Vëllai im i dashur,
Zemra ime mendon për ty në këtë orë të errët, dhe ndiej pafuqinë time për të të ngushëlluar. Humbja që ke pësuar është shumë më e madhe se çdo gjë që mund të bëjë një qënie njerëzore – vuajtja jote është tepër e mprehtë, që të lehtësohet nga një bashkë-vdekatar. Unë mund të përpiqem të derdh në zemrën tënde të plagosur rëndë diçka nga ‘balsami i Gileadit’, por vetëm Mjeku i madh mund të të bëjë të ngushëllohesh. Unë thjesht mund të të drejtoj tek Ai që mund të ‘lidhë zemrat e thyera’.
Jezusi është një Mik që qëndron më afër se një vëlla. Hidh të gjitha shqetësimet e tua mbi Të, sepse Ai kujdeset për ty. Derdhe zemrën tek Ai. Të mbuloftë hiri hyjnor, në mënyrë që të aftësohesh për të pranuar me përulësi çfarëdo që mund të caktojë Perëndia ynë i gjithëdijshëm. Feja e vërtetë konsistion në nënshtrimin e zemrës ndaj veprimeve të provanisë së Perëndisë për ne.
Dhimbja jote e mprehtë është ndër ‘të gjitha gjërat’ që punojnë së bashku për të mirën e atyre që e duan Perëndinë. Do të jetë një bekim me të vërtetë i fshehur nëse Shpirti i Perëndisë kënaqet ta përdorë këtë pikëllim për të të shenjtëruar.
Më lejo të të jap disa rreshta meditimi të cilat do të të mundësojnë të përballesh mirë me këtë pikëllim, nëse do i ndjekësh, dhe do të bekohen nga Perëndia.
Mëso përsëri tmerrshmërinë e mëkatit. ‘Prandaj, ashtu si me anë të një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë dhe me anë të mëkatit vdekja, po ashtu vdekja u shtri tek të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan;’ (Romakëve 5:12) Po, sikur mëkati të mos kishte hyrë kurrë në këtë botë, asnjë varr nuk do të ishte gërmuar. Çdo funeral duhet të jetë një kujtesë e fuqishme për ne për atë që ka sjellë Rënia! Çdo funeral duhet të na sjellë një urrejtje më të thellë ndaj mëkatit. Ishte mëkati ai që e bëri të nevojshme vdekjen e Birit të dashur të Perëndisë. Atëherë sa shumë duhet që ta urrejmë atë, të kërkojmë hir për t’i rezistuar tundimeve të tij të këqija dhe të ndjekim fort të kundërtën e tij – shenjtërinë.
Shih rëndësinë e madhe e mbajtjes së të gjitha mëshirave të përkohshme të Perëndisë me një dorë të lehtë. Më të mirat e tyreve na janë huazuar vetëm për një stinë dhe ne nuk e dimë sa shpejt do të thirremi që t’i lëshojmë ato. Është e urtë për ne që ta kuptojmë dhe ta kujtojmë këtë ndërsa i kemi ato ende në duart tona: të mos i kapim shumë fort, as të mos i shikojmë si tonat për t’i gëzuar përgjithmonë në këtë botë që po zhduket. Shkrimi i Shenjtë na urdhëron të ‘gëzohemi me dridhje’, sepse ajo që gëzon zemrën këtë mëngjes mund të më merret para se të bien hijet e natës. Sa më shumë të jetoj me këtë fakt para meje, aq më pak do ta ndiej humbjen kur ajo të vijë!
Përpiqu ta largosh zemrën tënde më shumë nga kjo botë që po zhduket. ‘Kini në mend ato që janë lart, jo ato që janë mbi tokë.’ (Kol. 3:2) Por ne jemi të ngadaltë për t’i kushtuar vëmendje kësaj këshille dhe shpesh Perëndia duhet të përdorë mjete drastike për të na sjellë në pajtim me të. Është për të mirën tonë si dhe për lavdinë e Tij, që ne ta bëjmë këtë. Janë vetëm gjërat qiellore që do të qëndrojnë; atëherë le të kërkojmë hir që zemrat tona të vendosen gjithnjë e më shumë mbi to.
Kërko të demonstrosh realitetin e fesë së vërtetë. Vetëm fëmija i vërtetë i Perëndisë është i aftë të thotë, ‘Zoti dha dhe Zoti mori: i bekuar qoftë emri i Zotit.’ Kërko me zell ndihmë të mbinatyrshme nga lart, vëlla i dashur, që të mundesh të tregosh mjaftueshmërinë e hirit Hyjnor për të të forcuar dhe për të të mbështetur – për të treguar se ke një paqe dhe ngushëllim që janë të huaja për njerëzit pa Krishtin. Mos u hidhëro si të tjerët që nuk kanë shpresë. Mos dysho në mirësinë e Zotit.
“Hidh mbi Zotin barrën tënde, dhe ai do të të mbajë; ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet.” Psalmi 55:22
I yti nga mëshira e bollshme e Perëndisë,
A. W. Pink