Lëvizja Feministe vs Gruas së Perëndishme

Ne ose mund të ndjekim modelin e Perëndisë për familjen ose mund të ndjekim lëvizjen feministe, e cila kundërshton rolet dhe përgjegjësitë e vecanta që Perëndia ka dhënë për burrin dhe gruan duke i përmbysur ato dhe në këtë mënyrë duke sjellë refuzimin nga gratë të rolit të tyre të dhënë nga Perëndia, rebelimin e tyre, sensualizëm, fokusim apo qendërzim te vetja e tyre, mosbindje ndaj burrave të tyre, thyerje marrëdhëniesh, divorc, abuzim, shkatërrim të familjes, aborte, fëmijë të braktisur, dhe sidmos në shoqëritë e zhvilluara moderne, ka shkuar edhe më tej tek shperfytyrimi i pamjes të bukur femërore (sic janë piercing e shumta apo modele të egra veshjesh dhe flokësh) dhe gjithashtu për te avancuar axhendën homoseksuale.

Në radhë të parë, më lejoni të them që përvec artikujve dhe postimeve për ti ndihmuar vajzat dhe gratë të kuptojnë rolet dhe përgjegjësitë e tyre biblike të dhënë nga Perëndia kemi postuar artikull edhe për burrat, detyrat dhe përgjegjësitë e tyre të mëdha ndaj gruas dhe familjes si udhëheqësit shpirtërorë të saj. Ju ftoj të lexoni artikullin “Detyrat e Vecanta të Burrave ndaj Grave të tyre”.

Feminizmi mëson që një familje duhet të ketë një fëmijë, maksimumi dy. Në shoqërinë e sotme egoiste dhe me në fokus vetveten fëmijët shihen si mallkim dhe si te padëshiruar. Mirëpo Bibla thotë krejt të kundërtën. Te Zanafilla 9 vargu 7 Perëndia i thotë Noeut dhe bijve të tij, “Ju, pra, jini frytdhënës dhe shumëzohuni; rrituni me të madhe në tokë dhe shumohuni në të”. Eshtë një urdhërim nga Perëndia dhe vullneti i tij që njerëzit të shumëzohen dhe të mbushin tokën. Te Psalmi 127:3 Fjala e Perëndisë thotë: “Ja, bijtë janë një trashëgimi që vjen nga Zoti; fryti i barkut është një shpërblim.”

Kundrejt asaj që feminizmi mëson, sa më pak fëmijë aq më mirë (1 ose 2 fëmijë), gruaja e perëndishme do të përqafojë të vërtetën biblike që fëmijët janë bekim nga Zoti. Në kontrast nga lëvizja feministe dhe shoqëria e sotme egoiste që i sheh si mallkim, ajo do i shohë si bekim. Megjithatë ka raste, për shkak të arsyeve biologjike apo shëndetësore, kur nuk është e mundur të ndodhë kjo gjë dhe kjo është e kuptueshme.

Dicka tjetër që Lëvizja feministe promovon me të madhe si një e drejtë themelore për gratë është e drejta për të abortuar. Pra vrasja e fëmijës së palindur dhe të prambrojtur në vendin ku supozohet se është më i mbojtur, në mitrën e nënës së tij. Aborti është vrasje, dhe cfarë do qofshin rrethanat, asnjëherë nuk është i justifikueshëm. Pra, për rehatinë dhe egoizimin e femrës për të vazhduar me jetën e saj si më parë, vritet një qënie e pafajshme dhe e pambrojtur. Dr. C Everett Koop ka thënë: “Në 36 vite në kirurgjinë pedriatike, nuk kam pasur asnjë rast ku foshnja duhej të abortohej për të shpëtuar jetën e nënës”.

Levizja feministe thotë që gratë duhet të synojnë që të ngjisin shkallët e karrierës. Mirëpo cfarë kjo sjell është që nuk mbetet shumë kohë për familjen, për burrin dhe për fëmijët. Perëndia e ka thirrur gruan të jetë ndihmë për burrin e saj. Zanafilla 2:18 thotë: “Pastaj Zoti Perëndi tha: Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm; unë do ti bëj NJE NDIHME që i përshtatet”. Gruaja është thirrur të jetë një ndihmë dhe mbështetje për burrin e saj, jo që ti përkushohet karrierës dhe të neglizhojë burrin dhe familjen e saj. Dy kunguj në një sqetull nuk mund të mbahen. Ose do i përkushtohesh karrierës dhe do kalosh shumë pak kohë për tu përkujdesur për burrin dhe fëmijët e tu ose do i përkushtohesh me plot dashuri përkujdesjes së familjes, burrit dhe fëmijeve të tu të dashur.

Kjo nuk do të thotë që vajzat nuk mund të arsimohen. Ato mund të arsimohen por cështja është se ato vetëm po trajnohen për karrierë dhe nuk po e bëjnë veten gati dhe nuk po trajnohen për të qënë bashkëshorte dhe nëna. Fjala e Perëndisë te Titi 2:5 thotë: “të jenë mendjegjëra, të dëlira, t’i kushtohen punëve të shtëpisë, të mira, të nënshtruara ndaj burrave të tyre, që fjala e Perëndisë të mos blasfemohet”. 1 Timoteu 5:14 thote: “Dua, që vejushat e reja të martohen, të lindin fëmijë, të bëhen zonja shtëpie…”. Fjala greke këtu bën fjalë për të gjitha aspektet e administrimit të shtëpisë, jo vetëm në rritjen e fëmijëve. Shtëpia është vendi ku një grua e martuar përmbush rolin e saj në projektimin e Perëndisë.

Prishila bënte tenda bashkë me burrin e saj dhe Lidia ishte tregëtare të purpurash (Vep. 16:14), dhe kjo tregon që nuk është e gabuar që gratë të bëjnë para por përgjegjësia e tyre kryesore është në shtëpi. Ka shumë gra që bëjnë para nga shtëpia nëse kanë nevojë për të ardhura shtesë ose nëse burrat duan që ato të sigurojnë por nuk është përgjegjësia e tyre për të siguruar për familjen. Nuk ka asnjë varg në Bibël që i udhëzon gratë të bëjnë para dhe të sigurojnë. Kjo është përgjegjësia e burrit e dhënë që nga fillimi dhe ai burrë që nuk siguron për familjen e tij është më keq se një jobesimtar.

Lëvizja Feministe u mëson vajzave që të vishen si të duan dhe të duken sa më sensuale. Nëse ti je e krishterë, ti nuk mund të vishesh si të duash dhe të kesh të njëjtin qëndrim sic kanë jobesimtarët, por do dëshirosh që veshja jote të përlëvdojë Perëndinë. Fjala e Perëndisë te 1 Timoteu 2:9 thotë: “në mënyrë të njëjtë dua që edhe gratë, të vishen hijshëm, me cipë dhe modesti dhe jo me gërsheta a me ar, a me margaritarë, a me rroba të shtrenjta.” Gratë në kishë po jetonin një jetë të papastër dhe të përqëndruar te vetja dhe kjo praktikë ishte futur gjatë shërbesës dhe kishte krijuar shpërqëndrim. Pali i bën thirrje Timoteut që të merret me këtë problem. Gratë në shekullin e parë shpesh vishnin margaritarë, ose bizhuteri të tjera të shoqëruara me gërsheta për të tërhequr vëmendjen te vetja e tyre dhe te pasuria dhe bukuria e tyre. E njëjta gjë ishte edhe për ato që vishnin veshje të shtrenjta. Duke vepruar kështu ato tërhiqnin vëmëndjen te vetja e tyre, larg Perëndisë dhe duke bërë që gratë e varfëra të kishin zili.

Lëvizja feministe dhe shoqeria jonë sipërfaqësore i vë shumë theks sot bukurisë së jashtme dhe shumë e shumë vajza duke i besuar ato, lodhen dhe përpiqen kaq shumë të duken bukur dhe të tërheqin vëmëndjen. Mirëpo Zoti nuk shikon pamjen e jashtme por zemrën, dhe një grua e perëndishme dhe feminiteti biblik do kërkojë më shumë të ketë karakter të bukur, virtytshmëri, të jetë e perëndishme, dhe ti pëlqejë Zotit në cdo gjë se sa të fokusohet vazhdimisht me pamjen e saj.

1 Pjetri 3:3-5 thotë: “Gra… stolisja juaj të mos jetë e jashtme, ajo e të gërshetuarit të flokëve, ajo e të varurit të stolive të arta, a të veshurit e rrobave luksoze. Por njeriu i fshehur i zemrës, stolisur me paprishjen e frymës së butë dhe të qetë, i cili është shumë i cmuar përpara Perëndisë. Sepse kështu stoliseshin dikur edhe gratë e shenjta, që shpresonin në Perëndinë, duke i’u nënshtruar burrave të tyre”. Dënimi i Pjetrit këtu është preokupimi i vazhdueshëm me të jashtmen në vend që të merren me karakterin. Cdo vajzë dhe grua e krishterë duhet të përqëndrohet në zhvillimin e atij karakteri si Krishti. “Njeriu i fshehur i zemrës” Kjo është bukuria që nuk humbet kurrë. “butë” dhe “qetë” përshkruajnë karakaterin e veprimeve të saj dhe reagimin ndaj burrit të saj dhe jetës në përgjithësi. Ky njeri i fshehur i zemrës është shumë i cmuar përpara Perëndisë. Besimtarët duhet të kujdesen që e gjithë sjellja e tyre e jashtme t’i përgjigjet rrëfimit të tyre të krishterimit.

Isaia 3:16-24 na flet për gratë të cilat i kushtonin shumë rëndësi pamjes se tyre të jashtme për të tërhequr vëmëndjen dhe që ishin provokuese dhe për gjykimin që Zoti do të derdhte mbi to, “Zoti thotë akoma: “Me qenë se vajzat e Sionit janë fodulle dhe ecin qafëpërpjetë dhe me vështrime provokuese, duke ecur me hapa të vogla dhe duke bërë të tringëllojnë unazat që mbajnë te këmbët e tyre, Zoti do të godasë me zgjebe majën e kokës së vajzave të Sionit dhe Zoti do të nxjerrë në shesh turpet e tyre. Atë ditë Zoti do të heqë stolinë e unazave të kyçeve të këmbës, diejtë e vegjël dhe hënëzat, vathët, byzylykët dhe velot, çallmat, zinxhirët e vegjël te këmbët, rrypat e brezit, enët e parfumeve dhe hajmalitë, unazat, xhevahiret për hundë, rrobat për festë, mantelet e vogla, shallët dhe çantat e vogla, pasqyrat, këmishëzat, kapuçët dhe robëdëshambrët. Dhe do të ndodhë që në vend të parfumit të ketë kalbësira, në vend të brezit një litar, në vend të kaçurelave shogësi, në vend të një veshjeje të kushtueshme një thes i ngushtë, një damkë zjarri në vend të bukurisë.

Fjalët e urta 31:30 thotë: “Hiri është i rremë dhe bukuria është e kotë, por gruaja që ka frikë nga Zoti është ajo që do të lëvdohet.”

– Dhe flokët e gruas janë një mbulesë natyrale, dhe t’i mbajë ato të gjata është lavdi për të. 1 Korintasit 11:15 thote: “Por në qoftë se gruaja i ka flokët të gjata, kjo është lavdi për të”

 

Virtytet e Një Gruaje të Perëndishme – Fjalët e Urta 31:10-31

 

Vargjet 10-12 përshkruajnë martesën e saj.

10 Kush do të gjejë një grua të fortë dhe të virtytshme? Vlera e saj është shumë më e madhe nga ajo e margaritarëve.

– Një grua e forcuar prej urtësisë dhe hirit dhe frikës nga Perëndia. Një grua me kurajo, e devotshme dhe e zellshme dhe një ndihmë për burrin e saj. Por grate e mira janë shumë të rralla.

11 Zemra e burrit të saj ka besim tek ajo, dhe do të ketë gjithnjë fitime.

– Ai beson në sjelljen e saj, që ajo do të flasë në të gjitha shoqëritë dhe do të veprojë në të gjitha çështjet, me urtësi dhe maturi, në mënyrë që të mos i sjellë atij asnjë dëm apo turpërim. Ai beson në besnikërinë e saj ndaj interesavetë tij dhe se ajo nuk do t’i harrojë kurrë këshillat e tij dhe as nuk do të ketë ndonjë interes të ndryshëm nga ai i familjes së tij.

 

Vargjet 13-24 përshkruajnë sjelljen e saj

12 Ajo i bën të mira dhe jo të keqe tërë ditët e jetës së saj.

– ajo nuk lodhet me shërbimet e mira që i bën atij.

13 Gjen lesh dhe li dhe punon me gëzim me duart e veta.

14 Ajo u përngjan anijeve të tregëtarëve: e sjell ushqimin e saj nga larg.

– Grate e shkelqyera do te shkonin larg per te siguruar ushqimin me te mire per familjet e tyre. Atë që nuk e prodhon toka e saj, ajo mund ta sigurojë vetë, nëse i jepet mundësia për këtë, duke shkëmbyer mallrat e saj për të dhe kështu e sjell ushqimin e saj nga larg. Kjo jo se ajo i vlerëson më shumë gjërat që merren nga larg, por, sado larg të jenë, nëse asaj i duhen patjetër, ajo e di se ku t’i sigurojë.

15 Çohet që me natë për t’i ndarë ushqimin familjes së saj dhe për t’u dhënë urdhërat e nevojshme shërbëtoreve të saj.

– Gruaja e virtytshme e do punën e saj më shumë sesa rehatinë e vet ose kënaqësinë e vet, kujdeset që të gjendet në detyrën e saj në çdo orë të ditës dhe ndien vërtet më tepër kënaqësi që i ka ndarë ushqimin familjes së saj herët në mëngjes.

16 Ajo shikon një arë dhe e ble; me duart e saj mbjell një vresht.

– Ajo konsideron se çfarë përfitimi do të jetë për familjen dhe për çfarë dobie të mirë do të kthehet, prandaj ajo e blen atë. Ajo nuk shpenzon para e as hyn në borxh, për ta bërë këtë, por ajo e bën këtë me ato para që ka mundur të kursejë nga fitimet e punës së saj shtëpiake.

17 Ngjesh me forcë ijët dhe i bën më të fortë krahët e saj.

– Ajo nuk e angazhon veten vetëm në një punë që punohet ulur, ose në atë që është vetëm një punë e bukur e gishtërinjve (ka punë që thuajse janë njëlloj si të mos bësh asgjë), por, nëse ka raste, ajo do të bëjë atë punë që kërkon të gjitha forcën që ka, të cilën ajo do ta përdorë si dikush që e di se kjo është rruga për të pasur më shumë.

18 E kupton që tregëtia e saj po shkon mbarë dhe llamba e saj e natës nuk i shuhet.

– Ate qe ajo ben per familjen, per rrobat, ushqimin dhe pasurine ishte e mire i shkon mbare. Ajo punon aren gjate dites (v.16) dhe end gjate nates (v.19), ajo ngihej heret perpara agimit per te pergatitur ushqimin (v.15) duke mbajtur keshtu nje rend dite para agimit deri pas mbremjes per tu kujdesur per shtepine e saj, e cila ishte prioriteti kryesor i saj ne jete. (Titi 2:5)

19 Shtrin dorën mbi furkën, pëllëmbat e saj zënë boshtin.

– Furka dhe boshti këtu përmenden si nderi i saj, ndërkohë që stolitë e vajzave të Sionit shihen për turpin e tyre (Isaia 3:18).

 

Vargjet 20-24 – Aktivitetet e saj, të shtyra nga prioriteti për t’u kujdesur për familjen e saj, rezultojnë në frytshmëri të shumëfishuar për: 1) të varfërit dhe nevojtarët (v.20), 2) vetë shtëpinë e saj (v.21), 3) Veten e saj (v.22), 4) burrin e saj (v.23), dhe 5) tregtarët (v.24)

20 I shtrin dorën të varfërit dhe i jep dorën nevojtarit.

– Ajo planifikon po aq për të dhënë sa edhe për të marrë. Ajo shpesh u shërben të varfërve me dorën e vet dhe e bën këtë bujarisht, me gëzim dhe shumë dorëlëshuar, duke i ndihmuar. Jo vetëm që fqinjët e saj të varfër dhe ata që ka pranë, por i jep dorën nevojtarëve që janë larg, duke kërkuar mundësi për të bërë mirë dhe për të bërë bamirësi, gjë që është po aq e përshtatshme për rolin e saj si shtëpiake sa edhe çdo gjë tjetër që ajo bën.

21 Nuk i trembet borës për familjen e saj, sepse tërë ata të shtëpisë së vet kanë një veshje të dyfishtë.

– Ajo gjithashtu siguron veshje të mira e të ngrohta për fëmijët e saj dhe uniforma për shërbëtorët e saj. Ajo nuk ka përse t’i frikësohet të ftohtit as të dimrit më të acartë, sepse ajo dhe familja e saj janë të pajisur mirë me veshje, të mjaftueshme për të mbajtur ngrohtë,

22 Bën për vete mbulesa si sixhade dhe rrobat e saj janë prej liri shumë të hollë dhe të purpurta.

– Ajo e mobilon mirë shtëpinë e saj dhe ka veshje të mira për vete dhe familjen e saj. Bën për vete sixhade për të dekoruar odat e saj dhe që të mund t’i përdorë ato. Rrobat e saj janë të pasura dhe të bukura: prej liri të hollë dhe të purpurta, sipas pozitës dhe sërës së saj, megjithëse ajo nuk është aq mendjelehtë sa të shpenzojë shumë kohë me veshjen e saj, as nuk stoliset me veshjen e saj, as nuk e mbivlerëson veten për këtë, megjithatë ka rroba të shtrenjta që i shkojnë kur i vesh.

23 Burri i saj nderohet te porta, kur ulet bashkë me pleqtë e vendit.

– Ne vend qe te jete nje pengese per burrin e saj, ajo e ndihmon ate. Ajo e ndikon ater per mire. Ai kryen punen dhe pergjegjesite e tij sepse nuk ka asnje merak nga martesa apo shtepia e tij.

24 Përgatit rroba prej liri dhe i shet, i furnizon me breza tregtarët.

– Ajo gjen kohe per te bere rroba dhe per ti shitur.

 

Vargjet 25-27 përshkruajnë karakterin e saj.

 

25 Forca dhe nderi janë rrobat e saj dhe qesh për ditët që do të vijnë.

– “Forca” dhe “Nderi” përshkruajnë karakterin e gruas që ka frikë nga Zoti.

26 Hap gojën e saj me dituri dhe mbi gjuhën e saj është ligji i mirësisë.

– Ajo nuk është thjesht një shtëpiake e mirë. Ajo udhëzon familjen e saj me fjalët e urtësisë. Ajo nuk flet thashetheme, ose shpifje, ose fjalë të kota por flet në një mënyrë të kujdesshme dhe me urtësi.

27 Ajo mbikqyr si shkon shtëpia e vet dhe nuk ha bukën e përtacisë.

– Përkujdesja për shtëpinë dhe familjen është shqetësimi i saj kryesor. Ajo bën kujdes për të mbushur kohën e saj, që asnjë moment i saj të mos humbasë kot.

28 Bijtë e saj ngrihen dhe e shpallin fatlume; edhe burri i saj e lëvdon duke thënë:

– Ajo është e respektuar sepse ajo e ka fituar lavdërimin e familjes së saj. Nuk ka gëzim më të madh për një nënë sesa fëmijët e saj të rriten duke e lavdëruar atë si burimi i urtësisë që i bëri të perëndishëm.

29 “Shumë bija kanë bërë gjëra të mëdha, por ti i kalon të gjitha ato”.

– Ky është lavdërimi i madh i burrit të saj (v.28) i cili është i merituar, në të cilën ai përdor të njëjtën fjalë “të virtytshme” si në v.10. Por pse ajo është kaq e vecantë? Për shkak se ajo e ka dhënë jetën e saj për të tjerët. Ajo ka mësuar të mohojë vetveten dhe se më i madhi i të gjithve është shërbëtori i të gjithëve. Shërbesa e saj është familja e saj dhe ata përreth saj. Burri i saj e ndien veten shumë të lumtur për shkak të saj, saqë ai në të gjitha rastet flet mirë për të, si një nga gratë më të mira.

30 Hiri është i rremë dhe bukuria është e kotë, por gruaja që ka frikë nga Zoti është ajo që do të lëvdohet.

– Shenjtëria dhe virtyti i vërtetë marrin respekt dhe dashuri shumë më shumë se sa hiri dhe bukuria e fytyrës dhe trupit. Ajo është me të vërtetë e përshpirtshme dhe, në gjithçka që bën, udhëhiqet dhe drejtohet nga parimet e ndërgjegjes dhe respektit ndaj Perëndisë. Kjo është ajo gjë që këtu është e preferuar më shumë sesa bukuria që është e kotë dhe e rreme. Të gjithë ata që janë të urtë dhe të mirë, e shohin kështu dhe nuk vlerësojnë as veten e tyre e as të tjerët në këtë. Frika e Perëndisë që mbretëron në zemër është bukuria e shpirtit.

31 I jepni frytin e duarve të saj, dhe vet veprat e saj le ta lëvdojnë te portat.

– Ata që e lëvdojnë një grua të tillë, thjesht i japin asaj nga fryti i duarve të saj. Ata i japin asaj atë që ajo ka fituar dhe që i takon me meritë. Është e padrejtë nëse nuk i jepet. Ajo korr dobinë e të gjithë përkujdesit që ka treguar ndaj tyre dhe mendon se është shpërblyer mirë. Ajo ua lë vetë veprave të saj që ta lëvdojnë dhe nuk pret aprovimin e njerëzve. Ato që pëlqejnë të dëgjojnë lëvdime për veten, nuk janë aspak gra të virtytshme. Vetë veprat e saj do ta lëvdojnë atë. Nëse familjarët dhe fqinjët bashkërisht do të heshtnin, vetë veprat e saj të mira do të shpallin lëvdimin e saj.

 

Disa pjesëza për Fjalët e urta 31 nga komentari Matthew Henry.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes