Brezi i Të Krishterëve Modernë dhe Krishtërimi pa Fuqi!

Krishterimi

J.C. Ryle,

Pjesë nga “Nevojat e Kohëve Tona!” 1879

Ka një ankesë të shpeshtë në këto kohë, që ka një mungesë të fuqisë në Krishtërim dhe se kisha nuk e shkund botën siç bënte në vitet e kaluara. A t’ju them arsyen, me fjalë të thjeshta? Është niveli i dobët i jetës, që në mënyrë të trishtueshme, është kaq i përhapur midis atyre që rrëfejnë besimin. Unë besoj se ne jemi shumë larg standardit tonë të praktikës së krishterë.

Kohët kërkojnë një standard më të lartë të shenjtërisë personale dhe një vëmendje të shtuar ndaj fesë praktike në jetën e përditshme.

Më duhet të deklaroj me ndershmëri bindjen time që, nuk ka pasur kurrë . . .

kaq shumë rrëfim të fesë, pa praktikë,

kaq shumë të folur për Perëndinë, pa ecur me Të,

kaq shumë dëgjim të Fjalës së Perëndisë, pa e zbatuar atë,

sa ka në këtë kohë të sotme!

Kurrë nuk ka pasur kaq shumë fuçi boshe dhe cimbale që tingëllojnë!

Kurrë nuk ka pasur kaq shumë formalitet, dhe kaq pak realitet!

E gjithë mënyra e të menduarit të njerëzve për atë që përbën Krishterimin praktik duket se është ulur. Standardi i artë i vjetër i sjelljes që i përket një të krishteri duket i degraduar dhe i rrënuar. Ju mund të shihni shumë persona që rrëfejnë të jenë të krishterë duke bërë vazhdimisht gjëra, që në ditët e shkuara do të mendoheshin si krejtësisht të papajtueshme me Krishtërimin e gjallë! Ata nuk shohin asnjë të keqe në gjëra të tilla si shkuarja në teatër, vallëzimi dhe kërcimi, leximi i pandërprerë i romaneve — dhe ata nuk mund të kuptojnë aspak se çfarë doni të thoni kur kundërshtoni këto gjëra! Ndjeshmëria e lashtë e ndërgjegjes për gjëra të tilla duket se po shuhet dhe po zhduket.

Dhe kur guxoni të kundërshtoni ata që kënaqen me këto gjëra, ata vetëm ju shikojnë si një person të modës së vjetër, mendjengushtë, të fosilizuar dhe thonë: “Ku është e keqja këtu?” Me pak fjalë, shkujdesja dhe mendjelehtësia janë karakteristikat e zakonshme të gjeneratës së re të besimtarëve.

Ku është . . .

  • vetë-mohimi,
  • shpengimi i kohës,
  • mungesa e luksit dhe vetë-kënaqësisë,
  • ndarja e qartë nga gjërat tokësore,
  • shfaqja të qënit gjithmonë në punën e Zotit tonë,
  • syri i fokusuar dhe i përkushtuar,
  • thjeshtësia e jetës familjare,
  • bisedat me vlerë në shoqëri,
  • durimi, përulësia, dashuria universale —

që i dallonte të krishterët shtatëdhjetë apo tetëdhjetë vite më parë? Po, ku është kjo? Ne kemi trashëguar parimet e tyre — por druaj se nuk kemi trashëguar praktikën e tyre!

Fryma e Shenjtë e sheh këtë, dhe është i pikëlluar! Bota e sheh këtë, dhe na përçmon. Bota e sheh këtë, dhe nuk i intereson dëshmia jonë. Është jeta, jeta — një jetë qiellore, e perëndishme, si ajo e Krishtit — e varur në të, ajo që ndikon botën!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes