Ndoshta mund të themi pa frikë që përulësia është e vetmja cilësi e karakterit që do të na mundësojë të jemi gjithçka që Krishti do që të jemi. Ne nuk mund të vijmë te Perëndia pa të. Ne nuk mund ta duam Perëndinë ashtu siç duhet pa të. Ne nuk mund të jemi dëshmitarë efektivë për Krishtin pa të. Ne nuk mund të duam dhe t’iu shërbejmë të tjerëve pa të. Nuk mund të udhëheqim në një mënyrë të perëndishme pa atë. Nuk mund të komunikojmë siç duhet pa atë. Nuk mund të zgjidhim konflikt pa atë. Nuk mund të meremi me mëkatin e të tjerëve ashtu siç duhet pa atë, veçanërisht nuk mund t’i rezistojmë mëkatit pa atë. Shkurt, ne duhet të përqafojmë dhe të jetojmë përulësinë me qëllim që të jetojmë me të vërtetë dhe të jemi ashtu si Zoti do që të jemi. Për këtë arsye Perëndia na nxit përmes Palit:
“Unë, pra, i burgosuri për Zotin, ju bëj thirrje që të ecni denjësisht sipas thirrjes për të cilën u thirrët, me çdo përulësi e zemërbutësi…”
Efesianëve 4:1-2
Armiku i përulësisë:
Krenaria
Nuk mund të ketë përulësi atje ku ekziston krenaria. Krenaria është e kundërta e përulësisë dhe është një nga mëkatet më të neveritshme në sytë e Perëndisë.
“Kushdo që është krenar në zemër është i neveritshëm për Zotin; me siguri nuk do të mbetet pa u ndëshkuar.”
Fjalët e Urta 16:5 (NASB)
Krenaria është vesi epidemik. Ajo gjendet kudo dhe manifeston veten në shumë mënyra. Sado që nuk na pëlqen ta pranojmë, ne të gjithë kemi krenari, secili prej nesh. Pyetja nuk është, “A e kemi?” por, “Ku e kemi ?” dhe “Sa kemi?” Ne të gjithë kemi prirjen të mendojmë tepër në lidhje me veten tonë dhe shumë lart për veten tonë. Emi Karmajkëll (Amy Carmichael) tha njëherë:“Ata që mendojnë shumë lart për veten e tyre nuk mendojnë mjaftueshëm.” Krenaria është shenjë e budallallëkut dhe e foshnjërisë. Çarls Suindoll (Charles Swindoll) tha: “Paketa më e vogël e botës është një njeri i mbështjellë në veten e vet.” Ja se çfarë thotë Perëndia në lidhje me personin krenar:
“A ke parë një njeri që e pandeh veten të urtë? Ka më tepër shpresë për një budalla se sa për të.”
Fjalët e Urta 26:12
Endrju Mëri tha që krenaria është “rrënja e çdo mëkati dhe të keqeje.” (Andrew Murray, Humility, Springdale, PA, Whitaker House, 1982, fq 10.) Mëri ka të drejtë – krenaria është fillimi i çdo mëkati. Pavarësisht faktit që ajo është kaq e përhapur, është për t’u habitur sesa pak është shkruar mbi krenarinë vitet e fundit. Për të lexuar aq sa duhet mbi subjektin e krenarisë duhet të lexosh literaturën puritane.
Gjatë gjithë shkrimeve do të shikosh krenarinë e pozitës (Mateu 23:6), të aftësisë (2 Kronikave 26:15-16), të arritjes (Danieli 4:22), të pasurisë (1 Timoteut 6:17), të zotërimeve (Mateu 6:19), të njohurisë (Isaia 47:10), të mësimit (1 Korintasve 8:1), të arritjes shpirtërore (Luka 22:24), të vetëdrejtësisë (Romakëve 10:3), të faktit që të tjerët të lavdërojnë apo të pëlqejnë (Galatasve 1:10) madje edhe krenari për eksperiencat shpirtërore (2 Korintasve 12:7). Mishi ynë ka një prirje drejt krenarisë. Krenaria është një kurth i lehtë për t’u përdorur nga djalli. Puritani Tomas Uotson (Thomas Watson) tha, “Ajo është dehje shpirtërore; ajo të bie në kokë ashtu si vera dhe të deh. Ajo është idhujtari. Një njeri krenar është adhurues i vetvetes.”i Disa njerëz përpiqen ta fshehin krenarinë e tyre mbrapa fjalëve dhe veprimeve shpirtërore, por ajo është atje megjithatë.
