Deklarata ime e Mosbindjes Besnike

Pastori Wang Yi perkthyer nga Elton Tahillari

Në bazë të mësimeve të Biblës dhe të misionit të Ungjillit, i respektoj autoritetet që Perëndia ka vendosur në Kinë. Kjo sepse është Perëndia që i përmbys mbretërit dhe që i sjell në pushtet ata. Kjo është arsyeja se përse i nënshtrohem organizimit institucional dhe historik që Perëndia ka vendosur për Kinën.

Si pastori i një kishe të krishterë që jam, kam pikëpamjet dhe botëkuptimin tim, të cilat bazohen te Bibla, në lidhje me atë se çfarë është sundimi i drejtë dhe qeverisja e mirë.

Njëherësh, jam i mbushur deri në grykë me zemërim dhe neveri për shkak të përndjekjes së kishës nga regjimi komunist dhe të veprave të tyre të liga për mohimin e të drejtave njerëzore të lirisë së besimit dhe të ndërgjegjes.

Mirëpo, misioni për të cilin jam thirrur nuk është ndryshimi i rendit shoqëror dhe i institucioneve politike, madje ky nuk është as qëllimi për të cilin Perëndia i ka dhënë Ungjillin njerëzve të Tij.

Kjo sepse realiteti mizerabël, politikat e padrejta dhe ligjet arbitrare e bëjnë edhe më të dukshëm në sytë tanë kryqin e Krishtit, i cili është i vetmi mjet nëpërmjet të cilit çdo qytetar kinez duhet të shpëtohet.

Ato po ashtu na e bëjnë edhe më të dukshëm faktin se shpresa e vërtetë për një shoqëri të përsosur nuk qëndron në shndërrimin e institucioneve tokësore apo të kulturës të kësaj bote, por vetëm në faljen e mëkateve tona falas prej Jezu Krishtit dhe në shpresën e jetës së përjetshme.

Si pastor që jam, besimi im i fortë në ungjillin, mësimet e mia dhe qortimi i çdo të keqeje prej meje rrjedhin prej urdhërimeve të Krishtit që gjenden në Ungjill dhe prej dashurisë së pamatshme të Mbretit të lavdishëm.

Jeta e njeriut është mjaft e shkurtër dhe Perëndia e urdhëron kishën e Vet që ta drejtojë drejt pendimit këdo që është gati të pendohet. Krishti është i gatshëm dhe i etshëm për ta falur këdo që i kthen krahët mëkateve të veta.

Ky është qëllimi i të gjitha përpjekjeve të kishës në Kinë, pra, që t’i dëshmojë botës për Jezu Krishtin tonë, t’i dëshmojë Mbretërisë së Mesme [Shënim i Përkthyesit: emri tjetër i Kinës] për Mbretërinë e Qiellit, t’i dëshmojë jetëve të përkohshme e tokësore për jetën e përjetshme qiellore. Kjo është edhe thirrja shërbestare që unë kam marrë.

Ndaj, e pranoj dhe e respektoj faktin që ky regjim komunist është lejuar nga Perëndia që të sundojë për një farë kohe. Ashtu siç tha shërbëtori i Zotit Gjon Kalvini, sunduesit e ligj janë gjykimi i popullit mbi një komb të ligë, me qëllim që njerëzit e Perëndisë të nxiten që të pendohen për mëkatet e tyre dhe të kthehen te Perëndia.

Për këtë arsye, jam i gatshëm që t’i nënshtrohem me gëzim zbatimit të ligjit nga ana e tyre, njëlloj sikur t’i bindesha disiplinës dhe trajnimit të Zotit tim.

Njëherësh, besoj se përndjekja e kishës nga ana e regjimit komunist është një vepër katërçipërisht e ligë dhe e paligjshme. Si pastori i një kishe të krishterë që jam, duhet ta denoncoj këtë ligësi hapur dhe ashpër.

Thirrja që kam marrë më detyron që të përdor metoda të padhunshme për të mos iu bindur atyre ligjeve njerëzore që më shtrëngojnë që të mos i bindem Biblës dhe Perëndisë. Shpëtimtari im Jezu Krisht po ashtu më nxit që me gëzim ta paguaj çdo çmim që është i nevojshëm për të mos iu bindur ligjeve të liga.

Mirëpo, mosbindja ime personale dhe ajo e kishës sime nuk do të thotë se në një mënyrë a një tjetër po “luftojmë për të drejtat tona” apo se jemi përfshirë në ndonjë lloj aktivizmi politik në formën e mosbindjes civile, sepse nuk është synimi im që të ndryshoj institucionet apo ligjet e Kinës.

Si pastor që jam, e vetmja gjë që më intereson është thyerja e natyrës mëkatare të njeriut përmes mosbindjes besnike dhe dëshmisë që ajo jep për kryqin e Krishtit.

Si pastor që jam, mosbindja ime është një aspekt i porosisë së ungjillit.

Porosia e madhe e Krishtit na nxit për mosbindje radikale. Ama kjo mosbindje nuk ka për synim që të ndryshojë botën tonë, por që të dëshmojë për një botë tjetër.

Kjo sepse misioni i kishës është që të jetë thjesht kisha dhe të mos bëhet pjesë e institucioneve shekullare.

Negativisht kjo do të thotë se kisha duhet ta ndajë veten nga bota dhe të mos e lërë botën që ta kthejë në një institucion të vetin. Pozitivisht kjo do të thotë se të gjitha veprat e kishës janë përpjekje për t’i provuar botës ekzistencën reale të një bote tjetër.

Bibla na mëson se sa i përket të gjitha çështjeve të lidhura me ungjillin dhe me ndërgjegjen njerëzore ne duhet t’i bindemi Perëndisë dhe jo njerëzve. Për këtë arsye, mosbindja frymërore dhe vuajtjet trupore janë që të dyja mënyra të mira për të dëshmuar për një botë tjetër të përjetshme dhe për Mbretin e saj të lavdishëm.

Kjo është arsyeja se përse nuk jam i interesuar që t’i ndryshoj institucionet ligjore apo politike të Kinës. Madje as që jam i interesuar ta di se kur do të ndryshojnë politikat e regjimit komunist për përndjekjen e kishës.

Pavarësisht se në cilin regjim jetoj sot apo në të ardhmen, do të vazhdoj mosbindjen time besnike për sa kohë që qeveria shekullare vazhdon ta përndjekë kishën, duke dhunuar ndërgjegjen e njerëzve që i përket vetëm Perëndisë.

Kjo sepse thirrja që kam marrë nga Perëndia është që përmes veprimeve të mia t’ia bëj të njohur sa më shumë qytetarëve kinezë që mundem faktin se shpresa për njerëzinë dhe për shoqërinë qëndron vetëm në shpengimin e Krishtit, në sovranitetin e hirshëm dhe të mbinatyrshëm të Perëndisë.

Në qoftë se Perëndia vendos ta përdorë përndjekjen e regjimit komunist kundër kishës që t’i shtyjë sa më shumë qytetarë kinezë drejt dëshpërimit për të ardhmen e tyre, apo drejt e përmes një shkretëtire zhgënjimi frymëror me qëllim që përmes saj t’i bëjë ata të njihen me Jezu Krishtin, në qoftë se përmes saj Ai vazhdon ta disiplinojë dhe ndërtojë kishën e Tij, atëherë jam i gatshëm me gëzim që t’i nënshtrohem planeve të Perëndisë, sepse planet e Tij janë përherë dashamirëse dhe të mira.

Pikërisht për shkak se asnjë prej fjalëve dhe veprimeve të mia nuk synojnë apo shpresojnë për ndryshime politike dhe shoqërore, nuk i druhem asnjë pushteti politik apo shoqëror.

Kjo sepse Bibla na mëson se Perëndia i vendos autoritetet qeveritare me qëllim që t’i fusin frikën keqbërësve dhe jo që të terrorizojnë ata që bëjnë të mirën. Në qoftë se besimtarët në Jezusin nuk bëjnë asgjë të keqe, atëherë ata nuk kanë pse t’i druhen fuqive të errëta.

Ndonëse shpeshherë jam i dobët, besoj fuqimisht në premtimin e Ungjillit. Pikërisht atij ia kam kushtuar gjithë energjitë e mia. Është lajmi i mirë, të cilin po e përhap në mbarë shoqërinë kineze.

Jam i vetëdijshëm për faktin se kjo është pikërisht arsyeja se përse regjimi komunist e ka frikë kishën, e cila nuk i druhet më asnjë grime atij.

Në qoftë se më flakin në burg për një periudhë të shkurtër apo të gjatë kohe, në qoftë se kyçja ime pas hekurave i ndihmon autoritetet që të kenë më pak frikë prej besimit tim dhe prej Shpëtimtarit tim, me gëzim jam i gatshëm që t’i ndihmoj ato në këtë mënyrë.

Mirëpo, unë e di se vetëm atëherë kur e mohoj gjithë ligësinë e përndjekjes kundër kishës dhe zgjedh mjete paqësore për mosbindje do të jem i aftë që të ndihmoj shpirtrat e autoriteteve dhe të forcave të rendit.

Duke humbur së pari lirinë time personale, shpresoj se Perëndia do të më përdorë mua që t’i flas atyre që më kanë privuar prej lirisë se ekziston një autoritet më i lartë sesa autoriteti i tyre dhe se ekziston një liri që ata nuk e kufizojnë dot, një liri me të cilën kisha e të kryqëzuarit dhe të ringjallurit Jezu Krisht është plot e për plot.

Nuk ka rëndësi se me çfarë vepre penale do të më akuzojë regjimi, nuk ka rëndësi se çfarë pisllëku do të derdhin mbi mua, për sa kohë që të gjitha akuzat e tyre do të jenë të lidhura me besimin tim, shkrimet e mia, komentet e mia dhe mësimet e mia, sepse çfarë do që të jenë janë thjesht gënjeshtra dhe ngasje demonësh.

Unë i mohoj ato në mënyrë absolute. Unë do ta vuaj dënimin, por nuk do t’i shërbej ligjit. Unë do të ekzekutohem, por nuk do ta pranoj fajësinë.

Veç kësaj, duhet të theksoj se përndjekja kundër kishës së Zotit dhe kundër asaj pjese të popullit kinez që beson në Jezu Krishtin është e keqja më e ndyrë dhe më e tmerrshme nga e cila po vuan shoqëria kineze. Ky nuk është vetëm një mëkat kundër të krishterëve. Po ashtu, është edhe një mëkat kundër jo të krishterëve.

Kjo sepse qeveria po i kërcënon ata në mënyrë mizore e të pamëshirshme dhe nuk po i lë që të vijnë te Jezusi. Nuk ekziston asnjë vepër tjetër më e ligë sesa kjo në mbarë botën.

Në qoftë se Perëndia e përmbys një ditë këtë regjim, arsyeja se përse kjo do të ndodhë do të jetë ndëshkimi i drejtë i Perëndisë dhe hakmarrja e Tij për të keqen e mësipërme. Kjo sepse në tokë ka pasur vetëm një kishë mijëvjeçare, por nuk ka pasur kurrë një qeveri mijëvjeçare. Ekziston vetëm besimi i përjetshëm, por kurrë nuk ka pasur pushtet të përjetshëm.

Ata që më ndryjnë në qeli një ditë do ndryhen në një burg më të keq prej vetë engjëjve. Ata që më marrin në pyetje një ditë do t’i përgjigjen pyetjeve të Krishtit dhe do të gjykohen prej Tij.

Kur mendoj për këto gjëra, Zoti më mbush me dhembshuri dhe keqardhje të natyrshme për ata që organizuan arrestimin tim dhe që më kyçën pas hekurave. Lutuni që Zoti të më përdorë, që Ai të më falë durim dhe urtësi, me qëllim që ta ndaj Ungjillin me ta.

Ndamëni nga gruaja dhe fëmijët, ma merrni fytyrën, shkatërroni jetën dhe familjen time; autoritetet shumë lehtë mund t’i bëjnë këto gjëra. Mirëpo, të gjithë le ta dinë se nuk ekziston asgjë në këtë botë që mund të më detyrojë të heq dorë nga besimi im; askush nuk mund të më bëjë të ndryshoj jetën; dhe askush nuk mund të më ngjallë së vdekurish përveç Krishtit.

Kështu pra, zyrtarë të nderuar reshtni së bëri të keqen. Nuk është se unë kam ndonjë dobi në ma dëgjoni këshillën, vetëm ju dhe fëmijët tuaj keni për të gjetur mirë po e bëtë këtë. Ju lutem me gjithë zemër që ta ndalni dorën, sepse lind pyetja: përse jeni gati që të vuani dënimin e përjetshëm në ferr për shkak të një mëkatari modest si puna ime?

Jezusi është Krishti, biri i Perëndisë së përjetshëm dhe të gjallë. Ai vdiq për mëkatarët dhe u ringjall për ne. Ai është mbreti im dhe mbreti i gjithë dheut dje, sot dhe përjetë. Unë jam shërbëtori i Tij dhe jam burgosur bash për këtë shkak. Unë do t’i rezistoj me butësi atyre që i kundërvihen Perëndisë dhe me gëzim do t’i shkel të gjitha ligjet që shkelin ligjin e Perëndisë.

Shtojcë: Çfarë është Mosbindja Besnike?

Unë besoj fuqimisht se Bibla nuk i ka dhënë asnjë dege të pushtetit autoritetin për të sunduar mbi kishën dhe për të ndërhyrë në besimin e të krishterëve. Për pasojë, Bibla më kërkon që unë, përmes mjeteve paqësore dhe i mbushur me gëzim, me qëndresë zemërbutë dhe me vetëpërmbajtje aktive, t’i kundërvihem të gjitha politikave administrative dhe masave ligjore që e shtypin kishën dhe që e pengojnë besimin e të krishterëve.

Unë besoj fuqimisht se kjo është një vepër mosbindjeje frymërore. Përballë regjimeve autoritare moderne që e përndjekin kishën dhe i kundërvihen Ungjillit, mosbindja frymërore është një përbërës i pashmangshëm i lëvizjes ungjillore.

Unë besoj fuqimisht se mosbindja frymërore është një vepër e kohëve të fundit; është një dëshmi e mbretërisë së përjetshme të Perëndisë në mbretërinë e përkohshme të mëkatit dhe të ligësisë. Të krishterët mosbindës ndjekin shembullin e Krishtit të kryqëzuar duke ecur shtegut të kryqit. Mosbindja paqësore është mënyra se si ne e duam botën dhe njëherësh mënyra se si i shmangemi të bërit si bota.

Unë besoj fuqimisht se teksa ushtroj mosbindjen frymërore, Bibla më detyron që të mbështetem në hir dhe në fuqinë e ringjalljes së Krishtit, duke iu përmbajtur dy vijave të kuqe dhe duke mos i kaluar ato.

Vija e parë e kuqe është ajo e zemrës. Dashuria ndaj shpirtit dhe mospasja e urrejtjes ndaj trupit është motivimi i mosbindjes frymërore. Shndërrimi i shpirtit dhe jo ndryshimi i rrethanave është synimi i mosbindjes frymërore.

Në rast se ndodh që shtypja dhe dhuna që pësoj nga jashtë ma vjedhin paqen dhe qëndrueshmërinë e brendshme, aq sa zemra ime fillon të mbledhë urrejtje dhe hidhësi ndaj atyre që e përndjekin kishën dhe që i bëjnë keq të krishterëve, atëherë mosbindja frymërore ka dështuar në arritjen e këtij qëllimi.

Vija e dytë e kuqe është ajo e sjelljes. Ungjilli më detyron që mosbindja e besimit të jetë e padhunshme. Misteri i Ungjillit qëndron në vuajtjen aktive, madje edhe në të qenit i gatshëm që të durosh ndëshkim të padrejtë, në vend që të bësh qëndresë fizike. Mosbindja paqësore vjen si rezultat i dashurisë dhe faljes.

Kryqi do të thotë që të jesh i gatshëm që të vuash edhe atëherë kur nuk ke pse të vuash. Kjo sepse Krishti kishte fuqi të pafundme për t’u ngritur kundër xhelatëve të Tij, e megjithatë Ai vuajti gjithë poshtërimin dhe vuajtjen e mundshme. Mënyra se si Krishti i bëri qëndresë botës që iu kundërvu Atij ishte duke i falur një degë ulliri paqeje nga maja e kryqit botës që e kryqëzoi Atë.

Unë besoj fuqimisht se Krishti më ka thirrur që ta realizoj këtë mosbindje besnike përmes një jete shërbimi, nën këtë regjim që i kundërvihet Ungjillit dhe që e përndjek kishën. Ky është mjeti nëpërmjet të cilit unë e predikoj Ungjillin, dhe po ky është misteri i Ungjillit që predikoj.

Shërbëtori i Zotit,

Wang Yi

P.S. Drafti i parë i kësaj letre u hartua më 21 shtator 2018; u përmirësua më 4 tetor 2018. U la si porosi që t’i shpërndahej kishës 48 orë pas arrestimit të pastorit. Autori është pastori i Kishës së Besëlidhjes Shiu i Parë në Çengdu të Kinës.

Ai, e shoqja dhe 100 besimtarë të kishës së tij raportohen se janë arrestuar muajt e fundit në kuadrin e një fushate shtypëse dhe përndjekëse ndaj kishave ungjillore shtëpiake të nisur nga qeveria kineze.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes