Nga Burk Parsons
Kur u ballafaqova për herë të parë me Teologjinë e Reformuar unë e refuzova krejtësisht atë. Për afro dy vjet unë luftova kundër saj me çdo argument të mundshëm që mund të mendoja. Kjo zgjati deri në momentin që nisa një udhëtim përmes Shkrimeve dhe në të cilin u përballa me mësimin biblik të dashurisë së Perëndisë për popullin e Tij. Argumenti im kryesor kundër Teologjisë së Reformuar ishte dëshira ime për të mbrojtur doktrinën biblike të Perëndisë. Duke konsideruar vargje si Gjoni 3:16, mospajtimi im ishte që dashuria shpëtuese e Perëndisë ishte manifestuar ndaj të gjithë njerëzve pa përjashtim. Kjo do të thoshte që nuk besoja që dashuria e Perëndisë ishte demonstruar në shkallë të ndryshme. Sipas të kuptuarit tim për karakterin e Perëndisë, besoja që nuk kishte asnjë ndryshim midis dashurisë së Perëndisë për mëkatarin dhe dashurisë së Tij për shenjtorin.
Ndërsa jepja cdo argument kundër doktrinës së Reformuar, shumë herë irritohesha kur vinte fjala te mësimi biblik për dashurinë e veçantë të Perëndisë, dashurinë shpëtuese për popullin e Tij. Kjo më habiste. Si mundej që një Perëndi i dashur të mos donte çdo njeri në të njëjtën mënyrë?
Gjatë kohës kur po bëja studimin e Shkrimeve, i’u bashkova një grupi nga kisha ime në një udhëtim misioni në Haiti. Kur isha atje, një mikeshë nga kisha ndau me mua një bisedë që kishte pasur me parukierin e saj që ishte një homoseksual praktikant. Ndërsa po ndante bisedën që kishte pasur me të, ajo më shpjegoi me shumë entuziazëm që i thoshte atij vetëm që Perëndia e donte pa kushte, dhe ai që i përgjigjej “E di që Perëndia më do ashtu siçjam.” Për të, një përgjigje e tillë ishte përsosmërisht e arsyeshme. Për të, një përgjigje e tillë ishte përsosmërisht e pranueshme. Për mua, një përgjigje e tillë ishte përsosmërisht e tmerrshme.
Unë i bëra një pyetje shumë të thjeshtë: “Si mund të jesh kaq e sigurt që Perëndia e do mikun tënd homoseksual në mënyrë të pakushtëzuar?” I shpjegova shkurtimisht se çfarë kisha kuptuar rreth mësimit të Biblës në lidhje me dashurinë e veçantë të Perëndisë për popullin e Tij, që Perëndia i do të gjitha krijesat e Tij në një mënyrë, por Ai do pa kushte vetëm ata që janë fëmijët e Tij në Krishtin. Për më tepër, e pyeta, “nëse Perëndia e do pa kushte parukierin tënd homoseksual pse duhet të konsiderojë ndonjëherë ai që të pendohet dhe të besojë në Krishtin? Nëse Perëndia e do ashtu siçështë, pse duhet t’ja dorëzojë jetën e Tij Krishtit?” Atë natë, disa orë më vonë pas bisedës sonë, u thirra nga pastori ynë që të dilnim jashtë ndërtesës së misionit për një bisedë të vogël. Bazuar në bisedën që pata me mikeshën time më herët atë ditë, unë u akuzova se isha një “Kalvinist heretik.” Pas pesëmbëdhjetë minutash, dhe pas shumë lotësh, unë u pushova nga vendi i punës si pjesë e stafit dhe m’u hoqën të gjitha përgjegjësitë po atë natë.
Kur u ktheva nga Haiti, paketova librat e mi, dhe me shumë hidhërim në zemër, u largova nga kisha në të cilën isha bërë i krishterë. Menjëherë pas kësaj, fillova një studim të thelluar mbi dashurinë e Perëndisë në të gjitha shkrimet e Gjonit. Unë u zhyta në ungjillin e Gjonit, letrat e tij, dhe te libri i Zbulesës, duke u përpjekur për të kuptuar përkufizimin biblik të dashurisë së Perëndisë sipas apostullit Gjon. Mësimi biblik rreth Perëndisë dhe dashurisë së Tij për popullin e Tij shfaqet në shumë pasazhe të Shkrimit, dhe nga hiri i Perëndisë më në fund fillova të rrokja doktrinat e hirit të përkufizuara biblikisht nga Teologjia e Reformuar.
Letra e parë e Gjonit demonstron dallimin e qartë midis atyre që janë në Krishtin dhe atyre që janë nga bota. Në fund të kapitullit 2 të letrës së parë të Gjonit, ai i quan lexuesit e tij “fëmijë të vegjël” (NASB, v. 28). Pastaj, në fillim të kapitullit 3, Gjoni u rikujton fëmijëve të Perëndisë për dashurinë e Perëndisë për ta: “Shikoni ç’dashuri të madhe na ka dhënë Ati, që të quhemi bij të Perëndisë. ” (3:1a). Në vargun 10, Gjoni shpjegon, “Në këtë njihen bijtë e Perëndisë dhe bijtë e djallit; kushdo që nuk bën drejtësinë nuk është prej Perëndisë, as ai, që nuk do vëllanë e vet.” Më tej, në vargun 16, Gjoni shkruan për dashurinë e Perëndisë në vdekjen e Krishtit: “Në këtë e kemi njohur dashurinë: ai e dha jetën e tij për ne”
Ndoshta pasazhi më i njohur për atributin e Perëndisë të dashurisë është 1 Gjoni 4:8: “Perëndia është dashuri.” Shumë shpesh, kjo frazë tre-fjalëshe zhvishet nga konteksti i menjëhershëm ku Gjoni përkufizon dashurinë e veçantë shpëtuese të Perëndisë për popullin e Tij. Zakonisht, ky varg përdoret si provë për dashurinë pa kushte të Perëndisë për të gjithë njerëzit pa përjashtim. Por siçedhe Gjoni e shpjegon qartë, dashuria pa kushte e Perëndisë u manifestohet vetëm atyre që janë në Jezu Krishtin: “Në këtë është shfaqur dashuria e Perëndisë ndaj nesh, se Perëndia dërgoi Birin e tij të vetëmlindurin në botë që ne të rrojmë përmes tij. Në këtë është dashuria: jo se ne e deshëm Perëndinë, por që ai na deshi ne dhe dërgoi Birin e tij si shlyerje për mëkatet tona. ” (v. 9–10). “Dhe ne kemi njohur dhe kemi besuar dashurinë, që Perëndia ka ndaj nesh. Perëndia është dashuri; dhe ai, që qëndron në dashuri qëndron në Perëndinë dhe Perëndia në të.” (v. 16). “Ne e duam atë, sepse ai na deshi i pari.” (v. 19).
Gjatë udhëtimit tim te Teologjia e Reformuar, ishte doktrina e dashurisë shpëtuese të Perëndisë që më bindi për hirin zgjedhës të Perëndisë, dhe është dashuria e Perëndisë që vazhdon të mbajë jetën time në Krishtin.