ZOTI JETON – TË GJESH FORCË NË KËTË VIT TË RI

Zoti Jeton

Ngushëllim për një Vit të Ri

James Smith, 1856

Zoti jeton!” 2 Samueli 22:47

Ne jetojmë në kohë të vështira. Ky vit i ri fillon si asnjë vit tjetër që ka filluar së fundmi. Vendi ynë është në luftë. Ushqimet janë të pakta. E ardhmja, ndonëse e fshehur nga shikimi ynë, duket se është mbushur me re. Është e mundur që do të ketë ndryshime të mëdha. Shumë frikëra do të zgjohen. Shumë zemra do të plagosen. Besimi i shumë njerëzve të Perëndisë do të vihet në provë të madhe. Satani do të jetë i zënë. Parimet tona do të vendosen në provë. Por, në mes të gjithçkaje, ne, si besimtarë në Jezusin, kemi një ngushëllim, “Zoti jeton!” Nuk do të ketë ndryshim tek Ai.

Fjala e Tij do të mbetet e vërtetë,
froni i Tij do të jetë i patundur, dhe
qëllimet e Tij do të mbeten të paprekura.

Ai do të sundojë në turbullirë dhe stuhi, dhe do të krijojë rrugën e tij në ujërat e thella. Po, Jehovai është i pandryshueshëm, dhe Ai është Perëndia ynë. I yni për shkak të besëlidhjes. I yni nga premtimi dhe betimi. I yni në Jezusin, Birin e Tij të dashur. Ai është objekti i shpresës dhe dashurisë sonë. Gjoksi i Tij do të jetë vendi ynë i prehjes, krahu i Tij do të jetë mbrojtja jonë, dhe provania e Tij do të jetë miku ynë. Privilegj i papërshkrueshëm! Mëshirë e pa krahasuar! Jehova, në të gjithë madhështinë dhe lavdinë e Tij, në të gjithë mirësinë dhe hirin e Tij, është Perëndia ynë. Dhe si Perëndia ynë, Ai gjithmonë jeton, gjithmonë mbretëron dhe realizon të gjitha gjërat për ne. Atëherë këtu kemi:

Një Fakt Inkurajues, me të cilin mund të hyjmë në vitin e ri, “Zoti jeton!” Miqtë mund të vdesin. Miqtë tanë më të dashur dhe më të afërm. Dhe është shumë e mundur që disa nga ata do të vdesin këtë vit. Pjesëtarët e familjes mund të vdesin, gruaja mund të humbasë burrin e saj, burri mund të humbasë gruan e tij dhe prindërit mund të humbasin fëmijët e tyre. O, sa shumë gra do të mbeten vejusha dhe fëmijë jetimë këtë vit! Por, Zoti jeton, dhe kjo duhet të na ngushëllojë në çdo rrethanë. Anëtarët e kishës mund të vdesin, ata më të shenjtët, ata më të dobishmit, ata mbi të cilët duket se mbështetet begatia e kishës. Por Zoti mund të bëjë pa ndonjë prej tyre, dhe të vazhdojë kauzën e Tij në mungesë të tyre, ashtu siç do ta bënte me ndihmën e tyre. Predikuesit mund të vdesin, ata më shëmbullorët dhe më të suksesshmit. Shumë udhëheqës të kishës do të shkojnë në shtëpi këtë vit. Shumë djem të rinj premtues mund të thirren po ashtu. Shumë foltore do të boshatisen, dhe shumë kisha do të mbeten pa pastor, por Bariu i Madh jeton, dhe kisha e Tij është e sigurt, kauza e Tij duhet të vazhdojë. Ai nuk varet nga njerëzit, as nga predikuesit, për të vazhduar kauzën e Tij, dhe Ai shpesh na e tregon këtë, duke larguar më herët ata që premtojnë më shumë. Ai mund të ngrejë çdo numër dhe çdo lloj predikuesish që do, dhe, bekuar qoftë emri i Tij, Ai do të ngrejë gjithë ata që i nevojiten.

Prandaj, nëse gjatë këtij viti, shokë të dashur do të thirren, nëse të afërmit tanë më të çmuar do të merren, nëse anëtarët aktivë të kishave tona do të largohen, apo edhe nëse predikuesit dhe pastorët tanë vdesin, le të kujtojmë, “Zoti jeton!” Kjo do të na japë ngushëllim të gjallë mes rrethanave të vdekjes dhe shokëve të vdekur.

