Zoti Xheloz! – Pse të Krishterët Duhet të Shmangin edhe Erën e së Keqes!

te krishteret

A. Për të kuptuar siç duhet Dhjetë Urdhërimet, këto rregulla duhen respektuar:

6. Për një mëkat apo detyrë, ndalohen ose urdhërohen të gjitha të të njëjtit lloj; së bashku me të gjitha shkaqet, mjetet, rastet, dukjet e tyre dhe provokimet drejt tyre (Mat. 5:21-22, 27-28; Mat. 15:4-6; Heb. 10:24-25; 1 Thes. 5:22; Juda 1:23; Gal. 5:26; Kol. 3:21). (Katekizmi i Zgjeruar i Uestministerit 99).


Puiritani Thomas Watson (1620–1686)
Lumturitë: Një Ekspozim mbi Mateun 5:1-12
.


4. Një zemër e pastër shmang dukjen e së keqes.Rrini larg nga çdo dukje e ligë” (1 Thesalonikasve 5:22 BiblaPRO). Një zemër e pastër shmang atë që mund të interpretohet si e keqe. Ai që është besnik ndaj princit të tij jo vetëm që përmbahet nga përfshirja në tradhti, por gjithashtu shmang çdo gjë që duket si tradhti. Një zemër e hirshme është e kujdesshme ndaj asaj që duket si mëkat. Kur zonja e Jozefit i kapi rrobën dhe i tha: “Eja të shtrihesh me mua,” ai la rrobën në dorën e saj dhe iku prej saj (Zanafilla 39:12). Ai shmangu dukjen e së keqes. Ai nuk donte të shihej në shoqërinë e saj. Kështu, një zemër e pastër shmang gjithçka që mund të ngjallë dyshimin për mëkat:

(i) Për sa i përket vetes së tij, dhe kjo në dy mënyra.

  • Së pari, sepse dukja e së keqes shpesh është një rast për të keqen. Përkëdhelja është një dukje e së keqes dhe shpesh herë çon në të keqe. Po të ishte treguar Jozefi më i afërt me zonjën e tij në një mënyrë të shkujdesur, me kalimin e kohës ai mund të ishte joshur për të kryer marrëzi me të. Nga kurioziteti dhe dëshira për diçka të re, disa kanë shkuar për të dëgjuar meshë dhe më pas, jo vetëm që i kanë dhënë idhullit veshin, por edhe gjurin. Në kohët tona, a nuk ka shumë që kanë shkuar me veshë të etur në shoqëri sektare dhe janë kthyer në shtëpi me “murtajën” në kokë? Kur Dina doli për të bredhur, ajo humbi nderin e saj (Zanafilla 34:2). Duke parashikuar rrezikun, një zemër e pastër, shmang dukjen e së keqes. Është e rrezikshme të shkosh pranë një foleje grerëzash. Burrat që i’u afruan furrës u dogjën (Danieli 3:22).
    Së dyti, sepse dukja e së keqes mund të errësojë emrin e tij të mirë. Një emër i mirë është si një pomadë e çmuar. Ai është më i mirë se ari i pastër (Fjalët e Urta 22:1)… Tani, një njeri i perëndishëm shmang dukjen e së keqes, që të mos dëmtojë emrin e tij të mirë. Çfarë ngushëllimi mund të ketë jeta, kur emri është i varrosur?

(ii) Një zemër e pastër shmang dyshimin për mëkat nga nderimi dhe respekti për shenjtërinë e Perëndisë.

Perëndia urren edhe dukjen më të vogël të së keqes. Perëndia i neverit hipokritët, sepse ata nuk kanë më shumë sesa dukjen e së mirës, dhe Ai zemërohet me fëmijët e tij nëse ata kanë qoftë edhe dukjen e së keqes. Një zemër e hirshme e di që Zoti është një Zot xheloz dhe nuk mund të durojë që populli i tij të jetë afër mëkatit. Prandaj, ai qëndron larg dhe nuk do as të afrohet pranë erës së infeksionit.

(iii) Një zemër e pastër shmang dukjen e mëkatit për shkak të të perëndishmëve.

Dukja e së keqes mund të skandalizojë një vëlla të dobët. Një zemër e hirshme jo vetëm që ka frikë se mos ndot ndërgjegjen e tij, por gjithashtu të mos ofendojë ndërgjegjen e vëllait të tij. Edhe nëse është një gjë e padëmshme, nëse ka dukjen e së keqes dhe mund ta trishtojë një tjetër, duhet ta shmangim (1 Korintasve 10:25-28). Sepse kur mëkatojmë kundër vëllezërve dhe plagosim ndërgjegjen e tyre të dobët, mëkatojmë kundër Krishtit (1 Korintasve 8:12). I krishteri i dobët është një pjestar i Krishtit. Prandaj, të mëkatosh kundër një pjestari është të mëkatosh kundër Krishtit.

(iv) Një zemër e pastër shmang çdo dukje të së keqes për shkak të të pabesëve.

Apostulli dëshiron që të ecim me mençuri ndaj atyre që janë jashtë (1 Thesalonikasve 4:12). Të pabesët vëzhgojnë për të gjetur gabimet tona. Sa të lumtur do të ishin ata po të gjenin diçka për të përçmuar fenë! Besimtarët janë vendosur si yje në orbitën më të lartë të kishës, dhe nëse ka qoftë edhe dukjen më të vogël të ndonjë lëvizjeje të çrregullt, të pabesët menjëherë do të hapnin gojën me akuza të reja kundër fesë. Tani, për një zemër të perëndishme, fama dhe nderi i ungjillit është aq i çmuar, saqë ai më mirë do të vdiste sesa ta njolloste ose ta errësonte atë.

Prandaj, le të provojmë veten tonë nëse jemi të pastër në zemër. A e shmangim ne dukjen më të vogël të mëkatit? Mjerisht, sa shumë njerëz e vënë veten në situata që çojnë në mëkat! Ata e tundojnë djallin që t’i tundojë ata. Disa shkojnë në shfaqje dhe komedi, që janë karburant dhe tundim për epshin. Të tjerë ndjekin takime të gabuara, dhe vërtet, Zoti shpesh, në një gjykim të drejtë, i lë ata në aktet e mëkatit, sepse nuk shmangin dukjen e mëkatit. “por u përzien midis popujve dhe mësuan veprat e tyre” (Psalmi 106:35). Zemrat e pastra shmangin rastin. Gjoni nuk do ta duronte shoqërinë e Kerinthit, siç ka shkruar Nikefori. Polikarpi nuk do të kishte bisedë me Markionin heretik, por e quajti atë “të parëlindurin e djallit”. Bazili thotë se të krishterët në kohën e tij shmangnin takimet e sektarëve si shkollat e gabimit.
Oh, shmangni dukjen e së keqes! Apostulli na urdhëron të ndjekim ato gjëra që janë me një emër të mirë (Filipianëve 4:8).

 

Përkthyer nga: https://purelypresbyterian.com/2018/07/02/abstain-from-all-appearance-of-evil/comment-page-1/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes