Nga J.C. Ryle
“Duke ditur, vëllezër të dashur prej Perëndisë, zgjedhjen tuaj.”- 1 Thesalonikasit 1:4
“Jini të zellshëm aq më shumë ta përforconi thirrjen dhe zgjedhjen tuaj.”- 2 Pjetri 1:10
Unë iu kërkoj lexuesve të këtij artikulli të kem vëmëndjen e tyre për pak minuta, ndërsa përpiqem të paraqes përpara tyre subjektin e kësaj Zgjedhje. Më besoni, kjo ka një efekt të madh në gëzimin tuaj të përjetshëm…
Së pari unë duhet të parashtroj doktrinën e Zgjedhjes. Çfarë është ajo dhe cfarë kuptimi ka?
Parashtrimi i saktë i kësaj pike ka një rëndësi shumë të madhe. Ndoshta nuk ka asnjë tjetër doktrinë të Shkrimit që nuk ka pësuar kaq shumë dëme nga konceptet e gabuara të armiqve, dhe nga përshkrimet e pasakta të miqve, sesa doktrina për të cilën po flasim.
Unë besoj se doktrina e vërtetë e Zgjedhjes është e tillë. Nga përjetësia Perëndia ka qënë i kënaqur të zgjedhë prej njerëzimit burra dhe gra të caktuar, të cilët prej këshillës së Tij të pazbuluar për ne, ka dekretuar ti shpëtojë me anë të Jezu Krishtit. Askush nuk shpëtohet përveç atyre që janë të zgjedhur. Prej kësaj, Shkrimi iu ka dhënë njerëzve të Perëndisë në vende të ndryshme emrin “Të zgjedhurit e Perëndisë,” dhe zgjedhja ose caktimi i tyre për jetën e përjetshme është quajtur “Zgjedhja e Perëndisë.”
Ata burra dhe gra të cilët Perëndia ka qënë i kënaqur për ti zgjedhur nga përjetësia, Ai i thërret në kohën e Tij, me anë të Frymës së Tij duke punuar në ta. Ai i bind ata për mëkat. Ai i drejton te Krishti. Ai iu jep pendesën dhe besimin. Ai i kthen, i ripërtërin, dhe i shenjtëron. Ai i mban ata me anë të hirit të Tij që të mos bien totalisht, dhe përfundimisht i sjell të sigurt në lavdi. Shkurtimisht, Zgjedhja e përjetshme e Perëndisë është hallka e parë në zinxhirin e shpëtimit të mëkatarit dhe në hallka e fundit është lavdia qiellore. Askush nuk pendohet, beson, dhe rilind sërish, përveçëse të Zgjedhurve. Shkaku primar dhe kryesor i shenjtorit që ai është ai që është, është Zgjedhja e përjetshme e Perëndisë.
Kjo doktrinë, pa dyshim që është e thellë, misterioze, dhe e vështirë për tu kuptuar. Ne nuk kemi sy që ta shohim plotësisht atë… Asnjë pjesë tjetër e fesë së krishterë nuk ka qënë kaq shumë e debatuar, refuzuar, dhe sharë sa kjo… Mijëra të ashtuquajtur të krishterë rrëfejnë se e besojnë Shlyerjen, shpëtimin prej hirit, dhe drejtësimin prej besimit, dhe prapësëprapë refuzojnë të shikojnë doktrinën e Zgjedhjes. Vetëm përmëndja e fjalës për disa persona është e mjaftueshme të shkaktojë zemërim dhe pasion.
Por, a është doktrina e Zgjedhjes e shpallur qartë në Shkrime? Kjo është e tërë pyetja që një i krishterë i ndershëm duhet të bëjë. Nëse nuk është në Librin e Perëndisë, le të refuzohet, dhe të hidhet poshtë nga njeriu, pavarësisht se kush e paraqet. Por nëse është aty, le ta pranojmë me nderim, si një pjesë të zbulesës Hyjnore, dhe me përulje ta besojmë, edhe atje ku nuk jemi të aftë ta kuptojmë dhe shpjegojmë plotësisht. Atëhere, çfarë shkruhet në Shkrime? “Përmbahuni ligjit dhe dëshmisë! Në rast se një popull nuk flet në këtë mënyrë, kjo do të thotë se në të nuk ka dritë.” (Isaia 8:20.) A është zgjedhja në Bibël, apo jo? A flet Bibla për persona të caktuar si të Zgjedhurit e Perëndisë, apo jo?
Dëgjoni cfarë thotë Zoti ynë Jezus Krisht:
“Për shkak të të zgjedhurve, ato ditë do të shkurtohen.” (Mateu 24:22.)
“Po të jetë e mundur, edhe të zgjedhurit.” (Marku 13:22.)
“Ai do t’i dërgojë engjëjt e vet me tinguj të fuqishëm borie; dhe ata do t’i mbledhin të zgjedhurit e tij nga të katër erërat, nga një skaj i qiellit te tjetri.” (Mateu 24:31.)
“Vallë Perëndia nuk do t’u japë të drejtë të zgjedhurve të tij” (Lluka 18:7.)
Dëgjoni cfarë thotë aposulli Pal:
“Sepse ata që ai i ka njohur që më parë, edhe i ka paracaktuar që të jenë njësoj me shëmbëllimin e Birit të tij, kështu që ai të jetë i parëlinduri në mes të shumë vëllezërve. Por ata që i paracaktoi, ata ai edhe i thirri; dhe ata që i thirr, ata ai edhe i drejtësoi; dhe ata që i drejtësoi, ata ai edhe i përlëvdoi.” (Romakët 8:29, 30.)
“Kush do t’i padisë të zgjedhurit e Perëndisë?” (Romakët 8:33.)
“Na zgjodhi në të përpara themelimit të botës,” (Efesianët 1:4.)
“Që na shpëtoi dhe na thirri me një thirrje të shenjtë, jo sipas veprave tona, por sipas qëllimit të tij dhe sipas hirit, që na u dha në Krishtin Jezus përpara kohërave të përjetshme” (2 Timoteu 1:9.)
“Perëndia ju zgjodhi që në fillim për shpëtim, në shenjtërimin e Frymës dhe të besimit në të vërtetën;” (2 Thesalonikasit 2:13.)
Dëgjoni cfarë thotë apostulli Pjetër:
“Të zgjedhurve sipas paranjohjes së Perëndisë, Atit, me anë të shenjtërimit të Frymës, për bindje dhe spërkatje me gjakun e Jezu Krishtit;” (1 Pjetri 1:2.)
“Jini të zellshëm aq më shumë ta përforconi thirrjen dhe zgjedhjen tuaj” (2 Pjetri 1:10.)
Unë i vendos këto 11 pasazhe përpara lexuesve të mi, dhe u kërkoj ti konsiderojnë mirë. Nëse fjalët kanë ndopak kuptim, ato e mësojnë shumë qartë doktrinën e Zgjedhjes personale. Nën dritën e këtyre pasazheve, Unë nuk guxoj ta refuzoj si një doktrinë që nuk ndodhet në Shkrim. Unë nuk guxoj, si një njeri i ndershëm, të mbyll sytë e mi kundër gjuhës së qartë dhe të dukshme të Biblës. Nëse do ta bëja këtë, unë nuk do të kisha një tokë ku të qëndroja ne shpalljen e Ungjillit një njeriu të pakthyer. Unë nuk do të mund të prisja që ai të besonte një seri vargjesh si të vërteta, kur unë nuk besoj një seri tjetër vargjesh. 11 vargjet e cituara më lart provojnë shumë qartë që Zgjedhja personale është një doktrinë e Shkrimit. Dhe si të tillë unë duhet ta pranoj dhe duhet ta besoj, pavarësisht se sa e vështirë mund të jetë. Si të tillë unë u kërkoj lexuesve të mi në këtë ditë ta shikojnë me qetësi, ta peshojnë seriozisht, dhe ta pranojnë si të vërtetën e Perëndisë…
Këndvështrimi i duhur për natyrën njerëzore me siguri që duhet të na çojë te i njëjti përfundim. Sapo të pranoni që ne natyrshëm jemi të gjithë të vdekur në mëkate, dhe që nuk kemi asnjë fuqi për tu kthyer te Perëndia, – sapo të pranoni që e gjithë jeta shpirtërore në zemrën e njeriut duhet të fillojë me Perëndinë, – sapo të pranoni që Ai që krijoi botën duke thënë, “Të bëhet drita,” duhet të ndriçojë në zemrën e njeriut, dhe të bëjë dritë në të, – sapo të pranoni që Perëndia nuk ndriçon të gjithë ata që mund të rrëfejnë se janë të krishterë, po vetëm disa, dhe që Ai vepron në këtë çështje plotësisht si Sovran, që nuk i jep llogari askujt për çështjet e Tij, – sapo të pranoni të gjithë këtë, dhe pastaj të shihni ku jeni. Nëse jeni i ndërgjegjshëm apo jo, ju pranoni të gjithë doktrinën e Zgjedhjes!
Këndvështrimet e duhura për natyrën dhe karakterin e Perëndisë siç janë zbuluar në Bibël, na çojnë te i njëjti pozicion. A besojmë ne se Perëndia i di të gjitha gjërat nga përjetësia, – që Ai i qeveris të gjitha gjërat me anë të providencës së Tij, dhe madje as edhe një trumcak nuk bie në tokë pa e dituar Ai? A besojmë ne që Ai i kryen të gjitha veprat e Tij me anë të një plani, si një arkitekt me njohuri të përsosura, dhe asgjë në lidhje me shenjorët e Tij, nuk i lihet shansit, aksidentit, dhe fatit? – Epo, nëse i besojmë të gjitha këto, ne besojmë të gjithë doktrinën të cilën kjo letër po përpiet të mbështesë. Kjo është Doktrina e Zgjedhjes.
Tani çfarë mund të thuhet në përgjigje ndaj këtyre gjërave? Cilat janë argumentat kryesore me të cilat sulmohet Zgjedhja? Le të shohim.
Disa na thonë se nuk ka diçka të tillë në Shkrime si një Zgjedhje të personave dhe individëve. Një Zgjedhje e tillë, thonë ata, do të ishte arbitrare, e padrejtë dhe jo e mirë. E vetmja Zgjedhje që ata pranojnë është ajo e kombeve, kishave, komuniteteve, – si Izraeli në kohët e lashta, dhe kombet e krishtera, krahasuar me kombet pagane në ditët tona. Tani, a ka ndonjë gjë që qëndron në këtë kundërshtim? Unë besoj se nuk ka asgjë të tillë. – Gjëja e parë, Zgjedhja për të cilën flitet në Shkrime është një Zgjedhje e ndjekur nga influenca shenjtëruese e Frymës së Shenjtë. Kjo me siguri që nuk është Zgjedhja e kombeve. Gjëja e dytë, vetë apostulli Pal jep një dallim të qartë midis vetë Izraelit dhe Zgjedhjes. “Izraeli atë që kërkoi nuk e mori, kurse të zgjedhurit e morën, dhe të tjerët u ngurtësuan.” (Rom. 11:7.) – E fundit, por jo më e vogla për nga rëndësia, mbështetësit e teorisë së Zgjedhjes kombëtare nuk fitojnë asgjë nga ajo. Çfarë mund të thonë ata për faktin që Perëndia e tërhoqi njohurinë për Krishtërimin nga 350 milionë kinëzët për 1800 vjet, dhe prapësëprapë e përhapi atë në kontinentin e Europës? Nuk mund të thonë asgjë përveçëse për shkak të vullnetit sovran të Perëndisë dhe Zgjedhjes së Tij të lirë! Kështu që, në fakt, ata janë të detyruar të marrin të njëjtin pozicion për të cilin na fajësojnë ne për mbrojtjen që i bëjmë.
Disa na thonë që në disa shkallë Zgjedhja nuk është doktrina e kishës së Anglisë…”Është thjesht një copë Kalvinizmi,” thonë ata, – “një nocion ekstravagant që erdhi nga Gjeneva, dhe nuk meriton asnjë vlerësim nga ata që e duan librin e Lutjeve.” Njerëz të tillë do bënin mirë të shikonin në fund të librit të Lutjeve, dhe të lexonin tridhjetë e nëntë artikujt. Le të lexojnë artikullin e shtatëmbëdhjetë që thotë:
“Paracaktimi për në Jetë është qëllimi i përjetshëm i Perëndisë, ku (përpara se të hidheshin themelet e botës) Ai ka dekretuar nga këshilla e Tij e pazbuluar për ne, të çlirojë nga mallkimi dhe dënimi ata që Ai ka zgjedhur prej njerëzimit në Krishtin, dhe ti sjellë ata me anë të Krishtit në shpëtimin e përjetshëm, si enë të bëra për nderim…”
Unë ua rekomandoj këtë artikull të gjithë predikuesve të Anglisë… Nën dritën e këtij artikulli është thjesht qesharake të thuash që kisha e Anglisë nuk beson në doktrinën e kësaj letre.
…Vetë syte e mi e shikojnë doktrinën e Zgjedhjes personale të deklaruar shumë qartë në Shkrime dhe në artikullin e 17-të të kishës së Anglisë. Unë nuk mund ta dorëzoj. Unë besoj fort që kjo është një pjesë e rëndësishme e të vërtetës së Perëndisë, dhe një doktrinë që për personat e përëndishëm është “plot ngushëllim të ëmbël, të këndshëm dhe të pafjaltë”
Disa pjesë nga artikulli “Zgjedhja” nga Rajli (J. C. Ryle)