Bimët tona mund të fishken, idhujt tanë mund të na hiqen, por “Zoti jeton!” dhe duke jetuar, Ai i do të gjithë njerëzit e Tij. Dispensacionet e Tij mund të ndryshojë, por dashuria e Tij asnjëherë. E vendosur për popullin e Tij në përjetësinë e kaluar, e vendosur për popullin e Tij siç e shohin në Jezusin, ajo mbetet e pandryshueshme. Gjithçka jashtë Perëndisë do të ndryshojë, por dashuria e Tij për popullin e Tij është vetë Ai që i do ata. Është natyra e Tij, është vetja e Tij, dhe Ai është i pandryshueshëm.

Unë mund të humbas dashurinë e njeriut të afërt, por Perëndia do të më dojë ende. Sepse Ai pushon në dashurinë e Tij. Kë Ai do, Ai e do deri në fund. Derisa Ai jeton, Ai i do njerëzit e Tij; dhe ndërsa Ai jeton gjithmonë, Ai do të dojë gjithmonë.

Oh, e vërtetë ngushëlluese, mes të gjitha mundimeve, sprovave, shqetësimeve dhe tundimeve të këtij viti që po vjen, Perëndia i gjallë do të vazhdojë të më dojë! Do të më dojë pafundësisht! Do të më dojë në mënyrë të tillë sa që të bëjë të gjitha gjërat të punojnë së bashku për të mirën time!

Zoti jeton!” dhe duke jetuar Ai ka një interes në të gjitha punët e popullit të Tij. Pasi ka numëruar edhe fijet e kokës së tyre, Ai nuk e konsideron asgjë si shumë të parëndësishme, asgjë si tepër të pavlerë për ta shqetësuar, nëse i ndikon ata. Besimtar, Perëndia yt ka interes në çdo punë të përditshme dhe dëshiron të dëgjojë nga ty për to. Për këtë arsye, të thuhet: “Në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim.” Ai do të kujdeset për gjithçka që ka të bëjë me ty, dhe dëshiron të të ndihmojë në çdo situatë. Ai të thotë të hedhësh të gjitha shqetësimet e tua mbi Të, duke të të siguruar se Ai kujdeset për ty. “Mos u brengosni, pra, për të nesërmen, sepse e nesërmja do të shqetësohet vetë për vete. Secilës ditë i mjafton e keqja e vet’.”

Zoti jeton!” dhe duke jetuar, Ai do të dëgjojë të gjitha psherëtimat, qarjet, rënkimet dhe lutjet e popullit të Tij. Asnjëra prej tyre nuk do t’i shpëtojë vëmendjes së Tij. Secila do të prekë zemrën e Tij dhe do të zgjojë dhembshurinë e Tij. “Kam dëgjuar,” tha Ai dikur, “rënkimet e popullit tim që është në Egjipt, dhe kam zbritur për t’i shpëtuar.” Po, o besimtar i varfër dhe i munduar, Perëndia yt do të dëgjojë klithmat e tua, do të marrë parasysh lutjet e tua, do të përmbushë premtimet e Tij dhe do të përfundojë çdo hidhërim tëndin, duke të vendosur përpara fytyrës së Tij përgjithmonë.

Zoti jeton!” dhe jeton për të përmbushur Fjalën e Tij. Të gjitha parashikimet e Tij do të dalin të vërteta. Premtimet e Tij do të realizohen të gjitha. Krijesat mund të thyejnë fjalën e tyre, por Perëndia ynë kurrë nuk do ta shkelë të tijën. Çdo premtim qëndron përpara syve të Tij, është i skalitur në zemrën e Tij dhe do të përmbushet në përvojën e popullit të Tij, për lavdinë e Tij. Vëlla im i varfër dhe i munduar, ti mund ta besosh Atë. Sado e ashpër qoftë rruga jote dhe sado e rëndë përleshja jote e brendshme. Po, ndërsa vërshimet e korruptimit kalojnë përmes shpirtit tënd, ndërsa shigjetat e zjarrta të Satanit po nguliten fort në ty, ndërsa bota po vrenjtet, dhe madje edhe vëllezërit e tu të krishterë po të shikojnë me ftohtësi, ose po qëndrojnë larg teje, ti mund ta besosh Atë!

Zoti jeton,” dhe jeton për të realizuar qëllimet e Tij. Për ty, ato janë qëllime të hirshme. Ato mund të jenë sprovuese, por do të jenë të dobishme. Ato rrjedhin nga dashuria e Tij. Ato mbajnë vulën e urtësisë së Tij. Ato kaluan në Jezusin. Ato janë për të dalë në lavdinë e Tij.

Jobi i varfër, në mes të mundimit të tij, pa diçka për këtë, dhe prandaj tha, “Kështu ai do të realizojë plotësisht atë që ka caktuar për mua, dhe dekrete të tilla ka mjaft të tjera.” (Jobi 23:14 NASB)

Zoti jeton!” dhe jeton për të përsosur veprat e Tij. Vepra e shpengimit do të përfundojë me ringjalljen e të gjithë shenjtorëve në ngjashmërinë e saktë të Jezusit. Vepra e hirit në zemrën tënde do të përsoset në përputhje të saktë të shpirtit tënd me shpirtin e Jezusit, në ditën e shfaqjes së Tij të lavdishme. Zoti e filloi atë, dhe Ai që e filloi, do ta përfundojë. Ai e dinte mirë të gjithë kundërshtimin me të cilën ajo do të ndeshej. Ai e dinte sa shpesh dhe sa shumë ajo do të pengohej, por Ai vendosi që ajo nuk do të vdesë kurrë. Ai do ta vazhdojë me çfarëdo mënyre dhe çfarëdo gjërash që i pëlqen. Ai do ta vazhdojë derisa të shohë shëmbëlltyrën e virtyteve të Tij morale pasqyruar nga çdo fuqi e shpirtit tënd!

Zoti jeton,” dhe jeton për të siguruar lavdinë e emrit të Tij më të shenjtë. “Zoti ka bërë çdo gjë për veten e tij, edhe të pabesin për ditën e fatkeqësisë.” (Fjalët e Urta 16:4). Ai do të marrë lavdi nga gjithçka që bën, nga gjithçka që ndalon, dhe nga gjithçka që lejon. Kur misteri i shpengimit të përfundojë, ne do të shohim se të gjitha veprat e Tij e lavdërojnë Atë, dhe shenjtorët e Tij e bekojnë Atë. Vepra e Tij do të duket e nderuar dhe e lavdishme, dhe drejtësia e Tij do të vazhdojë përjetë. Lavdia e Tij do të jetë e madhe në shpëtimin tonë. Mendim i ëmbël ky: Perëndia im do të marrë lavdi nga unë:
nga të gjitha mundimet dhe shqetësimet e mia,
nga të gjitha trishtimet dhe hidhërimet e mia,
nga të gjitha luftërat dhe fitoret e mia,
nga dobësia dhe forca ime,
nga psherëtimat dhe këngët e mia,
nga jeta ime dhe vdekja ime!

Le të hyjmë pra, bashkë-udhëtari im i varfër dhe i munduar, në këtë vit të ri, duke marrë inkurajim dhe ngushëllim nga fakti se “Zoti jeton;” dhe të përpiqemi të këndojmë me Psalmistin, “Zoti jeton, bekuar qoftë shkëmbi im, dhe le të lartësohet Perëndia i shpëtimit tim!”. Tani do të vëmë re:

PËRFUNDIMET ngushëlluese që mund të nxirren nga ky fakt.

Nëse Zoti jeton, ne nuk do të jemi pa MIK, sepse Ai do të jetë miku ynë, një mik që qëndron më afër se një vëlla. Ai do të…
na këshillojë me Fjalën e Tij,
na udhëheqë me provaninë e Tij,
na mësojë me Frymën e Tij,
na ushqejë me dorën e Tij, dhe
më në fund na pranojë në lavdi!

Nëse Zoti jeton, ne nuk do të jemi pa ATË, sepse Ai do të jetë një atë për ne, dhe ne do të jemi djemtë dhe vajzat e Tij. Ai do të na trajtojë si fëmijët e Tij. Ai do të merret me ne si me bijtë e Tij. Ai do të bëjë pjesën e një Ati. Prandaj të presim të udhëzohemi, të korrigjohemi, dhe po, ndonjëherë të rrahur! “Sepse cili bir është ai që ati i tij nuk e disiplinon?” E vërtetë, nëse mund të bëjmë pa thuprën, nuk do ta kemi atë. Por nëse shpina e të marrit kërkon thupër, ne do ta marrim. Ai nuk do të kursejë thuprën dhe të prishë fëmijën e tij, aq më pak që të lejojë që dikush të vdesë ose të humbasë nga neglizhenca.

Nëse Zoti jeton, ne nuk do të BRAKTISEMI kurrë. Sepse Zoti nuk do ta braktisë popullin e Tij për hir të emrit të Tij të madh, dhe sepse i ka pëlqyer Zotit t’i bëjë ata popullin e Tij. Fjala e Tij më e çmuar na e siguron këtë. Ai flet me ne individualisht. Ai i thotë secilit besimtar të varfër, të trembur dhe të shqetësuar, “Unë nuk do të të lë kurrë! Nuk do të të braktis asnjëherë!”. Si besimtarë në Jezusin, Ai është betuar që nuk do të jetë i zemëruar me ne, as të na qortojë.

Sigurim, sigurim i çmuar, me të cilin të fillojmë vitin, që çfarëdo të ndodhë në familje, në botë, në kishë, apo edhe në përvojën e shpirtit tonë, ne nuk do të jemi pa mik, pa atë, ose të braktisur! Por siç është thënë në kohët e vjetra, “Sepse Izraeli dhe Juda nuk janë braktisur nga Perëndia i tyre, Zoti i Ushtrive, ndonëse toka e tyre është e mbushur me mëkat para të Shenjtit të Izraelit”, kështu edhe ne do të shohim se në mes të gjithçkaje që ndodh, kemi një mik besnik, një at të dashur dhe një Perëndi të pranishëm. O, paçim hirin që ta përdorim siç duhet këtë fakt të lavdishëm!

Nëse Zoti jeton, atëherë mund të shkojmë përpara me BESIM dhe SIGURI
në rrugën tonë të Krishterë,
në punën tonë të përditshme,
në luftën e vështirë!

Siç është dita jonë, kështu do të jetë edhe forca jonë. Hiri i Jezusit do të jetë i mjaftueshëm për ne. Besimi dhe siguria është te ata që kanë Perëndinë e gjallë, me ta, për të luftuar për ta. Me ta si mikun dhe atin e tyre. Ky është privilegji ynë, prandaj me besim dhe siguri le të vazhdojmë përpara drejt shenjës për shpërblimin.

Nëse Zoti jeton, atëherë ne mund të shikojmë përpara në të ardhmen me SHPRESË. Retë dhe errësira mund të na rrethojnë tani. Ferrat dhe gjëmbat mund të jenë me ne tani. Por retë dhe errësira do të kalojnë, sepse drita është mbjellë për të drejtët, dhe gëzimi për ata që janë të drejtë në zemër. Ferrat dhe gjëmbat do të zhduken, sepse në vend të gjembit, do të ngrihet pisha, dhe në vend të ferrave, do të ngrihet pemë mërsine, dhe do të jetë për Zotin, për një emër, dhe për një shenjë të përjetshme, që nuk do të pritet.

Nëse Zoti jeton, ne mund të ndeshemi me më të keqen me KURAJO. Qoftë ajo persekutimi, ose varfëria, ose shpifje, ne mund të ndeshemi me të, për shkak se, Jezusi jeton, dhe ne do të jetojmë gjithashtu. Po, ne do të jemi më shumë se fitimtarë, nëpërmjet atij që na deshi.

Nëse Zoti jeton, ne mund të presim VDEKJEN pa frikë. Ne mund të vdesim këtë vit! Nëse ajo ndodh, ne do të “vdesim në Zotin;”. Ne do të largohemi vetëm nga skenat e mëkatit, trishtimit, zhgënjimit, shqetësimit dhe pikëllimit — “të jem me Krishtin, që është shumë më mirë.” Përveç kësaj, Zoti i gjallë do të jetë me ne në orën e vdekjes. Ai do të kujdeset në jastëkun tonë të vdekjes dhe do të japë hir të veçantë, për këtë sprovë të veçantë. Oh, o besimtar, çfarë është vdekja për ty? Një armik? E vërtetë, por një armik pa thumb, dhe pa fuqi! Një kalim i çuditshëm! Njëri do të jetë me ty, që nuk është i panjohur për ty, sepse edhe vdekja nuk mund të të ndajë nga dashuria e Tij, ose të ndryshojë zemrën e Tij ndaj teje.

Nëse Zoti jeton, ne duhet të…
shpallim lavdinë e Tij,
të flasim për nderin e emrit të Tij,
dhe ta bëjmë lavdërimin e Tij të lavdishëm.

Nëse Zoti jeton, ne duhet të ngjitemi me miqtë e Tij. Ata mund të jenë të papërsosur, të përçmuar dhe të munduar, por ata janë miqtë e Tij, dhe ne duhet t’i duam ata, t’i preferojmë ata, dhe të ngjitemi me ta për hir të Tij.

Nëse Zoti jeton, ne duhet të jetojmë në familjen e Tij, dhe me shtëpinë e Tij. Kisha është shtëpia e Perëndisë dhe ne duhet të jemi anëtarë të kësaj shtëpie të dukshme, të jetojmë në të, të punojmë në të, dhe të kërkojmë lumturinë tonë në privilegjet e mëdha dhe të çmuara të saj. Duhet të jemi të gatshëm të punojmë për Të. Nëse Ai punon në ne, më e pakta që mund të bëjmë në këmbim është të punojmë për Të. Të punojmë me gjithë zemër. Të punojmë rregullisht. Të jemi, siç na këshillon apostulli, “Duke tepruar përherë në veprën e Zotit, duke e ditur se mundi juaj nuk është i kotë në Zotin.” (1 Kor. 15:58)

Nëse Zoti jeton, frikërat tona janë marrëzi. Nga kush duhet të frikësohemi? Nga çfarë duhet të frikësohemi? Asgjë përveç mëkatit, asgjë përveç mëkatit. Gjatë këtij viti duhet të bashkohemi me Davidin dhe të këndojmë, “Zoti është drita ime dhe shpëtimi im, nga kush do të kem frikë? Zoti është fortesa e jetës time, nga kush do të kem frikë? Edhe sikur një ushtri të më rrethojë, zemra ime nuk do të ketë frikë; edhe sikur lufta të shpërthejë kundër meje, edhe atëherë do të jem i sigurt!” Ose me Davidin, “Do ta bekoj Zotin gjithmonë; lavdërimi i Tij do të jetë vazhdimisht në gojën time. Shpirti im do të mburret në Zotin, të përulurit do të dëgjojnë dhe do të gëzohen. O, madhëroni Zotin me mua, dhe le të lartësojmë së bashku emrin e Tij.”

Nëse Zoti jeton, fitorja është e sigurt. Ai që dikur fitoi për ne, do të fitojë në ne, dhe do të fitojë përmes nesh. Thirrja jonë do të jetë, “Ne jemi më shumë se fitimtarë, nëpëmjet atij që na deshi!” Prandaj, tani, mund t’i themi Zotit, “Ne do të gëzohemi në shpëtimin Tënd, dhe në emrin e Perëndisë tonë do të ngremë flamujt tanë.”

Së fundmi, nëse Zoti jeton, furnizimet janë të sigurta. Ne nuk e dimë se çfarë mund të kemi nevojë, as sa shumë mund të kemi nevojë, as sa gjatë mund të kemi nevojë, por Zoti e di, dhe Ai ka siguruar me mirësinë e Tij për të varfërit. Në përjetësi, Ai ka ruajtur për ne, dhe në kohë, përgjatë gjithë kohës sonë këtu, Ai do ta derdhë mbi ne. Vetëm le të…
ushtrojmë besim në Fjalën e Tij,
të kapemi pas kryqit të Tij,
të luftojmë përpara fronit të Tij,
të vështrojmë në rrugën e Tij,
të punojmë në vreshtin e Tij,
dhe të synojmë lavdinë e Tij —
dhe atëherë le të rriten taksat sa të duan, le të bjerë tregtia sa të dojë, le të rriten nevojat sa të duan, ne mund të themi me besim dhe siguri, “Zoti jeton, dhe Perëndia im do të sigurojë të gjitha nevojat e mia, sipas pasurisë së Tij të lavdishme në Krishtin Jezus!”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes