Më poshtë janë mendimet e perëndishme të komentuesit të madh të Biblës, Matthew Henry, në lidhje me – Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës të të pabesëve, që nuk ndalet në rrugën e mëkatarëve dhe nuk ulet bashkë me tallësit, por që gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit, dhe që mendon thellë ditë e natë mbi ligjin e tij. (Psalmi 1:1-2)
Një njeri i perëndishëm, për të shmangur të keqen, heq dorë plotësisht nga shoqërimi me keqbërësit dhe nuk do që të udhëhiqet prej tyre (v.1): Ai nuk ecën sipas këshillës të të pabesëve, etj. Kjo pjesë e karakterit të tij përmendet e para, sepse ata që duan të mbajnë urdhërimet e Perëndisë të tyre duhet t’u thonë keqbërësve, “Largohuni, o njerëz të këqinj” (Psalmi 119:115), dhe largimi nga e keqja është aty ku fillon urtësia. (1.) Ai sheh keqbërësit përreth tij; bota është e mbushur me ta; ata ecin në çdo anë.
Ata janë përshkruar këtu me tri karakteristika: të pabesë, mëkatarë dhe tallës. Shiko se me cilët hapa njerëzit arrijnë kulmin e ligësisë. Nemo repentefit turpissimus — Askush nuk arrin kulmin e vesit menjëherë. Ata fillimisht janë të pabesë, duke hequr frikën e Perëndisë dhe duke jetuar në neglizhencën e detyrës së tyre ndaj tij. Por ata nuk ndalen aty. Kur shërbimet e fesë lihen mënjanë, ata bëhen mëkatarë, që do të thotë, ata shpërthejnë në rebelim të hapur kundër Perëndisë dhe angazhohen në shërbimin e mëkatit dhe të Satanit.
Mosveprimet hapin rrugën për veprime të këqija, dhe me anë të këtyre zemra ngurtësohet aq shumë sa në fund ata bëhen tallës, që do të thotë, ata sfidojnë hapur gjithçka që është e shenjtë, tallin fenë dhe bëjnë shaka me mëkatin. Kështu është rruga e padrejtësisë për në tatëpjetë; të këqijtë bëhen më të këqij, mëkatarët vetë bëhen tundues për të tjerët dhe avokatë për Baalin. Fjala që ne e përkthejmë “të pabesë” do të thotë ata që janë të paqëndrueshëm, që nuk kanë një qëllim të caktuar dhe ecin pa ndonjë rregull të caktuar, por janë nën komandën e çdo epshji dhe në thirrjen e çdo tundimi.
Fjala për “mëkatarë” do të thotë ata që janë të vendosur për praktikimin e mëkatit dhe e vendosin atë si tregtinë e tyre. “Tallësit” janë ata që e drejtojnë gojën kundër qiellit. Këta njeriu i mirë i sheh me një zemër të trishtuar. Ata janë një shqetësim i vazhdueshëm për shpirtin e tij të drejtë.
Por, (2.) Ai i shmang ata kudo që i sheh. Ai nuk bën sic bëjnë ata; dhe, që të mos i bëjë, ai nuk bën biseda të zakonshme me ta. [1.] Ai nuk ecën në këshillën e të pabesëve. Ai nuk është i pranishëm në këshillat e tyre, as nuk këshillon me ta; edhe pse ata janë aq të zgjuar, të mprehtë dhe të ditur, nëse janë të pabesë, nuk do të jenë njerëzit e këshillës së tij.
Ai nuk bie dakord me ta, as nuk thotë si thonë ata (Luka 23:51). Ai nuk merr masat e tij nga parimet e tyre, as vepron sipas këshillave që ata japin ose marrin. Të pabesët janë të gatshëm të japin këshillat e tyre kundër fesë, dhe kjo menaxhohet aq me mjeshtëri sa kemi arsye të mendojmë se jemi të lumtur nëse shpëtojmë nga ndotja dhe kurthi i tyre.
[2.] Ai nuk qëndron në rrugën e mëkatarëve. Ai shmang të bëjë sic bëjnë ata. Rruga e tyre nuk do të jetë rruga e tij. Ai nuk do të hyjë në të, aq më pak të vazhdojë në të, siç bën mëkatari, që vendos veten në një rrugë që nuk është e mirë (Psalmi 36:4).
Ai shmang (sa më shumë të jetë e mundur) të jetë atje ku janë ata. Që të mos i imitojë ata, ai nuk shoqërohet me ta, as nuk i zgjedh ata si shokë. Ai nuk qëndron në rrugën e tyre, për t’u kapur prej tyre (Fjalët e Urta 7:8), por qëndron sa më larg prej tyre sikur po shmang një vend ose person të infektuar me epidemi, nga frika e infektimit (Fjalët e Urta 4:14-15). Ai që dëshiron të jetë i mbrojtur nga dëmi, duhet të shmangë rrugën e dëmshme. [3.] Ai nuk ulet në vendin e tallësve; ai nuk prehet me ata që janë të sigurt në ligësinë e tyre dhe kënaqin vetveten në ngurtësinë e ndërgjegjes së tyre.
Ai nuk shoqërohet me ata që ulen në mbledhje për intriga dhe komplote, duke gjetur kështu mënyra për të mbështetur dhe përparuar mbretërinë e djallit, ose që ulen në gjykime të hapura për të dënuar brezin e të drejtëve. Vendi i pijanecëve është vendi i tallësve (Psalmi 69:12). I lum është njeriu që kurrë nuk ulet aty (Osea 7:5). Një njeri i perëndishëm, që të bëjë atë që është e mirë dhe kapet pas saj, i nënshtrohet udhëzimit të fjalës së Perëndisë dhe e bën atë të njohur ndaj vetes, v. 2. Kjo është ajo që e mban atë larg nga rruga e të pabesëve dhe e forcon kundër tundimeve të tyre.
“Për fjalën e buzëve të tua, jam ruajtur nga rrugët e njerëzve të furishëm.” (Psalmi 17:4). Ne nuk kemi nevojë të kërkojmë shoqërinë e mëkatarëve, as për kënaqësi as për përmirësim, ndërsa kemi shoqëri me fjalën e Perëndisë dhe me vetë Perëndinë nëpërmjet fjalës së tij. “kur të zgjohesh, do të flasin me ty.” (Fjalët e Urta 6:22). Ne mund të gjykojmë për gjendjen tonë shpirtërore duke pyetur: “Çfarë është ligji i Perëndisë për ne? Çfarë rëndësie i japim atij? Çfarë vendi ka ai në ne?”
Shiko këtu: (1.) Dashuria e plotë që një njeri i mirë ka për ligjin e Perëndisë: Kënaqësia e tij është në të. Ai gëzohet në të, edhe pse është një ligj, sepse është ligji i Perëndisë, që është i shenjtë, i drejtë dhe i mirë, të cilin ai e pranon me dëshirë, dhe kështu ai gëzohet në të, sipas njeriut të brendshëm, Rom. 7:16, 22.
Të gjithë ata që janë të kënaqur që ekziston një Perëndi duhet të jenë të kënaqur që ekziston një Bibël, një zbulesë e Perëndisë, e vullnetit të tij, dhe e vetmes rrugë drejt lumturisë në Të. (2.) Njohja intime që një njeri i mirë e mban me fjalën e Perëndisë: Në atë ligj ai mediton ditë e natë. Përmes kësaj kënaqësia e tij është në të, sepse çfarë ne duam, ne duam të mendojmë për të. (Psalmi 119:97). Të meditosh mbi fjalën e Perëndisë do të thotë të bisedosh me veten për gjërat e mëdha që ajo përmban, me një përqendrim të ngushtë të mendjes, një mendim i përqëndruar, derisa të prekemi në mënyrë të duhur nga ato gjëra dhe të përjetojmë shijen dhe fuqinë e tyre në zemrat tona.
Këtë duhet ta bëjmë ditë e natë. Ne duhet të kemi një konsiderim, të bërë zakon dhe të vazhdueshëm ndaj fjalës së Perëndisë si rregull i veprimeve tona dhe si burim i ngushëllimeve tona, dhe duhet ta kemi atë në mendimet tona, në përputhje me rrethanat, në çdo rast që ndodh, qoftë natë apo ditë. Asnjë kohë nuk është e papërshtatshme për të medituar mbi fjalën e Perëndisë, dhe asnjë kohë nuk është e pavend për ato vizita. Ne jo vetëm që duhet ta caktojmë veten për të medituar mbi fjalën e Perëndisë në mëngjes dhe në mbrëmje, në hyrje të ditës dhe të natës, por këto mendime duhet të jenë të ndërthurura me punët dhe bisedat e çdo dite dhe me pushimin dhe gjumin e çdo nate. Kur zgjohem, jam ende me ty.
Methju Henri (Matthew Henry)
Aplikimet e ketij pasazhi janë të shumta. Ai gjen zbatim në shumë të fusha të jetës. Si në martesë (bashkëshorti nuk duhetë të jetë jobesimtar), në edukimin e fëmijëve (fëmijët tanë nuk duhet të dishepullizohen nga paganët në shkollat publike, nga bashkëmoshatarët e tyre dhe nga interneti), shëndeti mendor (psikologjia dhe psikiatria vetëm sa vëzhgojnë disa sjellje njerëzore dhe menaxhojnë simptomat. Ato nuk kurojnë sepse nuk shkojnë te zemra sic Bibla bën dhe nuk përdorin kura natyrale që Perëndia na i ka dhënë), etj.