Disa terma biblikë
Në hebraisht janë përdorur gjashtë fjalë të ndryshme për krenarinë. Të gjitha ato shprehin lartësim, ngritje lart, madhërim, mburrje, arrogancë apo rebelim të vetes. Në gjuhën greke, fjalët për krenarinë gjenden në dy kategori të ndryshme. Një grup i veçantë sugjeron idenë e “tendosjes apo të ngritjes së qafës së dikujt” (për shkak të asaj që një person mendon se ai ka arritur), “të madhërosh, ” apo “të jesh kryelartë.” Kategoria tjetër në greqisht përçon idenë e një “verbërie” dhe madje sugjeron idenë e të qenit “i mbështjellë me tym.” Përgjatë gjithë Shkrimit, si në Dhiatën e Vjetër dhe në Dhiatën e Re ne gjejmë persona krenarë të cilët përshkruhen si persona që kanë një vlerësim të lartë për veten e tyre. Ndërsa ata janë “atje lart” në mendimet e tyre, ata janë të verbër! Ata janë të verbër ndaj krenarisë së tyre, janë të verbër ndaj të vërtetave të Perëndisë dhe disa herë edhe të verbër ndaj thjesht realitetit. Puritani i madh Riçard Bakster (Richard Baxter) tha… “ [krenaria është] kaq shumë e padalluar nga shumica, sa që mbahet rëndom si diçka e çmuar, ndërkohë që rëndom për të flitet kundër.”ii Disa sinonime për krenarinë, janë: lavdia e kotë, krenimi, mburrja, arroganca, fryrja e vetes, mendjemadhësia, kryelartësia, lavdërimi i kotë, fodullëku, tallja dhe kërkimi i gjërave për veten.
Disa shembuj biblikë
Ne kurrë nuk shikojmë në Shkrim që të thuhet: “Hajde tani, ti po po mendon tepër pak për veten tënde, ” ose “Ajo për të cilën ke nevojë është që të mendosh pak më shumë për veten.” Në vend të kësaj Perëndia na ka dhënë shumë histori dhe paralajmërime që të na inkurajojë të mos e bëjmë këtë gjë. Në thelb Shkrimi na thotë që të ndalojmë së fokusuari në veten tonë, ose në atë që dëshirojmë ne. Në Shkrimin e Shenjtë kemi ilustrim pas ilustrimi të krenarisë. Shembulli më i mirë i mëkatit të krenarisë është ai i Satanit. Ai e shprehu me fjalë mentalitetin e çdo personi krenar kur vuri në pikëpyetje dhe mohoi Perëndinë (Zanafilla 3:1-5). Uziahu i shërbeu Perëndisë për shumë vite duke u pasuruar duke u bërë i famshëm dhe i fuqishëm, “por, mbasi u bë i fuqishëm, zemra e tij u bë krenare aq sa u korruptua” (2 Kronikave 26:16). Arroganca e Nebukadnetsarit shkatërroi jetën e tij derisa ai e përuli vetën e tij përpara shumë të Lartit duke e lavdëruar Atë që është i aftë t’i përulë ata që ecin me krenari (Danieli 4:37). Belshatsari nuk mësoi nga babai i tij, si rrjedhim e lartësoi veten në vend të Perëndisë dhe u shkatërrua për krenarinë e tij (Danieli 5:18-30). Fariseu tek Luka 18:10-14, përfundoi duke iu lutur vetëm vetes së tij, sepse e konsideronte veten kaq superior dhe të drejtë. Shembuj të tjerë të njerëzve në Bibël që u shkatërruan nga krenaria e tyre përfshijnë mbretin Saul (1 Samuelit 18:7-9), mbretin Herod (Veprat 12) dhe Diotrefin (3 Gjonit 9).
Ne na janë dhënë shumë paralajmërime në lidhje me dëshirën për të lartësuar veten dhe për t’i shërbyer vetes. Është gjithashtu prirja natyrale e krenarisë që të harrojë për Perëndinë, ose që të dëshirojë të jetë mbi Perëndinë. Perëndia me besnikëri i është adresuar mëkatit shkatërrues të krenarisë me vargje si:
“Përpara shkatërrimit vjen kryelartësia dhe përpara rrëzimit fryma krenare.”
Fjalët e Urta 16:18
“Mos bëni asgjë për rivalitet as për mendjemadhësi, por me përulësi, secili ta çmojë tjetrin më shumë se vetveten. Mos mendojë secili për interesin e vet, por edhe atë të të tjerëve.”
Filipianëve 2:3-4
– Stuart Scott
Marre nga Libri ne shqip “Nga krenaria ne perulesi”
–