Kontraceptivët (Pj. 4): Onanizmi (Derdhja e Farës Jashtë te Zanafilla 38)

Kontraceptivet dhe Onanizmi

Nga Paul J. Barth

postimin tonë të fundit pamë se shterpësia dhe të qenit i moshuar nuk e përjashtojnë martesën dhe se shterpësia ose impotenca pas martesës nuk e anullojnë martesën. Gjithashtu, ne shqyrtuam katër arsye të ligjshme që jep Shkrimi për çiftet e martuara për të abstenuar nga marrëdhënia seksuale. Abstinenca nuk është një akt mëkatues në vetvete, por mund të jetë mëkat në varësi të qëllimeve të abstinencës, finis operantis (qëllimi i vepruesit). Në këtë postim do të shohim veprime që janë mëkatare finis operis (qëllimi i veprimit) pavarësisht nga qëllimet e pastra të vepruesit.

Kundërshtia ndaj ngjizjes shpesh perceptohet si një doktrinë katolike romane, por nuk është kështu. Për shkak të kuptuarit universal të Kishës për, qëllimet dhe detyrat e martesës të rrënjosura në krijim, ndalimin e veprimeve dhe qëllimeve mëkatare që luftojnë kundër këtyre detyrave, dhe qëllimeve të martesës, të krishterët e të gjitha denominacioneve ishin unanimisht kundër përdorimit të kontraceptivëve deri kur erdhi lëvizja feministe në vitet 1930. Deri në vitin 1930, të gjitha denominacionet protestante e dënonin kontraceptivin si mëkat. Në Konferencën Lambeth të vitit 1930, kisha anglikane, e ndikuar nga presioni shoqëror në rritje, votoi që kontraceptivët të lejoheshin në disa rrethana. Kjo ishte hera e parë që një denominacion protestant i çfarëdo lloji kishte miratuar zyrtarisht kontraceptivët. Dhe pastaj një vit më vonë në SHBA, Këshilli Federal i Kishave të Krishtit (FCCC) miratoi kontraceptivët brenda martesës. Interesante është se gazeta laike, Washington Post, reagoi të nesërmen duke thënë:

“Raporti i komitetit, nëse zbatohet, do të tingëllojë si fundi i martesës si një institucion i shenjtë duke vendosur praktika degraduese që do të inkurajojnë imoralitetin e pakufizuar. Deklarata se përdorimi i ligjshëm i kontraceptivëve do të ishte “i kujdesshëm dhe i përmbajtur” është qesharak.”

Washington Post, Këshilli Federal i Kishave të Krishtit pranon Kontrollin e Lindjeve, 22 Mars 1931

 

Pasazhi kryesor i kuptuar unanimisht deri në kohët e fundit për ndalimin kontraceptivëve është ai i Onanit.

ONANIZMI

“Por Eri, i parëlinduri i Judës, ishte i keq në sytë e Zotit; dhe Zoti e bëri të vdesë. Atëhere Juda i tha Onanit: “Shko te gruaja e vëllait tënd, martohu me të, dhe ngjalli trashëgimtarë vëllait tënd.” Por Onani, duke ditur se këta pasardhës nuk kishin për të qënë të vetët; kur bashkohej me gruan e vëllait, e hidhte farën e tij përtokë, për të mos i dhënë pasardhës vëllait të tij. Kjo nuk i pëlqeu Zotit, që e bëri të vdesë edhe atë.”

Zanafilla 38:7-10

 

Onani, duke vepruar si një shpengues i afërm (para se të ishte vendosur ligji ceremonial; Ligji i Përtërirë 25:5-10), kishte një përgjegjësi besëlidhore për të siguruar pasardhës për gruan e vëllait të tij, por ai bëri gjithçka që ishte në fuqinë e tij për të mos e përmbushur atë përgjegjësi. Ai mëkatoi kundër urdhërimit të 10-të sepse e kishte zili vëllain e tij dhe nuk donte të lindte një fëmijë që nuk do të mbante emrin e tij. Ai mëkatoi kundër urdhërimit të 7-të sepse kënaqte dëshirat e tij me gruan në një mënyrë egoiste dhe shkelëse kurore duke mos përmbushur përgjegjësinë e tij ndaj saj dhe vëllait të tij. Së fundi, ai mëkatoi kundër urdhërimit të 6-të sepse parandaloi ngjizjen e një fëmije, që është qëllimi kryesor i marrëdhënieve bashkëshortore.

Onani mëkatoi në finis operantis (qëllimi i vepruesit) sepse qëllimet e tij ishin të liga, si dhe në finis operis (qëllimi i veprimit) sepse akti i “coitus interruptus” (derdhjes jashtë) luftonte në mënyrë të panatyrshme kundër qëllimit të seksit — që është lindja e fëmijëve. Në këtë kuptim ai shkëmbeu “përdorimin natyror të gruas” (Rom. 1:27) për një derdhje të panatyrshme të farës së tij. Rasti i tij është i rëndësishëm për të gjitha çiftet e martuara, sepse Bibla nënkupton se lindja e fëmijëve është një rezultat natyror dhe qëllim themelor i martesës. Ky mund të duket si një interpretim i çuditshëm në mendësinë tonë moderne që e sheh kontrollin e lindjeve si dicka normale dhe që është e mbushur me pornografi dhe imoralitet seksual, por kjo është ajo që të krishterët kanë besuar nga Kisha e hershme deri në kohët e fundit.

Le të shohim se si të krishterët historikisht e kanë interpretuar këtë pasazh, por së pari do të përmbledhim argumentin:

Premisa 1: Martesa, dashuria bashkëshortore dhe bashkëjetesa është një detyrë e urdhërimit të 7-të për ata që nuk kanë dhuratën e përmbajtjes (Zanafilla 1:28; 1 Korintasve 7:2, 9; Fjalët e Urta 5:19-20; 1 Pjetrit 3:7; Fjalët e Urta 31:11, 27-28). (Rrëfimi i Uestministerit P. 138).

Qëllimet e martesës janë trefishe (Rrëfimi i Uestministerit 24.2): 1) Ndihma e ndërsjellë e burrit dhe gruas (Zanafilla 2:18); 2) Rritja e njerëzimit/lindjes së fëmijëve (Zanafilla 1:28), dhe e Kishës me një farë të shenjtë (Malakia 2:15); 3) Parandalimi i papastërtisë (1 Korintasve 7:2&9).

Premisa 2: Çdo akt kundër ndonjë prej qëllimeve të martesës është domosdoshmërisht mëkat.

Konkluzioni: Kontraceptivët veprojnë kundër qëllimit 2 dhe për këtë arsye janë mëkat.

 

ONANIZMI SIPAS INTERPRETIMIT TE TRADITES PROTESTANTE

 

Citimet e mëposhtme (dhe shumë të tjera) janë përmbledhur nga Charles Provan në librin e tij “Bibla dhe Kontrolli i Lindjeve“.

Shënimet Angleze, ndonjëherë të njohura si Shënimet e Uestminster-it, kjo sepse u përgatitën pjesërisht nga disa ish-anëtarë të Asamblesë së Uestminster-it, përshkruajnë këtë përkeqësim trefish të mëkateve (kundër urdhërimeve të 6-të, 7-të dhe 10-të):

“Imoraliteti i këtij fakti përbëhej nga epshi, zilia dhe vrasja; e para [epshi] shfaqet, në atë që ai veproi me nxitim, duket se ai nuk priti natën, për shkak të privatësisë për një qëllim të tillë, sepse përndryshe shtrati do të ishte përmendur po aq sa toka; e dyta [zilia] është e qartë nga pasazhi, ai kishte zili nderin e vëllait të tij të vdekur, dhe prandaj nuk donte të ishte baba i ndonjë fëmije, që do të konsiderohej i atij, dhe jo i vetë tij; e treta [vrasja], në atë që ekziston një virtyt i jetës te fara, i cili zhduket nëse fara derdhet jashtë; dhe duke bërë këtë për të penguar lindjen e një fëmije të gjallë, është shkalla e parë e vrasjes që mund të kryhet, dhe tjetra është prishja e ngjizjes, kur ajo është bërë, dhe shkaktimi i abortit: tani veprime të tilla janë të regjistruara në Shkrimet si krime të tmerrshme, sepse, përndryshe shumë të tjerë mund t’i kryejnë ato, dhe që nuk njohin të keqen e tyre: mendohet se vëllai i tij Eri më parë, ishte vëllai i tij në ligësi deri në këtë pikë, që të dy kënaqnin sensualitetin e tyre kundër rendit të natyrës, dhe prandaj Perëndia i preu të dy njësoj me hakmarrje të papritur; që mund të jetë për terrorin e atyre Onanitëve Papistë që dënojnë martesën, por që jetojnë në papastërti sodomike, dhe për ata, që, në martesë, nuk kujdesen për rritjen e fëmijëve (që është përdorimi kryesor i gjendjes bashkëshortore) por për kënaqjen e epshit të tyre.”

Shënimet dhe Komentari i Uestminster-it mbi të gjithë Biblën (1657), mbi Zanafilla 38:9.

 

Në të njëjtën mënyrë, ish-delegatët e Sinodit të Dortit në komentarin e tyre i kuptonin implikimet e urdhërimit të 6-të në veprimin e Onanit:

“…kjo ishte njësoj, sikur në një farë mënyre, ai të kishte nxjerrë frytin nga barku i nënës, dhe ta kishte shkatërruar atë.”

Shënimet Hollandeze mbi të gjithë Biblën (1637), mbi Zanafillën 38:9

 

Vini re që thotë “sikur në një farë mënyre ai të kishte…” dhe nuk po pretendon se fara vetë është një qenie njerëzore. Ata e dinin se duhej si burri ashtu edhe gruaja së bashku për të krijuar një qenie njerëzore. Derdhja e farës jashtë është një lloj vrasjeje në kuptimin që është një mëkat kundër urdhërimit të 6-të, jo në kuptimin si aborti ose marrja e jetës tjetër njerëzore që janë vrasje. Të dy komentaret e Dortit dhe të Uestminster-it mbi këtë pasazh duhet të kuptohen në këtë kuptim.

Ka shumë teologë që mund të zgjedhim. Teologët e krishterë ishin unanimisht kundër kontraceptivëve dhe onanizmit, por do të shqyrtojmë disa më shumë. Vini re se ata nuk besonin që fara vetë ishte një qenie njerëzore, por se parandalimi i ngjizjes është një mëkat kundër urdhërimit të 6-të. Gjithashtu konsideroni që ata besonin se veprimi vetë, jo thjesht qëllimet e Onanit, ishte mëkatar.

Zhan Kalvin (John Calvin) në komentarin e tij mbi Zanafillën 38:

“Onani jo vetëm që mashtroi vëllain e tij nga e drejta që i takonte, por gjithashtu preferoi që sperma e tij të kalbej në tokë. Derdhja e vullnetshme e spermës jashtë marrëdhënieve midis burrit dhe gruas është një gjë monstruoze. Tërheqja e qëllimshme nga marrëdhënia në mënyrë që sperma të bjerë në tokë është dyfish monstruoze. Sepse kjo është të shuash shpresën e racës dhe të vrasësh para se të lindë pasardhësi i shpresuar. Nëse ndonjë grua e nxjerr foshnjen nga barku i saj me ilaçe, konsiderohet një krim i pashlyeshëm, dhe me të drejtë Onani solli mbi veten e tij të njëjtin lloj ndëshkimi, duke infektuar tokën me spermën e tij në mënyrë që Tamara të mos ngjizte një qenie njerëzore të ardhshme si banor të tokës.”

 

Cuditërisht ky citim u la jashtë nga komentaret e Kalvin-it në fund të shekullit të 19-të nga Shoqëria Përkthimeve Kalvin, kështu që shumë veta që lexojnë nga Kalvini mund të mos kenë lexuar kurrë pikëpamjen e tij mbi onanizmin. Shënimi 1 në fq. 281, “Një ose dy rreshta këtu janë lënë jashtë, si dhe komenti mbi vargun e dhjetë.” CCEL ruan komentet e humbura (235 fjalë në anglisht).

Martin Luteri në komentarin e tij mbi Zanafillën 38:8-10:

“Onani duhet të ketë qenë një faqezi i keq dhe i pandreqshëm. Ky është një mëkat shumë i turpshëm. Është shumë më i tmerrshëm se incesti dhe tradhëtia bashkëshortore. Ne e quajmë atë papastërti, po, një mëkat sodomik. Sepse Onani shkon tek ajo; domethënë, ai shtrihet me të dhe kryen marrëdhënie, dhe kur vjen në pikën e ejakulacionit, derdh spermën jashtë, që gruaja të mos ngjizet. Sigurisht në një kohë të tillë duhet të ndiqet rendi i natyrës i vendosur nga Perëndia në lindjen e fëmijëve. Prandaj, ishte një krim shumë i turpshëm që të prodhosh spermën, të eksitosh gruan, dhe ta zhgënjesh atë po në atë moment… Ai preferoi të ndotej me një mëkat shumë të turpshëm sesa të ngrinte pasardhës për vëllain e tij.”

 

Hugenoti francez Jean Mercier (1500-1562):

“Në çfarë mënyre kjo ndodhi duket e vështirë për t’u kuptuar dhe për t’u shprehur sepse është e turpshme, por është lehtësisht e imagjinueshme: sepse në atë bashkim kur erdhi në pikën e ejakulimit të farës, ajo farë nuk u ejakulua në vendin e saj të duhur, domethënë, në mitrën e gruas, por u derdh në tokë, duke rezultuar si ajo vetë ashtu edhe vëllai i ndjerë u mashtruan për pasardhës. Mëkati ishte krejtësisht kundër natyrës dhe të gjithë respektueshmërisë, dhe ishte i huaj për qëllimin e martesës; prandaj, u ndëshkua me të drejtë nga Perëndia: nga ku hebrenjtë thonë se njeriu që derdh farën në mënyrë të nxituar është i barabartë me atë që është fajtor për vrasje.”

 

Komentatori luteran Lucas Osiander (1534-1604):

“Çka ishte një gjë e neveritshme dhe më keq se tradhtia bashkëshortore. Sepse një vepër e tillë e keqe lufton kundër natyrës, dhe ata që e bëjnë atë nuk do të zotërojnë Mbretërinë e Perëndisë (1 Kor. 6:9-10). Dhe sa më e shenjtë të jetë martesa, aq më pak do të mbeten të pandëshkuar ata që jetojnë në të në një mënyrë të ligë dhe të papërshtatshme, në mënyrë që, përveç saj, ata praktikojnë veprat e tyre private të ligësisë.”

 

Henry Ainsworth (1571-1622):

“Një fakt jodashamirës dhe më së shumti i panatyrshëm; të derdhësh farën, e cila me bekimin e Perëndisë duhet të shërbejë për përhapjen e njerëzimit; dhe në këtë njeri, për përhapjen e Birit të Perëndisë sipas mishit, në të cilin të gjitha kombet e tokës duhet të bekohen, Zanafilla 22:18. që e bëri mëkatin më të pabesë, dhe përshpejtoi vdekjen e shpejtë të Onanit nga dora e Perëndisë.”

 

Predikuesi luteran Johann Gerhard (1582-1637):

“Shumica e komentuesve hebrenj dhe të krishterë konkludojnë [nga gramatika] se mëkati i Erit ishte i të njëjtit lloj si mëkati i Onanit, të cilin ata e quajnë zhburrëri. Agustini në librin 22, Kundër Faustit Kap. 84, konkludoi se Eri kishte mëkatuar në këtë shkelje rëndë sepse ai mëkat pengon ngjizjen dhe shkatërron fetusin në farën e tij.

“Perëndia i neverit dhe ndëshkon aktet e turpshme… mëkati i zhburrërisë  dhe derdhja e vullnetshme e farës është kundër natyrës: kjo në vetvete krahasohet nga hebrenjtë me vrasjen. Thomas [Aquinas] argumenton se është më serioze se vrasja.”

 

Pasazhi i Agustinit (354-430) i cituar nga Gerhard është si vijon:

“Dhe pse ka thënë Pali: ‘Nëse nuk mund të përmbajë veten, le të martohet’? Sigurisht, për të parandaluar që mospërmbajtja të mos e cojë në kurorëshkelje. Atëherë, nëse ai praktikon përmbajtjen, as të mos martohet as të mos lindë fëmijë. Megjithatë, nëse ai nuk e përmban veten, le të hyjë në martesë të ligjshme, në mënyrë që të mos lindë fëmijë në turp ose të shmangë të ketë pasardhës me një formë më të degraduar të marrëdhënieve. Ka disa çifte të martuar ligjërisht që i drejtohen kësaj të fundit, sepse marrëdhënia seksuale, edhe me bashkëshortin e ligjshëm, mund të kryhet në një mënyrë të paligjshme dhe të turpshme, sa herë që shmanget ngjizja e pasardhësve. Onani, djali i Judës, bëri pikërisht këtë gjë, dhe Perëndia e vrau atë për këtë arsye. Prandaj, lindja e fëmijëve është vetë qëllimi kryesor, natyror, legjitim i martesës.”

 

William Gouge flet për aktin e onanizmit si një “mangësi” dhe mëkat kundër “detyrës së mirëdashjes së duhur” [d.m.th. marrëdhëniet bashkëshortore] (mangësia tjetër e përmendur është mosdorëzimi ndaj tjetrit); nga kjo detyrë, një nga “qëllimet kryesore dhe parësore të saj” është “rritja e botës me pasardhës legjitimë“:

“Të mohosh këtë detyrë kur kërkohet me të drejtë, është të mohosh një borxh të duhur, dhe t’i japësh Satanit një avantazh të madh. Ndëshkimi i dhënë Onanit, (Zanafilla 38:9-10) tregon se sa i madh është ky gabim. Nga ai ndëshkim hebrenjtë nxjerrin se ky mëkat është një lloj vrasjeje. Është aq më shumë i rëndë kur urrejtja, qëndrueshmëria, delikatesa, frika e të pasurit shumë fëmijë, ose ndonjë gjë tjetër të ngjashëm, janë shkaku i tij.”

Mbi Detyrat Familjare, Traktati i Dytë Pjesa II, Për detyrat e përbashkëta midis Burrit dhe Gruas, § 9.

 

Konformisti anglez Andrew Willet (1562-1621) mbi Zanafillën (1595):

“Ishte kundër rendit të natyrës, duke përdorur aktin e brezave vetëm për kënaqësi, dhe jo për breza; ishte kundër Perëndisë, institucionin e të Cilit ai e theu; ishte kundër gruas së tij, të cilën ai e mashtroi për frytin e barkut të saj; ishte kundër vetes, duke parandaluar pasardhësit e tij; ishte kundër njerëzimit, i cili duhet të ishte rritur dhe përhapur… ky mëkat i zilisë [ishte] kundër vëllait të tij, të cilit ai duhet t’i kishte ngritur pasardhës.”

 

William Jenkyn (1612-1685):

“Ky mëkat [d.m.th. kurvëria], nëse praktikohet me trupin e vet njeriut, sipas mendimit të disa, quhet ‘malakia’, dhe ‘akatharsia’, zhburrërim dhe papastërti, për të cilën Perëndia vrau Onanin, Zanafilla 38:9; 1 Kor. 6:9; Kol. 3:5.” (Ekspozita e Judës, fq. 157).

 

Teologu anglikan Jeremy Taylor (1613-1667):

“Rregullat për personat e martuar, ose dëlirësia martesore. …

2. Në lejet dhe licencat e tyre, ata duhet të sigurohen të respektojnë rendin e natyrës dhe qëllimet e Perëndisë. ‘Eshtë një burrë i keq, ai që e përdor gruan e tij si një njeri trajton një prostitutë,‘ duke mos pasur asnjë qëllim tjetër përveç kënaqësisë. Për sa i përket kësaj, rregulli ynë më i mirë është, se megjithëse në këtë, si në të ngrënit dhe të pirët, ka një oreks për t’u kënaqur, që nuk mund të bëhet pa kënaqur atë dëshirë; por megjithatë, meqënëse ajo dëshirë dhe kënaqësi ishte menduar nga natyra për qëllime të tjera, ato nuk duhet të ndahen kurrë nga ato qëllime, por gjithmonë të bashkohen me të gjitha ose një nga këto qëllime, ‘me një dëshirë për fëmijë, ose për të shmangur kurvërinë, ose për të lehtësuar dhe zbutur shqetësimet dhe trishtimet e punëve të shtëpisë, ose për të dashur njëri-tjetrin,’ por kurrë me një qëllim, qoftë në veprim ose dëshirë, për të ndarë sensualitetin nga këto qëllime që e shenjtërojnë atë. Onani e ndau veprimin e tij nga qëllimi i tij i duhur, që gruaja e tij të mos ngjizej, dhe Perëndia e ndëshkoi atë.”

Rregulli dhe Ushtrimet e Jetës së Shenjtë, fq. 532.

 

Edward Elton (1637), komentari mbi Kolosianët 3:5, e përfshin onanizmin me mëkate të tjera të panatyrshme si sodomi dhe kafshëri:

“Tani mëkati i dytë i përmendur këtu është papastërtia. Ky mëkat gjithashtu është një shkelje e jashtme e Urdhërimit të Shtatë. Dhe me të ne kuptojmë çdo ndotje të vërtetë të trupit kundër natyrës. Siç është ai i incestit me ata që janë brenda gradave të ndaluara dhe të përmendura në Ligjin e Përtërirë 18:6-18. Dhe ndotje të tjera që janë më shumë kundër natyrës: si ajo që kryhet me një lloj tjetër (si me kafshët e egra), e ndaluar shprehimisht në Ligjin e Përtërirë 18:23; ose ajo që kryhet me atë seks që nuk është për atë përdorim natyror të përmendur në Romakët 1:26-27 dhe që ishte mëkati i sodomisë; ose ajo që është më e panatyrshme dhe ishte pjesërisht mëkati i Onanit (Zanafilla 38:9). Tani këto ndotje të trupit janë mëkatet më të ndyra dhe më të rënda, sepse ato nuk janë vetëm kundër ligjit të Perëndisë dhe kundër vetë dritës së natyrës—ato zakonisht janë ndëshkime të disa mëkateve të tjera të tmerrshme dhe gjithmonë ndjekin një zemër shumë profane dhe të vdekur. (Rom. 1:24).”

 

John Brown i Haddington (1722-1787) mbi Zanafillën 38:9:

“Mëkati i tij ishte jashtëzakonisht i rëndë, jo vetëm sepse buronte nga zilia për nderin e vëllait të tij, dhe nga përbuzja e farës së premtuar, por sepse ishte e tmerrshme dhe e panatyrshme në vetvete. Deri kur të vijë gjykimi i fundit nuk do të duket se çfarë faji të kësaj natyre është kryer midis njerëzve, dhe se sa frikshëm Perëndia e ka ndëshkuar atë.”

Bibla e Vetë-Interpretueshme, vol. 1, fq. 277.

 

Komentatori metodist/arminian Adam Clark (1762-1832):

“Mëkati i ndotjes së vetë, i cili zakonisht konsiderohet si ai i Onanit, është një nga të këqijat më shkatërruese që janë praktikuar ndonjëherë nga njeriu i rënë. Në shumë aspekte është shumë më keq se kurvëria e zakonshme, dhe ka pasojat e tij më të tmerrshme; megjithëse praktikohet nga ata që do të dridheshin me mendimin e lidhjes kriminale me një prostitutë…” (te Zanafilla 38:9).

 

Komentatorët luteranë të shekullit të 19-të Keil dhe Delitszch:

“Ky akt jo vetëm që tradhtoi një mungesë dashurie për vëllain e tij, i kombinuar me një lakmi të përbuzshme për pronën dhe trashëgiminë e tij, por ishte gjithashtu një mëkat kundër institucionit hyjnor të martesës dhe objektit të saj, dhe për këtë arsye u ndëshkua nga Jehovai me vdekje të papritur.”

 

Komentuesi i reformuar Johann Peter Lange (1802-1884):

“Mëkati i Onanit, një ligësi vdekjeprurëse, një shembull që duhet të mbahet në përbuzje, si dënuese, jo vetëm e mëkateve të fshehta të ndotjes së vetes, por gjithashtu e të gjitha shkeljeve të ngjashme në marrëdhëniet seksuale, dhe madje edhe në vetë martesën. Papastërtia në përgjithësi është një shkatërrim vrasës i fuqive krijuese, një kafshëri demonike, një ofendim ndaj paraardhësve, ndaj pasardhësve, dhe ndaj vetë jetës së vet. Është një krim kundër shëmbëlltyrës së Perëndisë, dhe një degradim nën kafshët. Mëkati i Onanit, për më tepër, siç u krye në martesë, ishte një ligësi shumë e panatyrshme, dhe një padrejtësi e rëndë.

 

Nga procesverbalet e Kishës Presbiteriane të Reformuar në 1888:

“Ne besojmë se papastërtia, në të gjitha format e saj ndotëse dhe poshtëruese, është në rritje. Kemi frikë se shumë, që janë anëtarë të Kishës, përdorin mjete për të parandaluar pasardhësit, përdorin shtratin e martesës për të kënaqur dëshirat e tyre, duke shkatërruar jetën e tyre, dhe duke sjellë mbi vete zemërimin e një Perëndie të shenjtë.”

 

Pastori luteran John H.C. Fritz (1874-1953):

“Marrëdhënia e Prindërve dhe Fëmijëve—dy gjëra që një pastor duhet të theksojë te njerëzit e martuar: 1. që Zoti do të bekojë martesën e tyre me fëmijë; 2. që Zoti i mban prindërit përgjegjës për trajnimin e krishterë të fëmijëve të tyre. Një burrë dhe një grua duhet, sipas vullnetit të Zotit, të bëhen babai dhe nëna e fëmijëve. Një nga qëllimet e Zotit për martesën është përhapja e racës njerëzore. Perëndia thotë: “Bëhuni të frytshëm dhe shumohuni dhe mbushni tokën,” Zanafilla 1:28; Ps. 127 dhe 128; Urdhërimi i Katërt. Një grua hebreje e martuar e konsideronte një vuajtje që të ishte pa fëmijë, 1 Sam. 1:1-20. Hebrenjtë kishin familje të mëdha; ashtu bënë edhe paraardhësit tanë gjermanë. Sistemi i familjeve me një, dy, ose tre fëmijë është kundër Shkrimeve; sepse njeriu nuk ka të drejtë të kufizojë në mënyrë arbitrare ose të përcaktojë numrin e pasardhësve të tij (kontrolli i lindjeve), sidomos jo nëse bëhet me mjete artificiale ose të panatyrshme. Zanafilla 1:28; Ps. 127:3-6; Ps. 128:3-4; Zanafilla 38:9-10. Kufizime të tilla si rrethanat e pakontrollueshme, shterpësia natyrore, ose shëndeti i dobët i gruas ose burrit e vendosin numrin e pasardhësve si përjashtim nga rregulli. Lindja e fëmijëve është një proces natyror dhe i shëndetshëm, ndërsa çdo ndërhyrje në funksionet natyrore është e dëmshme.

Franciscus Junius (1545-1602), redaktori i Rrëfimit Belg të Besimit e përmend aktin e Onanit si:

“Papastërtia më e shëmtuar, e cila nuk emërtohet lehtë as mes paganëve, por u praktikua dikur nga Gnostikët sipas dëshmisë së Epifanit.”

 

Junius pastaj citon dy pasazhe nga ati i kishës së hershme Epifaniti i Salamisit (315-402):

“Por megjithëse ata bashkohen, ata ndalojnë lindjen e fëmijëve. Kërkimi i tyre i etur për joshje është për kënaqësi, jo për lindjen e fëmijëve, meqënëse djalli tall njerëzit si këta, dhe tall krijesën e formuar nga Perëndia.”

“…ligësia e Gnostikëve. Pavarësisht nëse ata e kryejnë aktin e tyre të ndyrë me burra apo gra, ata akoma ndalojnë ngjizjen, duke hequr kështu lindjen e fëmijëve që Perëndia u ka dhënë krijesave të tij—siç thotë apostulli, ‘duke marrë mbi vete shpagimin e duhur për përdaljen e tyre’, dhe kështu me radhë (Rom. 1:27).”

 

Komentet e Matthew Poole mbi Zanafillën 38:9 janë:

“Dy gjëra duhet të vihen re këtu:

“1. Mëkati vetë, i cili përshkruhet këtu veçanërisht nga Fryma e Shenjtë, që njerëzit të mund të udhëzohen për natyrën dhe të keqen e madhe të këtij mëkati të vetë-ndotjes, i cili është një mëkat që solli mbi vepruesin e tij hakmarrjen e jashtëzakonshme të Perëndisë, dhe që është dënuar jo vetëm nga Shkrimi, por edhe nga drita e natyrës, dhe nga gjykimi i paganëve, të cilët e kanë censuruar shprehimisht si një mëkat të madh, dhe si një lloj vrasjeje. Për këtë, shihni Sinopsin tim në latinisht [ku Poole citon poetin romak Martial]. Nga kjo mund të kuptojmë mjaftueshëm se sa e ligë dhe e neveritshme është kjo praktikë mes të krishterëve, dhe në dritën e ungjillit, i cili vendos obligime më të mëdha dhe më të rrepta mbi ne për pastërtinë, dhe ndalon ashpër çdo ndotje si të trupit ashtu edhe të shpirtit.

2. Shkaku i kësaj ligësie; i cili duket se ka qenë ose urrejtja ndaj vëllait të tij, ose zilia ndaj emrit dhe nderit të vëllait të tij, që buron nga krenaria e zemrës së tij.”

 

Puritani i New England, Cotton Mather, gjithashtu e përmend onanizmin si “vetë-ndotje”:

“Është koha që t’ju them, se Krimi për të cilin ju paralajmëroj, është ajo Vetë-Ndotjes, e cila nga Emri i Personit që përjetësisht është stigmatizuar për të në Biblën tonë të Shenjtë, mban emrin ONANIZËM.”

Nazareu i Pastër (1723).

 

Rabinët e interpretonin shkeljen e Onanit si kontraceptiv përmes coitus interruptus. Në një eufemizëm ilustrues, komentuesi hebre Rashi e quan këtë “shirje brenda, dhe ndarje jashtë.” Ata besonin se ajo që kishte bërë Onani ishte e shpërdorueshme, por ndëshkimi duhej ti lihej Perëndisë.

Brian Harrison shpjegon se “komentuesit klasikë hebrenj—të cilët e dinin gjuhën hebreje, zakonet, ligjin dhe zhanret letrare biblike—sigurisht që  panë në këtë pasazh të Shkrimit një dënim të kontraceptivëve, marrëdhënieve të panatyrshme dhe masturbimit. Një koment i zakonshëm tradicional hebre e shpreh kështu:

“[Onani] keqpërdori organet që Perëndia i dha për të përhapur racën për të kënaqur në mënyrë të panatyrshme epshin e tij, dhe për këtë arsye ai ishte i denjë për vdekje.”

Bereshis: Zanafilla – Një Përkthim i Ri me një Koment të Autorizuar nga Burime Talmudike, Midrashike dhe Rabinike, Brooklyn: Mesorah Publications, 1980, Vol. 5, fq. 1677.

 

Klementi i Aleksandrisë (150-215) thotë se Onani “shkeli ligjin e marrëdhënies” dhe vazhdon të shpjegojë:

“Për shkak të institucionit të tij hyjnor për përhapjen e njeriut, fara nuk duhet të derdhet kot, as të dëmtohet, as të shpërdorohet. Të kesh marrëdhënie përveçëse për të lindur fëmijë është ti bësh dëm natyrës.” (Mësuesi i Fëmijëve, 191).

 

Gjon Krisostomi (John Chrysostom) (347-407):

“Pse mbjell aty ku fusha është e etur për të shkatërruar frytin, ku ka ilaçe të sterilitetit [kontraceptivë oral], ku ka vrasje para lindjes? Çfarë pastaj? A dënon dhuratën e Perëndisë dhe lufton me ligjet e Tij? Megjithatë, një turp i tillë. Çështja ende duket indiferente për shumë burra, madje edhe për shumë burra që kanë gra. Në këtë indiferencë të burrave të martuar ka një ndyrësi më të madhe; sepse atëherë përgatiten helme, jo kundër barkut të një prostitutë, por kundër gruas suaj të lënduar. Kundër saj janë këto truke të panumërta.”

Homilia 24 mbi Romakët, PG 60: fq. 626-627.

 

John IV Nesteutes, patriarku i Kostandinopojës në shekullin e 6-të, thotë:

“Nëse dikush për të kënaqur epshin e tij ose në urrejtje të qëllimshme bën diçka ndaj një burri ose gruaje në mënyrë që të mos lindin fëmijë prej tij ose saj, ose u jep atyre të pijnë (pharmakon), në mënyrë që ai të mos mund të krijojë ose ajo të mos mund të ngjizë, le të mbahet si vrasje.”

Penitenciali, PG 88:1924A.

 

Kuvendi i Parë i Nikeas, Kanoni i Parë (325 pas Krishtit):

“Nëse ndonjë në sëmundje ka kaluar nëpër një operacion nga duar të mjekëve ose është kastruar nga barbarët, le të mbetet mes klerikëve. Por nëse ndonjë në shëndet të mirë e ka kastruar veten, nëse ai është regjistruar mes klerikëve, ai duhet të pezullohet, dhe në të ardhmen asnjë njeri i tillë nuk duhet të promovohet. Por, siç është e qartë se kjo i referohet atyre që janë përgjegjës për gjendjen dhe kastrojnë veten, po ashtu nëse ndonjë është bërë eunuk nga barbarët ose nga zotërinjtë e tyre, por janë treguar të denjë, kanoni i pranon këta burra në kler (shih Ligji i Përtërirë 23:1).”

Konkluzion

Ne shqyrtuam mundësinë e natyrës abortuese të disa formave të kontrollit të lindjeve, si dhe rreziqet shëndetësore të lidhura me to, vonimin dhe kufizimin e lindjes së fëmijëve, dhe neglizhimin e ushqyerjes. Është thelbësore që, edhe nëse dikush nuk është i bindur nga rasti biblik dhe historik kundër kontrollit të lindjeve, të krishterët nuk duhet të përdorin kontrolle lindjesh që kanë mundësinë të shkaktojnë abort. Për më tepër, ne pamë se si kontrolli i lindjeve krijon idenë e një “lindjeje të paqëllimshme” dhe rrit mundësinë e aborteve, si dhe se si kontrolli i lindjeve lehtëson shthurjen seksuale.

Më pas, ne pamë se kontrolli i lindjeve nuk është një shpikje e fundit. Përdorimi i tij ishte i përhapur në botën antike dhe gjatë historisë paganët e kanë përdorur atë, por jo të krishterët për shkak të kuptimit të tyre për bekimin e fëmijëve, qëllimin e martesës, dhe mëkatin e onanizmit. Dhe ashtu si ishte gjendja e Kishës gjatë robërisë së Babilonisë dhe kohëve të tjera të persekutimit (Jer. 29:6), të krishterët gjithmonë e kanë kuptuar se lindja e fëmijëve dhe “ngritja e farës së shenjtë” (Mal. 2:15) është thelbësore për rritjen e Kishës.

Ne gjithashtu demonstruam biblikisht dhe historikisht se lindja e fëmijëve gjithmonë është konsideruar një qëllim dhe detyrë themelore e martesës, duke marrë parasysh urdhrin biblik për të qenë të frytshëm dhe për t’u shumuar dhe bekimin e lindjes së fëmijëve, duke qenë të kujdesshëm për të theksuar se lindja e fëmijëve nuk është sine qua non për atë që e përbën martesën. Për më tepër, ne bëmë një argumentim të rëndësishëm shterpësia dhe çështje të tjera shëndetësore nuk e anullojnë një martesë, sepse providenca përtej kontrollit të dikujt nuk barazohet me shkeljen e një urdhërimi moral në Shkrim. Po ashtu, ne shqyrtuam diferencën midis veprimeve mëkatare (finis operis) dhe qëllimeve mëkatare (finis operantis) dhe katër arsyet e ligjshme që Shkrimi jep për të abstenuar nga marrëdhënia seksuale, duke theksuar se abstinenca me qëllim për të parandaluar ngjizjen nuk është një arsye e ligjshme dhe është një ofendim ndaj projektimit të Perëndisë për martesën në rendin e krijuar.

Së fundi, ne shqyrtuam Zanafillën 38:9-10 dhe se si ky pasazh është kuptuar gjatë historisë për të përjashtuar parandalimin e ngjizjes, sepse ai shkel një detyrë themelore të martesës.

 

Perkthyer nga https://purelypresbyterian.com/2015/08/13/contraception-pt-4-onanism/

Perkthimi ne Hungarisht: https://oreformatus.hu/2021/06/11/fogamzasgatlas-iv-resz-onanizmus/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes