(Kjo letër u shkrua në rrethana të veçanta, kur mikesha të cilës i drejtohet letra sapo kishte dëgjuar që Ruthi po vuante nga një sëmundje e pashërueshme.)
27 Dhjetor, 1854.
“Dhe ajo tha, Është mirë.”
E dashura ime A—, të falënderoj për letrën tënde të dashur. Ajo letër është shumë e ëmbël për zemrën time, sepse përmbante aromën e Tij… Të falënderoj, në emër të Tij, për të gjitha shprehjet e tua të buta të dashurisë — nuk do të përdor fjalën dhembshuri, sepse ti e di që nuk e kam të nevojshme, ashtu sic e fejuara nuk ka nevojë për dhembshuri kur vjen i Dashuri i saj që ta marrë për Veten e Tij. Asaj mund t’i duhet që të largohet nga ata që janë shumë afër dhe të dashur për të — por ajo është e sigurt se do t’i gjejë të gjitha më shumë në Vetë Atë. Vëre, sa më afër të ecësh me Të, aq më pak do ta ndiesh ndarjen. Kërko që të jetosh shumë afër me të Dashurin tënd, dhe Ai do të të japë shumë gjëra të mira, për të cilat ende nuk ke kuptim (1 Korintasve 2:9, 10).
Kisha shumë frikë të tregoja natyrën e sëmundjes sime. Por, ndërsa shëndeti po më dobësohej, nuk më dukej e drejtë ta fshehja më gjatë nga të dashurit e mi. E di, që kur është zbuluar, dhe kur jam ndjerë e trembur, Zoti im i dashur më ka thënë me dashuri: “Pse duhet të kesh turp për atë që kam bërë?” Unë i’u përgjigja Atij që nëse Ai do të lavdërohet dhe zbulohet në të, unë, për hir të Tij, do të harroj gjithë pjesën tjetër. Oh, po; me shumë dëshirë do të lavdërohem në dobësinë time. Nëse Ai do të madhërohet në këtë trup, qoftë me jetën apo me vdekjen.
Sa për vuajtjen vetë, unë e quaj atë një mik të ngushtë, sepse më tregon për shtëpinë, ku çdo zemër gjithmonë do të digjet me dashuri dhe do të shkëlqejë me lavdërim. Mua më duket sikur po marr një ftesë për të shkuar në pallatin e Mbretit. Çdo rresht dhe çdo shkronjë është dashuri; megjithëse mishi ka vuajtur, Dielli ka lindur prej kohësh me fuqinë e shërimit, dhe vërtet e lavdëroj Atë për këtë. Ka qenë si dita e parë; “mbrëmje dhe mëngjes”—fillimisht hija, dhe më pas ndriçimi. Zoti im i dashur ma tregoi qartë disa muaj më parë, Zbulesa 3:10, dhe Isaia 43:2. Atëherë a nuk duhet ta lavdëroj unë Atë? Oh, po; dhe këtu, në mes të ujërave të vuajtjes, do të ngre një gur përkujtimor në nder të dashurisë dhe besnikërisë së Tij, që më ka ndihmuar deri më tani. I lutem Atij që miqtë e mi të dashur të kenë një bekim të madh dhe të pasur në këtë mëshirë timen, dhe që përmes saj ata të kenë një aromë të ëmbël të Jezusit, për të përpirë aromën e keqe të këtij trupi që prishet, dhe ta shijojnë aq shumë Atë, saqë, së bashku, të kemi një shije paraprake të asaj plotësie gëzimi që është përjetësisht në praninë e Tij.
Nuk shoh asnjë centimetër të rrugës para meje, dhe nuk kam asnjë rezervë force apo aftësie për udhëtimin. Por unë duhet të jetoj çast pas çasti mbi Zotin Perëndi, i cili do t’i bëjë këmbët e mia si këmbët e drerëve, për të ecur mbi vende shumë të larta… Për më tepër, për të përdorur një tjetër figurë, duhet të qëndroj në krahët e të Dashurit tim si një foshnjë e pafuqishme—pa mençuri apo fuqi për të bërë ndonjë gjë për veten time—por duke besuar se “krahët e përjetshëm të dashurisë” do të jenë një mbartje e sigurt. Kam vetëm një dhimbje të thellë dhe me majë të mprehtë, që më bën të vajtoj çdo ditë, dhe ajo është, mendimi për jobesnikërinë time dhe cnderimin që i kam bërë Zotit tim më të dashur që kur e kam njohur dashurinë e Tij. E di që Ai ka falur gjithçka, dhe që gjaku i Tij i çmuar ka paguar deri në qindarkën e fundit—por një dashuri e tillë më bën të urrej veten edhe më shumë, dhe gjithmonë të fsheh fytyrën time të skuqur në kraharorin e Tij të dashur, duke kënduar, “Hiri sovran mbi mëkatin është i bollshëm!” Kush është një Zot si Ti, që shumëzon dhe u shfaq falje atyre që nuk kanë “asgjë për të paguar?”
Oh! çfarë Jezus të bekuar kemi—i cili mund të zbutë kaq shumë vuajtjen dhe të ëmbëlsojë burimin e hidhur të Maras (Eks. 15:23), duke na bërë jashtëzakonisht të gëzuar edhe në vuajtje, sa që nuk kam fuqinë të lavdëroj Atë si do të doja. Oh, sikur të ishte zemra ime një instrument me dhjetë tela, dhe jeta ime një letër e gjallë, në të cilën të gjithë mund të lexonin Atë. Por, me keqardhje! ajo është kaq e njollosur nga mosbesimi dhe mëkate të tjera, saqë është e vështirë të nxjerrësh emrin e Tij të dashur në shumicën e faqeve. Oh! kur ta shoh Atë ballë për ballë, dhe të shoh ato shenja dashurie në trupin e Tij të lavdishëm, çfarë do të ndiej? Ajo do të jetë parajsa—jo harpat dhe kurorat, apo ndonjë gjë tjetër—por JEZUSI dhe shikimi i hapur i lavdive të Tij të zbuluara, lavditë e papërshkrueshme të Hyjnisë, dhe bukuritë e përsosura të njerëzimit që gjithmonë ndriçojnë me një shkëlqim të ri në personin tonë si Nuse. Atëherë do të reflektojmë lavdinë e Tij dhe do të tregojmë lavdërimin e Tij.
Por, duke qenë ende në trup, duhet të ndalem; megjithëse ndonjëherë në portën e parajsës.
E dashur —, ti je e re në përvojë. Ndjej për ty si te 2 Korintasve 11:2, 3, duke u druajtur, që në ndonjë mënyrë — jo se Jezusi do të të humbasë ty — por ti do të lëshosh Jezusin. Që ndokush mos ta marrë kurorën tënde të gëzimit dhe të të bëjë të largohesh nga besimi yt. Ai të mbaftë shumë afër Vetvetes, dhe, çfarëdo zërash të çuditshëm që të shqetësojnë, Ai të bëftë që të dëgjosh atë që Zoti yt thotë te Gjoni 21:22 “Ti ndiqmë”. Mos harro gjithashtu 2 Timoteun 3:12. Ka shumë gjëra që quhen perëndishmëri por që nuk janë “të jetosh në mënyrë të shenjtë në Krishtin Jezus.” Të mos dish asgjë përveç Tij—të mos gëzohesh në asnjë tjetër—të mos shikosh askund tjetër për shenjtëri, lumturi dhe frytshmëri. Kjo është jeta e besimit që luftohet kaq shumë nga mosbesimi dhe arsyetimi i mishit, si në veten tonë ashtu edhe te të tjerët, si dhe nga Satani, i cili e di se kështu ai tejkalon më shumë sesa në ndonjë mënyrë tjetër (Efesianëve 6:16; 1 Pjetri 1:13-15). Zoti Fryma të haptë këtë rrugë të besimit për ty, dhe të mbaftë aty deri në fund të ditëve të tua, si te Galatasit 2:19, 20; Fjalët e Urta 4:18. Tani mund të dëshmoj se është një realitet i fortë dhe i bekuar, pavarësisht nga paqëndrueshmëria ime. Zoti të bekoftë dhe të të ngushëllojë (Psalmi 87:7). Ai, në thelb të thotë ty, “Të gjitha burimet e mia janë për ty.”
Faleminderit, shumë, për të gjitha urimet e mira. Jam shumë e padenjë për çdo dashuri, dhe shpesh mendoj se si Zoti im mund të duroje me mua, që jam kaq e padashur në të gjitha gjërat, kaq ndryshe nga shërbyesit e Tij. Por është gjithë dashuria e Tij që rrjedh për mua përmes zemrës tënde, dhe dashuria e Tij është një oqean pa fund dhe pa breg, në të cilin do të zhytemi përjetësisht.
Bashkimi ynë është përherë në lidhje të pandashme.
E jotja, gjithmonë në Të,
Ruth, mbledhësja e lumtur.