Nga Pastor John Samson
Vargu më i famshëm në të gjthë Biblën është Gjoni 3:16. Këtu Jezusi thotë, “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetën e përjetshme”
Kur disa të krishterë dëgjojnë mësimin biblik të zgjedhjes Hyjnore, ata kërkojnë strehim të menjëhershëm në të kuptuarin tradicional dhe jo biblik të këtij vargu. Ata thonë këtë: “Perëndia nuk mund të zgjedhë disa për shpëtim sepse Gjoni 3:16 thotë që Perëndia kaq shumë e deshi botën sa dha Birin e tij që KUSHDO që beson në Krishtin do ketë jetën e përjetshme. Kështu që, Perëndia e ka bërë pjesën e tij duke ofruar dhuratën e e shpëtimit në Birin e tij dhe e lë në dorën tonë për të pranuar dhuratën nëpërmjet besimit. Amen. Çështja u mbyll!” (theksimi i tyre)
Ose kështu mund të duket… Megjithëse kjo është një traditë e zakonshme (një traditë që unë e kisha vetë për shumë vite) është e nevojshme të vihet në dukje se pavarësisht nga theksimi që bëhet nga shumë njerëz, në fjalën “kushdo”, vargu nuk po tregon se kush ka dhe kush nuk ka aftësinë për të besuar. Për të kuptuar një varg në Dhiatën e Re, ne duhet të shikojmë gjuhën origjinale në të cilën u shkrua, greqishten koine. Mund të jetë një surprizë e madhe të mësojmë se në greqishten origjinale të Gjonit 3:16, nuk ka fjalë “kushdo.” Fjala “kushdo” po shpreh një fjalë në greqisht e cila është e vështirë për tu shprehur në gjuhën shqipe.
Literalisht, vargu lexon kështu “…në mënyrë që çdo një që beson në Të, të mos humbasë, por të ketë jetën e përjetshme.” Thotë “çdo një që beson…” Kjo është e vështirë të shprehet në shqip, por në esencë, po thotë “të gjthë ata që besojnë.” Kjo është ajo çfarë po komunikohet. Po thotë që nuk ndodh një gjë e tillë që një person të besojë por nuk e merr jetën e përjetshme dhe humbet. Megjithëse përkthimi ynë në shqip thotë “kushdo që beson” përkthimi i saktë do të ishte “çdo një që beson” dhe theksimi nuk është ASPAK mbi fjalën “kushdo” por mbi besimin. Ata që BESOJNË nuk do të kenë një pasojë (nuk do të humbasin) por një tjetër (do të kenë jetën e përjetshme).
Pse? Për shkak të foljes kryesore – për shkak se Perëndia DHA Birin e tij. Perëndia dha Birin e tij për qëllimin (Greqisht: hina) që çdo një që beson të mos humbasë, por çdo një që beson të ketë jetën e përjetshme.
Teksti (Gjoni 3:16) faktikisht flet për një limitim të një veçantie sesa për një shpengim universal. Për qartësi, jo të gjithë do të shpëtohen, por vetëm ata që besojnë në Krishtin. Ati dha Birin e tij për qëllimin e atyre që besojnë. Biri jepet në mënyrë që çdo një që beson të mos humbasë, por e kundërta e kësaj, të ketë jetën e përjetshme. Ky është qëllimi i dhënies.
Pra, ajo çfarë Gjoni 3:16 mëson është:
TË GJITHË që bëjnë A (besojnë në Të)
Nuk do të B (humbasin)
Por do të kenë C (jetën e përjetshme)
Çfarë na tregon ky varg rreth asaj se kush DO TË besojë ose kush MUND të besojë?
Përgjigjja është: ABSOLUTISHT ASGJË! Vargu nuk merret me çështjen se kush DO TË besojë ose kush MUND të besojë.
Gjithësesi, nëse doni të dini pikëpamjen e Gjonit se kush MUND të ushtrojë besim, ai i jep përgjigje kësaj pyetje – vetëm se jo në këtë varg. Nëse shkoni disa vargje më mbrapa në kapitull te Gjoni 3:3, Gjoni citon Jezusin që thotë “nëse një nuk lind përsëri, ai nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë.” Kjo është e qartë apo jo?
Jezusi tha se një kusht i domosdoshëm dhe i nevojshëm, që duhet të plotësohet përpara se dikush mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë është që ai duhet të lindë sërish. Ne hyjmë në mbretërinë e Perëndisë nëpërmjet besimit, por që të hyjmë në mbretëri, ne së pari duhet të lindim sërish, ose të bëhemi të gjallë shpirtërisht. Nëse SË PARI nuk lindim sërish, ne NUK MUND të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë.
E njëjta çështje preket nga Jezusi 3 kapituj më pas te Gjoni 6:44, kur Ai tha, “Askush nuk mund të vijë tek unë, po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit.” (duhet të vëmë re se ai që tërhiqet prej Atit te Biri, gjithashtu do të ringjallet në ditën e fundit në jetën e perjetshme). (Gjoni 6:39, 40). Te Gjoni 6:65, Jezusi tha, “Për këtë arsye ju thashë se askush nuk mund të vijë tek unë, nëse nuk i është dhënë nga Ati im.”
Sigurisht, të gjithë ata që ushtrojnë besim të vërtetë me patjetër do të shpëtohen. Gjoni 3:16 qartazi mëson që çdo njeri që beson në Krishtin nuk do të humbasë por do të ketë jetën e përjetshme. Por ajo që duhet të pyesim është “kush DO TË ketë besim?”
Pikëpamja biblike dhe Agustiniane, është që vetëm të zgjedhurit do të sillen në besim. Askush nuk mund të vijë tek Krishti derisa Perëndia të bëjë dicka për ta aftësuar atë njeri që të vijë.
Atëhere pse njerëzit nuk e kuptojnë atë që Gjoni 3:16 mëson dhe lexojnë në të atë që nuk ndodhet në varg?
Përgjigja është e thjeshtë. Eshtë për shkak se si ata e kanë dëgjuar Gjonin 3:16 të përdoret herë pas here. Ata kanë një nocion të ngulitur se çfarë thotë vargu, dhe nuk e vënë në pikëpyetje këtë hamendësim të tyrin dhe lexojnë në varg diçka tjetër nga ajo që po thuhet.
Është një TRADITË dhe nëse guxon ta vësh në dyshim, mund të akuzohesh që po vë në dyshim fjalën e Perëndisë dhe jo interpretimin e tyre tradicional të fjalës së Perëndisë, dhe kjo është një gjë që mund të krijojë shumë emocione.
Ky varg, është vetëm një shembull nga shumë vargje të tjera që mund të citohen, që na tregon sesa të fuqishme mund të bëhen traditat tona. Ne kemi nevojë t’i ekspozojmë vazhdimisht traditat tona ndaj dritës së fjalës së Perëndisë. Nëse ato mund të konfirmohen nga një studim i detajuar i vargut, ne mund të jemi të sigurt që traditat janë të vlefshme. Nëse jo, atëhere duhet të bëjmë edhe pa to…
Përkthyer nga www.reformationtheology.com