Nëntë mësime nga Perëndia në lidhje me sëmundjen

Nga J. C. Ryle

Sëmundja ka si qëllim…

  1. Të na bëjë të mendojmë, të na kujtojë që kemi një shpirt dhe një trup, një shpirt të pavdekshëm, një shpirt që do të jetojë përgjithmonë në lumturi ose në mjerim, dhe që nëse ky shpirt nuk është i shpëtuar, do të kishte qenë më mirë të mos kishim lindur kurrë.
  2. Të na mësojë që ka një botë përtej varrit dhe që bota në të cilën jetojmë tani është vetëm një vend trajnimi për një banesë tjetër, ku nuk do të ketë kalbje, as trishtim, as frikëra, as mjerim, as mëkat.
  3. Për të na bërë të shikojmë jetën tonë të kaluar me ndershmëri, pa ia mbajtur anën vetes, me ndërgjegjshmëri. A jam gati për ndryshimin e madh nëse nuk bëhem më mirë? A pendohem me të vërtetë për mëkatet e mia? A më janë falur mëkatet dhe janë larë në gjakun e Krishtit? A jam i përgatitur të takoj Perëndinë?
  4. Për të na bërë të shohim zbrazëtinë e botës dhe paaftësinë e saj të plotë për të kënaqur nevojat më të larta dhe të thella të shpirtit.
  5. Për të na çuar te Biblat tona. Ai Libër i bekuar, në ditët kur jemi të shëndetshëm, shumë shpesh lihet në raft, bëhet vendi më i sigurt në të cilin të mbështetësh një copë letër dhe kurrë nuk hapet nga Janari në Dhjetor. Por sëmundja shpesh e bën që të zbresë nga rafti dhe hedh dritë të re mbi faqet e saj.
  6. Për të na bërë të lutemi. Kam frikë se shumë njerëz nuk luten fare, ose vetëm thonë ca fjalë të nxituara në mëngjes dhe në mbrëmje pa menduar se çfarë po bëjnë. Por lutja shpesh bëhet një realitet kur lugina e hijes së vdekjes është përpara syve.
  7. Për të na bërë të pendohemi dhe për t’u shkëputur nga mëkatet tona. Nëse nuk do dëgjojmë zërin e mëshirave, Perëndia nganjëherë na bën “të dëgjojmë thuprën”. 
  8. Për të na afruar me Krishtin. Në mënyrë të natyrshme ne nuk e shohim vlerën e plotë e atij Shpëtimtari të bekuar. Në mënyrë të fshehtë ne imagjinojmë që lutjet tona, veprat e mira dhe marrja e sakramenteve do të na shpëtojnë shpirtrat. Por kur mishi fillon të ligështohet, nevoja absolute e një Shpengimtari, një Ndërmjetësi, një Avokati me Atin, qëndron para syve të njerëzve si zjarr dhe i bën ata të kuptojnë këto fjalë, “Thjesht te kryqi mbahem fort”, si kurrë më parë. Sëmundja e ka bërë këtë për shumë dhe ata e kanë gjetur Krishtin në dhomën e sëmundjes. 
  9. Për të na bërë të ndiejmë dhembshuri ndaj të tjerëve. Nga natyra ne të gjithë jemi shumë poshtë shembullit të Mjeshtrit tonë të bekuar, i cili jo vetëm që kishte duar për të ndihmuar, por edhe një zemër për të ndier për të gjithë. Ma merr mendja se askush nuk është më i paaftë të tregojë dhembshuri sa ata që nuk kanë pasur probleme, dhe askush nuk është aq i aftë të ndiejë sa ata që kanë pirë më thellësisht kupën e dhimbjes dhe të trishtimit.

 

Përmbledhje:

Ruhuni nga shqetësimi, murmuritja, ankimi dhe dorëzimi ndaj një fryme të padurueshme. Konsiderojeni sëmundjen si një bekim në fshehtësi, një e mirë dhe jo një e keqe, në mik dhe jo një armik. S’ka dyshim që ne të gjithë duhet të preferojmë të mësojmë mësimet shpirtërore në shkollën e lehtësisë dhe jo nën thupër. Por qëndroni të sigurt që Perëndia e di më mirë se ne, se si të na mësojë. Drita e ditës së fundit do të tregojë që kishte një kuptim dhe një “duhet” në gjithë sëmundjet tona trupore. Mësimet që mësojmë kur zëmë shtratin, kur jemi të shkëputur nga bota, shpesh janë mësime që nuk mund t’i mësojmë gjetiu.

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes