Rregulla dhe Udhëzime për Detyrat Familjare
Nga Teologu Puritan Richard Baxter (1615–1691)
Duke treguar se si secili duhet të sillet në mënyrë të krishterë, sipas marrëdhënies në të cilën Zoti e ka vendosur. Këtu paraqitet detyra e Prindërve (e kërkuar nga Zoti) ndaj Fëmijëve të tyre; po ashtu detyra e Fëmijëve ndaj Prindërve. E Burrave ndaj Grave të tyre, dhe e Grave ndaj Burrave të tyre. E Zotërinjve ndaj Shërbëtorëve, dhe detyra e Shërbëtorëve ndaj Zotërinjve. Një vepër me përdorim të madh, ku, zbatimi serioz i saj do të sillte paqe dhe mirëqenie në të gjitha Familjet, dhe do të përhapte fuqinë e perëndishmërisë në gjithë Kombin. Dhe është e nevojshme të vendoset në çdo Shtëpi.
“Sa për mua dhe shtëpinë time, ne do t’i shërbejmë Zotit.” (Jozueu 24:15)
“Atij që sillet drejt do t’i tregoj shpëtimin e Perëndisë” (Psalmi 50:23)
Detyrimet dhe përgjegjësitë që Zoti u kërkon Prindërve ndaj Fëmijëve të tyre, në edukimin e tyre në perëndishmëri.
- Sigurohuni në radhë të parë që të bëni pjesën tuaj duke i futur fëmijët në Besëlidhjen e Pagëzimit.
- Së pari, sigurohuni që ju vetë jeni besnikë ndaj kësaj Besëlidhjeje, sepse premtimi u jepet të krishterëve të vërtetë dhe pasardhësve të tyre (Efes. 2:13; Zanaf. 17:4, 13–14).
- Së dyti, mos mendoni se ngaqë fëmija është i prindërve të perëndishëm, kjo i jep atij të drejtë të plotë ndaj përfitimeve të Besëlidhjes. Kjo është vetëm pjesa themelore; por ju realisht duhet ta kushtoni fëmijën për Perëndinë përmes pagëzimit (Ligji i Përtërirë 29:11–12; Rom. 11:16; Gjoni 3:2–5). Fëmija i një besimtari, që është ofruar ose i është kushtuar realisht Perëndisë, është një marrës i drejtë i pagëzimit dhe i përfitimeve të tij.
- Së treti, mësojini ata të kuptojnë Besëlidhjen që kanë bërë, dhe mos pushoni derisa t’i keni sjellë në pikën ku të japin vetë miratim të sinqertë ndaj saj kur të arrijnë moshën e arsyes. Pastaj çojini tek drejtuesi i Kishës që ai ta pranojë solemnisht Besëlidhjen e bërë në pagëzim dhe të pranohet në mënyrë të rregullt si anëtar i rritur në bashkësinë e besimtarëve.
- Mësojuni fjalët e Besëlidhjes (2 Tim. 1:13), si dhe Besoren, Lutjen e Zotit dhe Urdhërimet, edhe Katekizmin; mësojuni kuptimin e tyre dhe mënyrën e zbatimit duke u përpjekur me çdo mundim që t’i mbushni me nderimin më të madh ndaj Perëndisë dhe Shkrimeve të Shenjta. Pastaj, tregojuni gjithmonë Fjalën e Perëndisë për çdo gjë që doni t’i mësoni që të dinë apo të bëjnë.
- Së dyti, kurrë mos u flisni për Perëndinë dhe gjërat e shenjta me shpërfillje ose pa seriozitet, sepse nëse mësohen t’i nënvlerësojnë ose t’i kthejnë në shaka gjërat e shenjta, zemrat e tyre do të ngurtësohen dhe do të shkatërrohen. Kërko llogari prej tyre për çfarë dinë dhe çfarë bëjnë, si në praktikën e tyre të jashtme ashtu edhe në atë të fshehtë. Mos i lini në pakujdesi, por vëzhgojini nga afër.
- Së treti, përdorni gjithë mençurinë dhe përpjekjen për t’u treguar me fjalë dhe vepra se jeta e shenjtë është më e nderuar, më e dobishme, më e sigurt dhe më e këndshme se çdo mënyrë tjetër jete—që ajo, të bëhet kënaqësia e tyre e vazhdueshme. Bëji gjërat e mira të jenë të këndshme për ta; ruaji që të mos e ndiejnë fenë si një barrë, si diçka të pakëndshme, ose të panevojshme.
- Së pari, filloni me pjesët më të lehta, si historitë biblike, pastaj historitë e Kishës. Le të lexojnë “Jetët e Njerëzve të Shenjtë” nga z. Samuel Clark dhe martirologjinë e tij, si dhe jetët e z. Bolton, z. Joseph Alleine, z. Janeway, “Teatri i Gjyqimeve të Perëndisë” nga Dr. Beard.
-
- Flisni shumë për lavdërimin e njerëzve të shenjtë të lashtë dhe të kohëve të fundit.
- Zbulojuni pasuritë e hirit dhe gëzimet e lavdisë së ardhshme.
- Ushtrojini ata shpesh në Psalme dhe lavdërime për Perëndinë.
- Bisedoni me ta shpesh për turpin e epshit, krenarisë dhe dashurisë për botën.
- Tregojuni se si krenaria ishte mëkati i Djallit që e hodhi nga Qielli.
- Kur të tjerët u flasin për pasuri, nderime dhe karriera, ju tregojuni se këto janë kurthet e Djallit për t’ua larguar zemrat nga Perëndia që të humbin.
- Bëjini shpesh të lexojnë: Luka 12:16–18; Jakobi 4:5; Rom. 8:12; Mateu 5:21–26.
- Me mençuri thyeni vullnetin e tyre egoist dhe mësojini se duhet të binden dhe të kënaqen me vullnetin e Perëndisë dhe tuajin.
- Veshja e tyre le të jetë e thjeshtë dhe e hijshme, jo e zbukuruar kot.
- Kur të rriten, sigurohuni që ti ruani nga mundësitë, afërsia ose njohjet me persona tundues të gjinisë tjetër.
- Sigurohuni që fëmijët e tu të shoqërohen me shokë të mirë dhe sa më pak me të këqij; fëmijët e ligj do t’i ndikojnë para se ju ta vini re: për të pirë, për të sharë, për të luajtur bixhoz, për të folur ndyrësira, për të gënjyer, dhe për të përqeshur perëndishmërinë dhe urtësinë.
- Mësojini të çmojnë kohën e vlefshme dhe shkurtësinë e jetës, dhe ta kenë vdekjen përherë para syve.
- Ushtrojini ata të lexojnë libra të mirë.
- Disiplinimi i tyre nga ty të përdoret me mençuri, sipas nevojës: jo aq i ashpër sa t’i largojë nga ju, as aq i butë sa t’i lërë në mëkat e mosbindje. Disiplina të bëhet gjithmonë me dashuri.
- Lutuni me zell për ta, dhe besojuani me besim Krishtit, tek Besëlidhja e të Cilit i keni përfshirë.
- Shkoni përpara tyre me jetë të shenjtë: le të tregojë sjellja juaj çfarë doni që ata të jenë, veçanërisht duke ua paraqitur perëndishmërinë si diçka të këndshme dhe duke jetuar me shpresë të gëzueshme për Qiellin.
- Zgjidhni për ta zanate me më pak tundime të rrezikshme, dhe kur të jenë në moshë për martesë, zgjidhni për ta bashkëshortë që janë realisht të përshtatshëm dhe mos prisni derisa t’i zërë kurthi i epshit apo marrëzisë.
- Këto janë këshillat që ju rekomandoj me shumë zell në këtë punë kaq të rëndësishme, sepse shpirtrat e fëmijëve tuaj janë shumë të çmuar, dhe dallimi mes të mirës dhe të keqes është aq i madh, sa që gjithë kjo nuk duhet t’ju duket e tepërt. E konsideroj edukimin e duhur të fëmijëve si punën më të domosdoshme dhe më të lavdishme në botë, veçanërisht për nënat.
Detyrat e Burrave ndaj Grave të tyre, dhe të Grave ndaj Burrave të tyre
- Detyra e përbashkët e burrit dhe gruas është të duan njëri-tjetrin (Efes. 5:25: “Burra, duajini gratë tuaja, sikurse Krishti e deshi Kishën”), prandaj zgjidhni një bashkëshort që është me të vërtetë i dashur, dhe merreni këtë vendim me shumë shqyrtim e lutje, duke shmangur gjithçka që mund të shuajë dashurinë.
- Së dyti, jetoni bashkë dhe kënaquni me njëri-tjetrin (1 Kor. 7:29); bashkohuni me besnikëri në edukimin e fëmijëve tuaj, në drejtimin e familjes dhe në menaxhimin e punëve të kësaj bote.
- Së treti, vecanërisht të ndihmoni njëri-tjetrin për shpëtim, të nxisni njëri-tjetrin në besim, dashuri, bindje dhe vepra të mira; të paralajmëroni dhe ndihmoni njëri-tjetrin kundër mëkatit dhe të gjitha tundimeve; të bashkoheni në adhurimin e Perëndisë në familje dhe në jetën personale; të përgatisni njëri-tjetrin për vdekjen dhe të ngushëlloni njëri-tjetrin me shpresën e jetës së përjetshme.
- Së katërti, shmangni të gjitha grindjet dhe përballoni me durim dobësitë e njëri-tjetrit që nuk mund të ndryshoni; të qetësoni e të mos nxisni pasionet e pakontrolluara, dhe në gjërat e lejueshme të përpiqeni të kënaqni njëri-tjetrin.
- Së pesti, të mbani pastërti dhe besnikëri të vazhdueshme dhe të shmangni çdo sjellje të pahijshme ose të papërmbajtur me persona të tjerë që mund të nxisin xhelozi, dhe njëkohësisht të shmangni xhelozinë e padrejtë.
- Së gjashti, ndihmoni njëri-tjetrin të mbani barrët tuaja (dhe jo përmes padurimit t’i bëni ato më të rënda): në varfëri, sprova, sëmundje dhe rreziqe, të ngushëlloni dhe mbështetni njëri-tjetrin; dhe të jini bashkë-shoqërues të këndshëm në dashuri të shenjtë dhe në shpresa e detyra qiellore, kur çdo ngushëllim tjetër i jashtëm mungon.
Detyrat e veçanta të Burrave
- Detyrat e posaçme të burrave janë të ushtrojnë dashurinë dhe autoritetin së bashku (kurrë të ndara) ndaj grave të tyre.
Së dyti, të jenë mësuesi kryesor dhe udhëheqësi i familjes, dhe siguruesi për nevojat e saj.
Së treti, të jenë më të ditur dhe më të duruar se gratë, dhe t’u shërbejnë atyre si mësues e udhërrëfyes në gjërat e Perëndisë.
Së katërti, të ruajnë autoritetin dhe nderin e gruas në familje, ndaj atyre që janë më të vegjël apo në vartësi.
Detyrat e veçanta të Grave
- Detyrat kryesore e grave është të shkëlqejnë në dashuri.
- Së dyti, të jenë të bindura ndaj burrave të tyre, dhe të jenë shembull për pjesën tjetër të familjes në këtë drejtim.
- Së treti, Me përulësi të mësojnë nga burrat e tyre (nëse këta dinë t’i mësojnë), dhe të mos jenë mendjemëdhaja, llafazane apo dominuese.
- Së katërti, të nënshtrojnë pasionet e tyre, të mos i tundojnë burrat për të plotësuar dëshira të kota në krenari, teprime, hakmarrje apo ndonjë të keqe tjetër; të mos e vjedhin Perëndinë dhe të varfrit përmes shpërdorimit krenar e të zbrazët.
- Së pesti, të ruajnë gjuhën e tyre dhe fjalët e tyre të jenë të pakta, me peshë dhe të matura.
- Së gjashti, të jenë të kënaqura në çdo gjendje, dhe të shmangin kotësinë fëminore të veshjeve të stolisura dhe ndjekjen e modave të kota e krenare.
- Së shtati, të ndihmojnë në mirëmbajtjen e familjes përmes kursimit dhe menaxhimit të mirë të burimeve; të mos shpërndajnë pasurinë e burrit pa pëlqimin e tij.
- Së teti, mbi të gjitha, të jenë ndihmëse të vazhdueshme për edukimin e shenjtë të fëmijëve — sepse ky është shërbimi më i lartë që një grua mund të bëjë në këtë botë. Ajo duhet çdo ditë t’i katekizojë ata, t’i mësojë të njohin Perëndinë, t’ua kujtojë botën që do të vijë, dhe t’u mësojë të luten.
Detyra e Fëmijëve ndaj Prindërve
- T’i duan me zemër prindërit e tyre, dhe të jenë mirënjohës për gjithë dashurinë dhe kujdesin që kurrë nuk mund të shpërblehet.
- Së dyti, të mësojnë prej tyre me përulësi, veçanërisht mësimet për shpëtimin.
- Së treti, t’u binden me zell në çdo gjë të ligjshme, në bindje ndaj Perëndisë.
- Së katërti, T’i nderojnë në mendime, fjalë dhe vepra, dhe të shmangin çdo shenjë përçmimi apo mosrespekti.
- Së pesti, Të jenë të kënaqur me atë që prindërit u japin dhe të jenë të gatshëm për çdo punë apo detyrë që ata urdhërojnë.
- Së gjashti, të pranojnë me durim qortimet dhe ndëshkimet nga prindërit e tyre, t’i rrëfejnë gabimet me pendim dhe t’i rregullojnë.
- Së shtati, të frekuentojnë shoqërinë që prindërit u rekomandojnë, dhe të mos kërkojnë shoqëri të kotë apo të rrezikshme.
- Së teti, Të kënaqen me thirrjen ose profesionin që prindërit zgjedhin për ta.
- Së nënti, të martohen vetëm me zgjedhjen apo pëlqimin e prindërve.
- Së dhjeti, t’i ndihmojnë prindërit nëse ndodhen në nevojë. (Zanafilla 9:22; Fjal. 30:17, 13:24; Fjal. 6:20; Kol. 3:20)
Një lutje e shkurtër për fëmijët
Bekimi yt, o Zot, qoftë mbi prindërit dhe udhëheqësit e mi; bëji ata të më mësojnë dhe të më edukojnë në frikën tënde. Bëj që me mirënjohje të pranoj mësimet e tyre, dhe t’i dua, nderoj dhe t’u bindem atyre, për hirin tënd. Më ruaj nga grackat e shoqërisë së keqe, tundimet dhe kënaqësitë e rinisë, dhe bëj që të jem shok me ata që kanë frikë Perëndinë. Bëj që kënaqësia ime e përditshme të jetë të mendoj mbi Ligjin Tënd, dhe mos më lër të kem shenjën e të pabesit — që të jem dashamirës i kënaqësive më shumë se i Perëndisë. Pajise rininë time me thesaret e urtësisë dhe shenjtërisë, që të rriten dhe të përdoren për lavdinë tënde. Për gjithë këtë lutem dhe e shpresoj mbi hirin dhe meritat e Jezus Krishtit, Shpëtimtarit tim, duke thënë ashtu siç më ka mësuar: “Ati ynë që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt…”
Detyrat e Zotërinjve ndaj Shërbyesve të tyre
- T’i drejtojnë me butësi siç i ka hije të krishterëve, por njëkohësisht me autoritet, që të mos i nxisin ata të kenë përbuzje.
- Së dyti, t’i ndalojnë nga të mëkatuarit kundër Perëndisë.
- Së treti, t’i mësojnë në doktrinën e shpëtimit, të luten me ta dhe të ecin përpara tyre me shembullin e një jete të matur.
- Së katërti, t’i ruajnë nga shoqëria e keqe, tundimet dhe rastet për të mëkatuar.
- Së pesti, t’u caktojnë punë të përshtatshme, të mos mbajnë shërbëtorë përtacë, por as t’i mbingarkojnë në mënyrë që dëmtojnë shëndetin, dhe të mos u kërkojnë gjëra të paligjshme.
- Së gjashti, t’u sigurojnë ushqim dhe strehim të përshtatshëm, dhe t’u japin pagën që u takon, sipas premtimit ose meritës.
- Së shtati, të përballojnë me durim dobësitë e përditshme dhe mangësitë që janë të zakonshme tek njerëzit. (Efes. 6:9-10; Kol. 4:1-3)
Detyrat e Shërbyesve ndaj Zotërinjve të tyre
- Së pari, t’i nderojnë dhe t’i respektojnë, dhe t’u binden në çdo gjë të ligjshme që i përket pozitës së tyre për të urdhëruar, duke shmangur çdo fjalë apo sjellje që shpreh mosrespekt, përbuzje ose mosbindje.
- Së dyti, të kryejnë me dëshirë çdo punë që ndërmarrin, dhe që kërkohet prej tyre, pa u ankuar, dhe të jenë po aq të besueshëm kur zotërit nuk janë prezent, sa edhe kur janë të pranishëm.
- Së treti, të jenë të sinqertë në fjalë dhe vepra, të urrejnë gënjeshtrën dhe mashtrimin, të mos dëmtojnë zotërit në blerje, shitje apo vjedhje, madje as në ushqim apo pije pa lejen e tyre; të jenë kursimtarë dhe të kujdesshëm për përfitimin e zotërisë së tyre, sikur të ishte i vetë tyre.
- Së katërti, të mos ankohen për ushqimin që është i shëndetshëm, dhe të mos dëshirojnë jetë të mbushur me lehtësi, bollëk apo përtaci.
- Së pesti, të jenë më të kujdesshëm në kryerjen e detyrës ndaj zotërisë sesa në mënyrën se si zotërit i trajtojnë ata — sepse mëkati është më i keq se vuajtja.
- Së gjashti, të mos zbulojnë sekretet e familjes te të huajt apo fqinjët.
- Së shtati, të pranojnë me falënderim mësimet, të mësojnë Fjalën e Perëndisë, të mbajnë Ditën e Zotit dhe të marrin pjesë me seriozitet në adhurimin publik dhe privat të Perëndisë.
- Së teti, të pranojnë me durim qortimet dhe ndëshkimet e drejta, të rrëfejnë fajet dhe të bëjnë rregullime.
- Së nënti, të luten çdo ditë për bekim mbi familjen, mbi punën dhe mbi vetveten.
- Së dhjeti, ta bëjnë gjithë këtë në bindje të vërtetë ndaj Perëndisë, duke pritur shpërblimin nga Ai. (1 Pjet. 2:18; Tit. 2:9; 1 Tim. 6:12; Kol. 3:22; Efes. 6:5; Mat. 10:24)
Lutja e Shërbyesit
O Zot, ashtu si më ke bërë shërbyes, bëj që të jem i ndërgjegjshëm dhe besnik në vendin tim, i kujdesshëm dhe i ndershëm me pasurinë dhe punët e zotërisë tim, sikurse të ishin të miat. Bëj që të jem i bindur dhe i përulur ndaj atij që më drejton. Më ruaj nga vullneti i vetëdiktuar dhe krenaria, nga ankesat dhe fjalët e kota, nga gënjeshtra, përtacia dhe çdo mashtrim, që të mos jem shërbyes vetëm për sy e jo për ndërgjegje, duke kënaqur vetveten dhe dëshirat mishërore. Bëj që me gëzim dhe vullnet të kryej detyrën time, duke besuar se Ti je hakmarrësi i çdo pabesie, dhe që unë të mos e bëj punën time si për njerëzit, por si për Ty, duke pritur prej Teje shpërblimin tim më të lartë.
Të gjitha këto i lutem për shkak të […] të Shpëtimtarit tim të dashur, Jezus Krishtit, dhe e përfundoj me lutjen që Ai më ka mësuar: “Ati ynë që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt…”
Perkthyer nga: https://purelypresbyterian.com/2020/07/13/rules-directions-for-family-duties/