Nga Curtis A. Pugh
Që mëkatari i humbur duhet ta hedhë veten e tij plotësisht në mëshirën dhe në hirin e Zotit duhet të jetë e qartë për ata që lexojnë dhe besojnë Shkrimet. Por, Bibla nuk flet aspak për këto ide të krijuara nga njeriu si: “Të bësh lutjen e shpëtimit”, ose “të marrësh një vendim për Krishtin”, ose “të ftosh Jezusin në zemër” ose “të dalësh përpara për të marrë Krishtin.” Asnjë predikues i Dhjatës së Re nuk përdori kurrë këto terma dhe taktika! T’ju thuash mëkatarëve të vdekur shpirtërisht që ka diçka që ata mund të bëjnë për të sjellë shpëtimin e tyre është një herezi e dënueshme sepse nga shpresa e saj e rreme, mëkatarëve iu mësohet të besojnë në atë që ata kanë bërë, sesa në Krishtin që ka bërë gjithçka.
Konsideroni këto trembëdhjetë gjëra shpirtërore që një person i pashpëtuar nuk mund të bëjë:
- AI NUK MUND TË MENDOJË SI ZOTI MENDON:
“Duke qënë se mendimet e mia nuk janë mendimet tuaja, dhe as rrugët tuaja nuk janë rrugët e mia”, thotë Zoti. “Ashtu si qiejtë janë më të lartë se toka, kështu edhe rrugët e mia janë më të larta se rrugët tuaja dhe mendimet e mia janë më të larta se mendimet tuaja.” (Isaia 55:8-9)
- AI NUK MUND TA KUPTOJË PERËNDINË:
“. . . ti ke menduar që unë jam krejt i ngjashëm me ty. . . .” (Psalmi 50:21)
“A mundesh ti të hulumtosh thellësitë e Perëndisë? A mund të depërtosh në përsosmërinë e të Plotfuqishmit? Janë më të larta se qielli; çfarë mund të bësh? janë më të thella se Sheoli: çfarë mund të dish?” (Jobi 11:7-8)
- AI NUK MUND TI SHIKOJË GJËRAT SHPIRTËRORE:
“Jezusi iu përgjigj dhe tha: “Në të vërtetë, në të vërtete po të them që nëse një nuk ka rilindur, nuk mund ta shohëmbretërinë e Perëndisë” (Gjoni 3:3)
- AI NUK MUND TË NJOHË ZEMRËN E VET:
“Zemra gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme; kush mund ta njohë atë?” (Jeremia 17:9)
- AI NUK MUND TË DREJTOJË HAPAT E VETA:
“O Zot, unë e di që rruga e njeriut nuk varet nga fuqia e tij dhe njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij.” (Jeremia 10:23)
“Éshtë një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në rrugët e vdekjes..” (Fjalët e urta 14:12)
- AI NUK MUND TA ÇLIROJË VETEN NGA MALLKIMI I LIGJIT:
“Dhe të gjithë ata që themelohen mbi veprat e ligjit janë nën mallkim, sepse është shkruar: “I mallkuar është kushdo që nuk qëndron në të gjitha ato që shkruhen në librin e ligjit për t`i praktikuar” (Galatasit 3:10)
- AI NUK MUND TË MARRË FRYMËN E SHENJTË:
“Frymën e së Vërtetës, që bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e sheh dhe nuk e njeh . . .” (Gjoni 14:17)
- AI NUK MUND TË DËGJOJË (të marrë dhe të kuptojë) FJALËN E ZOTIT:
“Kush është prej Perëndisë, i dëgjon fjalët e Perëndisë; prandaj ju nuk dëgjoni, se nuk jeni prej Perëndisë.” (Gjoni 8:47)
“Dhe njeriu natyror (i pashpëtuar) nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t`i njohë; sepse ato gjykohen frymërisht.” (1 Korintasit 2:14)
- AI NUK MUND TA LINDË VETEN NË FAMILJEN E PERËNDISË:
“të cilët nuk janë lindur nga gjaku, as nga vullneti i mishit, as nga vullneti i burrit, por janë lindur nga Perëndia” (Gjoni 1:13)
“Ai i thotë në fakt Moisiut: “Do të kem mëshirë për atë që të kem mëshirë, dhe do të kem dhembshuri për atë që do të kem dhembshuri”. Kështu, pra, kjo nuk varet as prej atij që do, as prej atij që vrapon, por nga Perëndia që shfaq mëshirë.” (Romakët 9:15-16)
- AI NUK MUND TË PRODHOJË PENDESËN DHE BESIMIN NË KRISHTIN:
“Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë, jo nga vepra, që të mos mburret askush.” (Efesianët 2:8-9)
“…sepse jo të gjithë kanë besim” (2 Thesalonikasit 3:2)
“Juve ju është dhënë… që të besoni në të…” (Filipianët 1:29)
“….me shpresë se Perëndia ua jep atyre të pendohen…” (2 Timoteu 2:25)
“…atyre që kanë marrë për pjesë një besim të çmueshëm sikurse edhe ne…” (2 Pjetri 1:1)
- AI NUK MUND TË VIJË TE KRISHTI:
“Askush nuk mund të vijë tek unë, po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq . . . Për këtë arsye ju thashë se askush nuk mund të vijë tek unë, nëse nuk i është dhënë nga Ati im” (Gjoni 6:44, 65)
- AI NUK MUND TË BESOJË TE KRISHTI:
“Por ju nuk besoni, sepse nuk jeni nga delet e mia, siç jua kam thënë.” (Gjoni 10:26)
- AI NUK MUND TË KËNAQË PERËNDINË:
“Sepse ata që rrojnë sipas mishit e çojnë mendjen në gjërat e mishit, por ata që rrojnë sipas Frymës në gjërat e Frymës… Prandaj ata që janë në mish nuk mund t`i pëlqejnë Perëndisë. Nëse Fryma e Perëndisë banon në ju, ju nuk jeni më në mish, por në Frymë. Por në qoftë se ndokush nuk ka Frymën e Krishtit, ai nuk i përket atij.” (Romakët 8:5, 8, 9)
KËSHTU QË, NJERËZIMI NUK MUND TË FLASË PËR FAKTIN E PAAFTËSISË SË TIJ TOTALE PËR TË BËRË NDONJË GJË PËR GJENDJEN E TIJ TË HUMBUR.
Në dritën e këtyre gjërave, që një mëkatar i vdekur shpirtërisht nuk mund të bëjë, si mund ta kuptojmë urdhërimin e Perëndisë ndaj të gjithë njerëzve për t’u penduar? Bibla na tregon që Perëndia”. . . i urdhëron të gjithë njerëzit kudo të pendohen” (Veprat 17:30). Si mund ta kuptojmë këshillën e Perëndisë ndaj njerëzve që ata duhet të besojnë tek Krishti? A do të urdhëronte dhe udhëzonte Perëndia njerëzit të bënin atë që ata nuk mund të bëjnë?
Ne përgjigjemi me një “Po” të madhe. Prova jonë është Ligji i Shenjtë i Perëndisë i dhënë Moisiut në malin Sinai. Megjithëse nuk kishte asgjë gabim me ligjin e Perëndisë, asnjë njeri nuk mund t’i mbajë ato urdhërime (1 Timoteu 1:8; Romakët 8:3). Asnjë njeri nuk e ka mbajtur ligjin e Perëndisë dhe prapësëprapë Perëndia kishte të drejtë t’ja jepte njerëzve dhe të urdhëronte mbajtjen e tij! Me anë të ligjit ne shikojmë veten tonë si mëkatarë (Romakët 3:20). Ky ishte qëllimi i ligjit!
Ndërsa Perëndia kërkon pendesë (vullneti për t’u kthyer nga mëkatet) dhe besim (vullneti për të besuar në Krishtin), asnjë njeri nuk është i aftë nga vetvetja për të bërë asnjë nga këto. Prandaj, ashtu si Ligji, njeriu është i detyruar të shikojë që nuk ka asnjë gjë të mirë në të dhe që nuk mund të pendohet dhe të besojë për shpëtim në Jezus Krishtin.
Përgjatë Biblës fëmijët e Perëndisë njohin paaftësinë e tyre për të bërë ndonjë gjë për të shpëtuar veten e tyre. Si shtesë të vargjeve të cituara më sipër, konsideroni deklaratat e mëposhtme:
“. . . Unë e di së në mua, domethënë në mishin tim, nuk banon asgjë e mirë, sepse dëshira ndodhet tek unë, por të bëj të mirën nuk e gjej.” (Romakët 7:18)
“Unë besoj, o Zot, ndihmo mosbesimin tim.” (Marku 9:24)
“. . . Jam mbyllur dhe nuk mund të dal.” (Psalmi 88:8)
“Na përtëri, o Perëndi i shpëtimit tonë . . .” (Psalmi 85:4)
” . . . Më bëj të kthehem dhe unë do të kthehem, sepse ti je Zoti, Perëndia im.” (Jeremia 31:18)
“Jemi të gjithë si një gjë e papastër dhe të gjitha veprat tona të drejtësisë janë si një rrobe e ndotur, po fishkemi të gjithë si një gjethe dhe paudhësitë tona na çojnë larg si era. Nuk ka më njeri që të thërrasë emrin tënd, që të lëvizë për tu kapur pas teje . . .” (Isaia 64:6, 7)
“. . . Shpëtimi i përket Zotit” (Jona 2:10).
Ata që mendojnë se mund të pendohen siç duhet nga aftësia e tyre dhe të besojnë për shpëtim nga besimi i tyre, bien në gabim. Ata besojnë në vetë aftësinë e tyre dhe jo në veprën shpëtuese të Jezus Krishtit! A nuk është e vërtetë kjo për ata që mburren për mëkatet e tyre të së kaluarës dhe kthimin e tyre nga ato? A nuk pohojnë ata se e bënë vetë atë kthim? Në mënyrë të përsëritur ne e dëgjojmë këtë në takimet e tyre të njohura të “dhënies së dëshmisë.” Disa janë të gatshëm të ndajnë lavdinë dhe pranojnë se patën pak ndihmë nga Perëndia, por edhe kjo është një konfidencë e ligë në mishin. Dhe a nuk mburren disa fetarë për besimin e tyre sikur të ishte diçka e madhe e denjë për shpërblim? Besimi (konfidenca) në besimin tim ose në kthimin tim te Perëndia nuk është “. . . besimi i të zgjedhurve të Perëndisë.” (Titi 1:1)
Pali shkroi në lidhje me fëmijët e vërtetë të Perëndisë, “. . . Ne. . . i shërbejmë Perëndisë në frymë, dhe që mburremi në Krishtin Jezus, pa besuar nëmish.” (Filipianët 3:3). Të besosh në gjithçka të bërë në mish (natyrën dhe fuqinë njerëzore) është të kesh “konfidencë në mish.” Të besosh në lutjet e tua, pagëzimin tënd, mirësinë tënde, besimin tënd ose në ndonjë eksperiencë që mund të kesh patur është të kesh konfidencë në mishin dhe të mos besosh në Krishtin. Besimi dhe konfidenca e një besimtari të vërtetë është në Krishtin! Ata që kanë lindur nga Perëndia nuk besojnë në rituale, sakramente, vepra të mira, pendesën e tyrë ose besimin e tyre në Krishtin, por vetëm në Krishtin!
“Hetoni veten tuaj a jeni në besim . . .” (2 Korintasit 13:5). A po beson në besimin tënd apo po beson në Krishtin? Cili është objekti i besimit tënd? A mund të shikosh me të vërtetë që e gjithë “drejtësia jote është si një rrobe e ndotur”? (Isaia 64:6). A e ke parë që ti meriton vetëm Ferrin? A je i gatshëm të zësh vendin tënd si mëkatar, dhe nëse Perëndia do të të dërgonte në Ferr, a do mund të thuaje që Perëndia kishte të drejtë ta bënte këtë? Apo e konsideron veten si të padenjë për dënim të përjetshëm?
Konsideroni këto fjalë nga baptisti i vjetër anglez Himni Gadsby.
Ki kujdes nga besimi në vendin e gabuar;
Është më së shumti një besim i zbukuruar,
Të shërohesh, pa qënë lënduar:
Të shpëtohesh pa qënë i humbur.
A ke qënë i lënduar nga Fjala e Perëndisë për shkak se mëkatet e tua të janë zbuluar? A ke qënë ndonjëherë i humbur — kjo do të thotë, a e ke parë veten tënde si të humbur dhe të pa shpresë dhe si një mëkatar që meriton Ferrin? Si mund ta mendosh veten të shpëtuar nëse nuk ke humbur asnjëherë? Jezusi tha, “. . . Nuk erdha për të thirrur të drejtët, por mëkatarët për pendim” (Marku 2:17). Si mëkatar, me siguri Shkrimet e cituara të kanë treguar që nuk mund të bësh asgjë për gjëndjen tënde të humbur dhe të tmerrshme!
Shpëtimi është falas dhe vjen, “Jo me anë të veprave të drejta, që ne bëmë, por sipas mëshirës së tij . . .” (Titi 3:5). Shiko te Jezus Krishti, i cili ka bërë të gjitha gjerat e nevojshme dhe të mundur, “ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre” (Mateu 1:21).
Perëndia të dhëntë hir që të shikosh veten siç ai të shikon, dhe të dhëntë dhuratat e “. . . pendimit te Perëndia dhe besimin në Zotin tonë Jezu Krisht” (Veprat 20:21) që të jesh “. . . jo nga ata që tërhiqen prapa për humbje, por nga ata që besojnë për shpëtimin e shpirtit” (Hebrenjtë 10:39).