PËRMBLEDHJE E PRAKTIKËS SË KRISHTERË
Kapitulli 10 i Dëshmisë së Vitit 1837 të Kishës së Reformuar Presbiteriane të Skocisë.
Përkthyer nga TrueCovenanter
1 – Doktrina e Perëndisë, Shpëtimtarit tonë, nuk duhet vetëm të dihet, të besohet dhe të rrëfehet, por edhe të zbatohet dhe të stoliset me jetë të shenjtëruar.¹ Ungjilli i Krishtit shfaq fuqinë e tij të vërtetë përmes bukurisë së dukshme të shenjtërisë së përgjithshme.²
¹ Rom. 6:17. “I’u bindët me zemër atij mësimi që iu është transmetuar.” Titi 2:10. “në çdo gjë të nderojnë mësimin e Perëndisë, Shpëtimtarit tonë.” ² Jak. 2:17, 20. “Po kështu është edhe besimi; në qoftë se s’ka vepra, është i vdekur në vetvete.” Rom. 6:22. “Keni për frytin tuaj shenjtërimin dhe për fund jeta e përjetshme.”
2 – I gjithë ligji me dhjetë urdhërimet, institucionet pozitive të krishterimit, urdhëresat praktike të Krishtit, shembulli i Tij vetë, dhe shembujt e pranuar të shenjtorëve, formojnë standardin e praktikës së krishterë. Me këtë standart besimtarët në Krishtin, duke u mbështetur në hirin e Perëndisë, duhet të përpiqen që të përputhen në mënyrë të plotë.¹ Praktika e krishterë përfshin të gjitha detyrimet tona ndaj Perëndisë, ndaj njerëzve dhe ndaj vetes.² Shkelja e moralit nuk përputhet me krishterimin; por thjesht morali i jashtëm nuk është praktikë e krishterë, as shenjtëri ungjillore.³
¹ Rom. 3:31. “Anulojmë ne, pra, ligjin nëpërmjet besimit? Kështu mos qoftë; përkundrazi e forcojmë ligjin!” Gjoni 15:14. “Ju jeni miqtë e mi, nëse bëni gjërat që unë ju urdhëroj.” 1 Gjonit 2:6. “Ai që thotë se qëndron në të, duhet të ecë edhe vetë sikurse ka ecur ai.” Heb. 6:12. “T’u përngjani atyre që nëpërmjet besim dhe durim trashëgojnë premtimet.” Titi 2:12. “na mëson të mohojmë pabesinë dhe lakmitë e botës, sepse ne rrojmë me urtësi, me drejtësi dhe me perëndishmëri në këtë jetë” Mat. 22:37-40. “Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënd… Duaje të afërmin tënd porsi vetveten.” ³ 1 Kor. 13:3. “Edhe sikur të ndaja gjithë pasuritë e mia për të ushqyer të varfërit dhe ta jepja trupin tim që të digjej, e të mos kisha dashuri, nuk do të më vlente asgjë!”
3 – Lutja në dhomën e fshehtë, dhe adhurimi i Perëndisë në familje, në mëngjes dhe mbrëmje çdo ditë,¹—leximi i Shkrimeve,²—nderimi i përhershëm për emrin, fjalën dhe providencën e Perëndisë në bisedën tonë,³—shenjtërimi i ditës së Zotit—adhurimi publik i Perëndisë,⁴—mbajtja e rregullt, në kohët e caktuara, i pagëzimit dhe i Darkës së Zotit, janë pjesë e praktikës së dukshme të të krishterit, si detyrime ndaj Perëndisë.⁵
¹ Psa. 92:2. “të shpallësh në mëngjes mirësinë tënde dhe çdo natë besnikërinë tënde,” ² Vep. 17:11. “Duke i shqyrtuar çdo ditë Shkrimet.” ³ Eks. 20:7. “Nuk do ta përdorësh emrin e Zotit, të Perëndisë tënd, kot.” ⁴ Lev. 19:30. “Të respektoni të shabatet e mia dhe do të keni respekt për shenjtëroren time. Unë jam Zoti.” ⁵ Vep. 2:38-39. “Pendohuni dhe secili nga ju le të pagëzohet… Sepse premtimi është për ju dhe për bijtë tuaj.” Luka 22:19. “Bëni këtë në përkujtimin tim.”
4 – Ndërkohë që i krishteri, në varësi nga hiri që është në Krishtin Jezus, duhet të përpiqet të bëjë të vdesin gjymtyrët e tij në tokë, duke u pastruar nga çdo papastërti e mishit dhe shpirtit, ai i detyrohet vetes kujdes të vazhdueshëm për jetën e tij personale,¹—sinqeritet dhe përmbajtje të rreptë,²—pastërti në të folur dhe në sjellje,³—vetëkontroll,⁴—përkujdesje të duhur për punët e tij qytetare,⁵—vlerësim për karakterin e tij moral dhe të krishterë dhe për privilegjet e tij qytetare dhe fetare,⁶— vëmendje të pandërprerë për interesat më të mira të shpirtit të tij të pavdekshëm.⁷
¹ Kol. 3:5. “Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët tuaja që janë mbi tokë: kurvërinë, ndyrësinë, pasionet, dëshirat e këqija dhe lakminë, që është idhujtari” Efes. 5:29. “Askush nuk urreu mishin e vet, por e ushqen dhe kujdeset me butësi për të.” ² 2 Pjetrit 1:6. “Diturisë vetkontroll.” ³ Jak. 3:2. “Në qoftë se dikush nuk gabon në të folur, është njeri i përsosur” Mat. 5:37. “Por fjala jote të jetë: Po, po; jo, jo” ⁴ Fjal. 25:28. “Njeriu që nuk di të frenojë zemërimin e tij është si një qytet i shkrehur pa mure.” ⁵ Rom. 12:11. “Mos u tregoni të përtuar në zell.” Fjal. 27:23. “Ki kujdes për kopetë e tua.” ⁶ 3 Gjonit 12. “Për Demetrin të gjithë dëshmojnë.” Pred. 7:1. “Një emër i mirë pëlqehet më tepër se një vaj i parfumuar.” Vep. 22:25,28. “Unë jam i lindur qytetar romak.” Gal. 2:4. “Që kishin hyrë tinëz, që kishin depërtuar për të përgjuar lirinë tonë që kemi në Krishtin Jezu.” ⁷ 2 Pjetrit 3:14. “Përpiquni të jeni përpara tij të papërlyer.” Marku 13:37. “Këtë që po ju them juve, ua them të gjithëve: Rrini zgjuar!”
5 – Nën detyrimin e urdhërimeve: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten,” dhe “Gjithçka, pra, që ju dëshironi t’ju bëjnë njerëzit, ua bëni edhe ju atyre,” i krishteri i detyrohet krijesave të tjera, jo vetëm të vërtetën në të folur¹ dhe ndershmëri e drejtësi në të gjitha veprimet e tij,² por edhe dashuri, mirësjellje, dhembshuri, ndihmë, mbrojtje dhe vepra të tjera të mira.³
¹ Zak. 8:16 – “I flisni me vërtetësi secili të afërmit të tij.” ² Marku 10:19 – “Mos mashtro.” ³ 1 Pjetrit 3:8 – “Të mëshirshëm dhe dashamirës.” Luka 10:36–37 – “Cili nga këta të tre, pra, të duket se qe i afërmi i atij që ra në duart e kusarëve?”. Dhe ai tha: ”Ai që u tregua i mëshirshëm ndaj tij”. Atëherë Jezusi i tha: ”Shko dhe bëj kështu edhe ti”.” Mateu 5:44,45 – “Por unë po ju them: “Duani armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë, dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin, për të qenë bij të Atit tuaj, që është në qiej, sepse ai bën të lindë diellin e tij mbi të mirët dhe mbi të këqijtë, dhe bën të bjerë shi mbi të drejtët dhe të padrejtët.”
6 – Ndërkohë që porositë e krishterimit shtrihen në të gjitha marrëdhëniet e zakonshme të jetës, parimet dhe fryma e tij duhet të kenë ndikim në përmbushjen e detyrimeve të ndërsjella të burrit dhe gruas së krishterë,¹ prindit dhe fëmijës,² zotërisë dhe shërbëtorit,³ sunduesit dhe nënshtetasit,⁴ fqinjit dhe fqinjit.⁵ Në këto marrëdhënie, i krishteri duhet të tregojë në praktikën e tij nënshtrimin ndaj ligjit të Krishtit, duke dëshmuar me dashurinë dhe besnikërinë me të cilën i kryen detyrat e tij se feja e vërtetë ofron motivimet më të forta dhe sigurinë më të mirë për përmbushjen e këtyre detyrimeve.
¹ Kolosianëve 3:18–19 – “Ju gratë, jini të nështruara burrave tuaj, ashtu sic ka hije në Zotin. Ju burrat, duajini gratë tuaja dhe mos u bëni të hidhur ndaj tyre.” ² Kol. 3:20–21 – “Ju bij, bindjuni prindërve në çdo gjë, sepse kjo është e pëlqyeshme për Zotin. Ju etër, mos i provokoni për zemërim bijtë tuaj, që të mos i lëshojë zemra.” ³ Kol. 3:22 dhe 4:1 – “Ju shërbëtorë, bindjuni në çdo gjë zotërinjve tuaj sipas mishit… por me thjeshtësinë e zemrës, duke druajtur Perëndinë. Zotërinj, jepuni shërbëtorëve tuaj atë që është e drejtë dhe sa u takon, duke ditur se edhe ju keni një Zot në qiej.” ⁴ Rom. 13:1,3 – “Çdo njeri le t’i nënshtrohet pushteteve të sipërme; sepse nuk ka pushtet vecse prej Perëndisë; dhe pushtetet që janë, janë caktuar nga Perëndia… Sepse eprorët s’ke pse t’i kesh frikë për veprat e mira, por për të këqijat.” 2 Sam. 23:3 – “Ai që mbretëron me drejtësi mbi njerëzit, ai që mbretëron në frikën e Perëndisë.” ⁵ Rom. 13:10; 12:18 – “Dashuria nuk i bën keq të afërmit.” “Po të jetë e mundur dhe aq sa varet prej jush, jetoni në paqe me të gjithë njerëzit.” Titit 3:1–2 – “Kujto atyre që t’u nënshtrohen pushtetarëve dhe autoriteteve, të jenë të bindur, gati për çdo vepër të mirë, të mos flasin keq për asnjeri, të jenë paqësorë dhe të butë, duke treguar mirësjellje të madhe kundrejt të gjithë njerëzve.”
7 – I përket praktikës së të krishterëve që të ecin në bashkësinë e ungjillit,¹ duke marrë pjesë siç duhet në kërkesat private dhe publike të fesë,² duke i’u nënshtruar me respekt atyre që janë vënë mbi ta në Zotin,³ duke ruajtur rregullin dhe rendin e kishës së krishterë,⁴ dhe, në bindje ndaj urdhërimit të ri, të përmbushin me besnikëri detyrimet e caktuara dhe të rastësishme të dashurisë vëllazërore.⁵
¹ 1 Gjonit 1:3 – “Që edhe ju të keni bashkësi me ne; dhe bashkësia jonë është me Atin dhe me Birin e tij, Jezu Krishtin.” Filip. 1:5 – “për pjesëmarrjen tuaj në ungjillin që nga dita e parë e deri tani” ² Heb. 10:25 – “Pa hequr dorë nga të mbledhurit bashkë tonin, sikurse kanë zakon disa.” ³ Heb. 13:17 – “Dëgjoni të parët tuaj dhe nënshtrohuni atyre, sepse ata rrijnë zgjuar për shpirtërat tuaj.” 1 Tim. 5:17 – “Pleqtë që e drejtojnë mirë parësinë në kishë, le të nderohen dyfish.” ⁴ Kol. 2:5 – “Me frymën jam bashkë me ju dhe gëzohem duke parë rregullin dhe qëndrueshmërinë e besimit tuaj në Krishtin.” 2 Thes. 3:6 – “Të largoheni nga çdo vëlla që ecën i çrregullt .” ⁵ Efes. 5:2 – “Ecni në dashuri.” Gjoni 13:34–35 – “Një urdhërim të ri ju jap: që të duani njëri-tjetrin… Prej kësaj do ta njohin të gjithë se jeni dishepujt e mi.”
8 – Praktika e krishterë nuk kufizohet në një degë të porosive hyjnore apo vetëm te disa prej tyre. Ajo duhet të shtrihet mbi të gjitha, në kohën, vendin dhe masën e duhur. Bindja e të krishterit duhet të jetë e gjithëanëshme.
Psalmi 119:128 – “Për këtë arësye i konsideroj të drejta urdhërimet e tua.” Psalmi 119:6 – “Atëherë nuk do të turpërohem, kur të kem parasysh të gjitha urdhërimet e tua.” Luka 1:6 – “Që të dy ishin të drejtë në sytë e Perëndisë, duke ecur pa të metë në të gjitha urdhërimet dhe ligjet e Zotit.” Luka 11:42 – “Këto gjëra duhet t’i bënit, pa i lënë pas dore të tjerat.” Kolosianëve 4:12 – “Që ju të qëndroni të përsosur dhe të përkryer në gjithë vullnetin e Perëndisë.”
9 – Jeta e besimtarit duhet të stolisë doktrinën e Perëndisë, Shpëtimtarit, duke manifestuar virtytet dhe hiret e veçanta të karakterit të krishterë, në frytet e Frymës, që janë, dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia—mëshira, mirësjellja, përulësi mendjeje. Ai duhet t’i shtojë besimit virtytin; virtytit njohurinë; njohurisë vetëkontrollin; vetëkontrollit qëndresën; qëndresës perëndishmërinë; perëndishmërisë dashurinë vëllazërore; dhe dashurisë vëllazërore dashuri të përgjithshme.¹ Ndërsa ai kujdeset të tregojë ndershmëri në shikimin e të gjithë njerëzve, ai duhet të mësojë të jetë i kryqëzuar ndaj botës dhe, siç e bekon Zoti, ta kushtojë fitimin e vet për veprat e mëshirës dhe për mbështetjen e përhapjen e mbretërisë së Shpëtimtarit.² Ai nuk është i thirrur të largohet nga bota, por duhet të ruajë një ndarje të ndërgjegjshme (jo të shtirur apo për t’u mburrur) nga ajo.³ Ai nuk është i ndaluar nga zbavitjet e nevojshme dhe të lejueshme, por prapësëprapë ai duhet të jetë i kujdesshëm dhe i matur në sjelljen e tij, ta mohojë vetveten ndaj kotësive dhe zakoneve mëkatare të botës, të largohet edhe nga dukja e së keqes dhe të përpiqet të ruajë një qëllim dhe synim të përhershëm qiellor.⁴
¹ Gal. 5:22–23; Kol. 3:12; 2 Pjetrit 1:5. ² Fjalët e Urta 3:9 – “Ndero Zotin me pasurinë tënde.” ³ Rom. 12:2 – “Mos u konformoni me këtë botë.” Gjoni 15:19 – “Sepse nuk jeni nga bota, por unë ju kam zgjedhur nga bota, .” ⁴ Filipianëve 4:8 – “Gjithçka që është e vërtetë… e drejtë… e pastër… mendoni për këto.” 1 Thes. 5:22 – “Hiqni dorë nga çdo dukje e së keqes.” Heb. 11:13 – “Treguan se ishin të huaj dhe kalimtarë në tokë.” Fil. 3:20 – “Qytetaria jonë është në qiej.”
—
Ne dëshmojmë kundër të këqijave të mëposhtme praktike, si të papajtueshme me pastërtinë e ungjillit dhe me shenjtërinë dhe kujdesin e karakterit të krishterë:
— Neglizhimi i lutjes private dhe i adhurimit familjar.
— Neglizhimi i rregullave publike të fesë, betimet profane në forma dhe shkallë të ndryshme; performime, me muzikë vokale apo instrumentale, për argëtim publik, i pjesëve të Shkrimit të Shenjtë, siç ndodh në oratoriume; ose aktrimi i skenave më solemne të përshkruara në Bibël.
— Përdhosja e të Dielës së shenjtë, përmes dembelizmit; shëtitjeve për kënaqësi; vizitave te miqtë; festimeve shoqërore; leximit të gazetave; frekuentimit të kafeneve apo sallave të tjera të leximit; pranimit dhe përgjigjes ndaj letrave për çështje civile.
— Dehja, pirja e shpeshtë; bixhozi; lojërat me letra dhe zare; llotaritë private apo publike; garat me kuaj; zënkat dhe përleshjet; dueli; mizoria ndaj krijesave të tjera apo ndaj kafshëve më të ulëta; fryma ose sjellja hakmarrëse:
— Bisedat e pahijshme; veshja jomodeste; vallëzimet e përziera; shfaqjet teatrale:
— Dembelizimi; çdo pandershmëri mes njeriut dhe njeriut:
— Gënjeshtra, shprehje të dykuptimta, mashtrimi, përgojimi, të folurit keq, sjellja ziliqare dhe dashakeqe.
Ne kemi renditur disa nga të këqijat praktike më të përhapura; por është e pamundur të përmenden të gjitha mëkatet dhe çdo nuancë e së keqes. Është për të ardhur keq që opinioni publik dhe disiplina e kishës nuk i trajtojnë mëkatet me më shumë paanshmëri. Shumë prej tyre injorohen, ndonëse janë po aq të denja për dënim dhe qortim, sa të tjerat që shihen dhe trajtohen si skandaloze. Edhe pse shumë mëkate, për shkak të fshehtësisë, maskimit, zakonshmërisë, apo pavetëdijes, mund t’u shmangen qortimeve të kishës, ato mbeten të neveritshme në sytë e pastërtisë hyjnore dhe të dëmshme e të turpshme për karakterin e krishterë.