A e di cila është puna më e rrezikshme ne botë?
Nuk është të jesh President, ushtar, zjarrfikës apo çdo lloj tjetër profesioni në botë.
Puna më e rrezikshme në botë është: Të predikosh!
Po, kjo është puna më e rrezikshme në botë.
Sepse nëse punët e tjera mund ti sjellin një farë rreziku trupit tënd fizik apo edhe trupit të ndonjë personi tjetër. Predikuesi merret me dicka tepër më të rëndësishme sesa trupi. Ai merret me shpirtin. Ajo që ai bën ndaj shpirtërave ka pasoja të përjetshme.
Përgjegjësia e tij është e dyfishtë. Nga njëra anë, janë shpirtrat të cilëve po u predikon, dhe nga ana tjetër ai do i japë llogari Perëndisë se si është marrë me ta dhe se si e ka përçuar mesazhin që Perëndia ka dhënë në Fjalën e Tij. Sa besnik ka qënë në përcimin e gjërave që Perëndia ka thënë në Fjalën e Tij?
Predikuesi është thirrur që “të ndajë drejt fjalën e së vërtetës” (2 Timoteu 2:15). Ai është një ambasador që duhet të flasë dhe shpjegojë besnikërisht dhe si duhet atë që Perëndia, Mbreti i tokës dhe qiellit, ka thënë në Fjalën e Tij të pagabueshme dhe të mjaftueshme.
Ja pse të predikosh, në podium apo online, apo të jesh pastor, nuk mund të merret asnjëherë lehtë. Të kuptuarit e përgjegjësisë së madhe, dëshirës për të njohur më shumë Fjalën e Zotit, studimi i thelluar i saj dhe të mësuarit nga predikues të tjerë biblikë dhe besnikë, është një fillim i mirë. Është një privilegj i madh që të predikosh për Perëndinë e Biblës por gjithashtu është edhe një përgjegjësi e madhe që asnjëherë nuk duhet marrë lehtë.
Por sot, shumë duan të bëhen pastora dhe predikues, por jo për tu shërbyer të tjerëve, por për të qënë lider, jo për të treguar përkujdes baritor por për të pasur ndjekës, jo për të përhapur mbretërinë e Perëndisë por për të ngritur mbretërinë e tyre nën emrin e Perëndisë. Është diçka që lakmohet shumë sepse shihet si një mundësi e mirë për të qënë i/e nderuar, për të pasur pushtet, famë apo para. Por lavdi Zotit për ata predikues të paktë besnikë dhe biblikë që kemi.
Oh që Zoti na dhëntë predikues besnikë dhe biblikë që e duan Zotin dhe e njohin Shkrimin. Njerëz që janë kthyer tek të vërtetat e vjetra biblike dhe tek mënyrat e vjetra dhe tek rrugët e vjetra, që kanë tejshpuar zemrat e njerëzve dhe kanë sjellë Rizgjime dhe Transformime të qyteteve dhe shteteve të tërë. Ashtu si predikuesit e vjetër të së shkuarës.
Zoti na dhëntë në Shqipëri njerëz besnikë dhe biblikë si Paul Washer, Steve Lawson, John Macarthur, Spurgeon, Martyn Lloyd-Jones, George Mueller, John Owen, David Brainard, Jonathan Edwards, George Whitefield, John Knox, Gjon Kalvin, Martin Luteri, William Tyndale, John Hus, etj, etj. Amen.
Soli Deo Gloria
Bestar Flamuraj