LETËR E HAPUR DREJTUAR TË RINJVE TË KRISHTERË MBI SHENJTËRINË E JETËS

vrasja

LETËR E HAPUR DREJTUAR TË RINJVE TË KRISHTERË

MBI SHENJTËRINË E JETËS

Të dashur të rinj e të reja të krishterë, në letrën time të katërt dëshiroj të trajtoj një çështje (sipas meje) me mjaft rëndësi për vendin tonë në ditët e sotme. Do të ndalem në temën e lidhur me shenjtërinë e jetës, duke pasur parasysh humbjet e shumta të jetëve njerëzore që ndodhin në Shqipërinë tonë, ditë për ditë dhe për një mori shkaqesh.

Mjafton të hapim televizorin dhe shohim e dëgjojmë për vrasjet që kryhen rëndom në kuadrin e të ashtuquajturës larje hesapesh mes grupeve kriminale apo për një sërë motivesh të dobëta, si për shembull xhelozia, konfliktet e lidhura me pronën, inatet e atypëratyshme (p.sh. njëri e sheh tjetrin vëngër, dikush ka parkuar në vendin e gabuar, një grindje fëmijësh që kthehet në luftë të rriturish, etj.), e kështu me radhë. Atyre iu shtohen vdekjet e shkaktuara prej aksidenteve të shumta rrugore si pasojë e mosrespektimit të rregullave të trafikut, vdekje të cilat përkuqin e trishtojnë fundjavat tona. Pa përmendur këtu vdekjet që vijnë si pasojë e trajtimit të parregullt, anormal dhe të pandërgjegjshëm të shëndetit të njeriut përmes ushqimeve të skaduara, frutave dhe perimeve të trajtuara me hormone, si dhe aksidenteve në punë për shkak të shkeljes dhe moszbatimit të rregullave teknike e të sigurisë. Një mik imi i huaj më tha një herë: “Në vendin tuaj jeta është shumë e lirë, njëlloj sikur të mos vlente asnjë dyshkë!” Mendoj që vëzhgimi i tij ishte plotësisht i saktë edhe në vijim do të përpiqem të hulumtoj se përse ndodh kështu!

Mendoj se pikënisja e duhur për hulumtimin tonë është pikërisht doktrina e krijimit sipas Biblës së Shenjtë, e cila paraqitet që në faqet e para të librit të parë të Shkrimit të Shenjtë, i cili njihet ndryshe si Zanafilla. Aty ne shohim se si Perëndia e krijoi mbarë gjithësinë, duke filluar me galaktikat, yjësitë, planetët e duke mbaruar me mikroorganizmat e shtëpisë tonë, Tokës, brenda gjashtë ditëve 24-orëshe. Mirëpo, pika kulmore, kurora e krijimit të Perëndisë ishte njeriu dhe kjo për një arsye shumë të veçantë:

Pastaj Perëndia tha: “Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne, dhe të ushtrojë sundimin e tij mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit, mbi kafshët e mbi gjithë tokën, mbi rrëshqanorët që zvarriten mbi dhe”. Kështu Perëndia krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën. [Zanafilla 1:26-27]

Ndër të gjitha krijesat e krijuara nga Perëndia, dhe ato ishin me miliona e miliarda, nuk kishte një krijesë tjetër sikurse njeriu, krijesë e cila të ishte sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë dhe në ngjasim me Të. Kjo do të thotë se njeriu është një qenie e veçantë e pajisur me disa veti apo cilësi që shkojnë përtej materiales, domethënë kanë natyrë shpirtërore. Pikërisht këto veti/cilësi përbëjnë pasqyrimin e vetive dhe cilësive të përsosura të Perëndisë që e krijoi atë.

Njeriu zotëron aftësinë krijuese, të cilën nuk e ndeshim në asnjë kafshë, krijesë a gjallesë tjetër, aftësi e cila pasqyron aftësinë krijuese, krijimtarinë apo kreativitetin e Zotit Perëndi. Njeriu përvojon ndjenja e emocione shumë të thella, të cilat asnjë kafshë apo gjallesë tjetër nuk mund t’i përjetojë. Ai zemërohet me mëkatin, shkeljet e padrejtësinë, sepse Zoti Perëndi, Krijuesi i Tij, zemërohet me to. Ai e do të bukurën, të mirën dhe sublimen, sepse Zoti Perëndi, Krijuesi i Tij, i do ato dhe është mishërimi i tyre. I pëlqen besnikëria dhe e vërteta, sepse Zoti Perëndi, Krijuesi i Tij, i ka ato ndër vetitë/cilësitë e Tij kryesore. Njeriu thur kultura e tradita, ndërton qytetërime dhe lë pas vetes kryevepra që i rezistojnë kohës, sepse është qenia më sublime e krijimit të Zotit Perëndi dhe sepse për këtë e krijoi Krijuesi i Tij, Shumë i Larti. PRA, TË VRASËSH APO T’I MARRËSH JETËN NJË NJERIU ËSHTË NJË VEPËR SHUMË E RËNDË, ËSHTË NJË SHKELJE MAKABRE DHE SAKRILEGJ I MADH, ËSHTË NJË ATENTAT KUNDËR VETË ZOTIT PERËNDI, KRIJUESIT TË JETËS!

Përballë kësaj të vërtete shtrohet pyetja: përse vallë ne shqiptarët e kemi kaq të lehtë këtë punën e marrjes së jetës së tjetrit në një mijë e një mënyra? Përse vallë shkojmë drejtpërdrejt në marrje jete kur ka një mijë e një mënyra për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet tona? Për këtë duhet të kthehemi pas në të kaluarën e largët dhe të afërt për të parë konceptin e shqiptarëve rreth njeriut. E vërteta është që shqiptarët asnjëherë nuk iu dorëzuan plotësisht Ungjillit të Jezu Krishtit, as në lashtësi dhe as në mesjetë. Madje edhe në epokën e lavdishme të Skënderbeut, pjesa më e madhe e popullit shqiptar ishin të krishterë sa për emër dhe këtë e dëshmon fakti se me të rënë Arbëria në duar të Turqve Osmanë, shumica e banorëve të vendit zgjodhën eksodin masiv për në Italinë e Jugut, ndërsa ata që qëndruan në vend u islamizuan me kalimin e kohës. Faktikisht, kjo gjë ndodhi edhe falë versionit të butë të Islamit që ofronte perandoria otomane. Mirëpo, e vërteta është se brenda tre shekujsh nga pushtimi otoman shqiptarët në masën më të madhe e kishin harruar të kaluarën e lavdishme nën Skënderbeun, thurnin bejte në turqisht, arabisht dhe persisht dhe faktikisht ishin shndërruar në rojtarët më të zellshëm të perandorisë. Mirëpo, ky është material për një letër tjetër.

I them këto gjëra për të theksuar faktin se doktrina e njeriut e paraardhësve tanë nuk kishte lidhje me atë të Biblës së Shenjtë. Gjërat shkuan edhe më keq me ardhjen e diktaturës komuniste, kur doktrina e materializmit dialektik u kthye në përcaktuesin kryesor të mendësisë së popullit shqiptar. Me detyrim apo me dëshirë prindërit tanë dhe ne vetë (deri në moshën 16-vjeçare jetova nën diktaturën komuniste) përqafuam konceptin marksist rreth njeriut, pra, nisëm ta shihnim atë si një kafshë shoqërore, të zhveshur tërësisht nga shpirtërorja apo e mbinatyrshmja. Njeriu, sipas materializmit dialektik, është përfundimi logjik i një procesi milionavjeçar zhvillues/përparues – Evolucioni, proces i cili nisi me njëqelizorët dhe përfundoi me majmunët e pasardhësit e tyre, njerëzimin. Sipas teorisë së evolucionit, nuk ka asnjë dallim mes njeriut dhe të ashtuquajturve paraardhës të tij, pra, majmunëve. Veç kësaj, sipas të njëjtës pikëpamje, dallime të pakta ekzistojnë mes nesh dhe krijesave të tjera të gjithësisë. Në fund të fundit, jemi thjesht atome të mbledhura në një trup për shkak të miliona kombinimeve të rastësishme që nuk e dinë nga vijnë dhe nuk e dinë se ku shkojnë. Nuk e dimë se përse jemi kaq inteligjentë dhe si ia dolëm të ngrihemi mbi gjithë krijimin; nuk e dimë se si dhe përse i ndërtuam qytetërimet që ngritëm mbi faqen e dheut, sepse në fund të fundit jemi njëlloj si gjithë gjallesat e tjera.

Është pikërisht kjo mendësi rreth njeriut, kjo doktrinë njeriu, që është fajtore për problemin që ne kemi, pra, që jeta e njeriut kushton kaq lirë. Nuk ka problem nëse ia merr shpirtin një kafshe shoqërore, apo jo? Futja, jepi, bëje shoshë me plumba, se nuk dallon nga kafshët e tjera! Në fund të fundit, ai ose ajo që po vret nuk ndryshon shumë nga pula, apo delja, apo gici që ther për t’u ushqyer me to? Hiç jemi dhe drejt hiçit shkojmë, kështu që nuk bën ndonjë ndryshim nëse i shesim bashkatdhetarëve tanë ushqime të skaduara dhe fruta e perime të dendura me hormone dhe që shkaktojnë sëmundje? Grimca atomesh jemi tek e fundit, pra, nuk ndodh asgjë e madhe nëse ai punëtori i thjeshtë ra nga skela për shkak të mosrespektimit të rregullave të sigurisë teknike? Çfarë problemi ka nëse i ndotim lumenjtë dhe të gjitha burimet e ujit me plehrat dhe jashtëqitjet tona, të gjithë kemi për të vdekur një ditë, apo jo?

E kam thënë të njëjtën gjë që në letrën time të parë, vëllezër dhe motra, por pikërisht kjo është çfarë ndodh kur jeton në një shoqëri para-kristiane edhe para-ungjillore si kjo e jona! Ne të krishterët e marrim si të mirëqenë shenjtërinë e jetës, por për botën që nuk e ka njohur kurrë Ungjillin e Jezu Krishtit edhe që nuk i është nënshtruar kurrë sundimit të sovran të Zotit tonë, ky është një koncept plotësisht i panjohur dhe i huaj. E vërteta është se për botën njeriu është një kafshë shoqërore, jeta e së cilës ka shumë pak vlerë.

Evropa dhe Amerika e Veriut dhe shumë vende të tjera që kaluan nën sundimin e Ungjillit për shekuj me radhë edhe që u transformuan në mënyrë rrënjësore falë Reformës Ungjillore-Protestante e kanë konceptin e shenjtërisë së jetës. Megjithatë, sa më tepër që largohen nga Ungjilli dhe e hedhin poshtë sundimin e Zotit Jezu Krisht aq më tepër ato e humbin këtë doktrinë të vyer, siç e dëshmojnë legalizimi i abortit me qindra mijëra foshnja të vrara vit për vit dhe përdorimi gjithnjë e në rritje i eutanazisë (injeksioni vdekjeprurës i dikujt që vuan prej një sëmundjeje shumë të rëndë e vdekjeshkaktuese që shkakton vuajtje shumë të mëdha).

Pikërisht këtu zëreni se po i bie fort borisë për të bërë një shpallje thelbësore për gjithë këtë letër:

MOS PRISNI QË JETA E NJERIUT TË KETË VLERË NË SHQIPËRI PËR SA KOHË QË KY VEND DHE POPULLI I TIJ QËNDROJNË LARG UNGJILLIT TË ZOTIT TONË JEZU KRISHT! DERISA TË MOS KEMI NJË NUMËR TË MADH SHQIPTARËSH TË KTHYER NË BESIMIN E ZOTIT TONË JEZU KRISHT, JETA E NJERIUT NË SHQIPËRI DO TË VAZHDOJË TË JETË SHUMË E LIRË DHE VRASJET/HEQJET E JETËS PËR SHKAQET E LARTPËRMENDURA DO TË VAZHDOJNË ME TË NJËJTIN RITËM! UNGJILLI ËSHTË I VETMI MJET PËR VENDOSJEN DHE RUAJTJEN E SHENJTËRISË SË JETËS MES SHQIPTARËVE!

Kështu që nuk mund të rri pa e mbyllur këtë letër me një thirrje të ngrohtë e të përzemërt për të gjithë ju të rinj e të reja të krishtera që po e lexoni atë. Bëhet fjalë për një thirrje të lidhur me Porosinë e Madhe që Zoti ynë Jezu Krisht na e la plot 2000 e ca vjet më parë:

Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës. Amen.” (Mateu 28:18-20)

Pra, ju të rinj e të reja të krishtera, a dëshironi që kjo kulturë vdekjeje të zhduket hap pas hapi dhe që jeta e njeriut të fillojë e të ketë vlerë në vendin tonë? Atëherë shkoni edhe predikoni Ungjillin e Zotit Jezu Krisht dhe bëni dishepuj mes shqiptarëve. Mos nguroni t’ia çoni Ungjillin edhe atyre që janë shkaktarët e këtyre vdekjeve të shumta, sepse edhe ata kanë nevojë për shpëtimin e Zotit tonë Jezu Krisht! Teksa predikoni Ungjillin, shpjegojini njerëzve edhe si i sheh Perëndia, Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, dhe se është më mirë të besosh në një Zot që të ka krijuar sipas shëmbëlltyrës së Tij dhe në ngjasim me Të sesa në zotat e perënditë e rreme që adhuron pjesa dërmuese e shqiptarëve! Perëndia do të bëjë pastaj veprën e vet për t’i ndryshuar zemrën dhe rilindur njerëzit, me të cilët e ndani Ungjillin!

AJO QË ËSHTË REALISHT E RËNDËSISHME ËSHTË FAKTI QË KJO KULTURË VDEKJEJE DUHET KUNDËRSHTUAR E LUFTUAR ME VENDOSMËRI, JA PSE DUHET TË JETË KAUZA JONË MADHORE ÇRRËNJOSJA E SAJ NGA TOKA SHQIPTARE! MOS HARRONI NJË FAKT SHUMË TË RËNDËSISHËM, TË CILIT SHUMË PAK I KUSHTOHET VËMENDJE: PERËNDIA E URREN DERDHJEN E SHUMTË TË GJAKUT DHE PËR PASOJË GJAKU I SHUMTË I DERDHUR MBI NJË TOKË KTHEHET NË BURIM MALLKIMI PËR TË DHE PËR ATA QË JETOJNË NË ATË VEND. PËR MË TEPËR, NJË NGA SHKAQET KRYESORE QË PERËNDIA DEKRETOI RËNIEN EDHE SHKATËRRIMIN E JERUSALEMIT ISHTE GJAKU I SHUMTË I PAFAJSHËM QË DERDHI MBRETI MANASE GJATË MBRETËRIMIT TË TIJ (2 MBRETËRVE 21:16).

Duke e mbyllur këtë letër, ju nxis që të reflektoni rreth asaj që lexuat më lart edhe veprimet që pasojnë reflektimin besoj se janë të qarta. Në fund fare dëshiroj t’ju kujtoj të vërtetën madhore që jeta është një lojë që luhet në skuadër. Kjo do të thotë që edhe lufta kundër kulturës së vdekjes nuk është luftë individuale, por ekipore. Shfrytëzoni skuadrën tuaj themelore, pra, Kishën e Zotit Jezu Krisht, për këtë qëllim, por mos nguroni të krijoni skuadra të reja nëse është e nevojshme! Jini krijues në përpjekjet tuaja luftarake ashtu sikundër edhe Perëndia juaj është krijues! Jini të pafajshëm si pëllumbat edhe të mençur si gjarpërinjtë! Zoti i bekoftë përpjekjet tuaja edhe ju dhëntë fitore në luftën tuaj të shenjtë!

Ju përqafoj në Zotin tonë Jezu Krisht,

Vëllai juaj Kristian Dashamiri

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes