët dhe më të gatshëm për t’i folur Perëndisë. Pas atyre lidhuni dhe qëndroni fort. Nëse kujdeseni për lutjet tuaja, asgjë nuk do të shkojë shumë keq me shpirtin tuaj.

Unë i paraqes këto pika për shqyrtimin tuaj personal. E bëj këtë me përulësi. Nuk njoh njeri që ka më shumë nevojë të kujtohet për to sesa unë vetë. Por i besoj si të vërtetën e Perëndisë, dhe dëshiroj që unë dhe çdo njeri që dua, t’i ndiejmë ato më thellë.

Unë dua që kohët në të cilat jetojmë të jenë kohë lutjeje. Unë dua që të krishterët e ditëve tona të jenë të krishterë që luten. Unë dua që kisha të jetë një kishë që lutet. Dëshira dhe lutja e zemrës sime, në dërgimin e kësaj broshure, është të nxis frymën e lutjes. Dua që ata që nuk janë lutur kurrë më parë, të ngrihen dhe të thërrasin drejt Perëndisë; dhe dua që ata që luten, të shohin mos vallë po luten keq.

“Duhet lutur vazhdimisht.” — Lluka 18:1

___

Shkëputur nga libri “Një Thirrje për t’u Lutur” nga J. C. Ryle

___

1 – Hottentot – emër fisnor i regjistruar për herë të parë në fund të shekullit të 17-të dhe i përdorur për popullin Khoikhoi të Afrikës së Jugut dhe Namibisë.

2 – Robert Traill (1642–1716) – Puritan anglez; pastor presbiterian dhe autor.

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes