“Doktor” apo “Vëlla”?
Arthur W. Pink (1886–1952)
Teolog, pastor dhe autor anglez i njohur për teologjinë e tij të patundur kalviniste dhe përkushtimin e thellë ndaj autoritetit të Shkrimeve.
Sa të çuditshme janë metodat që përdor ndonjëherë Perëndia për t’u mësuar fëmijëve të Tij mësime të nevojshme. Kjo ka qenë së fundmi përvoja e shkruesit. Ai është kontaktuar nga një “Universitet” për të pranuar prej tyre një titull “D.D.” (Doktor i Teologjisë). Duke kërkuar kohë në mënyrë që të mund të kërkonte me lutje nga Perëndia, përmes Fjalës së Tij të shkruar, një njohuri të vullnetit të Tij, drita që mori ishte më e plotë nga sa priste. Ai kishte dyshime shumë serioze për lejueshmërinë që një shërbëtor i Perëndisë të pranonte një titull nderi (mishëror). Tani ai e sheh se është e gabuar për të që ta pranojë, qoftë edhe si kompliment. Miq të ndryshëm, si shenjë respekti, na janë drejtuar me titullin “Dr. Pink.” Tani u kërkojmë atyre të mos e bëjnë më këtë. Mos u kuptoftë që ne këtu dënojmë burra të tjerë për atë që ata lejojnë. Jo, përpara Zotit të tyre ata qëndrojnë ose bien.
Pjesët kryesore të Shkrimit që na kanë ndihmuar, i përmendim tani, duke u lutur që Perëndia të pëlqejë që t’i bekojë edhe të tjerët. Së pari, për ngushëlluesit e rremë të Jobit, Elihu (përfaqësuesi i Perëndisë) tha: “Mos e prano, të lutem, personin e ndonjë njeriu dhe mos i vër emërtime lajkatare ndonjë njeriu” (Jobi 32:21 KJV). Së dyti: “Mos lejoni që t’ju quajnë Rabbi” (Mateu 23:8), ose “Mësues,” që është ajo që nënkupton titulli “Doktor”. Së treti, Gjoni 5:44 qorton ata që “marrin lavdi nga njëri-tjetri,” dhe na urdhëron të kërkojmë “lavdinë që vjen vetëm nga Perëndia.” Së katërti, asnjë nga shërbëtorët e Zotit në Dhiatën e Re nuk përdori ndonjë titull: “Pali, një apostull,” por kurrë “Apostulli Pal.” Së pesti, Biri i Perëndisë “e zbrazi veten e tij” (Filipianëve 2:7). A është, pra, e përshtatshme që shërbëtorët e Tij sot të ndjekin një rrugë të kundërt? Së gjashti, Krishti na urdhëron të mësojmë prej Tij që ishte “i butë dhe i përulur” (Mateu 11:29). Së shtati, një nga shenjat e apostazisë është “u bëjnë lajka njerëzve për dobi të vet.” (Juda 16). Së teti, na kërkohet të dalim te Krishti jashtë fushës “duke bartur poshtërimin e tij.” (Hebrenjve 13:13).
Për këto arsye nuk na duket e përshtatshme që një që është këtu si përfaqësues dhe dëshmitar i një Krishti të “përçmuar dhe të hedhur poshtë” të nderohet dhe lëvdohet nga njerëzit. Ju lutemi, na drejtoni si “Vëlla Pink.”
Përkthyer nga Chapel Library: https://www.chapellibrary.org/book/dobr/doctor-or-brother-pinkarthurw