Pjesa e Gënjeshtarëve!
Nga Puritani James Smith (1802-1876)
“Gjithë gënjeshtarët, pjesa e tyre do të jetë në liqenin që digjet me zjarr dhe squfur, që është vdekja e dytë.” Zbulesa 21:8
Gënjeshtra është përpjekja për të mashtruar, dhe çdo lloj mashtrimi i qëllimshëm është gënjeshtër. Është diçka e zakonshme për natyrën njerëzore, por është e neveritshme për Perëndinë. Ajo shpesh, praktikohet pa frikë, edhe pse është qartësisht e dënuar në Fjalën e Perëndisë. Madje, në disa raste ajo justifikohet si e nevojshme, por, prapësëprapë, në çdo rast të saj, kërcënimi i vargut më sipër do të bëhet realitet.
Ka shumë gënjeshtra të lidhura me fenë. Në disa shërbesa fetare ka shumë të pavërteta! Thuhet më shumë sesa është e vërtetë, ose zemra kundërshton fjalët e buzëve. Kjo është e tmerrshme, por është shumë e zakonshme. Prapësëprapë, “gjithë gënjeshtarët, pjesa e tyre do të jetë në liqenin që digjet me zjarr dhe squfur.”
Mashtrimi është shumë i zakonshëm në tregti. Produkti keqinterpretohet përsa i përket çmimit, cilësisë, dhe nganjëherë sasisë. Shitësi përpiqet të mashtrojë, duke siguruar blerësin se është më i lirë dhe më i mirë sesa është në të vërtetë. Blerësi përpiqet të mashtrojë, duke ulur vlerën e mallrave: “Éshtë i keq, është i keq”, thotë blerësi; por mbasi ai ka ikur, lavdërohet për blerjen.” Fjalët e Urta 20:14. Por, “gjithë gënjeshtarët, pjesa e tyre do të jetë në liqenin që digjet me zjarr dhe squfur.”
Mashtrimi shpesh praktikohet në familje. Prindërit mashtrojnë fëmijët, shërbëtorët mashtrojnë zonjën e tyre, zonja kërkon nga shërbëtori të mashtrojë vizitorin, duke thënë: “Nuk është në shtëpi!”. Secili pjesëtar i familjes përpiqet të mashtrojë tjetrin; dhe prapësëprapë, “gjithë gënjeshtarët, pjesa e tyre do të jetë në liqenin që digjet me zjarr dhe squfur.”
Mashtrimi praktikohet edhe në miqësinë e zakonshme. Kur shoqëria është e pakëndshme, shpesh thuhet: “Jam kaq i/e lumtur që të shoh!”. Dhe kur nuk ka dëshirë që të vizitohet përsëri, pyetet: “Kur do të na vizitosh përsëri?”
Në tregimin e ngjarjeve të zakonshme të jetës, ato ekzagjerohen, ose një pjesë e rrethanave lihet qëllimisht jashtë!
Premtimi jepet lehtë, por shpesh thyhet!
Me pak fjalë, gënjeshtrat janë të zakonshme për të . . .
- lënduar,
- përfituar,
- mbuluar një faj, ose
- për të kënaqur një pasion të ligë.
Por, “gjithë gënjeshtarët, pjesa e tyre do të jetë në liqenin që digjet me zjarr dhe squfur, “
Por a do të humbasin me të vërtetë të gjithë gënjeshtarët? – Po, nëse ata jetojnë dhe vdesin të papenduar. Por a nuk do të jetë praktika e tregtisë, zakoni i vendit, apo moda e kohëve, një justifikim? – Jo! Të gjithë gënjeshtarët do të humbasin në ferr. Nëse ata pendohen për këtë mëkat, e rrëfejnë përpara Perëndisë dhe e braktisin në praktikë, përmes gjakut të Jezusit ata mund të marrin falje. Por përndryshe, “gjithë gënjeshtarët, pjesa e tyre do të jetë në liqenin që digjet me zjarr dhe squfur,”
Ka një vend ndëshkimi të caktuar posaçërisht për gënjeshtarët, i quajtur “vendi i tyre.” Ai është shumë i ashpër dhe quhet vdekja e dytë, sepse është ndarje nga Perëndia, pasi vdekja të ndan nga miqtë. Ai të privon nga çdo shpresë ngushëlluese, çdo shoqëri e ëmbël dhe çdo perspektivë e ndritshme dhe gjallëruese! Atje mendja është e mbushur me reflektime të dhimbshme dhe e shqetësuar nga kujtimet e marrëzive, mëkateve dhe mundësive të kaluara! Atje krimbi i një ndërgjegjeje gjithmonë-akuzuese nuk vdes kurrë dhe zjarri nuk shuhet kurrë!
Lexues, a je fajtor për këtë mëkat? A gënjen për përfitim, hakmarrje, nga zakoni, apo për të mbuluar fajet e tua? Kujto, “gjithë gënjeshtarët, pjesa e tyre do të jetë në liqenin që digjet me zjarr dhe squfur, që është vdekja e dytë.”
Asnjë nga njerëzit e Perëndisë nuk e ka zakon gënjeshtrën. Asnjë i krishterë nuk mund të jetë gënjeshtar i përhershëm. Çdo gënjeshtar është përjashtuar përgjithmonë nga Parajsa. Çdo gënjeshtar po kërkon me vetëdije dhe çdo ditë, një vend në Ferr.
A pohon se je një besimtar? Braktis gënjeshtrën, ose braktis rrëfimin e fesë të së vërtetës!
A je jashtë kishës? Mos mendo kurrë të hysh në të, derisa të kesh mësuar të flasësh të vërtetën në mënyrë të zakonshme.
A po përpiqesh ta zbutësh këtë temë dhe ta justifikosh mëkatin? Kujto, Perëndia është një Perëndi xheloz, dhe Ai të ka folur sa më qartë të jetë e mundur në Fjalën e Tij të shenjtë, se “gjithë gënjeshtarët, pjesa e tyre do të jetë në liqenin që digjet me zjarr dhe squfur.” Mos e beso këtë dhe ti e bën Perëndinë një gënjeshtar!